ATV

Category: Lajme

  • LAJM I FUNDIT! – Eric Dane, Ylli i “Grey’s Anatomy”, ndërron jetë në moshën 53-vjeçare!

    LAJM I FUNDIT! – Eric Dane, Ylli i “Grey’s Anatomy”, ndërron jetë në moshën 53-vjeçare!

    Hollywood-i është në zi pas humbjes së aktorit të dashur Eric Dane, i njohur më së shumti për rolin e Dr. Mark “McSteamy” Sloan në “Grey’s Anatomy” dhe për interpretimin e tij të fuqishëm në “Euphoria”.

    Sipas deklaratave zyrtare të familjes dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare, Dane ndërroi jetë më 19 shkurt 2026, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje me sklerozën laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje progresive neurodegjenerative e njohur edhe si “sëmundja e Lou Gehrig”.

    Eric Dane u bë emër i njohur në mesin e viteve 2000 falë rolit të tij karizmatik si Dr. Sloan në “Grey’s Anatomy”, duke u kthyer shpejt në një nga personazhet më të dashur të serialit. Në vitet e fundit, ai mori vlerësime për rolin e Cal Jacobs në “Euphoria”, ku tregoi një anë më të errët dhe komplekse të talentit të tij aktorial.

     

    Në prill 2025, Dane bëri publike diagnozën e tij me ALS, duke tronditur fansat në mbarë botën. Megjithatë, ai nuk u tërhoq nga jeta publike përkundrazi, përdori zërin e tij për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjen dhe për të mbështetur kërkimet shkencore.

    ALS prek qelizat nervore që kontrollojnë muskujt, duke çuar gradualisht në humbje të lëvizjes, të të folurit dhe në fund të frymëmarrjes.

    Sipas familjes së tij, aktori kaloi momentet e fundit i rrethuar nga më të dashurit e tij, përfshirë bashkëshorten, aktoren Rebecca Gayheart e dy vajzat e tyre.

    Homazhet nga kolegë dhe fansa kanë vërshuar në rrjete sociale, duke kujtuar ngrohtësinë, talentin dhe ndikimin e tij në industrinë e argëtimit. Familja ka kërkuar privatësi gjatë kësaj periudhe të vështirë.

    Eric Dane lë pas një trashëgimi të fuqishme artistike dhe një kujtim që do të mbetet gjatë në zemrat e fansave në mbarë botën.

  • Kosova në misionin e sigurisë për Gazën, presidentja Osmani jep detaje për përfshirjen e FSK-së

    Kosova në misionin e sigurisë për Gazën, presidentja Osmani jep detaje për përfshirjen e FSK-së

    Kosova dhe Shqipëria do të jenë në mesin e pesë vende që janë zotuar për të dërguar trupa për një forcë ndërkombëtare sigurie për Gazën.

    Presidentja Vjosa Osmani ka zbuluar detaje për përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë mision.

    “Është vlerësuar nga vet FSK-ja që kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për rritjen e profesionalizimit të FSK-së për përfshirjen në një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm krahas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatë të tjerë”.

    “Me vetë faktin që flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë aty së bashku me shtetet tjera kontribuuese është diçka që na fuqizon edhe ne”, deklaroi mes tjerash e para e shtetit të Kosovës në Rubikon.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar se Kosova, Shqipëria janë zotuar të kontribuojnë me trupa për të ruajtur paqen në Gaza.

    Trump theksoi se edhe vende të tjera, si Egjipti dhe Jordania, po ofrojnë ndihmë të konsiderueshme për krijimin e një force policore palestineze “shumë të besueshme”.

    Këto deklarata ai i bëri gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes, të mbajtur më 19 shkurt në Washington, ku morën pjesë 26 liderë botërorë, mes tyre kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Trump falënderoi liderët për pjesëmarrjen dhe theksoi rolin e tij në nxitjen e afrimit mes shteteve, duke përmendur edhe arritjen e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ai pati fjalë të veçanta për presidenten Osmani, të cilës i kërkoi të ngrihej në këmbë për ta përgëzuar për angazhimin në dialogun me Serbinë.

    Gjatë fjalimit të tij, Trump përmendi sërish luftën mes Serbisë dhe Kosovës. Ai thotë se nëse kanë probleme ta thërrasin atë.

    “…Për shumë prej këtyre çështjeve – po marr si shembull Kosovën dhe Serbinë. Unë e zgjidha atë. A mund të ngriheni pak në këmbë, nëse jeni këtu? Vetëm për një moment. Kosova, Serbia. Ngrihuni. Çfarë pune e shkëlqyer. Ju faleminderit shumë. E vlerësojmë. Shumë mirë. Po shkoni mirë me njëri-tjetrin, dhe kur nuk shkoni mirë, më telefononi mua dhe do ta zgjidhim, apo jo? Do ta zgjidhim. Faleminderit shumë”, ishin fjalët e Trump.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një vajze të mitur nga Rahoveci

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një vajze të mitur nga Rahoveci

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve dhe mediave për gjetjen e një vajze të mitur nga komuna e Rahovecit, zhdukja e së cilës është raportuar që nga muaji nëntor 2025.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, bëhet fjalë për Alisiana Shala, rreth moshës 14-vjeçare, për të cilën familjarët nuk kanë informacion për vendndodhjen e saj.

    “Që nga dita e raportimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka ndërmarrë veprime intensive, operative dhe hetimore për gjetjen e saj, mirëpo deri më tani nuk është arritur të lokalizohet”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me qëllim të lokalizimit sa më të shpejtë të vajzës, Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e publikut. “Nëse dikush ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e Alisiana Bekim Shala, ju lutemi të lajmëroheni menjëherë në numrin e telefonit 192 pa pagesë ose në stacionin më të afërt policor”, thuhet tutje në njoftim.

    Policia ka publikuar edhe fotografinë e vajzës dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo informacion relevant ta përcjellin tek autoritetet përkatëse.

  • Trump: FIFA do të mbledhë 75 milionë dollarë për projekte futbolli në Gaza

    Trump: FIFA do të mbledhë 75 milionë dollarë për projekte futbolli në Gaza

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten se FIFA do të ndajë 75 milionë dollarë për nisma sportive në Gaza.

    “FIFA do të mbledhë 75 milionë dollarë për projekte të lidhura me futbollin në Gaza”, deklaroi ai gjatë seancës inauguruese të Bordit të Paqes në Uashington.

    Njoftimi ishte pjesë e një sërë angazhimesh financiare të paraqitura përfaqësuesve të 47 vendeve.

    Trump e përfshiu këtë kontribut brenda planit për rindërtimin e enklavës palestineze, në varësi të çarmatimit të Hamasit dhe vendosjes pasuese të një strukture ndërkombëtare stabilizimi.

    Presidenti nuk specifikoi mekanizmin me të cilin do të siguroheshin fondet, as nuk sqaroi nëse ato do të vinin nga burimet e vetë FIFA-s apo nga një fushatë e jashtme për mbledhje fondesh.

    Gjithashtu, nuk u përmend asnjë marrëveshje zyrtare që do të nënshkruhej gjatë këtij eventi.

    Referenca për mbështetjen e futbollit u shfaq së bashku me shifra të tjera të njoftuara në takim, të tilla si 7 miliardë dollarët që, sipas Trump, disa vende tashmë i kanë premtuar për rindërtim dhe 10 miliardë dollarët që Shtetet e Bashkuara do të kontribuonin në fond.

  • Dy persona arrestohen në Prizren për fajde, dyshohen për kamatë mujore 100 për qind

    Dy persona arrestohen në Prizren për fajde, dyshohen për kamatë mujore 100 për qind

    Dy persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të fajdes, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

    “Me 19.02.2026 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën e lartcekur duke i ngarkuar kamatë mujore prej 100% ndaj viktimës mashkull kosovar”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet përkatëse.

  • Prishtinë: Ish-i dashuri ia dëmton veturën të dashurës me shqelm

    Prishtinë: Ish-i dashuri ia dëmton veturën të dashurës me shqelm

    Policia e Kosovës ka raportuar një rast ku dyshohet se ish- i dashuri ia ka dëmtuar veturën të dashurës së tij në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh, dëmtimi ka ndodhur duke e goditur me shqelm, mbrëmë rreth orës 23:30.

    “Rasti duke u hetuar”, thotë PK.

  • Hajnat hyjnë në një shtëpi në Gjilan, vjedhin stoli ari me vlerë 15 mijë euro

    Hajnat hyjnë në një shtëpi në Gjilan, vjedhin stoli ari me vlerë 15 mijë euro

    Një person ka njoftuar për një vjedhje të rëndë që ka ndodhur në shtëpinë e tij në fshatin Llashticë të Gjilanit.

    Sipas raportit 24-orësh dhe deklaratës së ankuesit, persona të panjohur kanë hyrë në shtëpi dhe kanë vjedhur një kasafortë, në të cilën kishte stoli ari me vlerë 15.000 € dhe dy armë zjarri.

    “Nuk raportohet për të arrestuar; rasti është në hetime”, thotë Policia e Kosovës.

  • Për sulmin në Banjskë prokuroria siguron prova edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit

    Për sulmin në Banjskë prokuroria siguron prova edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit

    Mbi 160 është numri i provave që ka propozuar Prokuroria Speciale për procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq.

    Tek dha arsyetimin për pranimin e disa prej provave, prokurori special Naim Abazi, dje tha se një nga raportet e dërguara nga Departamenti i Shtetit tregon vendndodhjen e të pandehurit Maksimoviq, në bazë të gjurmimit të telefonit.

    “Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara, të nxjerra nga sistemet zyrtare të ‘Google’ dhe ‘Meta’ që lidhen me llogarinë elektronike të Dushan Maksimoviq. Të dhënat e abonentit ‘IP addresa’ për krijimin e adresës së tij me origjinë nga Republika e Serbisë, numri i telefonit për rikonfigurim me prefiks të Serbisë, aktivizimi i shërbimeve si ‘location history’ të dhëna nga ‘Google maps’, ‘Youtube’”, ka thënë prokurori Abazi.

    Prokuroi Abazi i cilësoi si prova të rëndësishme ato me emrin “videoincizime”, si dhe një analizë që, sipas tij, dëshmon lidhjet mes të akuzuarve që janë duke u gjykuar dhe atyre në arrati.

    “Analiza e kontakteve rezulton se ekzistenca e lidhjeve të drejtpërdrejta nga lidhjet mes tyre tregon një rrjet komunikimi dhe ndërveprimi mes tyre…”, ka thënë ai. “Nga analiza rezulton prania e fotografive ku shfaqen armë dhe municione, një rrjet shoqëror i komunikimi mes atyre që përfshihen në këtë procedurë”.

    Avokatët e të pandehurve u ankuan se nuk i kanë marrë të gjitha provat që i ka cekur prokuroria.

    E prokurori Naim Abazi tha se kjo nuk qëndron.

    Kryetari i trupit gjykues i qortoi avokatët dhe tha se me deklarimin e tyre se nuk janë pajisur me shkresa drejt fundit të procesit, po e vënë në pikëpyetje se a po përfaqësohen në mënyrë profesionale interesat e të pandehurve apo jo.

    “Duhet ta ngremë çështjen edhe sa profesionalisht, se sa po mbrohen efektivisht të mbrojturit tuaj”, ka thënë gjyqtari Ngadhnjim Arrni.

    Pas kësaj, avokati Millosh Deleviq i kërkoi falje trupit gjykues.

    “Prokuroria nuk e ka precizuar se cilat prova planifikon t’i administrojë kundër tre të pandehurve”, ka thënë fillimisht ai. “Prokurori special ka paralajmëruar se do t’i precizojë më 16.01.2026 në fjalën hyrëse. Prokuroria këtë gjë e ka bërë sot dhe më falni gjyqtar dhe nuk kemi mundur të reagojmë më herët se nuk e kemi ditur se cilat prova do t’i propozojë në raport me tre të pandehurit. Në këtë propozim e kemi marrë sot”.

    Avokatja Jovana Fillipoviq tha se provat siç janë ekzaminimi i telefonit të të mbrojturit të saj Dushan Maksimoviqit janë marrë kundërligjshëm.

    Një kundërshtim të këtillë e dha edhe avokati Deleviq lidhur me ekspertizën forenzike, që gjeti prani baruti në xhaketën e Vladimir Toliqit.

    Avokati i Blagoje Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, propozoi si provë një listë ku prokuroria ka pretenduar se shihet ndarja e roleve të të pandehurit.

    E avokati i familjes së Afrim Bunjakut, rreshteri policor i vrarë gjatë sulmit të Banjskës, i vendosi në vëmendje të gjykatës dhe prokurorisë provat që nuk i propozoi prokuroria, e këtij propozimi iu bashkëngjit edhe prokurori i rastit. Trupi gjykues paralajmëroi se për një pjesë të propozimeve do të vendosë spot.

  • U arrestua pas zbulimeve të dosjeve “Epstein”, lirohet ish-princi britanik

    U arrestua pas zbulimeve të dosjeve “Epstein”, lirohet ish-princi britanik

    Ish-princi Andrew është fotografuar duke dalë nga stacioni i policisë pas arrestimit të tij mëngjesin e të enjtës, 19 shkurt, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës publike.

    Thames Valley Police njofton se ai do hetohet në gjendje të lirë, pasi qëndroi në komisariat për rreth 11 orë.

    Policia nuk ka dhënë informacione të mëtejshme për momentin, ndërsa po ushtrohen kontrolle në disa prej pronave të Andrew.

    Andrew Mountbatten‑Windsor, ish‑princ britanik dhe vëllai i monarkut Mbretit Charles III, u arrestua nga policia britanike nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës publike, një akuzë tejet serioze.

    Policia tha se hetimi lidhet me dyshimet se gjatë viteve kur ai ishte i dërguari tregtar për Britaninë (2001–2011), Mountbatten‑Windsor mund të ketë shpërndarë dokumente zyrtare e konfidenciale në mënyrë të papërshtatshme, përfshirë raporte dhe informacione për udhëtime zyrtare, te i famshmi Jeffrey Epstein.

    Dokumentet e fundit, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve, duket se tregojnë se ai ka dërguar raporte të tilla menjëherë pasi i ka marrë.

    Mountbatten‑Windsor ka pasur një lidhje të gjatë dhe shumë të diskutuar me Jeffrey Epstein, një amerikan i dënuar për përdhunim dhe trafikim seksual, çështje që ka ndikuar shumë në imazhin e tij publik dhe karrierën e tij.

  • “Për hir të zotit të bëjmë diçka”, Rama e nis ditën me videon e fjalimit ku Trumpit i kërkoi reagim për Specialen

    “Për hir të zotit të bëjmë diçka”, Rama e nis ditën me videon e fjalimit ku Trumpit i kërkoi reagim për Specialen

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur mëngjesin e sotëm me copëza nga mbledhja e parë e Bordit të Paqes në Washington DC.

    Në videon që ai shpërndau në rrjetet sociale, përfshihet edhe fjalimi i tij ikonik ku i kërkoi presidentit amerikan, Donald Trump, të bëjë diçka lidhur me procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    “MIRËMËNGJES dhe me këtë videokartolinë të takimit të Bordit të Paqes, ku mund të gjeni versionin origjinal të fjalës në emër të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkuar kryeministri shqiptar në facebook.