ATV

Category: Lajme

  • Gjashtë të vrarë nga sulmet izraelite në Libanin lindor

    Gjashtë të vrarë nga sulmet izraelite në Libanin lindor

    Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve izraelite në Luginën Bekaa të Libanit.

    Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër qendra të Hezbollahut në zonën e Baalbek.

    Sulmet rrezikojnë të tensionojnë armëpushimin e brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa palët kanë shkëmbyer akuza për shkelje të marrëveshjes.

  • Inskenoi grabitje për 1,400 euro, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Inskenoi grabitje për 1,400 euro, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një mashkull nga fshati Llazicë, i cili inskenoi një grabitje për të përvetësuar 1,400 euro.

    Pas hetimeve, u konstatua se rasti nuk kishte ndodhur dhe i dyshuari ka pranuar veprimin, duke treguar vendin ku i kishte fshehur paratë.

    Mjetet financiare u kthyen tek pala përkatëse, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

  • KFOR dhe NALT vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së

    KFOR dhe NALT vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së

    Komandanti i KFOR, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, së bashku me Drejtorin e NATO Advisory and Liaison Team (NALT), Gjeneral Brigade Sven Lange, kanë vizituar Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim dhe Shpëtim (SaR) të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Gjatë vizitës, drejtuesit e misionit u njohën nga afër me kapacitetet operacionale dhe aktivitetet trajnuese të qendrës, duke theksuar rëndësinë e operacioneve efikase të kërkim-shpëtimit në funksion të sigurisë publike dhe reagimit emergjent. Në fokus ishte edhe roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të mandatit të saj për mbrojtje civile.

    Sipas njoftimit, vizita të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve, me qëllim garantimin e sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.

    “KFOR vijon zbatimin e mandatit të saj, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Misioni punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me European Union Rule of Law Mission in Kosovo (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • Gjykata e Lartë e ShBA-së: Trump shkeli ligjin – tarifat janë të paligjshme

    Gjykata e Lartë e ShBA-së: Trump shkeli ligjin – tarifat janë të paligjshme

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të premten se presidenti amerikan, Donald Trump shkel ligjin federal duke vendosur një mori tarifash tregtare në mbarë botën pa autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.

    Kjo është një humbje e rëndësishme juridike për Shtëpinë e Bardhë në një çështje që ka qenë në qendër të politikës së jashtme dhe ekonomike të administratës së tij, shkruan cnn.

    Me vendimin 6 për dhe 3 vota kundër, Gjykata vlerësoi se Trump tejkaloi autoritetin kur u përpoq të përdorte një ligj emergjent federal (International Emergency Economic Powers Act – IEEPA) për të vendosur tarifa të gjerë mbi importet.

    Kryetari i Gjykatës, John Roberts, shkroi se presidenti duhet të tregojë autorizim të qartë nga Kongresi për të ushtruar një fuqinë e tillë – një gjë që nuk u demonstrua në këtë rast.

    Në vendim u tha se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin.

    Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.

    Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi. /Telegrafi/

  • Tërmet i fuqishëm në Afganistan

    Tërmet i fuqishëm në Afganistan

    Një tërmet me magnitudë 5.7 ballë goditi rajonin Hindu Kush në Afganistan, sipas Qendrës Gjermane të Kërkimeve për Gjeoshkencat.

    Tërmeti filloi në një thellësi prej 79 kilometrash.

    Bëhet e ditur se lëkundjet u ndjenë në kryeqytetin Kabul dhe në provincat fqinje.

    Deri tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme materiale apo viktima.

    Tërmetet janë të zakonshme në Afganistan, veçanërisht përgjatë vargmalit Hindu Kush, pranë vendit ku takohen pllakat tektonike euroaziatike dhe indiane

    Në gusht të vitit 2025, një tërmet me magnitudë 6.0 ballë në lindje të vendit shkatërroi fshatrat malore dhe vrau më shumë se 2,200 njerëz.

    Javë më vonë, një tërmet me magnitudë 6.3 ballë në Afganistanin verior vrau të paktën 27 persona.

    Dridhje të forta në Heratin perëndimor, pranë kufirit iranian, në vitin 2023, dhe në provincën Nangarhar në vitin 2022, vranë qindra njerëz dhe shkatërruan mijëra shtëpi. /Telegrafi/

  • Norvegjia tërheq trupat nga Iraku pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme

    Norvegjia tërheq trupat nga Iraku pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme

    Norvegjia ka njoftuar tërheqjen e trupave të saj nga Iraku për shkak të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.

    Zëdhënësi i Forcave të Armatosura Norvegjeze (FOH), Brynjar Stordal, tha për transmetuesin norvegjez NRK se afërsisht 60 ushtarë norvegjezë ishin të stacionuar në Irak dhe Jordani, dhe se ata po tërhiqnin trupat nga Iraku për shkak të rritjes së tensioneve në rajon.

    Stordal deklaroi se situata është e përkohshme dhe nuk dha detaje mbi numrin e trupave që janë tërhequr apo vendndodhjen e tyre të re. Ai shtoi se disa trupa mbeten ende në vende të ndryshme dhe i nënshtrohen kontrolleve specifike të sigurisë.

    “Ata e ndërmorën këtë hap për shkak të kërcënimeve dhe tensioneve në rajon,” tha Stordal.

    Ndërkaq, ushtria amerikane ka vendosur një gamë të gjerë forcash në Lindjen e Mesme, duke përfshirë dy transportues aeroplanësh, aeroplanë luftarakë dhe anije cisternash për furnizim me karburant. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka 10 deri në 15 ditë për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

  • Lufta Rusi-Ukrainë, Merz: Do të përfundojë vetëm kur njëra palë të jetë e shteruar

    Lufta Rusi-Ukrainë, Merz: Do të përfundojë vetëm kur njëra palë të jetë e shteruar

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, po bëhet gjithnjë e më realist mbi perspektivat e një përfundimi të shpejtë të luftës në Ukrainë, duke theksuar se kjo do të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve ushtarake dhe ekonomike, jo përmes argumenteve racionale apo humanitare.

    “Kjo luftë do të përfundojë kur njëra nga dy palët të jetë e shteruar, ushtarakisht ose ekonomikisht,” tha Merz në një intervistë për gazetat Neue Berliner Redaktionsgesellschaft dhe Rheinpfalz.

    Sipas kancelarit, qëllimi i europianëve duhet të jetë të sigurojnë që shteti rus të mos mund të vazhdojë më luftën, as ushtarakisht, as ekonomikisht.

    Merz komentoi gjithashtu Konferencën e Sigurisë së zhvilluar në Mynih, duke e përshkruar si një “sizmiograf” për gjendjen e marrëdhënieve SHBA–Evropë. Ai tha se lufta në Ukrainë “e ka detyruar Evropën të kthehet nga një pushim prej historisë botërore”.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili mori pjesë në të njëjtën konferencë, theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të mbrojë Ukrainën, të ruajë sigurinë evropiane dhe të dekurajojë Rusinë nga një pushtim tjetër, pa dhënë një “shembull katastrofik për botën”.

    Ai e quajti “një gabim strategjik të madh” nxitjen që Ukraina të pranojë se është e mposhtur.

  • Bosnja sanksionon 11 shtetas të saj për lidhjet e tyre me IS-in dhe Al-Nusrën

    Bosnja sanksionon 11 shtetas të saj për lidhjet e tyre me IS-in dhe Al-Nusrën

    Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngrirë pasurinë dhe mjetet financiare të 11 shtetasve të Bosnjës të lidhur me organizatat terroriste, Shteti Islamik (IS) dhe Al-Nusra, duke zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Për shumicën e personave të sanksionuar është lëshuar edhe njoftimi i kuq i INTERPOL-it, me kërkesë të autoriteteve të Bosnje e Hercegovinës.

    Vendimet kanë të bëjnë me ngrirjen e burimeve ekonomike dhe mjeteve financiare të personave që lidhen me vepra penale të ndërlidhura me terrorizmin dhe financimin e tij dhe janë publikuar më 19 shkurt, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Në listë është edhe Nusret Imamoviq, udhëheqës radikal selefist, i cili para disa vitesh ishte futur në listën e dhjetë terroristëve më të kërkuar në botë dhe ndodhet nën sanksione të Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Sipas informacioneve që janë të qasshme, ai dhe familja e tij jetojnë në Siri për më shumë se dhjetë vjet.

    Ndër të sanksionuarit janë edhe Muradif Hamzabegoviq, për të cilin supozohet se ndodhet në Siri, si dhe bashkëshortja e tij, Sena Hamzabegoviq, e cila ishte ndjekur penalisht për dërgim të parave në Siri, por është liruar nga akuzat, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmojë se ajo e dinte për çfarë qëllimi po përdoreshin paratë.

    Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Hamzabegoviqin në mungesë në vitin 2013 me gjashtë vjet burg për kontrabandim të qenieve njerëzore.

    Në listën e të sanksionuarve është edhe Hariz Meshanoviq, si dhe dy djemtë e tij, Adem dhe Meho, për të cilët gjithashtu supozohet se ndodhen në Siri.

    Pasuria është ngrirë edhe për Azur Karasuljiqin, Edin Zukiqin dhe Emir Çelamo, si dhe për Aleksandar Ruzhiqin, për të cilin thuhet se iu bashkua grupeve terroriste në Siri.

    Masat vlejnë edhe për Jasmin Grabusin, i cili gjithashtu ndodhet në Siri.

    Këshilli i Ministrave i Bosnje e Hercegovinës ka bërë të ditur se vendimet kanë karakter parandalues dhe janë të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të shtetit, përfshirë obligimet ndaj MONEYVAL-it (Komiteti i ekspertëve të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të Këshillit të Evropës) në lidhje me vendosjen e sanksioneve financiare për terrorizëm.

    Është theksuar se masat nuk paraqesin përcaktim të përgjegjësisë penale dhe as nuk paragjykojnë rezultatin e ndonjë procedure para gjykatave kompetente apo Prokurorisë.

    Sipas të dhënave të agjencive të inteligjencës dhe sigurisë, nga Bosnja dhe Hercegovina gjatë konfliktit në Siri dhe Irak, në periudhën 2012-2016, kishin shkuar rreth 300 shtetas të Bosnjës, përfshirë burra, gra dhe të mitur, ndërsa në këto zona kanë lindur edhe më shumë fëmijë.

    Pjesa më e madhe e largimeve është regjistruar në vitet e hershme të konfliktit.

    Nga ky numër, vlerësohet se ndërmjet 80 dhe më shumë se 100 persona janë vrarë ose kanë vdekur në zonat e luftës, ndërsa disa dhjetëra janë kthyer në Bosnje dhe Hercegovinë, qoftë në mënyrë private apo përmes riatdhesimeve të organizuara.

    Sipas të dhënave të vitit 2025, më shumë se 100 shtetas të Bosnje e Hercegovinës, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë qëndruar në kampe dhe objekte paraburgimi në veri të Sirisë, pa një kohë të qartë kthimi.

    Bosnja dhe Hercegovina në vitin 2014 ka futur dispozita të posaçme penale që dënojnë largimin e shtetasve të saj në vatra të huaja lufte për organizata terroriste, përfshirë organizimin e grupeve terroriste, bashkimin me formacione paramilitare të huaja dhe vepra të tjera të ndërlidhura.

    Deri më tani, më shumë se 30 persona janë dënuar me vendime të formës së prerë për vepra penale të lidhura me Sirinë dhe terrorizmin, me dënime me burg deri në tetë vjet në shumë raste.

    Shumica janë dënuar me rreth tre vjet burg, në raste të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë ose për shkak të mungesës së provave për akuza më të rënda.

    Edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Kosova, ka ligje që dënojnë bashkëngjitjen në grupe terroriste dhe po ashtu në Kosovë janë riatdhesuar disa shtetas që kishin shkuar në Siri.

    IS-i u mposhtë më 2017 nga një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Fronti Al-Nusra në ndërkohë ndryshoi emër dhe tani njihet si Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Luftëtarët e këtij grupi

    Shumë prej dënimeve të shqiptuara lidhen me kosovarët që i janë bashkuar organizatës Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e njohur edhe si Fronti Al-Nusra. Kjo organizatë ishte shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara më 2013, por më 2025 u hoq nga lista.

    HTS ka qenë dikur degë e Al-Kaidës në Siri, mirëpo i ka shkëputur lidhjet me grupin xhihadist më 2016, dhe ka tentuar të krijojë imazh tjetër në publik.

    Deri më 2017, HTS-ja ka pasur kontrollin e një pjese të madhe të veriperëndimit të Sirisë dhe ka krijuar administratë civile në atë zonë, mes akuzave për abuzime brutale kundër atyre që dalin kundër regjimit.

    Në fund të vitit 2024, luftëtarët e këtij grupi rrëzuan regjimin e Bashar al-Assadit në Siri./REL

  • Konjufca takohet me Prattipatin: Bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-të, përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja

    Konjufca takohet me Prattipatin: Bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-të, përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja

    Kryediplomati Glauk Konjufca ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Annu Prattipati.

    Konjufca ka deklaruar se bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-të, “mbetet përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja”.

    Ai e ka njoftuar Prattipatin edhe për vizionin dhe prioritetet e politikës së jashtme nën drejtimin e tij.

    Ata kanë folur edhe për proceset pas themelimit të institucioneve të reja.

    “Zëvendëskryeministri Konjufca paraqiti vizionin dhe prioritetet e politikës së jashtme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nën drejtimin e tij në mandatin e ri. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova pas themelimit të institucioneve të reja. Bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të mbetet përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj në Javen e Minatorëve: Ju lutem, Trepça duhet të jetë prioritet i parë

    Haradinaj në Javen e Minatorëve: Ju lutem, Trepça duhet të jetë prioritet i parë

    Në shënim të përvjetorit të Javës së grevës së minatorëve, në mensën e minierës “Trepça” sot u mbajtën aktivitete përkujtimore dhe fjalime në nderim të sakrificës së 1300 minatorëve, të cilët nga 20 deri më 28 shkurt të vitit 1989 kundërshtuan rrënimin e pozitës kushtetuese të Kosovës , duke zhvilluar një nga grevat më të rëndësishme në historinë më të re të Kosovës.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se greva e minatorëve ka qenë një nga ngjarjet më të mëdha dhe më tronditëse të asaj kohe, duke ndikuar fuqishëm në vetëdijësimin e popullit shqiptar dhe në zhvillimet politike në ish-Jugosllavi.

    “Unë dua të fillojë me atë që unë dikur e kam përjetuar në atë moshë me grevën e minatorëve. Ka qenë shumë ngjarje e madhe, vërtet ngjarja më e madhe e asaj kohe ka qenë greva e minatorëve. Ka qenë një lloj shkundjeje e madhe e të gjitha aspekteve, po them ashtu, të shoqërisë edhe krejt vëmendja e krejt njerëzve në Kosovë dhe qytetarëve, të gjithëve, ka qenë e drejtuar nga kjo trevë. Ka qenë më e madhe sesa pritjet, ka pasur përpjekje për padëgjueshmëri, të bëhet një lloj kundërshtimi, por greva i ka tejkaluar krejt ato pritjet e asaj kohe dhe e kanë bërë një shkundje të madhe. Kjo shkundje nuk ka ndodhur vetëm tek ne në Kosovë, por shkundja ka arritur edhe tek organet vendimmarrëse të federatës së atëhershme. Është koha, po e quaj ashtu, luftë nëpër të gjitha instancat e asaj kohe të ish-Jugosllavisë, në Beograd, shtete të tjera, disa kanë dalë në mbrojtje e disa kundër, mirëpo është e vërtetë që e ka tronditur shumë establishmenti, ekzistencën, fuqinë, autoritetin, madje edhe moralin e dikurshëm të asaj federate dhe ka ndikuar shumë te vetëdijësimi i shqiptarëve këtu në Kosovë, i popullit tonë. 1300 njerëz, pra të këtij vendi, minatorë, familjarë, prindër, e morën përsipër një sakrificë shumë të madhe dhe është e vërtetë se heronjtë tanë do të jenë të përhershëm Burhani, Azizi e të tjerët, mirëpo se çka ndodhi pastaj, po, e patën një peshë të rëndë edhe pasoja, sakrifica për jetën e tyre, çka u ndëshkuan keq të gjithë, disa me burgime, disa me persekutime, disa me largime të shumta. Ishte pra ajo shkundja e madhe që ndodhi në popull, reflektoi pastaj në një mobilizim mos me i lanë minatorët vetëm dhe e krijoi një unitet gjithëpopullor”, tha ai.

    Haradinaj foli edhe për procesin e votimit të statusit të Trepçës në vitin 2019, duke theksuar se ai vendim ishte trajtuar si prioritet nga qeveria e asaj kohe dhe ishte shoqëruar me vështirësi të mëdha.

    “Mua më kujtohet në mars të 2019-të e kemi votuar statutin e Trepçës. Me votimin e tij edhe krijimin, regjistrimin e Trepçës si kompani e Kosovës dhe bordin, jam kujdesur personalisht për të drejtat e minatorëve, për të drejtat e minatorëve në kompani, pra të drejtat e një jetëgjatësie të përhershme të rolit të minatorëve në këtë pasuri që është e Kosovës, por para së gjithash e minatorëve. Ka qenë një dëshirë e madhe që me kalimin e të gjitha pengesave të mëhershme, kur Trepça kontestohej, ku shumë palë kishin pretendime për Trepçën, dëshirë me pas çështje të negociatave dikur larg, ku e di unë, arritëm me e kthye në kompani të Kosovës. Mua më vjen keq që kanë kaluar gjashtë vite edhe nuk e shoh ndryshimin që është dashur me ndodhë në Trepçë. Nuk e kam vetëm me i kritikuar, por e kam me ju thanë që është humbur shumë kohë. Institucionet e sotme nuk duhet me pas Trepçën ndër prioritetet ose nën prioritetet. Nëse e kanë përnjëmend çështjen e veriut, ashtu siç po deklarohen, me e përmbyllë përmes Trepçës e kryen. Nuk është njëra ndër prioritetet e as nënprioritet, por është prioritet Trepça”, ka thënë Ramush Haradinaj.

    Sipas Haradinajt, Trepça duhet të ketë një projekt të qartë zhvillimor vendor, mbi bazën e të cilit më pas të ftohen partnerë strategjikë, duke paralajmëruar se mungesa e një vizioni të tillë rrezikon që vendimmarrja për këtë pasuri të kalojë jashtë Kosovës

    “Se në 2019 e kemi trajtuar si prioritet, mund ta mohojë kushdo, mund të mos i pëlqejë dikujt, por ka qenë bukur luftë e vështirë votimi i statutit të Trepçës. Ka pasur kundërshtime të mëdha, ka pasur tendenca të bojkotimit, sabotimit të statutit të Trepçës. Krijimi i Bordit, ata që e dinë, ka qenë po ashtu luftë. Ju lutem atyre që marrin vendime sot, të gjithëve, se të gjithë jemi të këtij vendi, mos e merrni ngadalë këtë punë, se kanë shkuar shumë vjet dhe nuk mundesh me prit vetëm prej atij që vjen me zhvilliu Trepçën, prej një partneri, kompani. Një vizion vendor, një projekt duhet ta kemi dhe në bazë të atij projekti ta ftojmë një partner. Nëse një partner vjen pa një projekt tonin, do të na imponojë projektin e vet, atëherë është shumë komerciale, merret vetëm me profitin e atyre që vijnë. Ju lutem, fillimisht krijoni një projekt tuajin të këtij vendi, të minatorëve të Trepçës, të këtyre ekspertëve të asaj dije që kemi dhe, kuptohet, të bashkohemi edhe me pjesën që kemi, sepse duhet një partner, se s’bën pa partner, por jo pa pasur një ofertë të këtij vendi tuaj.Se me kalimin e kohës, roli i juaj do të pësohet në masë të madhe dhe pesha e asaj se kush jemi ne dhe kush është kjo pasuri nuk është tek ne. Kjo nuk ka të bëjë me dikend që është në garë me ju apo të hyjë në hise në vendimmarrje e as me ia marrë ndonjë rol, por realisht ka të bëjë me dikend që i ka akumuluar disa këshilla, sikurse me pas folur Burhani. Se unë jam në dalje politike, pra nuk e kam garë politike, por e kam një këshillë prej atij që ju do. Ju lutem, Trepça duhet me qenë prioritet, prioritet i parë”, përfundoi ai.

    Haradinaj u bëri thirrje institucioneve që Trepçën ta trajtojnë me seriozitetin e duhur dhe si prioritet shtetëror, duke theksuar se mungesa e një vizioni të qartë zhvillimor po i kushton rëndë kësaj ndërmarrjeje. Ai nënvizoi se vetëm përmes një projekti vendor dhe partneriteti të mirëstrukturuar mund të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm i Trepçës dhe ruajtja e interesit publik.