ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku: Bashkëshortja ime do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj shpifësve

    Abdixhiku: Bashkëshortja ime do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj shpifësve

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpifjeve që, sipas tij, kanë përfshirë bashkëshorten e tij, Albinën.

    Ai thekson se në ditët me zhvillime me interes kombëtar, disa grupe përpiqen të përfshijnë edhe familjet e figurave publike, duke i atribuar pretendime të pavërteta për “përfitime politike” dhe “tregti me energji elektrike”.

    “Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve. Sot, kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për “përfitime politike” e “tregti me energji elektrike”. Sa lehtë shpifet këndej”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

    Tutje, Abdixhiku shprehu mbështetje të plotë për bashkëshorten e tij, e cila, siç tregon ai, ka vendosur të ndërmarrë veprim ligjor kundër shpifësve, duke e konsideruar këtë një hap të drejtë dhe të nevojshëm.

    “Si një zonjë e pavarur dhe profesionale që është, ajo më ka njoftuar se nesër do të ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve. E mbështes plotësisht, moralisht dhe njerëzisht, në këtë betejë. Njëkohësisht, i kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimit tim politik, ajo dhe familja e saj, tash e tre dekada punë, detyrohen të përballen me këtë gjuhë urrejtjeje dhe baltosjeje mercenare”, shkruan ai.

  • Hamza për takimin me Kurtin: S’shkova për pazare politike, s’u përmend asnjë emër për President

    Hamza për takimin me Kurtin: S’shkova për pazare politike, s’u përmend asnjë emër për President

    Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka dhënë detaje rreth takimit të djeshëm me Kryeministrin Albin Kurti, lidhur me çështjen e presidentit, për zgjedhjen e të cilit kanë mbetur më pak se dy javë kohë.

    Hamza tha se nuk ka shkuar në takim për pazare politike e as për ndonjë marrëveshje.

    Ai tha se në takim nuk ështtë përmendur asnjë emër për postin e Presidentin.

    “ Unë dje nuk kam shkuar që të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht apo të bëjmë ndonjë pazar politik… Në takim nuk ka pas prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmend”, ka deklaruar Hamza.

    Ai tha se me Kurtin kanë diskutuar për tema të ndryshme, teksa për çështjen e Presidentit tha se qëndrimi i PDK’së mbetet i njëjtë.

    “Kemi diskutuar për parimet, për rregulla,. Unë i kam dhënë qëndrimet e PDK’së, të cilat po i përsërit përveçse ndonjë kandidat i cili i plotëson kriteret që i ka vendosë PDK e këto janë që ta paraqes unitetin, e të jetë përfaqësues i gjithë spektrit politik, jo prej ndonjë partie politike, atëherë ne ulemi dhe e shqyrtojmë atë kandidaturë, edhe në Kryesi edhe në Grup Parlamentar”, ka thënë Hamza në RTV Dukagjini.

    Kurti ndërkohë ka paralajmëruar intensifikim të bisedimeve për të gjetur zgjidhje për çështjen e Presidentit.

    Për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë mbetur kohë më pak se dy javë, teksa Kurti disa herë theksoi se do të jetë çështje e vështirë sigurimi i numrave, duke theksuar se 66 votat që i kanë, janë larg 80’shit, sa nevojiten për zgjedhjen e presidentit.

    Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.

    Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.

  • Pas 6 orësh intervistim, Artan Grubi dërgohet në Gjykatën Penale në Shkup

    Pas 6 orësh intervistim, Artan Grubi dërgohet në Gjykatën Penale në Shkup

    Marrja në pyetje e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në Prokurori ka përfunduar pas gjashtë orësh.

    Grubi është dërguar në Gjykatën Penale në Shkup, ku do të nxirret para një gjyqtari për procedurë paraprake.

    Aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Prokuroria nëse do të këmbëngulin në paraburgim efektiv apo do të propozojnë një masë më të butë, duke marrë parasysh se Grubi u kthye në vend vetë dhe hetimi tashmë ka përfunduar./TV21mk

  • “Me bo me hy në garë Ramushi fiton”, Tahiri për garën për president

    “Me bo me hy në garë Ramushi fiton”, Tahiri për garën për president

    Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i bindur se nëse kryetari aktual i kësaj partie, Ramush Haradinaj, do të hynte në garë për president të Kosovës, ai do të fitonte.

    Tahiri, në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, tha se një kandidaturë e Haradinajt do të kishte mbështetje të mjaftueshme.

    “Se me ba me hi në garë, Ramushi e fiton. Me ba me hi në garë e fiton, absolutisht. Në një garë kur vjen një figurë si Ramush Haradinaj dhe kushdo tjetër, ajo është tjetër muhabet. Unë jam i bindur që kemi vota”, tha Tahiri.

  • Pas 144 vitesh pune, përfundon kulla qendrore e Sagrada Familia-s

    Pas 144 vitesh pune, përfundon kulla qendrore e Sagrada Familia-s

    Pjesa e fundit e kullës qendrore të Sagrada Família në Barcelona është vendosur në pozicionin e saj përfundimtar, duke e çuar kishën në lartësinë maksimale, 144 vjet pas fillimit të ndërtimit.

    Pas disa ditësh me erëra të forta, segmenti i sipërm i kryqit katërkëndor prej çeliku dhe xhami (17 metra i lartë) u vendos të premten, duke përmbyllur kështu kullën e fundit dhe më të madhe, e cila i kushtohet Jezu Krishtit.

    Me një lartësi prej 172,5 metrash, Sagrada Familia, së cilës arkitekti katalanas Antoni Gaudí i kushtoi vitet e fundit të jetës, është tashmë ndërtesa më e lartë në Barcelonë dhe kisha më e lartë në botë.

    Ndërsa u ngritën flamujt e Katalonjës dhe të Vatikanit, Jordi Faulí, arkitekti kryesor i projektit, deklaroi: “Ishte një ditë e gëzueshme, e mrekullueshme për të gjithë ata që e bënë të mundur.”

    Ceremonia për përfundimin e kullës, më e larta nga 18 kullat e projektuara nga Gaudí për Sagrada Familia, do të mbahet më 10 qershor, pikërisht 100 vjet pas vdekjes së Gaudít në vitin 1926 dhe 16 vjet pas shugurimit të kishës nga Pope Benedict XVI. Përfundimi i plotë i kompleksit pritet brenda rreth një dekade, me ndërtimin e një fasade mbresëlënëse me orientim jugor.

    Një simbol që përcakton horizontin e qytetit

    Pavarësisht se mbetet ende punë për t’u bërë, dita ishte plot emocione për një qytet që ka jetuar për breza me veprën e papërfunduar të Gaudít. Sot, tempulli përcakton horizontin e Barcelonës ashtu si Eiffel Tower në Paris apo Empire State Building në Nju Jork. Për dekada me radhë, Sagrada Familia ishte një kantier i hapur ndërtimi, ku breza gurgdhendësish dhe marangozësh punonin mes turistëve, të cilët në fund financuan projektin. Vetëm 15 vitet e fundit, që kur nisën punimet për brendësinë mahnitëse, ajo ka filluar të duket më shumë si kishë sesa si kantier.

    Shkrimtari britanik George Orwell e kishte përshkruar Sagrada Familian si “një nga ndërtesat më të shëmtuara në botë” dhe kishte shprehur keqardhjen që anarkistët nuk e hodhën në erë kur patën mundësinë.

    Megjithatë, anarkistët shkatërruan planet origjinale të Gaudít dhe modelin prej gipsi, të cilat vite më vonë u rindërtuan me shumë mund. Në fund të viteve 1970, arkitekti nga Zelanda e Re, Mark Burry, përshtati një program kompjuterik të projektimit të raketave për të realizuar me saktësi projektin kompleks të Gaudít.

    Hapi i radhës: Fasada e “Lavdisë”

    Përveç përfundimit të detajeve të kullës kryesore, tre artistë, Miquel Barceló, Cristina Iglesias dhe Javier Marín, janë ngarkuar të paraqesin propozime për Fasaden e Lavdisë, e cila pritet të përfundojë brenda 10 vjetësh. Sagrada Familia mbetet atraksioni kryesor turistik i qytetit, me rreth 5 milionë vizitorë në vit dhe të ardhura vjetore prej rreth 150 milionë eurosh, gjysma e të cilave deri më tani janë investuar në ndërtim.

  • Policia asiston në një rast të dhunës në familje në Ferizaj, te i dyshuari gjen substanca narkotike e armë

    Policia asiston në një rast të dhunës në familje në Ferizaj, te i dyshuari gjen substanca narkotike e armë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Ferizaj, të cilit pas bastisjes për një rast të dhunës në familje, i janë gjetur substanca narkotike dhe armë.

    Në cilësi të provave, janë gjetur dhe konfiskuar: marihuanë, kokainë, pistoletë me gas dhe karikator, para në prerje letre në total 400 euro, dy telefona, një pako letra për mbështjellje të narkotikëve dhe një peshore digjitale, shkruan Reporteri.net.

    “Të gjitha veprimet lidhur me rastin, janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Ferizaj, ndërsa me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, kanë asistuar gjatë një rasti të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt, pasi që dyshohej për substance narkotike.

    Në prezencë të një dëshmitari, me urdhër të lëshuar nga Gjykata është kontrolluar prona ku

    jetonte i dyshuari L.I., M/K, dhe në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar;

    – Substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, me peshë 86.7 gr,

    – Substancë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë me peshë 4.7 gr,

    – Substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë në formë qokollade me peshë 40.2 gr,

    – Një pistoletë me gas me një karikator dhe 6 fishekë,

    – Para në prerje letre në total 400 euro.

    – 2x telefona mobil,

    -Një pako me letra për mbështjellje të narkotikëve,si dhe

    – Një peshore digjitale.

    Të gjitha veprimet lidhur me rastin, janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Ferizaj, ndërsa me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Pas Andrew, arrestohet edhe Peter Mandelson

    Pas Andrew, arrestohet edhe Peter Mandelson

    Ish-ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Peter Mandelson, është arrestuar sot.

    Sipas Policisë, ai dysohet për keqpërdorim detyre, raporton BBC.

    “Oficerët kanë arrestuar një burrë 72-vjeçar nën dyshimin për keqpërdorim detyre në funksion publik. Ai u arrestua në një adresë në Camden të hënën, më 23 shkurt, dhe është dërguar në një stacion policor në Londër për t’u marrë në pyetje. Kjo pason urdhrat për kontroll në dy adresa në zonat e Wiltshire dhe Camden.”, ka deklaruar Policia.

    Kryeministri britanik, Keir Starmer e emëroi atë ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Washington në dhjetor 2024.

    Para këtij emërimi, dihej se ai kishte një miqësi me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein.

    Ai u shkarkua nga posti shtatorin e kaluar, pasi Downing Street njoftoi se kishin dalë informacione të reja mbi thellësinë e kësaj marrëdhënieje.

    Arrestimi i tij vjen disa ditë pas arrestimit të ish-princit Andrew. Edhe ai dyshohet për keqpërdorim detyre.

  • Ministria e Mbrojtjes mohon pretendimet për përjashtim të OVL-UÇK-së nga Këshilli Organizativ të Epopesë së UÇK-së

    Ministria e Mbrojtjes mohon pretendimet për përjashtim të OVL-UÇK-së nga Këshilli Organizativ të Epopesë së UÇK-së

    Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për të sqaruar se pretendimet se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së janë të pasakta dhe të pabazuara.

    Me Vendimin Nr. 01/02, datë 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i cili kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe bashkëkryesohet nga Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare. Në vendim parashihet shprehimisht përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë përbërëse e këtij këshilli.

    Sot është dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesit të OVL-UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i këshillit do të mbahet nesër në ora 13:00.

    Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e Republikës së Kosovës theksojnë përkushtimin e tyre për një bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, në funksion të organizimit dhe shënimit dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë kombëtare.

    Shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të realizohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Cakolli: Takimet për presidentin po mbahen vonë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje

    Cakolli: Takimet për presidentin po mbahen vonë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje

    Eugen Cakolli ka deklaruar në emisionin “Kosova Live” në T7 se procesi i konsultimeve për zgjedhjen e presidentit ka nisur me vonesë, duke theksuar se tashmë vendi ndodhet në fazën e fundit kohore.

    Sipas tij, takimet mes partive politike është dashur të fillonin më herët, në mënyrë që të sigurohej një proces më i qetë dhe me më shumë mundësi për konsensus.

    “Jemi në 10-ditëshin e fundit, kjo nguti mund të sjellë probleme. Pra aq sa mund të sjellë dobi aq mund të na sjellë edhe probleme” – u shpreh Cakolli.

    Sipas tij, deri më 5 mars duhet të ketë jo vetëm një emër të dakorduar për presidentin, por edhe votimi i tij në Kuvend, në mënyrë që procesi të përmbyllet me sukses.

    Ai paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, vendi mund të përballet me pasoja politike, duke mos e përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.

  • Abdixhiku shkruan pas takimit me Kurtin: Presidenca s’duhet të jetë vazhdim i shumicës

    Abdixhiku shkruan pas takimit me Kurtin: Presidenca s’duhet të jetë vazhdim i shumicës

    Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë politike, në mënyrë që të shmanget një krizë e re institucionale.

    Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abdixhiku tha se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është i kufizuar dhe kërkon maturi e kompromis.

    “Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku përcaktohet fati i institucioneve, kam zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe çështjen e stabilitetit institucional të vendit,” ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai theksoi se koha në dispozicion është shumë e shkurtër.

    “ Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale,” u shpreh ai.

    Kreu i LDK-së nënvizoi se institucioni i Presidencës duhet të mbetet mbi ndarjet partiake.

    “Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse,” tha Abdixhiku.

    Duke iu referuar qëndrimit zyrtar të LDK-së, ai theksoi se partia sheh dy rrugë të mundshme përpara.

    “Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare,” deklaroi Abdixhiku.

    Sipas tij, në të dyja rastet kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve.

    “Në të dyja rastet, kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës; dhe ditët në vijim do të na tregojnë se cila rrugë do të jetë e mundshme. Nëse asnjëra, vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë,” paralajmëroi ai.

    Në fund, Abdixhiku theksoi se LDK do të angazhohet për një zgjidhje që garanton stabilitet.

    “LDK do të veprojë në këtë proces me përgjegjësi shtetërore, transparencë të plotë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet absolut ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës,” përfundoi ai.