ATV

Category: Lajme

  • Komisioni për Arsim nis punën me debate e kundërshtime, propozohet takim me Çekun

    Komisioni për Arsim nis punën me debate e kundërshtime, propozohet takim me Çekun

    Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka miratuar fushëveprimin e Komisionit.

    Anëtari i këtij Komisioni, Fahrush Rexhepi propozoi që në fushë veprimtarinë e këtij komisioni duhet të përfshijë edhe mbikëqyrjen e institucioneve shkencore në arsim.

    “Propozoj futjen e mbikëqyrjen e ligjshmërisë në disa institucione tjera shkencore për Insitutin e Historisë dhe Albanologjik dhe është edhe Instituti i Pedagogjisë”, tha ai.

    Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arberie Nagavci konsideroj se fushë veprimtaria është mjaftë gjithëpërfshirës dhe nuk ka nevojë të ngarkohet.

    “Janë përfshirë specifikisht disa tema bazuar në praktikat e më hershme. Ne mund të ndërhyjmë në aktivitete dhe mbikëqyrja edhe jashtë asaj që është e përcaktuar specifikisht. Të mos ngarkohet fushë veprimtaria siç është e cek dhe temat tjera mund t’i trajtojnë varësisht nga nevoja”, tha ajo.

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj u shpreh se meqenëse ende nuk ka program të qeverisë dhe nuk dihet qasje e qeverisë së re karshi fushës së arsimit, kërkoi një takim me ministrin e Arsimit, Hajrullah Cekun për të diskutuar, si dhe të ftohen edhe drejtorët e arsimit të komunave të Kosovës.

    Anëtarja e Komisionit për Arsim nga radhët e PDK, Sala Jashari kërkoi funksionalizimit të Këshillit Shtetërore Para-universitarë të përcaktuar me ligj.

    Anëtarja e komisionit për arsim nga LDK, Jehona Lushaku propozoi që agjenda evropian dhe harmonizimi dhe kurrikula të jetë prioritet i këtij komisioni, raporton KP.

    Anëtari i Komisionit nga Lista Serbe, Nemanja Bisevaq tha se çështja e mbikëqyrjes së arsimit të lartë në veri është çështje e dialogut.

    “Megjithatë, konsideroj se kjo është çështje e dialogut dhe një nga kompetencat e komisionit të ardhshëm të përbashkët, prandaj mendoj se ne nuk duhet të merremi me këtë çështje tani”, tha ai.

    Për këtë, Enver Hoxhaj tha se çështja e arsimit nuk i takon dialogut dhe politikës ditore.

  • Geci shkruan për “lëmshin” e Presidentit: Kurti s’e do Vjosën, për një anëtar te familjes Jashari rrinë në sallë PDK, LDK e AAK

    Geci shkruan për “lëmshin” e Presidentit: Kurti s’e do Vjosën, për një anëtar te familjes Jashari rrinë në sallë PDK, LDK e AAK

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka reaguar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se kryeministri i vendit, Albin Kurti për president e do dikë ‘’që ka më pak dije dhe ndikim në arenën ndërkombëtare, por edhe në popull.’’

    Geci ka thënë edhe se, Kurti ka edhe një arsye tjera se pse pse ‘’nuk e do’’ Osmanin si presidente për mandat të dytë, duke përmendur marrëveshjen e Brukselit dhe e Ohrit dhe se, siç ka thënë Geci, Kurti ‘’nuk po ia fal fjalët e Vjosa Osmanit për “lojën e bixhozit me miqtë tanë ndërkombëtarë ekzistencialë”.’’.

    ‘‘Tani, Albini, duke pasur parasysh se për Vjosën ka gjasa që 15 deputetët e LDK-së të mos rrinë në sallë, po don me e mënjanu Vjosën nga politika dhe po don me gjetë një figurë për të cilën mund të rrijë në sallë edhe AAK, të paktën, në mos edhe PDK. Për një anëtar të familjes Jashari, ne sallë rrinë te gjithë PDK LDK AAK . Se çfarë do të ndodhë saktë mbetet të shihet në këto 8 ditët e ardhshme.’’, ka thënë ai mes tjerash.

    Geci ka thënë edhe se LDK, e ka lëshuar rastin që të jetë faktor në vend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku i kishte 20 deputetë.

    Postimi:

    Të dashur qytetarë, jemi para një sfide të madhe për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

    Pasi LDK lëshoi shansin e vet për të qenë faktor në Republikën e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku kishte 20 deputetë dhe shumë mundësi, tani me 15 deputetë 5 më ks pak mundësi.

    Tani këtu kemi vetëm kalkulimet e Albin Kurtit.

    Pa dashjen e Albin Kurtit nuk mundet askush ta zgjedhë presidentin, pikë. Varet në tërësi se çfarë do dhe kë do të zgjedhë Albini.

    Angazhimi i Edi Ramës në këtë drejtim nuk i ka ndihmuar aspak Vjosa Osmanit, përkundrazi.

    Tani t’i shohim numrat:

    LVV 57 deputetë plus 9 minoritete = 66.

    PDK ka 22 deputetë.

    LDK ka 15 deputetë; është pikëpyetje a marrin pjesë të gjithë në zgjedhjen e Vjosa Osmanit.

    AAK i ka 6 deputetë.

    Lista Serbe ka 9 deputetë.

    Në sallë, për t’u zgjedhur Presidenti, duhet të qëndrojnë dhe të marrin pjesë në votim 2/3 e deputetëve, ose së paku 80 deputetë.

    Në LDK janë dy deri në katër deputetë që mund edhe të mos marrin pjesë në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe, nga kjo arsye, Albin Kurti nuk po dëshiron të rrezikojë me Vjosa Osmanin: nga pak po dëshiron ta eliminojë Vjosen politikisht, e nga pak nuk po rrezikon me shku në zgjedhje te reja.

    Ka edhe një arsye tjetër pse Albin Kurti nuk e do Vjosën, e ajo është marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit, pra Asociacioni (Zajednica), Vetëmenaxhimi (Samoupravljanje).

    Albini, si duket, nuk po ia fal fjalët e Vjosa Osmanit për “lojën e bixhozit me miqtë tanë ndërkombëtarë ekzistencialë”.

    Vjosa Osmani është njohëse më e mirë e Kushtetutës dhe e marrëveshjeve ndërkombëtare se Albin Kurti. Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit është në kundërshtim me Kushtetutën – këtë e ka thënë presidentja Vjosa Osmani menjiher pas marrëveshjes .

    Vjosa është e vetmja që, në postin e presidentes, mund t’i sjellë probleme Albin Kurtit në raport me këtë marrëveshje antikushtetuese.

    Albini nuk dëshiron zhurmë në të ardhmen në këtë drejtim, pra po dëshiron implementimin e kësaj marrëveshjeje kundërkushtetuese pa zhurmë, sepse zhurma e atyre që e kanë pranuar marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 – këtë të fundit e rrëzoi Gjykata Kushtetuese – është ende prezente.

    Tani Albinit i duhet dikush që ka më pak dije dhe ndikim në arenën ndërkombëtare, por edhe në popull.

    Vjosa Osmani ka krijuar autoritet të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, që po e zbeh autoritetin e Albin Kurtit në politikën e jashtme.

    Thjesht, në një takim jashtë Kosovës ku marrin pjesë Vjosa Osmani dhe Albini, Albini mbetet nën hijen e Vjosës.

    Tani, Albini, duke pasur parasysh se për Vjosën ka gjasa që 15 deputetët e LDK-së të mos rrinë në sallë, po don me e mënjanu Vjosën nga politika dhe po don me gjetë një figurë për të cilën mund të rrijë në sallë edhe AAK, të paktën, në mos edhe PDK.

    Për një anëtar të familjes Jashari, ne sallë rrinë te gjithë PDK LDK AAK .

    Se çfarë do të ndodhë saktë mbetet të shihet në këto 8 ditët e ardhshme.

  • Lajçi i del në krah Osmanit: Kosova s’ka luks të eksperimentojë me besimin ndërkombëtar

    Lajçi i del në krah Osmanit: Kosova s’ka luks të eksperimentojë me besimin ndërkombëtar

    Aktori i njohur, Çun Lajçi ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    Në reagimin e tij, Lajçi vë në pikëpyetje narrativën për mungesë uniteti rreth presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.

    Sipas tij, historia politike e vendit dëshmon se asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet të plotë, për shkak të fragmentimit të skenës politike dhe dominimit të interesave partiake mbi ato shtetërore.

    “Kryeministër, Përtej retorikës së “unifikimit”, prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Pretendimet se Presidentja Vjosa Osmani nuk ka qenë figurë unifikuese janë të motivuara politikisht. Historia politike e vendit tonë dëshmon se që nga 2008, asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet, sepse skena politike ka qenë e fragmentuar dhe e udhëhequr nga interesa partiake, jo nga interesi shtetëror. Pyetja thelbësore është: Si mund të kërkohet unitet real, kur prioritet mbetet interesi partiak dhe jo ai kombëtar? Në shumë raste, përçarja e brendshme është prodhuar pikërisht nga liderët politikë, në emër të një uniteti selektiv, të përshtatur për nevoja elektorale. Përkundër kësaj, Vjosa Osmani ka arritur të artikulojë me qartësi dhe dinjitet zërin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

    Aktori shton se problemi nuk qëndron te figurat individuale, por te “mentaliteti përjashtues politik”.

    Në reagimin e tij përmendet edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin thuhet se ka shprehur gatishmëri për komunikim të drejtpërdrejtë me presidenten Osmani lidhur me çështjet që prekin raportet me Serbinë, duke e cilësuar këtë si çështje të kapitalit diplomatik dhe jo simpati personale.

    “Kujtoj se problemi nuk qëndron te figura, por te mentaliteti përjashtues politik. Në diplomaci, perceptimi dhe qasja janë thelbësore. Është fakt i njohur se Donald Trump i ka shprehur gatishmëri komunikimi të drejtpërdrejtë Presidentes Osmani lidhur me çështjet që prekin raportet me Serbinë. Kjo nuk është çështje simpatie personale, por çështje e kapitalit diplomatik. Gjatë katër viteve të fundit është ndërtuar një narrativë se raportet me Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar. Megjithatë, faktet tregojnë se Presidentja është pritur në mënyrë zyrtare dhe me respekt në Shtëpia e Bardhë, duke ruajtur komunikim institucional në nivel të lartë”.

    Sipas Lajçit, Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me figura që duhet të nisin nga zero në ndërtimin e besimit ndërkombëtar.

    “Në një moment delikat për vendin, Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me figura që duhet të nisin nga zero në ndërtimin e besimit ndërkombëtar. Nevojitet përvojë, kredibilitet dhe qasje e drejtpërdrejtë. Historia politike na ka mësuar se gabimi më i madh është të mohohet ajo që funksionon, vetëm sepse nuk i përket një kampi të caktuar politik”.

  • Gola priti në takim një delegacion të BE-së, flasin për konstituimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit

    Gola priti në takim një delegacion të BE-së, flasin për konstituimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit

    Nënkryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka pritur sot në takim një delegacion të Bashkimit Evropian, të përbërë nga Zuzana Michalcová Šutiaková, Shefe për Ballkanin Perëndimor në EEAS, si dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, Blerta Bejtullahu dhe Felix Rathje.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit institucionale në vend, konstituimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit, si dhe ritmin e vendimmarrjes në javët e para të punës.

    Nënkryetari Gola theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht funksionale dhe të përkushtuara ndaj një agjende të qartë reformash dhe integrimi evropian.

    “Në këtë frymë, si një ndër vendimet e para të kësaj legjislature, Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, nga i cili Kosova përfiton 882.6 milionë euro, duke reflektuar orientimin e palëkundur evropian dhe gatishmërinë për të avancuar me reforma konkrete.Po ashtu, u veçua miratimi i marrëveshjeve me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro, si dhe miratimi i Buxhetit për vitin 2026 në vlerë 4 miliardë euro, buxheti më i madh në historinë e vendit.Në fund të takimit u diskutua edhe për rolin e komuniteteve joshumicë në Kuvend dhe për përfshirjen e tyre aktive në jetën institucionale. U theksua se Kosova ka ndërtuar një model të avancuar për garantimin e të drejtave të komuniteteve, duke qenë ndër vendet me standardet më të larta në Evropë në këtë drejtim”, thuhet nw njoftimin e Kuvendit.

    Gola shprehu mirënjohje për mbështetjen e Bashkimit Evropian gjatë periudhës së krizës politike të vitit të kaluar, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe për avancimin e reformave që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.

  • Ish-kryetari i PDK-së: Personalisht do të votoja për një kandidat nga familja Jashari për president

    Ish-kryetari i PDK-së: Personalisht do të votoja për një kandidat nga familja Jashari për president

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se personalisht do të mbështeste një kandidat për president nga familja Jashari.

    “Është vendim politik që i takon partisë, por personalisht do votoja për nëse do të kishe kandidat nga familja Jashari”, ka deklaruar Hoxhaj për media pas mbledhjes së Komisionit për arsim.

    Kanë mbetur 8 ditë të plota deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

    Partitë kryesore kanë zhvilluar deri tani vetëm diskutime, pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete për kandidaturat.

    Afati po shkon drejt fundit, derisa kryeministri Albin Kurti deklaroi të hënën se duhet një zgjidhje për kreun e shtetit, për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare në rast se presidenti i ri nuk zgjidhet brenda afatit.

  • Vrasja e shqiptarit në Itali, lidhja me operacionin “Djali” të vitit të kaluar dhe skema e ‘trafikantëve turistë’

    Vrasja e shqiptarit në Itali, lidhja me operacionin “Djali” të vitit të kaluar dhe skema e ‘trafikantëve turistë’

    Vrasja e 25-vjeçarit shqiptar me plumb në kokë në Asti të Italisë fundjavën e kaluar, mund të jetë e lidhur me një operacion antidrogë që karabinierët zhvilluan muajin korrik të vitit të kaluar, i koduar “Djali”.

    Pikërisht larja e hesapeve dhe prishja e pazareve të drogës mund të jetë pista kryesore që po hetohet nga autoritetet e Prokurorisë së Astit, por theksohet se viktima, emri i të cilit nuk u bë publik, nuk kishte precedentë penalë të regjistruar.

    Autopsia e kryer zbuloi se 25-vjeçari që jetonte në zonën e Alba por besohet se ditët e fundit ishte zhvendosur në zonën ku ndodhi krimi, kishte një plagë plumbi në kokë, por arma e krimit nuk u gjet në vendngjarje.

    Vrasja ka ndodhur në lagjen La Bassa, trupi u zbulua nga një kalimtar i rastësishëm pranë mjetit “Lancia” të viktimës. Ai ishte mbuluar me rërë dhe gjethe që të mos gjendej lehtë.

    Hetuesit mendojnë se viktima mund të ketë qenë në makinë bashkë me autorin, ose ka shkuar për një takim pikërisht në vendin ku ndodhi krimi dhe aty është qëlluar për vdekje. Një tjetër pistë është ngritja e pritës apo futja në kurth.

    “Trupi i tij u gjet i shtrirë në një fushë në Chivola, pak pas orës 07:30 të mëngjesit të 21 shkurtit, nga një shofer që po kalonte aty pranë. Djali ishte shtrirë përtokë, në një pellg gjaku, pranë një Lancia Ypsilon të regjistruar në emër të një anëtari të familjes, e cila tani është sekuestruar nga karabinierët”, informon media italiane.

    Sara Paterno, Zëvendës Prokurore Publike në Gjykatën e Astit, gjithashtu mori pjesë në vendngjarje, së bashku me Karabinierët e Bra dhe kolegët e Njësisë së Mjekësisë Ligjore.

    Ajo po koordinon hetimin, i cili aktualisht është nën konfidencialitet të rreptë. Trupi u gjet pranë shtëpisë historike të fshatit Pedaggera.

    “Djali, i cili me sa duket nuk ka të kaluar kriminale, mund të ketë qenë i përfshirë në një rrjet të dyshuar droge të lidhur me vrasjen. Ky model të kujton atë të zbuluar në Operacionin Djali—”djalë” në shqip—të kryer nga Karabinierët në Bra korrikun e kaluar, kur ata shkatërruan një bandë që rekrutonte trafikantë droge në Shqipëri, i sillte ata në Itali me viza turistike 90-ditore dhe më pas i riatdhesonte pasi i përdorte për trafik droge”, vijon raportimin media italiane.

    Kryetarja e bashkisë së Santa Vittoria d’Alba, Adriana Dellavalle, komentoi:

    “E di që Zyra e Prokurorit të Astit po heton me konfidencialitetin më të lartë. Më thanë se viktima me shumë mundësi ishte zhvendosur së fundmi në fshatin Cinzano dhe për këtë arsye ishte e panjohur për komunitetin. Si administratë, ne po e ndjekim situatën teksa evoluon”.

  • Mashtrim me prona në vlerë 1.57 milion euro në Prishtinë, katër të arrestuar

    Mashtrim me prona në vlerë 1.57 milion euro në Prishtinë, katër të arrestuar

    Prokuroria Themelore në Prishtinë bashkë me Policinë e Kosovës ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje”.

    Në komunikatë bëhet e ditur se i dyshuari M.M., dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi I dokumenteve”, ndërsa i dyshuari D.R. dyshohet edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

    Sipas dyshimeve, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm matrial në vlerë prej 1,578,180.00 euro.

    Prokurori i shtetit, ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhërit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.

    Bëhet e ditur se Gjykata kompetente u ka caktuar të pandehurve M.M., S.B., D.R., dhe B.Z. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

  • Britania vendos sanksionet më të mëdha ndonjëherë ndaj Rusisë në përvjetorin e katërt të luftës

    Britania vendos sanksionet më të mëdha ndonjëherë ndaj Rusisë në përvjetorin e katërt të luftës

    Britania e Madhe vendosi sot sanksione ndaj gjigantit të naftësjellësit Transneft, ndër gati 300 subjekte ruse, në atë që e quajti paketën e saj më të madhe të masave që nga muajt e parë të luftës në Ukrainë.

    Duke njoftuar sanksionet në përvjetorin e katërt të luftës, qeveria tha se Transneft është një nga kompanitë më të mëdha të tubacioneve të naftës në botë dhe transporton më shumë se 80 përqind të eksporteve të naftës bruto të Rusisë.

    Qëllimi është të ulen më tej të ardhurat e Rusisë nga energjia. Sanksionet përfshijnë gjithashtu 48 anije cisternash nafte, tha qeveria.

    “ Britania ka ndërmarrë sot veprime vendimtare për të ndërprerë financimin kryesor, pajisjet ushtarake dhe rrjedhat e të ardhurave që mbështesin agresionin rus”, tha në një deklaratë Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper.

  • 64-vjeçari shqiptar tentoi të abuzonte seksualisht mevajzën me aftësi të kufizuara në Greqi, e bija: Ka ndodhur edhe me mua

    64-vjeçari shqiptar tentoi të abuzonte seksualisht mevajzën me aftësi të kufizuara në Greqi, e bija: Ka ndodhur edhe me mua

    Një dëshmi e fortë ka dalë në dritë në lidhje me Mark Precin, i dyshuar për tentativën e përdhunimit të një vajze me paralizë cerebrale në lagjen Kipseli në Athinë.

    Vajza e tij biologjike ka rrëfyer publikisht për mediat greke se edhe ajo ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga i ati, kur ishte 7 vjeç.

    “Më përdhunoi edhe mua në moshën 7 vjeçare, por nuk munda të gjej forcën ta denoncoj. Kisha frikë dhe nuk munda ta bëj atëherë. E mbajta brenda meje për shumë vite dhe tani erdhi momenti që ta them. U zumë keq dhe një herë ja thashë por tentoi të më nxjerrë të çmendur”, thotë vajza e tij, duke shtuar se tani nuk ka asnjë komunikim me të jatin por as me familjen e saj pasi të gjithë i besuan Precit.

    Ndërkohë që për kapjen e tij është mobilizuar e gjithë policia helene, mediat shkruajnë se autori i dyshuar fshihet diku në periferi të Athinës.

    Ngjarja ka tronditur gjithë opinionin vendas ndërsa policia greke u bën thirrje kujtdo që ka informacion për vend ndodhjen e tij, të kontaktojë me policinë lokale.

  • Vazhdojnë kërkimet në lumin Osum për gjetjen e Ilir Kurtit, të angazhuar 70 pjesëtarë të ushtrisë

    Vazhdojnë kërkimet në lumin Osum për gjetjen e Ilir Kurtit, të angazhuar 70 pjesëtarë të ushtrisë

    Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se ende janë duke vazhduar kërkimet për gjetjen e shtetasit të humbur Ilir Kurti në ujërat e lumit Osum.

    Kjo ministri tha se janë angazhuar 70 efektivë dhe se Forcat e Armatosura janë në koordinim me Policinë e Shtetit.

    “Kërkimet nuk ndalen në lumin Osum. Me përkushtim maksimal, 20 efektivë të Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe 50 efektivë nga Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile dhe Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut po vijojnë pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e shtetasit të humbur Ilir Kurti në ujërat e lumit Osum, pranë kanioneve në Skrapar në një angazhim të pandërprerë dhe të koordinuar me Policinë e Shtetit dhe MZSH. Me ndihmën e pajisjeve të specializuara, kërkimet po kryhen në të dy brigjet e lumit, nga kanionet deri në urën e Çorovodës”.

    Ministria e Mbrojtjes tha se Forcat e Armatosura po kryejnë detyrën me “përgjegjësi të plotë, gjithmonë pranë komunitetit”.

    “Shpresojmë në një përfundim sa më të shpejtë të operacionit”.