ATV

Category: KURIOZITETE

  • Kështjellat më të famshme në botë

    Kështjellat më të famshme në botë

    Në çdo cep të botës, ngrihen krenare mbi kodra, brigje dhe fusha të gjera, kështjellat , monumente madhështie që kanë sfiduar kohën, luftërat dhe ndryshimet e epokave. Dikur vendbanime të mbretërve e kalorësve, sot ato janë dëshmi të historisë dhe vende ku mitet, legjendat dhe arkitektura takohen në mënyrë magjike.

    1. Kështjella e Neuschwanstein – Gjermani

    Në zemër të Alpeve Bavareze, si e dalë nga një përrallë, qëndron Neuschwanstein, kështjella që frymëzoi vetë Walt Disney për kështjellën e “Bukuroshes së Fjetur”.

    E ndërtuar nga mbreti Ludvig II i Bavarisë në fund të shekullit XIX, ajo ishte menduar si një strehë e qetësisë dhe artit, por u bë monument i çmendurisë dhe ëndrrave të mbretit që nuk e pa kurrë të përfunduar. çdo vit, mbi 1.4 milion turistë vizitojnë këtë kështjellë, e cila nuk është përdorur kurrë për qëllime mbrojtëse ,thjesht për fantazinë e një mbreti që dashuronte muziken e Wagnerit.

    1. Kështjella e Windsor – Angli

    Nga përrallat kalojmë te realiteti i monarkisë. Windsor Castle, ndërtuar rreth vitit 1070 nga William Pushtuesi, është banesa më e vjetër mbretërore ende në përdorim në botë.

    Ajo ka qenë rezidencë e çdo monarku britanik për më shumë se 1,000 vjet, dhe në muret e saj ruhen qindra artefakte historike e portrete mbretërore.

    Një fakt interesant është se gjatë Luftës së Dytë Botërore, princesha Elizabeth dhe motra e saj Margaret u strehuan pikërisht këtu, për t’u mbrojtur nga bombardimet në Londër.

    1. Kështjella e Chambord – Francë

    Në zemër të Luginës së Loire, ndodhet një nga kryeveprat më të mahnitshme të Rilindjes franceze , Château de Chambord.

    Me më shumë se 400 dhoma dhe 84 shkallë spirale, kjo kështjellë besohet të ketë elementë të dizajnuar nga vetë Leonardo da Vinci, i cili asokohe jetonte në Francë.

    Kurioziteti më i veçantë është se një nga shkallët spirale është ndërtuar në mënyrë që dy persona mund të ngjiten dhe zbresin në të njëjtën kohë pa u takuar kurrë – një ide e menduar për privatësinë e mbretit.

    1. Kështjella e Himejit – Japoni

    Në kontinentin aziatik, në qytetin Himeji, qëndron një ndër monumentet më të ruajtura të Japonisë së lashtë ,Kështjella e Himejit, e njohur ndryshe si “Kështjella e Shqiponjës së Bardhë”.

    E ndërtuar në shekullin e 14-të, ajo ka mbijetuar tërmete, bombardime dhe luftëra, pa pësuar dëmtime të mëdha.

    Kjo kështjellë është simbol i elegancës dhe fuqisë samuraie. Thuhet se muret e saj të bardha janë lyer me një përzierje gëlqereje dhe pluhuri guackash deti, që përveç bukurisë, ndihmonin edhe në mbrojtjen nga zjarri.

    1. Kështjella e Edinburgh – Skoci

    Në majë të një vullkani të fjetur, mbi qytetin e mjegullt të Edinburghut, ngrihet një nga kështjellat më misterioze të Evropës.

    Historia e saj daton mbi 900 vjet, dhe brenda mureve ruhet “Guri i Fatit” – simbol i kurorëzimit të mbretërve skocezë.

    Por ajo fsheh edhe legjenda të errëta, sipas banorëve, një ushtar i ri që hyri në tunelet e nëndheshme për eksplorim dhe u zhduk pa gjurmë, dhe deri sot, disa pretendojnë se dëgjojnë tingujt e gajdes së tij në netët e mjegullta.

    1. Kështjella e Alhambra – Spanjë

    Në jug të Spanjës, mbi kodrat e Granadës, ngrihet një nga veprat më madhështore të arkitekturës islame, Alhambra, e ndërtuar në shekullin e 13-të nga sundimtarët maurë.

    Ajo është një kombinim i jashtëzakonshëm i artit arab dhe peizazhit mesdhetar. Çdo mur është zbukuruar me arabeska, kaligrafi dhe simbole që i këndojnë parajsës.

    në muret e saj mund të lexosh qindra vargje poetike në arabisht, të cilat, sipas studiuesve, janë të shkruara për të kujtuar lavdinë e Zotit dhe përkohshmërinë e fuqisë njerëzore.

    1. Kështjella e Bran – Rumani

    E njohur si “Kështjella e Drakulës”, Bran Castle ndodhet në Transilvani dhe është kthyer në një nga atraksionet më të kërkuara të Evropës Lindore.

    Edhe pse nuk ka dëshmi historike se princi Vlad Tepes ka jetuar aty, atmosfera misterioze dhe korridoret e errëta e kanë lidhur përgjithmonë këtë kështjellë me legjendat e vampirëve.

    Turistët raportojnë se ndiejnë “një ndjesi të ftohtë” në disa dhoma – ndoshta nga imagjinata, ndoshta nga misteri që ajo fsheh.

    Nga Bavaria e akullt deri në diellin e Andaluzisë, nga kodrat skoceze deri në zemrën e Japonisë, kështjellat mbeten dritare të gjalla të historisë njerëzore.

    Ato janë kujtues se pushtetet vijnë e shkojnë, por bukuria, arti dhe legjenda nuk shuhet kurrë.

    Ndoshta ndaj, çdo herë që ngjitemi në një kullë të vjetër dhe shohim horizontin, ndiejmë për një çast si të ishim pjesë e një përralle, një përralle që koha nuk ka arritur ta mbyllë.

  • Ky është vendi më i sigurt për t’u vizituar në vitin 2026

    Ky është vendi më i sigurt për t’u vizituar në vitin 2026

    Holanda është zgjedhur si vendi më i sigurt për t’u vizituar në vitin 2026, sipas listës së përpiluar nga kompania e sigurimeve “Berkshire Hathaway Travel Protection” (BHTP).

    Çdo vit, BHTP-ja anketon një numër të madh njerëzish për vendet ku kanë udhëtuar vitet e fundit dhe se sa të sigurt janë ndjerë në secilin prej tyre. Kjo vlen veçanërisht për gratë, personat e komunitetit LGBTQ+ dhe grupet e tjera të margjinalizuara.

    ezultatet e këtyre anketave kombinohen më pas me statistika nga “Global Peace Index” dhe indekse të ngjashme, për të përcaktuar me saktësi se cilat vende ofrojnë më shumë paqe për udhëtarët çdo vit.
    Vitin e kaluar, Islanda ishte në krye të listës, por këtë vit ajo ka rënë në vendin e katërt, duke ia lënë fronin Holandës.

    Kjo është veçanërisht mbresëlënëse, pasi vitin e kaluar Holanda renditej në vendin e 14-të. Sipas BHTP, sekreti i suksesit të këtij vendi është i thjeshtë: “Është një vend që dashuron paqen.

    Gratë dhe grupet e margjinalizuara thanë se janë ndier shumë të mirëpritur në Holandë dhe vlerësuan lart masat shëndetësore. Shqetësimet më të mëdha për sigurinë që mund të keni lidhen me ndonjë çiklist të pakujdesshëm apo turistë të zhurmshëm”, thekson kompania.

    Në vendin e dytë, duke ruajtur pozicionin nga viti i kaluar, është Australia. Ajo ka një sistem shumë të rregulluar, kujdes shëndetësor të shkëlqyer për vizitorët dhe një nivel të ulët aktiviteti terrorist. Sipas australianëve, kjo është rezultat i një sistemi politik të qëndrueshëm, nivelit të ulët të krimit dhe ligjeve të rrepta për bio-sigurinë dhe kontrollin e armëve.

    Sipas studimit të Berkshire Hathaway Travel Protection, këto janë 15 vendet më të sigurta për të udhëtuar në vitin 2026: Holanda, Australia, Austria, Islanda, Kanada, Zelanda e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicra, Japoni, Irlandë, Belgjikë, Portugali, Francë, Mbretëria e Bashkuar, Danimarkë.

  • Më shumë se një lojtar, Messi dhe ndikimi i tij në futbollin modern

    Më shumë se një lojtar, Messi dhe ndikimi i tij në futbollin modern

    Lionel Andrés Messi, i lindur më 24 qershor 1987, në Rosario, Santa Fe, Argjentinë.

    Fëmija i Jorge Messi (menaxher fabrike çeliku) dhe Celia Cuccittini (punëtore fabrike magnetesh).
    Që në fëmijëri, Messi tregoi talent të jashtëzakonshëm për futbollin. Në moshën 5-vjeçare luante për ekipin lokal Grandoli, të drejtuar nga babai i tij. Më pas kaloi te Newell’s Old Boys, një klub nga qyteti i tij Rosario. Me ta, ai shënoi mbi 500 gola në pesë vite, duke fituar nofkën “La Máquina del ’87” (Makina e 1987-ës).

    Por në moshën 10-vjeçare ai u diagnostikua me mungesë hormoni të rritjes, një sëmundje që kërkonte trajtim të kushtueshëm. Klubi i Newell’s nuk mund ta mbulonte koston, dhe as River Plate, që ishte i interesuar për të. Por, kush mund ta mendonte që ky fëmijë do të bëhej legjendë dhe ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave.

    Në vitin 2000, një kushëri i Messit e ndihmoi të shkonte në ekipin Barcelona për një provë. Drejtuesit e klubit mbetën të mahnitur nga talenti i tij. Drejtori sportiv Carles Rexach nënshkroi kontratën e tij të parë mbi një pecetë letre në një kafene  një moment tashmë legjendar.

    Klubi katalanas ra dakord të mbulonte trajtimin mjekësor të Messit dhe familja e tij u zhvendos në Spanjë. Kështu filloi historia e tij e artë.

    Messi debutoi me ekipin e parë të FC Barcelona më 16 tetor 2004, në një ndeshje kundër Espanyol-it. Në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç. Goli i tij i parë erdhi më 1 maj 2005, kundër Albacete, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e klubit në atë periudhë.

    Epoka e tij është e artë te Barcelona vetëm se kishte filluar.

    Në 17 vite me Barcelonën (2004–2021), Messi u bë legjenda absolute e klubit, duke e udhëhequr drejt një periudhe historike.

    Me Barçën ai fitoi: 10 La Liga, 7 Copa del Rey, 8 Supercopa de España, 4 UEFA Champions League (2006, 2009, 2011, 2015), 3 FIFA Club World Cup dhe 3 UEFA Super Cup

    Në 778 ndeshje, ai numëron 672 gola duke kontribuar edhe në 305 të tjerë.

    Kështu, më shumë gola dhe asistime në historinë e Barcelonës dhe La Ligas.

    Nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola, (2008–2012) Messi luajti në rolin e famshëm të “false nine”, duke revolucionarizuar futbollin modern.
    Në sezonin 2008–09, Barcelona fitoi tripletën: La Liga, Copa del Rey dhe Champions League — për herë të parë në historinë e klubit. Messi shënoi 38 gola atë sezon, përfshirë një gol në finalen kundër Manchester United.

    Në vitin 2012, Messi vendosi rekord botëror me 91 gola në një vit kalendarik, duke thyer rekordin e Gerd Müller.

    Përveç klubit, me kombëtaren ai luajti për Argjentinën U20, duke fituar Kampionatin Botëror U20 (2005) dhe Medaljen e Artë Olimpike (2008) në Pekin.

    Ndërsa Kombëtaren ai arriti të jetë finalist në Kupën e Botës 2014 (humbi me Gjermaninë 0–1, por fitoi “Topin e Artë” të turneut).

    Finalist në Copa América 2007, 2015, 2016

    Më në fund, fitoi Copa América 2021 kundër Brazilit, duke përmbysur gjithë kritikat.

    Më pas, fitoi Finalissima 2022 (kundër Italisë)

    Dhe kulmi: Kupa e Botës 2022 në Katar, duke udhëhequr Argjentinën drejt titullit të tretë botëror në histori.

    Messi shënoi 7 gola në atë Botëror dhe u shpall Lojtari më i Mirë i Turneut, duke bërë realitet ëndrrën e jetës.

    Sukseset nuk kishin fund por, në gusht 2021, Barcelona njoftoi se nuk mund ta rinovonte kontratën e Messit për shkak të rregullave financiare të La Ligas.
    Në një konferencë emocionale, Messi shpërtheu në lot duke u ndarë nga klubi ku kishte kaluar më shumë se 20 vite.

    Ai nënshkroi me PSG në gusht 2021 dhe qëndroi aty deri më 2023.
    Në dy sezone me klubin francez fitoi: 2 herë Ligue 1 dhe 1 Trophée des Champions

    Në PSG luajti përkrah Neymar dhe Mbappé, por pavarësisht sukseseve, marrëdhënia me tifozët nuk ishte gjithmonë e mirë.
    Në fund të sezonit 2022–23, u largua nga klubi.

    Në verën e vitit 2023, Messi befasoi botën duke nënshkruar me klubin Inter Miami në Major League Soccer (MLS).
    Ai solli menjëherë një efekt transformues: Fitoi Kupën e Ligës 2023 (trofeu i parë në historinë e klubit), u shpall MVP i turneut, me gola spektakolarë dhe rriti jashtëzakonisht ndikimin e futbollit në SHBA.

    E kur jemi te çmimet dhe arritjet personale, ai ka fituar më shumë se askush tjetër.

    • herë fitues i topave të Artë – (2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021, 2023)

    Çmime të tjera: disa herë fitues si më i mirë i FIFAS, UEFA Best Player in Europe: disa here; Më shumë gola në një vit kalendarik: 91 (2012); Më shumë gola për një klub të vetëm: 672 për Barcelonën; Më shumë gola në La Liga: 474; Më shumë asistime në historinë e futbollit profesional (mbi 360)

    Përveç arritjeve të jashtëzakonshme në futboll, Messi është i martuar me dashurinë e tij të fëmijërisë nga Rosario, Antonela Roccuzzo. Ata kanë tre djem: Thiago (2012), Mateo (2015) dhe Ciro (2018).

    Ai është i njohur për jetën e tij private, pa skandale, modestinë dhe bamirësinë përmes Fondacionit Leo Messi, që ndihmon fëmijët dhe shkollat nëpër botë.

    Messi shpesh cilësohet si lojtari më i madh në histori të futbollit.
    Stili i tij unik — driblimet, vizioni, kreativiteti, inteligjenca taktike dhe modestia — kanë bërë që edhe kundërshtarët ta respektojnë thellësisht.

    Në krahasimet e pafundme me Cristiano Ronaldo-n, Messi njihet për talentin e lindur dhe frymëzimin artistik që sjell në lojë.

    Lionel Messi nuk është vetëm futbollist; ai është simbol i pasionit, përkushtimit dhe përsosmërisë. Nga një djalosh i vogël me mungesë të hormoneve të rritjes, në kampion bote dhe ikonë globale, historia e tij është një frymëzim për miliona njerëz në mbarë botën.

     

  • Pse kirurgët veshin uniforma me ngjyrë të gjelbër ose blu?

    Pse kirurgët veshin uniforma me ngjyrë të gjelbër ose blu?

    Keni menduar ndonjëherë përse mjekët veshin uniforma në ngjyrë jeshile ose blu në sallën e operacionit, dhe kurrë të bardha? Kjo gjë, ndonëse në dukje e parëndësishme, rezulton se mund të përcaktojë suksesin e një ndërhyrjeje kirurgjikale.

    Bright Side ka zbuluar përse ngjyra veshjes së kirurgëve është kaq e rëndësishme. Më parë, i gjithë stafi mjekësor vishte uniforma të bardha, deri në vitin 1914, ku një mjek me shumë influencë zëvendësoi këto uniforma tradicionale me ato jeshile apo blu.

    Problemi është se ngjyra e bardhë mund të turbullojë shikimin e mjekëve, nëse ato largojnë shikimin nga ngjyra e errët e gjakut tek uniforma e kolegëve të tyre. I njëjti efekt ndodh edhe kur dilni jashtë gjatë dimrit dhe shihni rrezet e diellit të reflektuara tek bora.

    Por kjo ende nuk i përgjigjet pyetjes se përse uniforma e kirurgut është në ngjyrë jeshile ose blu. E vërteta është se e gjelbra dhe bluja janë e kundërta e ngjyrës së kuqe në spektrin e dritës vizuale, dhe gjatë një operacioni një kirurg është pothuajse gjithmonë i përqendruar tek ngjyrat e kuqe.

    Për shkak të kësaj, ngjyra jeshile dhe blu e uniformave të tyre nuk i ndihmon vetëm për të përmirësuar mprehtësinë vizuale të kirurgëve, por i bëjnë ata edhe më të ndjeshëm ndaj nuancave të ndryshme të ngjyrës së kuqe.

    Rrjedhimisht ato i ndihmojnë t’i kushtojnë vëmendje më të madhe nuancave të anatomisë së njeriut, e cila zvogëlon në mënyrë të konsiderueshme gjasat që ata të bëjnë një gabim gjatë operacionit.

  • Çka është Halloweeni dhe pse festohet?

    Çka është Halloweeni dhe pse festohet?

    PSE FESTOHET HALLOWEEN?

    Më 31 tetor në shumicën e vendeve perëndimore u festua Halloween apo siç njihet ndryshe edhe Nata e Shtrigave. Në këtë ditë njerëzit maskohen, i zbukurojnë shtëpitë, i gdhendin kungujt dhe shkojnë nga shtëpia në shtëpi për të kërkuar ëmbëlsira. Por, a e dini se si ka lindur kjo festë dhe çka festohet saktësisht në këtë ditë?

    Halloween, është ditë e shenjtë që festohet më 31 tetor, në natën përpara festës së Gjithë Shenjtorëve, e cila festohet në traditën e Krishterimit Perëndimor. Besohet se shumica e traditave në lidhje me këtë natë rrjedhin nga festivali kelt i të korrave, por disa mendojnë se Halloween është krijuar në mënyrë të pavarur, si një festë ekskluzive e krishterë.

    Një nga shpjegimet se përse festohet Nata e Shtrigave thotë se Keltët besonin se duke qenë se 1 nëntori në fakt është fillimi i vitit kalendarik, festën në natën paraprake ia kushtonin Zotit të Diellit dhe të Vdekjes. Ata, po ashtu, besonin se në natën në mes të 31 tetorit dhe 1 nëntorit të vdekurit ngriheshin nga varet e tyre dhe shkonin për t’i vizituar vendet ku jetonin dikur në këtë botë. Për këtë arsye, nga frik, të gjallët bënin zhurmë për t’i larguar të vdekurit dhe për të shmangur në këtë mënyrë takimin me ta.

    Çka do të thotë fjala Halloween?

    Ky emër ka lindur nga emri i festës kelte “All Hollow’s Eve”, gjegjësisht Nata e Gjithë Shenjtorëve. Aktivitetet më të shpeshta për shënimin e kësaj feste janë ballot me maska, punimi i llambave nga kungujt, shikimi i filmave të frikshëm (horror), leximi i tregimeve të frikshme, etj. Kurse fëmijët shkojnë derë më derë duke bërtitur “trick or treat” (qerasje apo rreng), që me fjalë të tjera do të thotë nëse nuk na qerasni me ëmbëlsira ne do t’ua punojmë ndonjë rreng. Në shekullin e 19-të, emigrantët irlandez e sollën versionin e kësaj feste në Amerikë.

    Kostumet

    Siç e kemi cekur më parë, në Natën e Shtrigave, fëmijëve u pëlqen që të maskohen me kostume të ndryshme dhe të shkojnë shtëpi më shtëpi për të mbledhur ëmbëlsira duke bërtitur TRICK OR TREAT!. Fëmijët në mbarë botën e adhurojnë këtë traditë. Për kostume, zakonisht i zgjedhin personazhet e tyre më të dashura. Dhjetë kostumet më të popullarizuara për fëmijë janë: princeshat, shtrigat, spiderman, piratët, kungujt, vampirët, princeshat e Disney, personazhet nga Star Wars, tringëllima dhe batman.

    Kungulli i gdhendur

    Shumë njerëz i zbukurojnë shtëpitë e tyre për këtë festë. Një nga dekorimet më të përhapura është kungulli i gdhendur në të cilin futet një qiri. Ky zbukurim njihet si Jack O’Lantern. Sipas legjendës irlandeze, Jack ishte një njeri dinak i cili arriti që ta mashtronte djallin, mirëpo për shkak të koprracisë së tij ai nuk arriti kurrë që të hynte në parajsë. Dënimi i tij ishte që të endej në errësirën në mes të dy botëve. Llamba e kungullin e gdhendur supozohet që t’i ndihmojë atij që të gjej daljen.

    Falë maskave dhe zbukurimeve interesante për shtëpi si dhe sasive të mëdha të ëmbëlsirave, Halloween është festa e dytë më e shtrenjtë, menjëherë pas Krishtlindjeve. Halloween festohet në SHBA, Irlandë, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Suedi, Porto Riko, Japoni, Zelandë të Re, në disa pjesë të Australisë dhe viteve të fundit ka filluar të shënohet edhe në Kosovë.

  • Model i ri argëtimi në Manchester, siguri, kursim dhe pije nga shtëpia

    Model i ri argëtimi në Manchester, siguri, kursim dhe pije nga shtëpia

    Në Manchester po ndodh diçka që po e ndryshon krejt mënyrën si dalim nëpër klube! Një klub ka vendosur një ide që askush s’e kishte bërë më parë aty nuk shitet alkool fare, por ti mund ta marrësh pijën tënde nga shtëpia!

    Ja si funksionon në hyrje, stafi të kontrollon dhe të etiketojnë shishet me emrin tënd. Pastaj, kur do të pish, shkon te banaku, paguan vetëm një gotë për shërbimin, dhe ata ta servirin pijën tënde.
    Pra, nuk ke nevojë të paguash 10 euro për një koktej sepse shishen e ke sjellë vetë!

    Ky sistem po pëlqehet shumë njerëzit thonë se ndihen më të sigurt, ka më pak dehje të tepërt dhe më shumë respekt mes vizitorëve. Sidomos për vajzat, është krijuar një ambient shumë më i qetë dhe i sigurt.

    Klubi quhet XLR dhe është klubi i parë në Britani që e lejon këtë mënyrë. Sipas pronarit, ideja është që nata e klubeve të mos lidhet vetëm me pirjen, por me argëtimin, muzikën dhe shoqërinë.

    Nëse një ide e tillë do vinte në Kosovë, ndoshta do na dukej çudi në fillim por pse jo? Secili me shishen e vet, me shokët, me humor e muzikë.
    Më pak shpenzime, më shumë argëtim… dhe një natë që e kujton, jo që ta harrosh!

  • Psikologjia pas rrobave: Ja se si ndikojnë veshjet në sjellje dhe vetëbesim

    Psikologjia pas rrobave: Ja se si ndikojnë veshjet në sjellje dhe vetëbesim

    Përgatiti Erisa Grajqevci

    Veshja është shumë më tepër se sa thjesht një mënyrë për të ndjekur modën. Mënyra se si vishemi shpesh pasqyron gjendjen tonë emocionale. Një term i cili i referohet ndikimit sistematik që ka veshja mbi proceset tona psikologjike – pra si ndihemi, si mendojmë dhe si veprojmë është “Enclothed Cognition” dhe kjo ndodh nëpërmjet dy faktorëve kryesorë: 1. Përvojës fizike të veshjes së rrobave; 2. Kuptimit simbolik që ne ua atribuojmë atyre rrobave!

    Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm për sa i takon psikologjisë pas rrobave është edhe lidhja mes veshjes dhe vetëbesimit. Një studim nga Universiteti i Hertfordshire, thekson se veshja mund të ndryshojë mënyrën se si ndihemi me veten dhe është mjet i fuqishëm psikologjik që ndihmon në ndërtimin e imazhit personal.

    Po ashtu, një rëndësi të madhe e kanë edhe ngjyrat e rrobave të cilat nuk janë vetëm çështje mode apo shije personale – ato shprehin diçka për personalitetin tonë dhe ndikojnë në mënyrën se si ndihemi e si na përceptojnë të tjerët. Një studim nga “BINUS University” përshkruan se ngjyra e kuqe lidhet me energji dhe vetëbesim, bluja me qetësi dhe profesionalizëm, e verdha lidhet me optimizëm… Një rëndësi të madhe e ka edhe materiali i veshjes (i përshtatshëm, komod) mund të ndikojë ne humor dhe vetë – përceptim.

    Vlen ta potencojmë se psikologët amerikanë Adam D. Galinsky dhe Hajo Adam realizuan një eksperiment (në vitin 2012), në të cilin vërtetuan se veshja ka ndikim dhe mund të ndryshojë performancën mendore dhe përqendrimin e individëve.

  • Kur dronët sjellin darkën: e vërtetë apo fantazi futuriste?

    Kur dronët sjellin darkën: e vërtetë apo fantazi futuriste?

    Në një botë ku teknologjia po zhvillohet me hapa të shpejtë, idetë që dikur dukeshin si fantazi shkencore po bëhen realitet. Një nga këto ide është përdorimi i dronëve për të dorëzuar ushqim direkt në derën e klientëve. Por sa afër jemi realitetit dhe sa mbetet vetëm një ëndërr futuriste?

    Dronët për ushqim nuk janë më thjesht një koncept imagjinar. Kompani të mëdha globale tashmë kanë testuar shërbime pilot ku pica, sanduiçet dhe pije të ndryshme transportohen nga restorantet tek konsumatorët nëpërmjet dronëve. Avantazhet janë të dukshme: dorëzim më i shpejtë, reduktim i trafikut rrugor dhe një mënyrë e re për të rritur efikasitetin e bizneseve.

    Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Rregulloret ligjore për fluturimin e dronëve mbi zonat urbane, kufizimet teknike për peshën dhe distancën e transportit, si dhe siguria e ushqimit gjatë fluturimit janë pengesa reale që duhet kapërcyer. Për më tepër, reagimi i konsumatorëve dhe besimi se një dron mund të dorëzojë një vakt pa u dëmtuar mbetet një pikë e diskutueshme.

    Ekspertët paralajmërojnë se edhe pse ideja e dronëve që sjellin darkën është e mahnitshme, nuk duhet të harrojmë se ky është një proces gradual. Në dekadën e ardhshme, mund të shohim fluturime të rregullta në qytete të zgjedhura, por përdorimi masiv mbetet ende një sfidë.

    Në fund të fundit, dronët që sjellin ushqim janë më shumë se një fantazi futuriste, ata janë një tregues i qartë i mënyrës se si teknologjia mund të ndryshojë jetën tonë të përditshme, duke na ofruar komoditet dhe efikasitet që dikur dukeshin të paarritshme. Pyetja që mbetet është vetëm: a jemi gati ta pranojmë këtë ndryshim?

  • Japonia, ishulli ku macet janë sundimtare dhe njerëzit vizitorë

    Japonia, ishulli ku macet janë sundimtare dhe njerëzit vizitorë

    Në Japoni ekziston një ishull unik ku macet mbizotërojnë dhe njerëzit janë thjesht vizitorë. Quhet Aoshima, dhe ndodhet në prefekturën Ehime, duke u shndërruar në një nga atraksionet më të çuditshme dhe të dashura për turistët dhe dashamirësit e kafshëve.

    Ishulli, i njohur ndryshe si “Ishulli i Macave”, ka një popullsi të vogël njerëzish, ndërsa macet e lirshme numërohen disa herë më shumë. Këto kafshë janë të lirë të lëvizin, të pushojnë pranë portit, dhe shpesh priten vizitorët me ngrohtësi dhe kuriozitet. Legjenda thotë se macet u sollën aty për të kontrolluar popullsinë e minjve, por sot ato kanë krijuar një ekosistem të veçantë kulturor dhe turistik.

    Vizitorët mund të afrohen dhe të luajnë me macet, të bëjnë foto, ose thjesht të shijojnë atmosferën qetësuese të ishullit. Për shumë turistë, përvoja është e mbushur me qetësi dhe lidhje me natyrën, duke treguar sa e fortë dhe unike është lidhja e Japonisë me kafshët dhe respekti për to.

    Ky fenomen nuk është vetëm argëtues; ai është edhe një shembull i bashkëjetesës së njerëzve me kafshët, ku natyra dhe kultura ndërthuren në mënyrë të qetë dhe magjike. Për ata që duan një eksperiencë ndryshe, Aoshima nuk është thjesht një ishull, është një mbretëri e vogël e macave, ku vizitorët bëhen pjesë e një botë unike.

  • Japonia hap derën e së ardhmes: Hotel plotësisht i menaxhuar nga robotët

    Japonia hap derën e së ardhmes: Hotel plotësisht i menaxhuar nga robotët

    Në Japoni, teknologjia ka kaluar çdo pritshmëri njerëzore, duke sjellë një eksperiencë të pazakontë për turistët dhe vizitorët. Një hotel i veçantë në Tokio është bërë plani më ambicioz i robotëve, duke ofruar shërbime nga fillimi deri në fund, pa ndërhyrjen direkte të njeriut.

    Ky hotel futuristik nuk ka recepsionistë njerëzorë. Robotët humanoidë mirëpresin mysafirët, bëjnë check-in-in, japin çelësin elektronik dhe shpjegojnë rregullat e hotelit. Por kjo është vetëm pika e akullit: robotët gjithashtu pastrojnë dhomat, shërbejnë ushqimin dhe mund të përgjigjen në pyetje bazë. Disa nga robotët kanë edhe mimikë njerëzore, duke buzëqeshur ose përshëndetur mysafirët, gjë që i jep një ndjesi më “të gjallë” dhe interaktive.

    Menaxhimi i plotë nga makina nuk është vetëm një atraksion për vizitorët, por edhe një eksperiment i rëndësishëm teknologjik. Hoteli synon të tregojë se si robotët mund të ndërtojnë një sistem shërbimi të qëndrueshëm dhe efikas, duke ulur kostot dhe gabimet e mundshme të njerëzve.

    Vizitorët që kanë qëndruar aty raportojnë një përvojë të çuditshme, por intriguese: ndonëse mungon ndërveprimi njerëzor tradicional, përshtypja është pozitive, dhe robotët japin një ndjesi precize dhe të organizuar, që në disa momente duket “magjike”.

    Ky hotel është një shembull i qartë i Japonisë si lider i inovacionit dhe teknologjisë, duke krijuar përvojë të reja që shkojnë përtej imagjinatës tradicionale të turizmit. Për ata që duan të përjetojnë të ardhmen sot, ky hotel nuk është thjesht një vend për të fjetur, është një eksperiencë që bashkon robotikën me mikpritjen.