ATV

Category: KULTURË

  • ​Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

    ​Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

    Më 2 prill të vitit 1879, në Trieste u lind aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

    Në skenën gjermanishtfolëse mishëroi mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë evropiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.

    Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si “kompars” në skenën e Burgtheatër.

    Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore.

    Në vitin 1935, në perëndim të jetës së tij, aktori kërkoi shtetësinë italiane, që u mirëprit nga autoritetet përkatëse.

    Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arberësheje, dëshiroi të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili refuzoi të plotësonte vullnetin e tij të fundit.

    Moisiu ndërroi jetë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në dokumente paraqiten njoftime për shfaqjet e dhëna prej tij.

  • Cillian Murphy rikthehet tek “Peaky Blinders”, filmi nis xhirimet në shtator

    Cillian Murphy rikthehet tek “Peaky Blinders”, filmi nis xhirimet në shtator

    Filmi do të nisë xhirimet në Digbeth Loc Studios në Birmingham në shtator.

    Aktori i njohur Cillian Murphy është konfirmuar se do të kthehet në filmin ‘Peaky Blinders’. Aktori irlandez do të fillojë xhirimet gjatë këtij vit me pjesën tjetër të kastit. Krijuesi Steven Knight ndau lajmin emocionues ndërsa fliste për BirminghamWorld në premierën e emisionit të tij të ri në BBC This Town të enjten.

    Filmi do të nisë xhirimet në Digbeth Loc Studios në Birmingham në shtator. Cillian kishte four më parë për projektin në fillim të këtij viti: Unë gjithmonë kam thënë se nëse Knight jep një skenar unë do të jem atje.

    Fansat u emocionuan me lajmin teksa shkruanin në komente shumë të gëzuar për lajmin. Pas fitores së tij historike të Oscars për aktorin më të mire në Oppenheimer, Cillian tha për personazhin e tij Tommy se i pëlqente ta luante. Murphy gjithashtu la të kuptohet se shkrimtari i programit, Steven Knight, kishte më shumë histori për të treguar rreth klanit Shelby me bazë në Birmingham dhe aktiviteteve të tyre kriminale midis viteve 1880 dhe 1910.

    Peaky Blinders u lançua në vitin 2013 dhe mblodhi një audiencë të madhe si në Britani ashtu edhe jashtë saj, duke tërhequr role për yjet e ekranit si Tom Hardy dhe Anya Taylor-Joy.

  • ​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

    ​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

    Tash e disa ditë Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk po mund të pranojë vizitorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Dy sallat ekspozuese, në të cilat janë të vendosura shumë artefakte, si pasojë e një defekti në sistemin e rrymës, janë pa ndriçim.

    Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu në një intervistë për KosovaPress thotë se pavarësisht përpjekjeve të personelit teknik të muzeut dhe ekipeve të tjera nga Ministria e Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme, nuk është arritur të rregullohet problemi i rrymës.

    Ajo potencon se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, katër grupe të paralajmëruara për vizitë në muze, nuk kanë mundur t’i eksplorojnë sallat e ekspozitave.

    “Kjo qëndron, në ndërtesën e muzeut nuk është që nuk ka energji elektrike, por i kemi mbyllur vetëm dy salla të ekspozitave, për faktin që është evidentuar një defekt jo vetëm në sistemin e rrymës. Kur them sistemin e rrymës, flasim për ndriçimin brenda sallave ekspozuese dhe në sistemin e alarmit. Aktualisht jemi në këtë periudhë, fillimisht jemi munduar që të evidentojmë përmes stafit, personelit teknik që e ka Muzeu Kombëtar i Kosovës. Pas disa përpjekjeve kemi vërtetuar që ne nuk është çështje që mund ta rregullojë stafi i Muzeut dhe normalisht i jemi nënshtruar procedurave të tjera. Dhe kjo ka sjellë për pasojë mbylljen e sallave ekspozuese”, thotë Aliu.

    Për KosovaPress, Aliu tregon se në pamundësi për të hyrë brenda sallave të ekspozitave, dy grupe e kanë realizuar vizitën në oborrin e muzeut, duke marrë shpjegime nga ciceroni dhe të njëjtit janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik “Emin Gjiku”.

    Ajo thotë se ka pasur edhe kërkesa të tjera për vizitë, porse janë lajmëruar se me rregullimin e defektit, do të mirëpriten.

    “Fatkeqësisht po, kemi pasur katër grupe të paralajmëruara, dy prej tyre kanë ardhur dhe e kanë realizuar vizitën me shpjegime të cilat janë dhënë nga ciceronët në oborrin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe tutje janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik “Emin Gjiku”. Gjithsesi ka pasur edhe kërkesa tjera, dhe i kemi lajmëruar që në momentin që ky defekt të rregullohet, do t’i mirëpresim si herëve të tjera,” thekson Aliu.

    Përveç këtyre, Aliu thotë se ka adresuar çështjen edhe në Ministrinë e Kulturës, e cila ka shtuar angazhimet e saj, porse defekti ende mbetet i pranishëm. Ajo potencon se sipas ekspertizës së bërë, pritet që gjatë javës së ardhshme problemi me ndriçim të rregullohet.

    “Ne kemi adresuar çështjen në Ministrinë e Kulturës pas të gjitha verifikimeve që kemi bërë. Ministria ka shtuar angazhimet e saj dhe ka ardhur një ekip i profesionistëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe raporti apo ekspertiza e tyre dhe ekspertizën që e kemi pasur më herët e kemi integruar në një dhe e kemi dorëzuar. Besoj që deri në fillim të javës së ardhshme mbyllet procedura”, potencon Aliu.

    Gjatë vitit të kaluar, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan rreth 12 mijë vizitorë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Kulturës, projekti për renovimin dhe restaurimin e ndërtesës së muzeut ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e saj.

  • Dita Ndërkombëtare e Poezisë shënohet me panel bashkëbisedimi të veçantë në Kolegjin AAB

    Dita Ndërkombëtare e Poezisë shënohet me panel bashkëbisedimi të veçantë në Kolegjin AAB

    Fakulteti i Shkencave Sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë ka organizuar një bashkëbisedim me poetë për artin e poezisë dhe librin, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.

    Dy poetët e mirënjohur njëherazi edhe profesorët Agim Vinca dhe Bujar Tafa para studentëve folën për rëndësinë që ka poezia dhe kultivimi i saj.

    “Arti e zbut shpirtin dhe zbukuron jetën, andaj poezia është vështirë të përkufizohet por unë them se poezia është sintezë e ndjenjës, mendimit dhe shprehjes së bukur, pra mendoj që ky është një nga përkufizimet e mundshme të artit poetik”, tha Vinca ndër të tjera.

    Kurse profesori dhe poeti Bujar Tafa foli për rëndësinë që ka leximi i poezisë dhe ndikimin që bart te studentët apo të rinjtë.

    “Leximi i poezive nga të rinjtë ka një ndikim të madh në zhvillimin emocional, intelektual dhe aspektin kreativ. Pastaj zhvillon edhe aftësitë e komunikimit, nxit empatinë dhe ka ndikim në pasurimin e ndjenjave dhe për këtë arsye shoqëria duhet të krijoj politika për të rritur leximin”, tha Tafa.

    Për kontributin e madh në poezi foli edhe poeti Lulzim Tafa, i cili para pak kohësh u nderua me titullin më të lartë “Oficer i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga ambasadori francez në Kosovë.

    Ai tha se është rritur me poezinë dhe vazhdon të jetoj me të duke falënderuar profesorin Agim Vinca për ndikimin e madh që ka pasur në krijimtarinë e tij. Ndërsa titullin e pranuar nga Ambasada Franceze në Kosovë e cilësoi si nderimin më të madh për letërsinë dhe për të personalisht.

    Në fund poetët Agim Vinca, Bujar Tafa dhe Elizabetë Qarri recituan disa poezi të shoqëruara me tinguj pianoje të ekzekutuara nga Artemida Qarri.

  • Dita Botërore e Poezisë shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike

    Dita Botërore e Poezisë shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike

    UNESCO miratoi për herë të parë 21 marsin si Ditën Botërore të Poezisë, më 1999 në Paris, me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen.

    Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat gojore të recitimit të poezisë, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, kërcimi, muzika e piktura, si dhe për të rritur dukshmërinë e poezisë në media.

    Krahas aktiviteteve që do të zhvillohen në mbarë botën, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike, ka njoftuar poeti Lulzim Tafa, përmes një statusi në profilin e tij në facebook.

    “Sot do të marr pjesë në tri ngjarje të rëndësishme poetike që e shënojnë këtë ditë. Në ora 11:15 me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, në ora 14:00 në KultPlus në organizim të PEN Qendrës së Kosovës dhe në ora 19:30 në Bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, nën organizimin e Drejtorisë së Kulturës së Prishtinës, e pastaj gjithë natën do t’i lexoj vetës poezi. Përndryshe, sot kam qenë i ftuar edhe në Paris në promovimin e antologjisë së poezisë shqipe në gjuhën frënge si dhe në shumë aktivitete të tjera që e shënojnë këtë ditë”, ka shkruar poeti Tafa. /atvlive.tv

  • Prindër këto gabimet duhet t’i shmangni menjëherë  – pasojat te fëmijët mund të jenë të përhershme

    Prindër këto gabimet duhet t’i shmangni menjëherë – pasojat te fëmijët mund të jenë të përhershme

    Ani pse prindërimi është një proces evolucionar, gabimet që bëjnë prindërit gjatë rritjes së fëmijëve nuk duhet anashkaluar, meqenëse plagët emocionale të shkaktuara gjatë fëmijërisë mund të mbeten edhe në moshë madhore duke ndikuar në shëndetin e përgjithshëm mendor.

    Në emisionin “LIBERO” ishte e ftuar psikologia Mimoza Shahini, e cila diskutoi për sa i takon gabimeve që bëjnë prindërit në raport me fëmijët.

    “…Në edukimin, prindërimin  – në çdo gjë që ne i ofrojmë fëmijës duhet të kemi kufij. P.sh një nënë që e mbron fëmijën nga çdo gjë e bën atë parazit, e bën të paaftë që të zgjidhi problemet e veta…Edhe dashuria e tepërt (edhe për ne të rriturit) bëhet e mërzitshme…”, theksoi psikologia.

    Gjithashtu, ajo përmendi edhe kritikën dhe krahasimin si probleme të  prindërimit, duke theksuar se gabimi i prindërve është gjeneralizimi i kritikave në tërësi dhe jo në raport me problemin specifik.

    “…Prindërit kur kritikojnë, e kritikojnë fëmijën në përgjithësi, nuk janë specifik në gabimin që e ka bërë fëmija, pra nëse e ka thyer gotën i thonë “fëmijë i keq je ti, gjithmonë të kam thënë bëj kujdes” në këtë rast nuk është kritikë por nënçmim i fëmijës. Kur bëjnë kritikë duhet të jenë të fokusuar në atë çfarë ka ndodhur…”, potencoi psikologia, derisa theksoi se kritikat ndaj fëmijës nuk duhet të jenë publike, por në një mjedis komfort, në mënyrë që fëmija ta kuptoj se çfarë ka ndodhur dhe jo të mërzitet dhe shqetësohet për problemin.

    Vlen të theksohet se disa nga gabimet që bëjnë prindërit në raport me fëmijët dhe që përmenden edhe te “Psychology Today” janë: Mundësitë e tepërta, Urdhrat, Kritika dhe Krahasimi, Neglizhimi, Paqëndrueshmëria dhe Mos vendosja e kufijve.

    Për të marrë informacione të detajuara në lidhje me këtë temë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias, Çeku e konsideron të rëndësishëm për diplomacinë kulturore

    Hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias, Çeku e konsideron të rëndësishëm për diplomacinë kulturore

    Republika e Kosovës për herë të tetë do të marrë pjesë në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut me një projekt të artistes Doruntina Kastrati të titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” të kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, raporton EO.

    Në projektin e saj për pavijonin e ardhshëm të Kosovës, artistja ka propozuar një instalacion skulpturor. Siç ceket në aplikimin e saj, pavijoni do të trajtojë punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës. Projekti niset nga konteksti lokal dhe shikon nga afër tranzicionet ekonomike dhe politike dhe se si ato kanë prekur grupet më të cenueshme.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se përzgjedhja është bërë nga një juri profesionale vendore e ndërkombëtare.

    “Më 18 prill të këtij viti hapen dyert e Pavijonit të Kosovës për adhuruesit e artit për të parë përfaqësimin artistik të vendit tone një nga ngjarjet të nivelit më të lartë botërorë. Ministria e Kulturës tash e dy vite bën përzgjedhjen e artistit përfaqësues të Republikës së Kosovës. Ndjek një praktik ndryshe përzgjedhja në këtë Bienale behet përmes një jurie profesionale e artistike të përberë prej profesionit vendor edhe ndërkombëtar dhe me aplikim vullnetar të artisteve me projektet dhe vullnetin e tyre. Besojmë fortë që kjo praktik është e shëndosh, ofron mundësi të barabarta për të gjithë artistët që kanë potencial dhe interesim”, tha Çeku.

    “Anëtaret e jurisë profesionalë kanë zgjedhur unanimisht projektin e artistes Doruntina Kastrati me titull ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’. Ky përfaqësim në republikën tonë është shumë i rëndësishëm për diplomacinë kulturore dhe publike”, tha tutje Çeku.

  • Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë shënon 15-vjetorin e themelimit, Angjeli: Me bindje të plotë, ne ja kemi dalë

    Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë shënon 15-vjetorin e themelimit, Angjeli: Me bindje të plotë, ne ja kemi dalë

    Mes qindra të ftuarve Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë festoi 15 vjetorin e krijimit të tij në një ceremoni mjaft të veçantë.

    Në këtë ceremoni morën pjesë, poltikanë, diplomatë, anëtarë të kabinetit qeveritarë, pedagogë e ish studentë të UMSH.

    Presdenti i Universitetit Mesdhetar, Anastas Angjeli, në fjalën e tij pohoi se rrugëtimi për të ndërtuar një Universitet elitar ka qenë jo i lehtë, i mbushur me sfida, por gjithmonë frymëzues.

    “Teksa kthej kokën pas, dëshiroj të jem objektiv në progresin që ky Universitet ka bërë gjatë një dekadë e gjysmë, që prej ditës kur materializuam me besim e përkushtim vizionin tonë për të udhëhequr të rinjtë në rrugëtimin e dijes.

    Pandaj, sot në këtë përvjetor, unë dua të pohoj me bindje të plotë se: Ne ja kemi dalë!

    Një rrugëtim frymëzues që na bën të mos ndalemi dhe të vijojmë të shohim nga e ardhmja!

    Kjo falë besimit që mijëra të rinj dhe prindër na kanë dhënë duke na lënë në duar përgjegjësinë e edukimit të tyre.

    Ky besim, ka qenë shtysa më e madhe që Universiteti Mesdhetar të jetë sot pas 15 vitesh një lokomotivë e pandalshme e dijes, me mbi 13 mijë të diplomuar, duke pasur si synim parësor, përmirësimin brenda vetes, në mënyrë që t’i ofrojë të rinjve, jo vetëm garancinë se ardhmja e tyre është në duar të sigurta, por një ofertë akademike që i bën ata të denjë e të pregatitur për tregun e punës’’, tha Angjeli.

    Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu e pranishme në aktivitet vlerësoi Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

    ‘’Tashmë duhet projektuar ndoshta edhe me një dimension të ri, dimensioni europian i arsimit të lartë’’, tha Manastriliu.

    Universiteti Mesdhetar ka 4 fakultete dhe 3500 studente.

  • ​Ditëlindja e Faik Konicës

    ​Ditëlindja e Faik Konicës

    Faik Konica u lind më 15 mars 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor 1942 në Uashington. Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtar dhe shkrimtar shqiptar.

    Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.

    Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

    Më 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA-së me medaljen e artë, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.

    Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris, ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën e njohur “Albania”. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

    Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” dhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.

    Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

    Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ’20-ta u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.

    Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe.

    Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

  • 6 vite nga vdekja e fizikanit të njohur Stephen Hawking

    6 vite nga vdekja e fizikanit të njohur Stephen Hawking

    Sot bëhen gjashtë vite prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë, dha frymën e fundit. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Cambridge.

    Anglezi ishte i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”, shkruan KultPlus.

    Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e la atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.

    Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij, dhe me 2005 ai filloi të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.

    Stephen William Hawking, u lind më 8 janar të vitit 1942 në Oksford, Britani e Madhe dhe ishte një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.

    Ai ishte astrofizikan dhe që nga viti 1979 pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Kembrixhit, detyrë që mbahej dikur nga Isak Njutoni.