ATV

Category: KULTURË

  • “Vendosni emra shqip”, hoxhë Ensar Sinani kritikon prindërit për emrat që po ua vendosin fëmijëve

    “Vendosni emra shqip”, hoxhë Ensar Sinani kritikon prindërit për emrat që po ua vendosin fëmijëve

    Përgatiti Festina Krasniqi   

    Për shumë njerëz, zgjedhja e emrit nuk është vetëm çështje shije, por edhe pasqyrë e mënyrës se si shoqëria jonë e përcepton identitetin, modernitetin dhe përkatësinë kulturore.

    Në njërën anë, ka prindër që theksojnë rëndësinë e ruajtjes së emrave shqip, duke i parë ata si pjesë të trashëgimisë sonë kombëtare dhe si mënyrë për të mos humbur lidhjen me rrënjët. Në anën tjetër, ka edhe ata që e shohin çështjen më lirshëm. Për ta, emri është më shumë një zgjedhje personale sesa simbol kombëtar.

    Për këtë temë, u diskutua edhe në emisionin “LIBERO” dhe hoxhë Ensar Sinani kritikoi prindërit shqiptarë për zgjedhjen e emrave të fëmijëve që, sipas tij, nuk kanë kuptim të mirë ose nuk përputhen me vlerat islame.

    Në këtë paraqitje ai shprehu “keqardhje të thellë” për trendin në rritje të emrave që, sipas tij, janë të huaj, të pakuptimtë ose të frymëzuar nga kultura që nuk përfaqësojnë identitetin fetar dhe kombëtar.

    “…Nuk është turp të kesh emër shqiptar apo mysliman, por turp është të mos dish kuptimin e emrit të fëmijës tënd…”, theksoi hoxha.

    Ai u bëri thirrje prindërve që të mos ndjekin metodat e huaja, por të rikthehen te emrat me histori, kuptim dhe vlera që përfaqesojnë kulturën tonë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ensar Sinanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Të rinjtë kanë frikë për të krijuar marrëdhënie, ja arsyet

    Të rinjtë kanë frikë për të krijuar marrëdhënie, ja arsyet

    Përgatiti Lorena Selita

    Rinia është periudha e zbulimeve, emocioneve dhe eksperiencave të reja, por gjithashtu vjen me sfida të veçanta, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dhe martesën. Të rinjtë përballen me dilema mbi dashurinë, komunikimin, pritshmëritë dhe vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre.

    Sipas një studimi nga National Library of Medicine, në marrëdhenie, të rinjtë shpesh hasin vështirësi në shprehjen e ndjenjave, dëshirave dhe pritshmërive. Mungesa e dialogut mund të shkaktojë keqkuptime dhe konflikte.

    Sfida të tjera konsiderohen se janë edhe balancimi në mes jetës profesionale dhe financiare, pavarësia ekonomike, gjithashtu edhe mungesa e durimit dhe mirëkuptimit.

    Për shkak të sfidave, sipas një studimi nga “Survey Center on American Life”, përpos dëshirës për marrëdhënie seksuale që ka rënë tek adoleshentët; janë edhe marrëdhëniet romantike në përgjithësi.

    “…56 për qind e të rriturve të Gjeneratës Z – dhe 54 për qind e burrave të Gjeneratës Z – thanë se ishin të përfshirë në një marrëdhënie romantike në çdo moment gjatë viteve të tyre të adoleshencës. Kjo përfaqëson një ndryshim të jashtëzakonshëm nga brezat e mëparshëm, ku takimet në adoleshencë ishin shumë më të zakonshme…”, thuhet në artikull.

    Vlen ta potencojmë se rezultatet e studimit (nga National Library of Medicine) treguan se adoleshentët që kishin përjetuar një klimë familjare më pozitive raportuan aftësi më efektive për zgjidhjen e problemeve në marrëdhenie.

  • A duhet të përfshihen edukata fetare dhe edukata seksuale në kurrikulën shkollore?

    A duhet të përfshihen edukata fetare dhe edukata seksuale në kurrikulën shkollore?

    Përgatiti Erjona Xhakolli

    Çështja e përfshirjes së edukatës seksuale dhe edukatës fetare në sistemin arsimor nuk është vetëm një debat lokal, por një temë me jehonë ndërkombëtare. Në vende të ndryshme të botës, kjo temë shihet nga kënde të ndryshme, varësisht nga kultura, traditat dhe niveli i zhvillimit shoqëror.

    Për këtë temë foli edhe hoxhë Ensar Sinani në emisionin “LIBERO” i cili tha se: “…lënda fetare është e rëndësishme në sensin e mësimit, sidomos e brezit tonë të ri qe po rritet me rrjetet sociale dhe po mendon që të gjithë njerëzit duhet të jetojnë me të gjitha resurset e botës, që të gjithë duhet të jemi milionerë, të gjithë duhet të jemi influencerë, që nuk mbajnë përgjegjësi për askënd, qe duhet t’i shkelim të gjithë në rrugëtimin tonë…”, deklaroi Sinani.

    Ndërsa për sa i takon edukatës seksuale Sinani tha se edukata seksuale ka ndryshuar kontekst, sipas tij në traditën islame edukata seksuale gjithmonë ka ekzistuar. Ndër tjerash, ai tha se “…edukata seksuale pa moral është e mangët, po ashtu siç është e mangët edhe edukata fetare pa dije…”

    Vlen ta potencojmë se sipas një artikulli të publikuar në UNESCO vendet e Evropës Veriore përfshirë Holandën, Suedinë dhe Finlandën e kanë bërë edukatën seksuale pjesë të detyrueshme të mësimit që në shkollën fillore. Qëllimi është t’u mësohet të rinjve respekti për trupin, marrëdhëniet e shëndetshme dhe barazinë gjinore, duke ulur abuzimet dhe shtatzënitë e hershme.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ensar Sinanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Ferizaj po përgatitet të mbushet me ngjyra e frymëzim – Kolonia Artistike 2025 sjell bashkim përmes artit

    Ferizaj po përgatitet të mbushet me ngjyra e frymëzim – Kolonia Artistike 2025 sjell bashkim përmes artit

    Qyteti i Ferizajt po bëhet gati të mirëpresë Koloninë Artistike 2025 – Edicioni i Dytë, një ngjarje e veçantë që e kthen artin në një urë bashkimi dhe fuqizimi për artistët me aftësi të kufizuara nga i gjithë Ballkani.

    Këtë iniciativë e organizon Shoqata “Hendifer”, e cila edhe këtë vit synon të sjellë më shumë krijimtari, bashkëpunim dhe përfshirje, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij dhe kufizime.

    Ngjarja do të mbahet në Nerodime – Ferizaj, nga 25 deri më 27 tetor 2025, dhe pritet të mbledhë artistë të ndryshëm me histori frymëzuese, të cilët përmes punës së tyre do të krijojnë vepra të reja, do të ndajnë përvoja personale dhe do të ndërtojnë ura miqësie përtej barrierave.

    Kulmi i aktivitetit do të jetë ekspozita përmbyllëse, që do të mbahet më 27 tetor 2025, në ora 18:00, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, ku do të prezantohen veprat e realizuara gjatë ditëve të kolonisë.

    Përmes kësaj nisme, Shoqata “Hendifer” synon të ndryshojë mënyrën se si shoqëria i sheh aftësitë dhe kufizimet, duke e vendosur fokusin tek talenti, kreativiteti dhe diversiteti njerëzor.

  • Kur ëndrra kërkon sakrificë: Kjo është valltarja që iku nga shtëpia dhe nuk foli me familjen për një vit

    Kur ëndrra kërkon sakrificë: Kjo është valltarja që iku nga shtëpia dhe nuk foli me familjen për një vit

    Përgatiti Enea Streli

    Hylkije Dibrani Sadiku është një ndër figurat më të njohura të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të Kosovës “Shota”. Ajo mbetet një prej valltareve që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës sonë skenike.

    Në moshën 20 vjeçare, u largua nga Gjakova për t’u punësuar në Ansamblin “Shota” dhe ky ishte një vendim i vështirë sepse në atë kohë, vallëzimi për gratë shpesh shihej me paragjykim. Në emisionin “LIBERO”, Sadiku rrëfeu historinë e saj – nga hapat e parë në skenë, deri te sfidat e jetës që e kanë bërë më të fortë dhe më të pjekur si artiste dhe si njeri.

    Në mes tjerash, theksoi se në fillimet e saj të karrierës për një vit të tërë ajo nuk foli me familjen e saj, duke përballuar e vetme sfidat që i solli jeta e re në Prishtinë.

    “…Kur s’kam folur me prindërit kam qenë duke jetuar në Prishtinë… gjatë kësaj periudhe jam njohur me burrin tim Gani Sadikun, në atë kohë ai erdhi në Gjakovë për të bindur familjen time për ne, dhe pse unë s’kisha kontakte të mira me ta por familja ime pranoi dhe u pajtuam…”, u shpreh ajo.

    Vlen ta potencojmë se Sadiku ka punuar për 30 vite në ansamblin “Shota”. Ajo është autore e një koreografie të titulluar “Vallja e nuseve të Gjakovës”.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Hylkije Sadikut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, data 23 tetor u shënua me një ceremoni të veçantë kushtuar letërsisë shqipe. Në këtë ditë të shenjtë, u kujtua lindja e Gjergj Fishtës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë kombëtare.

    Në një ambient të ngrohtë kulturor, Shqipëria hapi dyert për të nderuar edhe zërat poetikë, trashëgimtarë të flakës së Fishtës.

    Në mesin e tetëdhjetë poetëve të pranishëm, poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa u nderua me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”.

    “Kur një poet vlerësohet me një çmim është gjë e bukur sepse do të thotë se fjala e tij e ka prekur dikë. Unë poezinë kurrë nuk e kam konsideruar arritje, poezinë gjithmonë e kam konsideruar ecje. Ndoshta duke qenë edhe shkollë e Ali Podrimjes, sepse i takoj gjeneratës së poetëve të viteve të 90-ta në Kosovë. Podrimja kishte një varg ku thoshte “poezia më e bukur nuk është shkruar ende” – dhe një gjysmë-vargu tjetër që thoshte “as nuk është shkruar kurrë””, tha Tafa pasi e pranoi çmimin.

    Poeti Tafa theksoi se pavarësisht shumë çmimeve ndërkombëtare që ka marrë, ky i fundit ka një rëndësi të veçantë, të cilin do ta ruajë si një thesar i çmuar në sirtarin e tij.

    “Ky çmim më bën nder për disa arsye. E para, sepse ndahet nga një juri profesionale dhe shumë kompetente. Pastaj, sepse më jepet në një qytet historik. Kur një poet merr një çmim që mban emrin e një poeti, një shkrimtari që ka lënë gjurmë në ndërgjegjen dhe ndjeshmëritë e kombit, atëherë ai nder bëhet edhe përgjegjësi”, shtoi Tafa.

    Në këtë organizim u ndanë edhe dy çmime tjera mbarëkombëtare. Çmimi për roman iu dha Ermal Hasimjës, kurse asi për përkthim, Milena Selimit.

    Ceremonia, herë pas here shoqërohej me pika muzikore të gërshetuara nga veprat e Fishtës.

    Juria, e përbërë nga emra të njohur të letërsisë, me kryetar Rudolf Markun, si dhe anëtarët tjerë Bajram Kosumin e Renestina Halilin, vlerësoi me kujdes të madh përzgjedhjen e fituesve, duke theksuar nivelin e lartë të krijimtarisë së tyre.

    Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerrin Ndreu, u shpreh krenar që kjo ceremoni u mbajt siç tha, në tokën e begatë të letërsisë.

    “Duke qenë se Lezha quhet qyteti i muzës, ku në fakt letërsia këtu ka një shenjë shumë të madhe, ka autorë të jashtëzakonshëm”, u shpreh Ndreu.

    Për të pestin vit me radhë, Lezha vazhdon traditën e organizimit të kësaj ceremonie përkujtimore në nder të Gjergj Fishtës dhe për të mbështetur poetët që vazhdojnë të kontribuojnë në letërsinë shqipe.

    Letërsia, siç u theksua, mbetet një pasuri e përhershme e një dritë që ndriçon kombin.

  • Netflix zbulon premierën e sezonit të pestë të “Emily in Paris”, Emily zhvendoset në Romë për aventura të reja

    Netflix zbulon premierën e sezonit të pestë të “Emily in Paris”, Emily zhvendoset në Romë për aventura të reja

    Netflix ka publikuar premierën e shumëpritur të sezonit të pestë të serialit hit “Emily in Paris”, që do të shfaqet më 18 dhjetor 2025. Këtë herë, Emily, e interpretuar nga Lily Collins, lë pas Parisin dhe nis një kapitull të ri në Romë, ku përballet me sfida profesionale dhe emocionale që do t’i ndryshojnë jetën.

    Sipas përshkrimit zyrtar, Emily tashmë është në krye të agjencisë “Agence Grateau Rome” dhe përpiqet të ruajë ekuilibrin mes karrierës dhe dashurisë. Një ide që shkon keq sjell tensione të forta në punë, ndërsa një sekret i pazbuluar rrezikon të prishë një nga marrëdhëniet e saj më të rëndësishme. Gjatë këtij udhëtimi të ri, ajo mëson të përqafojë mënyrën franceze të jetesës edhe përtej kufijve të Francës, duke gjetur forcë, ndershmëri dhe lidhje të reja njerëzore.

    Përveç Lily Collins, në kast rikthehen emra të njohur si Philippine Leroy-Beaulieu, Ashley Park, Lucas Bravo, Samuel Arnold dhe William Abadie, ndërsa aktorë të rinj si Eugenio Francescini, Thalia Besson dhe Minnie Driver do t’i japin sezonit një frymë të freskët.

    “Emily in Paris” pritet të kthehet në një nga prodhimet më të komentuar të fundvitit, duke sjellë për shikuesit romancë, humor dhe dramë në zemër të Italisë, aty ku dashuria dhe ambicia takohen në mënyrën më të papritur.

  • Hulumtimet e reja, rishkruan historinë e ‘shekullit të humbur’ të letërsisë arabe

    Hulumtimet e reja, rishkruan historinë e ‘shekullit të humbur’ të letërsisë arabe

    Letërsia arabe është ende pjesërisht e formësuar nga një histori e shkruar në Evropë më shumë se një shekull më parë.

    Fillon në shekullin e tetë, kur Bagdadi nën sundimin e kalifëve abasidë u bë një qendër e shkencës, filozofisë dhe poezisë – një periudhë që konsiderohet si epoka e artë e qytetërimit islamik.

    Në zemër të asaj epoke ishin poetë të tillë si Abu Nuwas dhe Al Mutanabbi , së bashku me filozofët polimatë Al Farabi dhe Avicena, të cilët erdhën për të përfaqësuar kulmin e një kulture intelektuale arabe që ndriçoi botën.

    Ky koncept doli nga studiuesit evropianë të shekullit të 19-të, përfshirë Ernest Renan të Francës dhe Reinhart Dozy të Holandës, të cilët argumentuan se jeta intelektuale arabe ra pas shekullit të 11-të, duke çuar në një qetësi 800-vjeçare para Rilindjes së Evropës.

    Është një pikëpamje e zhytur në paragjykime orientaliste dhe thjeshtëzim të tepruar historik, thonë studiuesit e sotëm, pasi literatura arabe nuk ka heshtur kurrë.

    Duke folur në një panel të organizuar nga Çmimi i Librit Sheikh Zayed në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, gjuhëtarët dhe historianët e letërsisë vunë në dukje se shkrimi arab vazhdoi të evoluonte në atë që u kopjua, u interpretua dhe u përkthye, edhe kur nuk u njoh zyrtarisht.

    Këto rivlerësime mbështesin punën e studiuesve modernë, siç janë Beatrice Grundler e Gjermanisë, studiuesi gjermano-turk Hakan Ozkan dhe akademiku amerikan Maurice Pomerantz i NYU Abu Dhabi, të cilët argumentojnë se letërsia arabe është zhvilluar pa u pakësuar.

    Grundler e përshkruan idenë e një “shekulli të humbur” në letërsinë arabe si një mit. Vepra e saj jo-fiktive “ Ngritja e Librit Arab”, e cila së fundmi është përzgjedhur për Çmimin e Librit Sheikh Zayed 2025 për Kulturën Arabe në Gjuhë të Tjera, kujton industrinë e lulëzuar dhe konkurruese të letërsisë dhe botimeve në Bagdadin e shekullit të nëntë, e cila jehon në panairet e librit sot.

    «Kishte kopjues profesionistë, librari dhe publik lexuesish», thotë ajo. «Nëse do të ecnit nëpër Bagdad, do të kishit parë shkrues që merrnin porosi, duke debatuar për pikësimin, duke reklamuar shkrimin e tyre. Ishte e zhurmshme, konkurruese dhe plotësisht familjare».

    Vetëm ky fakt, thotë ajo, e sfidon idenë se botimi formal filloi në shekullin e 15-të në Gjermani me mbërritjen e makinës shtypshkronjë të Johannes Gutenberg.

    Një arsye pas narrativës perëndimore rreth letërsisë arabe, thotë ajo, qëndron në mënyrën se si orientalistët evropianë e mendonin trajektoren e një qytetërimi.

    «Ata donin që historia arabe të dukej si e tyre, me një fillim, një kulm dhe një rënie», thotë ajo. «Por letërsia arabe nuk i përshtatet këtij modeli. Ajo nuk pushoi kurrë së lëvizuri.

    “Qendrat ndryshuan nga Bagdadi në Kajro, në Damask dhe në Andaluzi, por biseda vazhdoi. Të njëjtat poezi u kopjuan dhe u riinterpretuan, u shfaqën zhanre të reja dhe ato më të vjetrat u riformësuan. Gjuha u përshtat në çdo vend ku shkoi.”

    Kjo vazhdimësi mund të gjurmohet edhe përmes poezisë. Ozkan, profesor i letërsisë arabe në Universitetin Aix-Marseille të Francës, e shqyrton temën në studimin e tij Historia e Zajalit Lindor: Vargu Strofik Dialektor Arab nga Lindja e Botës Arabe , i cili është përzgjedhur këtë vit për Çmimin e Librit Sheikh Zayed në kategorinë e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe.

    Hulumtimi tregon se si zajali, një formë poezie ritmike e bazuar në dialekt, e cila prej kohësh është shpërfillur si e pahijshme nga akademikët evropianë dhe arabë, vazhdoi të evoluonte shumë kohë pas periudhës abaside.

    «Këta poetë thyenin rregullat sepse mundeshin», thotë ai. «Ata përzienin regjistrat, luanin me rima, tallnin dijetarët dhe lavdëronin shenjtorët. Disa prej tyre tingëllojnë si rep i hershëm. Është tingulli i një kulture që është gjallë».

    Restaurime të mëtejshme po ndodhin edhe në Universitetin e Nju Jorkut, Abu Dhabi, me Bibliotekën e Letërsisë Arabe , një seri që ndihmon në rikthimin e veprave nga shekujt që supozohet se janë humbur pas periudhës abaside. I botuar në arabisht dhe anglisht, ai ka prodhuar tashmë më shumë se 60 vëllime me prozë, poezi dhe filozofi që nga lançimi i tij në vitin 2010.

    “Redaktimi i këtyre librave është si t’i bashkohesh një bisede që nuk ndalet kurrë”, tha Maurice Pomerantz, një nga redaktorët e serisë dhe profesor i letërsisë në NYU Abu Dhabi. “Mund të shohësh breza shkrimtarësh që i përgjigjen njëri-tjetrit, autorë, komentues, përkthyes, të gjithë duke shtuar shtresa. Dorëshkrimet janë plot me argumente.”

    Sa i përket arsyes pse ideja e rënies së letërsisë arabe mori formë me kalimin e viteve, Pomerantz thotë se kjo ka më pak të bëjë me historinë sesa me aksesin. “Nëse një tekst nuk përkthehet, ai nuk ekziston globalisht”, thotë ai.

    “Kjo është arsyeja pse çmimet dhe institucionet kanë rëndësi. Çmimi i Librit Sheikh Zayed, për shembull, njeh studimet shkencore rreth kulturës arabe të shkruara në çdo gjuhë. Ai i sjell dukshmëri kërkimeve që përndryshe mund të qëndronin brenda akademisë.”

    Ai shton se sfida e vërtetë tani është të sigurohemi që këto vepra të jetojnë përtej qarqeve akademike. “Ne duhet t’i bëjmë ato përsëri pjesë të imagjinatës publike, të mësohen në shkolla, të lexohen në përkthim, të interpretohen në skenë. Përndryshe, miti thjesht do të rritet përsëri.”

  • Sanae Takaichi: Dikur bateriste, tani kryeministrja e parë femër e Japonisë

    Sanae Takaichi: Dikur bateriste, tani kryeministrja e parë femër e Japonisë

    Japonia shkruan histori: më 21 tetor 2025, Sanae Takaichi u bë kryeministrja e parë femër në historinë e vendit.

    Por përtej karrierës politike, 64-vjeçarja fsheh një anë krejt ndryshe – pasionin për muzikën heavy metal.

    Para se të hynte në politikë, Takaichi ishte bateriste në një grup heavy metal gjatë viteve të kolegjit, dhe sipas mediave japoneze, ajo ende luan në bateri elektronike për të çliruar stresin, zakonisht pasi bashkëshorti i saj shkon për të fjetur.

    Edhe pse nuk ekzistojnë video zyrtare të saj duke performuar, një interpretim i saj i vitit 2016 i këngës “Rusty Nail” nga grupi legjendar X Japan është bërë viral online.

    Në arenën politike, Takaichi njihet për qëndrimet e saj konservatore dhe për admirimin ndaj Margaret Thatcher, ish-kryeministres britanike që shpesh e frymëzon. Megjithatë, shumëkush mendon se për të, nofta “Zonja Heavy Metal” tingëllon më e përshtatshme sesa “Zonja e Hekurt”.

  • Fshati që zhduket çdo vit: si banorët e Bangladeshit jetojnë mbi ujë dhe nuk dorëzohen kurrë

    Fshati që zhduket çdo vit: si banorët e Bangladeshit jetojnë mbi ujë dhe nuk dorëzohen kurrë

    Në jug të Bangladeshit ndodhen fshatra që çdo vit zhduken nën ujë.
    Gjatë sezonit të musoneve, lumenjtë e mëdhenj Brahmaputra dhe Meghna dalin nga shtrati dhe përmbytin gjithçka: shtëpitë, rrugët, fushat dhe tregjet.

    Për shumicën e njerëzve, kjo do të ishte një katastrofë.
    Por për banorët e atyre zonave, është një pjesë normale e jetës.

    Jeta që përshtatet me ujin

    Banorët kanë zhvilluar mënyra praktike për t’u përshtatur me përmbytjet.
    Shtëpitë ndërtohen mbi stolpa të lartë druri ose mbi platforma lundruese që mund të zhvendosen. Kur rrugët mbulohen nga uji, transporti bëhet me varka.
    Edhe tregjet dhe shkollat organizohen mbi ujë, në mënyrë që jeta të mos ndalet asnjë ditë.

    Model i jashtëzakonshëm përshtatjeje

    Për studiuesit e klimës, këto fshatra janë një shembull i gjallë i aftësisë njerëzore për të jetuar në harmoni me mjedisin.
    Çdo vit, pas tërheqjes së ujërave, banorët mbjellin tokat, rindërtojnë shtëpitë dhe rikthejnë jetën në normalitet.Ata nuk luftojnë me natyrën, thjesht mësojnë të bashkëjetojnë me të.

    Tradita dhe teknologji, krah për krah

    Edhe pse jetojnë në kushte të vështira, banorët përdorin mjete moderne për t’u përgatitur ndaj përmbytjeve.Motorët e vegjël, pompuesit e ujit dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.
    Por forca kryesore mbetet bashkëpunimi dhe qëndrueshmëria e komunitetit.

    Në një vend ku toka zhduket çdo vit, jeta nuk ndalet.
    Banorët e Bangladeshit rindërtojnë gjithçka me durim dhe shpresë, duke dëshmuar se edhe përballë natyrës më të ashpër, njeriu mund të përshtatet dhe të vazhdojë përpara.