ATV

Category: KULTURË

  • “Pornografia e varfërisë”: Imazhet e rreme të IA po shiten si dhembshuri

    “Pornografia e varfërisë”: Imazhet e rreme të IA po shiten si dhembshuri

    Ka raste kur ndjeshmëria nuk lind nga zemra, por nga llogaritë. Një sy që duket i përlotur, një fëmijë me rroba të grisura, një buzëqeshje e mbijetuar në mes të baltës. Dhe papritur, diçka ndodh: një foto që s’është e vërtetë, por duket më “e dhimbshme” se realiteti. Një “aksident etik” ose ndoshta jo aksident fare.

    Në botën e re të imazheve të krijuara nga inteligjenca artificiale, dhembshuria po simulohet. Aty ku dikur një fotograf udhëtonte me javë të tëra për të dokumentuar varfërinë, tani mjafton një prompt: “a crying African child with dirty hands, begging for food”. Dhe një algoritëm prodhon një realitet që s’ka ekzistuar kurrë, por që duket më i fortë, më tregtar, më i klikuar.

    Kjo është “pornografia e varfërisë” në versionin e ri digjital: imazhe që e shfrytëzojnë mjerimin, pa qenë as mjerim i vërtetë. Një tregti e ndjenjave të fabrikuara.

    Në dekadat e kaluara, termi “pornografi e varfërisë” përdorej për të përshkruar mënyrën si disa agjenci bamirësie dhe media përdornin imazhe tronditëse për të nxitur donacione. Por sot, kufiri etik është bërë edhe më i hollë sepse shumë prej atyre imazheve s’janë më të marra, por të krijuara. Dhe më keq akoma, shpesh nuk tregojnë një histori reale, por një klishe që përforcon stereotipe për kontinentet e varfra, për trupat e dobët, për lotët që shiten më mirë se dinjiteti.

    Në vend të dëshmisë, kemi dizajn. Në vend të realitetit, kemi imitim emocional.

    Në prapaskenë, disa organizata e justifikojnë këtë me fjalë të buta: “është vetëm për ilustrim”, “është më e lehtë të komunikohet mesazhi”. Por në fakt, ajo që po ndodh është një zhvendosje e frikshme:nga dokumentimi i së vërtetës, tek krijimi i saj artificialisht. Dhe kur e vërteta humb, humb edhe besimi.

    Në një botë ku çdo imazh mund të fabrikohet, si mund të dallosh lotin e vërtetë nga ai i gjeneruar? Si mund të ndihmosh dikë që nuk ekziston?

    Disa artistë e quajnë këtë “epokën e empatisë së rreme”. Si kur një notë e falsifikuar tingëllon bukur, por nuk e ndien. Si kur arti humbet shpirtin, edhe pse teknika është perfekte. Sepse dhembshuria e ndërtuar me algoritme nuk të ndryshon. Thjesht të bën të ndihesh për një sekondë i mirë dhe pastaj kalon.

    Në fakt, çdo imazh i tillë është kujtesë se etika në art dhe media nuk është çështje efekti, por e sinqeritetit. Bukuria s’mund të ndërtohet mbi mashtrimin, as dhembshuria mbi iluzionin.

  • Kur ‘përgjithmonë’ nuk zgjat përgjithmonë, pse po divorcohen çiftet?

    Kur ‘përgjithmonë’ nuk zgjat përgjithmonë, pse po divorcohen çiftet?

    Përgatiti Elmedina Gashi

    Divorci është një nga fenomenet më të diskutueshme të shoqërisë moderne. Ai përfaqëson fundin ligjor të një martese, por shpesh është shumë më tepër sesa një procedurë juridike që prek jo vetëm çiftin, por edhe familjet, fëmijët dhe shoqërinë në tërësi.

    Në dekadat e fundit, numri i divorceve është rritur edhe në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm në periudhën janar–korrik të vitit 2025, janë regjistruar 953 raste të shkurorëzimeve.

    Por, cilat janë arsyet e divorcit?

    Autorja amerikane Brette Sember (e specializuar në divorc, ndërmjetësim dhe të drejtë familjare), ka përshkruar në detaje arsyet e ndarjes dhe disa nga to janë: Debati i pandërprerë, pabesia / lidhjet jashtëmartesore, dhuna në familje: abuzimi nga një parner ose prind, mbështetja e qëllimeve të njëri tjetrit etj…

    Kjo temë u diskutua edhe në emisionin “LIBERO” dhe sipas sociologut Gëzim Tushi shumica e rasteve të divorcit ndodhin nga mosdurimi si dhe martesat e parakohshme. Gjithashtu, arsye të tjera, ai përmendi edhe marrjen e vendimeve të shpejta, rivalitetin në çift dhe mos ndarjen e mendimeve –arsye këto që sipas tij një lidhje toksike e qojnë deri te divorci.

    “…Ndër shkaqet kryesore të divorcit në shoqërinë shqiptare (por jo vetëm në shoqërinë shqiptare) është fakti që lidhja midis çiftit ka filluar të bëhet një lidhje rivaliteti, në një mënyrë marrëdhëniet bëhen egocentriste…”, potencoi Tushi.

    Vlen ta potencojmë se sipas Ligjit për Familjen në Republikën e Kosovës (Ligji Nr. 2004/32), ekzistojnë dy mënyra për të realizuar divorcin: “Divorci me marrëveshje (i pakontestuar): Nëse bashkëshortët bien dakord për ndarjen dhe për të gjitha çështjet e lidhura me të (si kujdestaria, ndarja e pasurisë), atëherë procedura është më e shpejtë. Dhe divorci i kontestuar : Nëse njëri nga bashkëshortët nuk pajtohet me ndarjen ose me kushtet e saj, rasti paraqitet si kontest dhe zgjidhet nga gjykata”

    Për ta shikuar emisionin e plotë për këtë temë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Qendra Kinematografike e Kosovës shpall projektet fituese për filma të metrazhit të gjatë

    Qendra Kinematografike e Kosovës shpall projektet fituese për filma të metrazhit të gjatë

    Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka publikuar listën e 48 projekteve fituese të konkursit për mbështetjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik, të hapur më 22 maj 2025.

    Në këtë thirrje kanë aplikuar gjithsej 126 projekte filmike në 11 kategori, ndërsa përzgjedhja është bërë nga juri profesionale me përbërje vendore dhe ndërkombëtare.

    Anëtarët e jurisë kanë qenë: Gentian Koçi, Hassan Oswald, Roshanak Behesht Nedjad, Soňa Morgenthalová, Visar Morina, Dea Gjinovci, Eneos Çarka, Iber Deari, Sevdije Kastrati dhe Shpëtim Selmani. Ndërsa për kategorinë e post-produksionit kanë vendosur Hassan Oswald, Roshanak Behesht Nedjad, Soňa Morgenthalová, Visar Morina dhe Sevdije Kastrati.

    Pas shqyrtimit të projekteve, Komisioni financiar në përbërje të Ilir Gjocaj, Fitim Shala dhe Virgjina Peja ka miratuar mbështetjen për 48 projekte filmike.

  • Kur rasti luan me artin: si lind bukuria nga e papritura

    Kur rasti luan me artin: si lind bukuria nga e papritura

    Ka raste kur arti nuk lind nga frymëzimi, por nga rrëmuja. Një dorë që rrëshqet mbi kanavacë, një notë që del jashtë ritmit, një dritë që futet në kornizë pa u ftuar dhe papritur, diçka ndodh. Një “aksident artistik”. Ai moment kur e papritura nuk prish gjithçka, por e shpik nga e para.

    Historia e artit është plot me këto lloj fatkeshish të bukura. Jackson Pollock, për shembull, s’kishte menduar të shpikte stilin e tij kaotik. Thjesht i ra boja nga furça. Në vend që të mërzitej, vazhdoi ta derdhte me qëllim. Dhe nga një derdhje e paqëllimshme, lindi një epokë e re në pikturë. Një gabim që la gjurmë në galeri.

    Në kinemanë botërore, disa nga momentet më të njohura janë prodhim i rastësisë. Heath Ledger në “The Dark Knight” duartrokiti shpërthimin e spitalit sepse efekti special ndodhi me vonesë, improvizim total, që u kthye në ikonë. Leonardo DiCaprio, në “Titanic”, nuk kishte asnjë rresht të shkruar për “I’m the king of the world!”. Ai e tha në moment, i mbërthyer nga era dhe adrenalina dhe kamera e kapi përjetësisht.

    Muzika nuk mbetet pas. Michael Jackson e mbajti në këngën “Billie Jean” një tingull teknik që inxhinieri deshi ta fshinte. Ai e la. Dhe ai detaj e bëri ritmin unik. Coldplay gjetën melodinë e “The Scientist” kur pianisti goditi gabimisht një akord. Ajo që duhej të ishte një “oops”, u bë refren që miliona veta e ndjejnë në zemër.

    Në fakt, çdo aksident artistik është një kujtesë e vogël se kontrolli nuk është gjithçka. Bukuria shpesh lind kur njeriu lejon botën të ndërhyjë në krijimin e tij. Kur nuk frikësohesh nga rrëmuja, por e sheh si bashkëpunëtore.

    Sepse arti, si jeta, është më interesant kur nuk shkon sipas planit. Dhe ndoshta mrekullitë më të mëdha ndodhin pikërisht atëherë kur mendon se e ke prishur gjithçka por në të vërtetë, sapo ke bërë diçka që askush tjetër s’mund ta kishte bërë njësoj.

  • Tajlandë: Pse koka konsiderohet pjesa më e shenjtë e trupit

    Tajlandë: Pse koka konsiderohet pjesa më e shenjtë e trupit

    Në Tajlandë, kultura dhe respekti për trupin kanë një domethënie të veçantë. Koka konsiderohet pjesa më e shenjtë e trupit, dhe ky besim ndikon në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin, veçanërisht me fëmijët.

    Sipas traditës budiste dhe zakoneve lokale, koka është vendi ku ndodhet energjia shpirtërore. Për këtë arsye, nuk është e lejuar të prekësh kokën e askujt, madje as të fëmijëve, pa leje. Një veprim i tillë konsiderohet mungesë respekti dhe mund të shikohet si ofendim i madh.

    Edhe në jetën e përditshme, ky respekt manifestohet në forma të ndryshme. Për shembull, ulja e kokës paksa kur hyn në një dhomë ose kur përshëndet një person më të moshuar është një shenjë mirësie dhe nderimi. Në tempuj, vizitorët këshillohen të mos prekin kokën e murgjve apo figurat fetare.

    Për turistët, kjo është një njohuri e rëndësishme kulturore. Edhe një veprim i thjeshtë, si përqafimi ose prekja e kokës së një fëmije, mund të keqkuptohet. Shumë turistë mësojnë të respektojnë këtë traditë dhe të tregojnë përkushtim ndaj zakoneve lokale për të mos shkelur normat kulturore.

    Ky zakon tregon sa e thellë dhe e ndërlikuar është ndjenja e respektit dhe lidhjes me shpirtin në kulturën tajlandeze. Për banorët, trupi nuk është thjesht fizik, por një udhëtim shpirtëror, dhe koka është qendra e këtij udhëtimi.

    Në Tajlandë, një veprim i vogël me respekt mund të shndërrohet në një mesazh të madh, një shenjë për të kuptuar kulturën, shpirtin dhe traditën e vendit.

  • Kino Armata rikthen në kujtesë kryeveprën e Saimir Kumbaros ‘Vdekja e Kalit’”

    Kino Armata rikthen në kujtesë kryeveprën e Saimir Kumbaros ‘Vdekja e Kalit’”

    Në kuadër të ciklit kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”, dje nga ora 20:00 në Kino Armata në Prishtinë u shfaq filmi i njohur “Vdekja e Kalit” me regji nga Saimir Kumbaro. Ky film i vitit 1992 konsiderohet si një nga momentet kulmore të kinemasë shqiptare, që përshkruan me guxim dhe realitet shoqërinë gjatë përmbysjes së diktaturës.

    Cikli “Netët e Filmit Shqiptar”, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Kino Armata, ka për qëllim të rikthejë në fokus vepra të autorëve të mëdhenj të kinematografisë shqiptare për publikun e ri në Kosovë. Shfaqjet do të vazhdojnë deri në nëntor 2025.

    Nëse ju munguat dje, mbani mend se jo çdo ditë keni rastin të shikoni përkrahje historike të skenës së filmit shqiptar në ekranin e një kinemaje në Prishtinë.

  • Nga 52,000 deri në 117,000 euro për episod, aktorët turq më të paguar

    Nga 52,000 deri në 117,000 euro për episod, aktorët turq më të paguar

    Sipas raportimeve të mediave turke, disa prej aktorëve kryesorë të serialeve turke, që gëzojnë pagat më të larta, janë Kenan İmirzalıoğlu, Afra Saraçoğlu, Demet Özdemir dhe Çağatay Ulusoy.

    Këta aktorë jo vetëm që kanë arritur të ndërtojnë një emër të njohur në vendin e tyre, por kanë shkuar përtej kufijve të Turqisë, falë projekteve të suksesshme dhe performancave të tyre të jashtëzakonshme.

    Pagat për çdo episod janë impresive. Kenan İmirzalıoğlu, një prej figurave më të njohura, përfiton rreth 117,000 euro, duke u shpallur si aktori më i paguar.

    Afra Saraçoğlu, një aktore e re dhe e talentuar, merr rreth 65,000 euro për episod.

    Po ashtu, Demet Özdemir, që është bërë ikonë e ekranit, fiton gjithashtu një shumë të konsiderueshme prej rreth 52,000 euro.

    Nga ana tjetër, Çağatay Ulusoy, që është i njohur për rolet e tij të suksesshëm, merr rreth 84,000 euro për episod.

    Me rritjen e kërkesës për prodhime turke, aktorët e lartpërmendur janë bërë figura qendrore jo vetëm për publikun turk, por edhe për ndjekësit në të gjithë botën.

    Pra, pagat e tyre të larta reflektjnë jo vetëm suksesin personal, por edhe ndikimin e përgjithshëm të artit turk në arenën ndërkombëtare.

  • Thethi, perla e Alpeve Shqiptare që tërheq amerikanët!

    Thethi, perla e Alpeve Shqiptare që tërheq amerikanët!

    Perla e bukur e Alpeve Shqiptare, fshati Theth, ka tërhequr vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë dhe së fundmi është promovuar nga Travel And Tour World USA, një nga portalet kryesore amerikane për udhëtime dhe turizëm. Në një artikull, Thethi përshkruhet si një destinacion ‘all-season’, që kombinon peizazhe spektakolare alpine, trashëgimi historike dhe mundësi të shumta rekreative.

    Portali amerikan thekson se Thethi, i vendosur 70 kilometra në veriperëndim të Shkodrës, është veçanërisht atraktiv gjatë vjeshtës, kur rrugicat e ngushta dhe vendet panoramike mbushen me vizitorë që dëshirojnë të eksplorojnë kodrat e gjelbëruara, sitet historike dhe atmosferën unike alpine.

    Atraksionet kryesore

    Midis vendeve më të njohura, sipas Travel And Tour World USA, janë Syri i Kaltër, një burim me ujë të kristaltë të rrethuar nga gjelbërimi dhe Ujëvara e Grunasit, ku uji bie nga shkëmbinjtë në një pellg të pastër. Për adhuruesit e aventurës, rruga Theth-Valbonë konsiderohet një nga shtegjet më spektakolare për shëtitje në Alpet Shqiptare, duke ofruar pamje dramatike mbi male dhe livadhe alpine.

    Vizitorët mund të eksplorojnë gjithashtu Kanionin e Grunasit dhe Shpellën e Arapit, që shtojnë një dimension magjik për vizituesit që kërkojnë përvoja natyrore dhe aventurë.

    Trashëgimia kulturore dhe historike

    Artikulli amerikan vë në pah edhe aspektin kulturor: Kisha e Thethit, sheshi përreth saj dhe arkitektura tradicionale e fshatit reflektojnë një ndërthurje të natyrës dhe civilizimit, duke e bërë Thethin një destinacion të veçantë jo vetëm për peizazhet, por edhe për trashëgiminë kulturore.

    Turizmi aventurier dhe i qëndrueshëm

    Thethi ofron mundësi për shëtitje, çiklizëm malor e vëzhgim të shpendëve, si dhe njihet si shembull kryesor i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri. Masat për mbrojtjen e peizazhit natyror kanë ndihmuar që destinacioni të ruajë integritetin ekologjik e vizual, duke tërhequr turistë që kërkojnë përvoja autentike dhe miqësore me natyrën.

    Si të arrini dhe stinët më të mira për vizitë

    Shumica e vizitorëve udhëtojnë nga Shkodra, me autobus, makinë ose transfer të organizuar, duke përshkuar rrugë malore që ofrojnë pamje panoramike të maleve dhe luginave. Sezoni më i favorshëm është nga fundi i prillit deri në fillim të tetorit, ndërsa vjeshta e vonë sjell ngjyrat e artë dhe të kuqe të fshatit dhe peizazheve përreth

  • Filmat horror: Terapia ideale për ankthin

    Filmat horror: Terapia ideale për ankthin

    Filmat horror, me skena të tmerrshme, mund të duken të frikshme, por studimet tregojnë se ata mund të jenë një formë efektive e terapisë gjatë periudhave të ankthit.

    Psikologu Coltan Scrivner nga Universiteti i Arizona-s, autor i librit Morbidly Curious, thotë se tregimet horror kanë ekzistuar për mijëra vjet dhe ndihmojnë njerëzit të kuptojnë rreziqet përreth tyre. “Të kuptuarit e kërcënimeve në një ambient të sigurt është një mënyrë për të mësuar të përballosh frikën”, shpjegon ai.

    Studimet e fundit ndajnë shikuesit e filmave horror në tre grupe: “Adrenaline Junkies” që kërkojnë emocionet e tensionit, “White Knucklers” që gjejnë kënaqësi në kapërcimin e frikës dhe “Dark Copers” që përdorin frikën si mënyrë për të përballuar ankthin dhe stresin e jetës reale.

    Shkencëtarët sugjerojnë se përjetimi i frikës në mënyrë të kontrolluar aktivizon proceset e trurit që na ndihmojnë të përgatitemi për pasiguri dhe situata të paparashikueshme.

  • Roza Anagnosti feston 82-vjetorin, ikonë e përjetshme e artit shqiptar

    Roza Anagnosti feston 82-vjetorin, ikonë e përjetshme e artit shqiptar

    Roza Anagnosti, hir, talent dhe kujtesë e artit shqiptar

    Ajo është një hir që koha nuk ka mundur ta zbehë. Edhe pas më shumë se tetë dekadash jetë, Roza Anagnosti mbetet po ajo figurë e ndritshme që i dha dritë skenës dhe ekranit shqiptar, një simbol i elegancës dhe forcës shpirtërore që i rezistoi çdo epoke. Me sytë plot dritë e zërin që ende ruan ngrohtësinë e dikurshme, ajo përfaqëson një brez artistësh që e ngritën artin shqiptar në një nivel të lartë shpirtëror e profesional.

    E lindur më 27 tetor 1943 në Tiranë, Roza kaloi fëmijërinë në Shkodër, qyteti që do t’i jepte frymë artit të saj. Që në moshë të vogël, ajo shfaqi prirje për muzikë, vallëzim dhe interpretim, ndërsa mësuesit e saj e përshkruanin si “vajzë me ndjenjë skenike të lindur”. Megjithatë, rruga drejt artit nuk qe e lehtë. Për shkak të dënimit politik të të atit, Roza përjetoi vështirësi dhe padrejtësi, por nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj. Në vitin 1965 u diplomua në degën e artit dramatik dhe që prej asaj kohe, emri i saj u bë sinonim i përkushtimit dhe pasionit artistik.

    Hapat e parë në skenë i hodhi në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, me rolin e Nurijes në pjesën “Kunora e Nurijes”, ku talenti i saj u vu menjëherë re. Nga ajo ditë, ajo nuk u nda më nga skena. Me kalimin e viteve, Roza u shndërrua në një nga aktoret më të dashura e më të vlerësuara të kinematografisë shqiptare, duke interpretuar role që kanë hyrë në kujtesën kolektive, si te “Toka jonë”, “Detyrë e posaçme”, “Ndërgjegjja” apo “Fileja”. Ishte pikërisht gjatë xhirimeve të “Tokës sonë” që ajo njohu operatorin e ri Dhimitër Anagnosti – takimi që do të shënonte fillimin e një historie dashurie dhe bashkëpunimi artistik që do të zgjaste gjithë jetën.

    Në kujtimet e saj, Roza tregon me ndjeshmëri për atë periudhë: “Në fund të xhirimeve të ‘Tokës sonë’ u fejuam me Dhimitrin. Aty nisi gjithçka, një jetë dhe një rrugëtim që nuk e ndava më as nga arti, as nga dashuria.”

    Rolet e saj në teatër e film mbeten shembull i finesës, disiplinës dhe shpirtit artistik. Nga “Nora” te “Histori irkutase”, nga “Këneta” te “Përtej pragut”, ajo solli në skenë figura të grave të forta, të ndjeshme e të përkushtuara, duke u bërë frymëzim për breza të tërë artistësh.

    Sot, Roza Anagnosti vazhdon të mbetet një emër që ngjall respekt dhe mall në kujtesën kolektive të publikut shqiptar. Ajo është dëshmi e gjallë e asaj që arti mund të arrijë kur përzihet me shpirt, sakrificë dhe dashuri të vërtetë për skenën. Në ditëlindjen e saj, kujtojmë me mirënjohje jo vetëm aktoren, por edhe njeriun që përmes rolit, dinjitetit dhe bukurisë, i dhuroi brezave ndjenjën e pastër të artit të vërtetë shqiptar.