ATV

Category: KULTURË

  • “Skandal” dhe emocione në “HANA”: Kosova e përfaqësuar, aktorja e ndaluar

    “Skandal” dhe emocione në “HANA”: Kosova e përfaqësuar, aktorja e ndaluar

    Përgatiti: Leon Bixhaku

    Filmi kosovar “HANA” po korr sukses ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen e audiencave dhe kritikëve në festivale të ndryshme botërore. Pas një procesi të gjatë xhirimesh dhe sfidash, filmi është zgjedhur për premierën botërore në Goa, Indi, ku do të prezantohet Kosova në skenën ndërkombëtare.

    Sheqerie Buqaj aktorja kryesore e filmit “HANA”, në emisionin “LIBERO” ka dhënë detaje rreth premierës, tematikës dhe vështirësive gjatë xhirimeve.

     “…Filmi zgjati shumë, që nga 2017. Skenari… pastaj rastisi që unë të kisha problem shëndetësore, më pas pandemia dhe menduam se gjithçka do të dështonte, edhe pse filmi mori përkrahje nga Maqedonia…”, tha Buqaj.

    Aktorja u shpreh e zhgënjyer teksa foli për pamundësinë e saj për të qenë pjesë e prezantimit të filmit në Indi:

    “…Më 23 Nëntor, në Goa të Indisë, do të mbahet premiera botërore ku filmi do ta prezantojë Kosovën si shtet. Por, për shkak se India nuk e njeh Kosovën si shtet, nuk kam mundësi të jem pjesë e premierës së filmit…”, u shpreh ajo.

    Buqaj e përshkroi projektin si një përvojë të jashtëzakonshme dhe emocionalisht të ngarkuar.

    “…Ka pasur momente që nuk ishte më vetëm aktrim. Unë hyra 100 për qind në rol. Kisha vite që e dija skenarin dhe isha përgatitur për këtë personazh…”, deklaroi aktorja.

    Vlen ta theksojmë se filmi “HANA” trajton jetën e një gruaje të dhunuar seksualisht gjatë luftës, e cila përmes aktrimit bëhet zëri i shumë grave me përvoja të ngjashme. Pas një kohe, ajo gjen forcën për të rrëfyer edhe dhimbjen e saj personale nëpërmjet rolit që luan.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Sheqerie Buqajt në LIBERO, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Skandal i ri për BBC, libri i ri zbulon mashtrimin pas intervistës së Princeshës Diana

    Skandal i ri për BBC, libri i ri zbulon mashtrimin pas intervistës së Princeshës Diana

    Një libër i ri ka sjellë sërish në vëmendje një nga momentet më të diskutueshme të historisë televizive britanike: intervistën e famshme të Princeshës Diana me BBC-në në vitin 1995. Autori Andy Webb, ish-gazetar i BBC-së, pretendon se rrjeti publik britanik ka ditur prej dekadash se intervista u sigurua përmes mashtrimit dhe se qëllimisht e ka mbuluar këtë fakt për më shumë se 20 vite.

    Libri, i titulluar “Dianarama: Tradhtia e Princeshës Diana”, publikohet sot dhe pretendon se zbulon “shkallën e tradhtisë ndaj princeshës dhe mbulimin e mëvonshëm”. Publikimi i tij vjen në një moment delikat për BBC-në, e cila aktualisht përballet me kritika të ashpra për redaktimin mashtrues të një fjalimi të Donald Trump.

    Sipas një hetimi të pavarur të kryer në vitin 2021, gazetari Martin Bashir kishte përdorur dokumente të falsifikuara për t’i krijuar vëllait të Dianës, Charles Spencer, përshtypjen se njerëz të afërt e spiunonin princeshën dhe se puna e tyre lidhej me shërbimet sekrete. Ky manipulim ishte vendimtar për të bindur Spencer që të ndërmjetësonte intervistën historike.

    Autori Andy Webb shkon edhe më tej, duke thënë se brenda BBC-së disa persona e dinin të vërtetën vetëm katër muaj pas transmetimit. Megjithatë, ata zgjodhën të mos e informonin Dianën, duke e lënë atë në një gjendje pasigurie të thellë një pasojë që sipas librit vazhdoi të ndikonte në jetën e saj deri në fund.

    Dokumentet e falsifikuara, sipas librit, bënë që Diana të besonte se rrethi i saj i ngushtë ishte duke e tradhtuar. Ajo dyshonte te policia, ndihmësit dhe madje te sekretarja e saj personale, duke u distancuar nga shumica e njerëzve që e kishin mbështetur.

    Në një intervistë për ITV, Webb thotë se Charles Spencer lidh këtë izolim të Dianës me ngjarjet tragjike që do të pasonin. “Ajo e humbi besimin te të gjithë,” tha ai. “Dhe 18 muaj më vonë, e gjejmë në një Mercedes me një shofer të dehur një situatë nga e cila ajo nuk kishte më asnjë mekanizëm mbrojtës.”

    Pretendimet e librit pritet të rikthejnë debatin e ashpër për etikën journalistike të BBC-së. Rrjeti tashmë e ka pranuar se dokumentet e Bashir ishin falsifikuar dhe ka kërkuar falje, por akuzat e reja për një mbulim të qëllimshëm shumëvjeçar e vendosin BBC-në sërish nën presion.

  • Si e formëson leximi mendimin kritik, si ndikon tek analiza, argumentimi dhe suksesi akademik?

    Si e formëson leximi mendimin kritik, si ndikon tek analiza, argumentimi dhe suksesi akademik?

    Përgatiti Anila Grazhda

    Leximi është një prej aftësive më themelore në arsimimin akademik, pasi pasuron fjalorin, përforcon strukturimin e ideve dhe stimulon mendimin kritik. Në emisionin “LIBERO”, psikologu Fitim Uka shpjegoi konkretisht se si leximi ndikon fuqishëm në mënyrën se si njerëzit analizojnë, vlerësojnë dhe zhvillojnë argumente.

    Sipas Ukës, në nivelet më të larta akademike, leximi nuk është vetëm një mjet për fitimin e informacionit, por edhe një ndërmjetës për të kuptuar “dikotominë” në mendim — që do të thotë kufijtë mes ideve pro dhe kundër, dhe nuancat mes tyre.

    “…Në nivelin akademik, në veçanti, leximi e pasuron gjuhën, të folurit e fuqizon edhe më tepër për argumentet, kupton dikotominë në të menduar, që ka një linjë të caktuar të të menduarit; pra ka një tjetër kontra, ndoshta edhe një shumëngjyrësi mes këtyre dy palëve, dhe mandej, me këtë mendim kritik, t’i qasesh në ato detyrat, në ato problemet  të cilat kërkojnë zgjidhje  dhe ne këtu çalojmë…”, theksoi Uka.

    Disa kërkime shkencore dhe artikuj akademikë konfirmojnë pikëpamjen e Ukës se leximi ndikon në zhvillimin e mendimit kritik, gjuhës dhe aftësisë për analizë. Një artikull në MDPI argumenton se aftësitë e mendimit kritik (critical thinking) dhe aftësitë metakognitive janë “urë” (bridging processes) që lidhin dekodimin e tekstit me mirëkuptimin e tij (comprehension).

    Autorët sugjerojnë që leximi i rregullt i teksteve komplekse akademike mund të ndihmojë në ndërtimin e një skeme globale njohëse (global schema building) dhe në përmirësimin e arritjeve akademike.

    Gjithashtu, vlen ta potencojmë se studime nga Psychology Today, MDPI dhe Harvard Graduate School of Education tregojnë se leximi zhvillon analizën, gjuhën dhe aftësinë për të marrë vendime të bazuara në mendim kritik.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme nga psikologu Fitim Uka (dhe mysafirët e tjerë), klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Baleti Kombëtar i Kosovës prezantohet me dy shfaqje në Itali

    Baleti Kombëtar i Kosovës prezantohet me dy shfaqje në Itali

    Pas suksesit të madh në Prishtinë, Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantohet në Itali me kantatën skenike “Carmina Burana” me koreografi nga Toni Candeloro.

    Më 29 nëntor BKK prezanton në Venecia, me ftesë nga festivali prestigjioz “VeneziainDanza” ndërsa me 1 dhjetor në Potenza.

    Kjo vepër madhështore, e realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Operën e Kosovës, përfaqëson një nga projektet më ambicioze të Baletit Kombëtar, duke bashkuar fuqinë e muzikës korale me ekspresivitetin e vallëzimit modern.

    Premiera e “Carmina Burana” u dha në qershor të këtij viti në Prishtinë.

  • Filmi i fundit i “Trilogjisë së Proletariatit” shfaqet të premten në Kino Lumbardhi, Prizren

    Filmi i fundit i “Trilogjisë së Proletariatit” shfaqet të premten në Kino Lumbardhi, Prizren

    Këtë të premte, në DokuKino të Kino Lumbardhit në Prizren, do të shfaqet filmi i tretë dhe përmbyllës i programit “Trilogjia e Proletariatit”, duke finalizuar ciklin e nëntorit.

    Filmi rrëfen udhëtimin e një njeriu që përpiqet t’i largohet një sistemi të rrënuar, duke bartur vetëm borxhet, lodhjen dhe një ide të turbullt për lirinë. Gjatë rrugës ai takon njerëz të tjerë të zhgënjyer nga premtimet e progresit, të cilët mbështeten te humori dhe dashuria për të ruajtur shpresën.

    Rrugëtimi i tij kthehet në një portret të zhgënjimit kolektiv, por edhe të qëndresës njerëzore. Mes varfërisë dhe absurditetit, mbetet i gjallë një impuls i vogël utopik – një besim se jeta mund të marrë një drejtim tjetër.

    Shfaqja është pjesë e programit filmik të Lumbardhit, që vazhdon të sjellë reflektime të thella mbi realitetet shoqërore bashkëkohore.

  • Kino Armata, mes pasigurisë dhe mbështetjes së komunitetit

    Kino Armata, mes pasigurisë dhe mbështetjes së komunitetit

    Kino Armata, një nga hapësirat më të rëndësishme kulturore në Prishtinë, prej kohësh po përballet me pasiguri financiare dhe paqartësi ligjore. Megjithëse ka qenë një qendër kyçe për filmin, debatet, punëtoritë dhe festivalet si PriFest, institucioni vazhdon të funksionojë kryesisht falë mbështetjes së komunitetit dhe partnerëve të tij.

    Drejtuesja e Armatës, Rozafa Maliqi, thekson se Fondacioni Armata po operon brenda një kornize të paqartë ligjore, për shkak të mospërputhjes së afateve mes transferimit të hapësirës dhe mandatit për menaxhim. Edhe pse Ministria e Kulturës ka krijuar një komision të përkohshëm për ta mbikëqyrur situatën, zbatimi i ligjeve dhe akteve nënligjore vazhdon të mbetet i ngadalshëm.

    Sipas Maliqit, stabiliteti i kinemasë varet ende nga vullneti politik dhe mbështetja publike. Ndërkohë, Armata vazhdon programin e saj artistik, duke pritur së fundi edhe “Netët e Filmit Shqiptar”. Nesër nis cikli i filmave të shkurtër me dy projekte nga Gjilani.

    Pavarësisht vështirësive, ekipi i Armatës thekson se kinemaja nuk rrezikon mbyllje të menjëhershme, por ka nevojë urgjente për një zgjidhje afatgjatë, stabilitet financiar dhe një model të qëndrueshëm partneriteti publiko-civil.

    Kino Armata jeton falë solidaritetit të artistëve dhe publikut por për të mbijetuar, ka nevojë për më shumë sesa solidaritet: ka nevojë për siguri.

  • Në Shkodër hapet ekspozita “Pema Hyjnore” e Gazmend Çitakut

    Në Shkodër hapet ekspozita “Pema Hyjnore” e Gazmend Çitakut

    Galeria ODA në Shkodër ka hapur mbrëmë ekspozitën e re fotografike “Pema Hyjnore”, një projekt i autorit Gazmend Çitaku, kuruar nga Rozafa Shpuza. Ekspozita ka tërhequr interes të madh nga artdashësit e zonës, duke sjellë në vëmendje një simbol të lashtë të kulturës mesdhetare: ullirin.

    Cikli i fotografive të Çitakut vjen si një reflektim mbi lidhjen e njeriut me natyrën dhe kohën. Nëpërmjet pamjeve të trungjeve të shekujve dhe degëve që duken sikur prekin qiellin, autori i jep ullirit një dimension thuajse të shenjtë, duke e trajtuar si dëshmitar të historisë dhe si figurë që mbart urtësi e jetëgjatësi.

    Një pjesë e frymëzimit të këtij projekti vjen nga ullishta dymijëvjeçare e Ulqinit, një hapësirë e rrallë dhe e mbrojtur, të cilën Çitaku e përshkruan me fotografinë e tij si një tempull të natyrës. Përmes këtyre imazheve, publiku ftohet të mendojë për vlerën dhe rëndësinë e ruajtjes së pemëve që kanë qëndruar në të njëjtin vend për breza të tërë.

    Ekspozita u prit ngrohtësisht nga të pranishmit, duke forcuar edhe një herë rolin e Galerisë ODA si një pikëtakim kulturor mes Shkodrës dhe Ulqinit. Në “Pema Hyjnore”, ulliri shfaqet jo vetëm si element natyror, por si simbol i qëndrueshmërisë, dritës dhe vazhdimësisë së jetës.

  • Prishtina mirëpret edicionin e tretë të Festivalit të Teatrit “Moisiu” më 22 nëntor

    Prishtina mirëpret edicionin e tretë të Festivalit të Teatrit “Moisiu” më 22 nëntor

    Festivali i Teatrit “Moisiu” rikthehet këtë vit me edicionin e tij të tretë, i cili do të zhvillohet nga 22 deri më 27 nëntor në Prishtinë. Ngjarja sjell së bashku disa nga teatrot më të rëndësishme shqiptare, duke e shndërruar kryeqytetin në një qendër të gjallë të artit skenik.

    Në program marrin pjesë institucione teatrore nga mbarë hapësira shqiptare, përfshirë Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Kombëtar të Tiranës, Teatrin e Qytetit të Preshevës, Teatrin “Hadi Shehu” të Gjakovës, Teatrin “A.Z. Çajupi” të Korçës, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, si dhe teatrot e Gostivarit, Tetovës dhe Prizrenit.

    Shfaqjet do të zhvillohen në dy skena Amfiteatrin dhe Sallën e Kuqe me dy termine për çdo mbrëmje, në orën 19:00 dhe 20:30.

    Programi i detajuar i festivalit është i publikuar në kanalet zyrtare të Festivalit “Moisiu”, ku adhuruesit e teatrit mund të informohen për të gjitha shfaqjet që do të prezantohen gjatë gjashtë netëve të festivalit.

  • Lista e plotë e fituesëve në garën e muzikës “country” CMA Awards 2025

    Lista e plotë e fituesëve në garën e muzikës “country” CMA Awards 2025

    Në mbrëmjen e 19 nëntorit në Bridgestone Arena të Nashville, u mbajt edicion i 59-të i “CMA Awards” ku u shpallën fituesit e mëdhenj të muzikës country, me disa surpriza dhe momente historike. 
    • Entertainer i Vitit: Lainey Wilson, e cila jo vetëm që udhëhoqi ceremoninë, por fitoi çmimin kryesor si ylli më i shquar i natës.

    • Albumi i Vitit: “Whirlwind” nga Lainey Wilson mori këtë çmim dhe jo vetëm..

    • Vokaliste Femër e Vitit: Edhe këtë kategori e fitoi Lainey Wilson dhe kjo është hera e katërt që ajo fiton këtë kategori.

    • Vokalisti Mashkull i Vitit: Cody Johnson, i cili i solli vetes këtë trofe për herë të parë.

    • Grupi Vokal i Vitit: “The Red Clay Strays”, duke ndërprerë dominimin e “Old Dominion”-it në këtë kategori.

    • Duo Vokale e Vitit: “Brooks & Dunn” rikthehen në skenë me fitore të 16-të në këtë kategori.

    • Single i Vitit: “You Look Like You Love Me” nga Ella Langley & Riley Green mori çmimin për performancën më të mirë single.

    • Kënga e Vitit: Po e njëjta këngë  “You Look Like You Love Me”, fitoi edhe për tekstin dhe kompozimin e saj.

    • Artist i Ri i Vitit: Zach Top, i cili emocionoi me fjalimin e pranimit.

    • Ngjarja Muzikore e Vitit: “Pour Me a Drink” i Post Malone me Blake Shelton, u shpall si bashkëpunimi më i suksesshëm i vitit.

    • Muzikanti i Vitit: Paul Franklin fitoi trofeun për muzikantin më të dalluar (Steel Guitar).

    • Videoja Muzikore e Vitit: “You Look Like You Love Me” e Ella Langley & Riley Green morën këtë çmim, duke vlerësuar regjinë e videoklipit.

    • Çmimi i Jetës (Willie Nelson Lifetime Achievement): Mjeshtri Vince Gill u nderua për kontribut të jashtëzakonshëm në muzikën country.

    Nata u shënua nga performanca energjike e Wilson, bashkë me interpretimet e Luke Combs, Chris Stapleton dhe artistëve të rinj si Zach Top.

    Në përgjithësi, CMA Awards 2025 reflektuan një balancë mes yjeve klasike dhe rinisë në rritje, duke treguar se muzika country ka ende shumë histori për të treguar.

  • Piktura e Gustav Klimt kap çmimin prej 236 milionë dollarësh

    Piktura e Gustav Klimt kap çmimin prej 236 milionë dollarësh

    Bota e artit u trazua këtë javë nga një shitje historike: një pikturë e rrallë e Gustav Klimt, mjeshtrit të modernizmit austriak, u shit për 236 milionë dollarë, duke hyrë direkt në listën e veprave më të shtrenjta të shitura ndonjëherë.

    Klimti njohur për stilin e tij të pasur dekorativ, përdorimin e arit dhe portretet ikonike që ndërthurin simbolizmin me sensualitetin, ka qenë prej kohësh ndër artistët më të vlerësuar në tregun botëror të artit. Rrallësia e veprave të tij në qarkullim ka bërë që çdo paraqitje në ankand të ndezë menjëherë interes të jashtëzakonshëm nga koleksionistët elitarë. Këtë herë, gara për blerjen e pikturës shpërtheu që në sekondat e para, duke çuar çmimin shumë përtej parashikimeve.

    Ekspertët thonë se rezultati reflekton jo vetëm ndikimin e pa shuar të Klimt në historinë e artit, por edhe oreksin gjithnjë e më të madh të koleksionuesëve për vepra të kësaj cilësie. Për tregun ndërkombëtar, kjo shitje shënon një tjetër kulm në një vit të tejmbushur me rekorde.

    Ndërsa identiteti i blerësit mbetet i fshehtë, një gjë është e sigurt, kjo vepër prej 236 milionë dollarësh ka forcuar edhe më shumë pozicionin e Gustav Klimt si një nga mjeshtrit më të çmuar të shekullit XX dhe e ka futur pikturën në historinë e artit bashkëkohor.