ATV

Category: KULTURË

  • Seriali zvicerano-shqiptar nominohet për çmimin prestigjioz në Londër

    Seriali zvicerano-shqiptar nominohet për çmimin prestigjioz në Londër

    Seriali komik i Televizionit Zviceran (SRF) me bazë në Bazel, “Te Berberi – Wächst ja wieder”, është nominuar për çmimin prestigjioz britanik Rose d’Or. Ndërkohë, producenti Florim Brajshori veçse po punon me televizionin zviceran për sezonin e dytë.

    Më 1 dhjetor, në King’s Place në Londër do të ndahen çmimet Rose d’Or për prodhimet më të mira ndërkombëtare televizive.

    “Te Berberi – Wächst ja wieder” është i nominuar në kategorinë “Multiplatform Series”. Seriali u prodhua nga kompania “Shoki Filmproduktion” në Bazel dhe është seriali i parë zvicerano-shqiptar i SRF-së.

    Premiera u dha në YouTube në dhjetor 2024, ndërsa transmetimi televiziv u bë në mars 2025.

    Producenti Florim Brajshori, i lindur në Kosovë, luan edhe një prej roleve kryesore, Dautin dhe e përfaqëson shtetin zviceran në këtë festival.

    Çmimet Rose d’Or çdo vit vlerësojnë prodhimet më të spikatura të televizioneve ndërkombëtare, dhe kjo është hera e parë pas tre vitesh që një prodhim zviceran nominohet.

    Seriali fokusohet te një sallon flokësh në Bazel, ku Dauti, një shqiptar i Kosovës, ka investuar të gjitha kursimet. Ai punëson ish-bashkëshorten si menaxhere me shpresën për t’u ribashkuar me familjen dhe djalin e tij, Xonin. Por personaliteti i tij i sinqertë, por kokëfortë, i shoqëruar nga miku i tij kaotik, Rocki, e kthen ëndrrën romantike në një makth të vazhdueshëm.

    Me aktorin e humorit nga Kosova, Vedat Bajrami, në rolin e Rockit, si dhe me mysafirë të njohur si kampioni zviceran i mundjes Christian Stucki dhe futbollisti Edon Zhegrova, seriali komik i Televizionit Zviceran (SRF) sjell një kombinim unik humori, emocioni dhe diversiteti kulturor.

    “‘Te Berberi’ ka përmbushur pritjet tona”, thotë Baptiste Planche, Shefi i Fiksionit në SRF. “Seriali është pritur shumë pozitivisht brenda komunitetit, pra tek audienca jonë kryesore”.

    Aktualisht, SRF dhe “Shoki Filmproduktion” po zhvillojnë idetë për sezonin e dytë, por ende asgjë nuk është finalizuar.

  • Sot mbyllet votimi: Sunny Hill garon për çmimin e festivalit më të mirë evropian

    Sot mbyllet votimi: Sunny Hill garon për çmimin e festivalit më të mirë evropian

    Sot është dita e fundit për të votuar Festivalin Sunny Hill në “European Festival Awards”, ku festivali garon në kategorinë Best Medium-Sized Festival. Votimi vazhdon online dhe çdo votë është vendimtare për të mbështetur pozicionimin e Sunny Hill si një nga festivalet më me ndikim në Evropë. Votimi bëhet përmes linkut: surveymonkey.com/r/publicvoting25, duke zgjedhur Sunny Hill në kategorinë e festivaleve të mesme.

    Vitin e kaluar, festivali u rendit në top 5 festivalet më të mira evropiane, duke dëshmuar nivel të lartë organizimi dhe prezencë të fuqishme në skenën ndërkombëtare. Përfshirja edhe këtë vit në garë konfirmon suksesin dhe rëndësinë e tij në industrinë muzikore.

    Sunny Hill ka sjellë në Prishtinë yje të mëdhenj botërorë si Dua Lipa, Calvin Harris, J Balvin, Martin Garrix, Miley Cyrus, Burna Boy, Shawn Mendes, Bebe Rexha, Stormzy e shumë të tjerë, duke e bërë një pikë të rëndësishme referimi për adhuruesit e muzikës.

    Organizatorët ftojnë publikun, partnerët dhe komunitetin e gjerë që ta mbështesin sot festivalin, me qëllim që Sunny Hill të forcojë edhe më shumë reputacionin dhe ndikimin e tij global.

  • Koncert premierë në Prishtinë me maestros Jacopo Sipari: Filharmonia dhe Kori i Operës bashkojnë forcat

    Koncert premierë në Prishtinë me maestros Jacopo Sipari: Filharmonia dhe Kori i Operës bashkojnë forcat

    Sonte, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Filharmonia e Kosovës dhe Kori i Operës së Kosovës mbajnë një koncert premierë nën drejtimin e maestros italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Ngjarja organizohet në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci dhe mbështetet nga Qeveria e Kosovës, MKRS dhe Ambasada e Kosovës në Romë.

    Publiku do të dëgjojë oratoriumin “La Tempesta sul Lago” të kompozitorit Domenico Bartolucci, një vepër e fuqishme për solistë, kor dhe orkestër. Në skenë performojnë artistë të njohur: sopranoja Besa Llugiqi, mezosopranoja Ivana Hoxha, tenori Carlos Cardoso dhe basi italian Biagio Pizzuti. Përgatitja e koreve është bërë nga dirigjenti Hajrullah Syla.

    Koncerti vjen si hyrje e prezantimit të Filharmonisë së Kosovës në Romë më 23 nëntor 2025, ku Orkestra dhe Kori do të performojnë në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, në kuadër të aktiviteteve të Jubileut në Vatikan rikthim i shumëpritur pas gati dhjetë vitesh.

  • Blenard Azizaj, figura qendrore e mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën” më 21 nëntor

    Blenard Azizaj, figura qendrore e mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën” më 21 nëntor

    Më 21 nëntor, në Teatrin e AAB-së në Fushë Kosovë, KultPlus sjell edicionin e tetë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, me balerinin dhe koreografin shqiptar me famë ndërkombëtare Blenard Azizaj si figurë qendrore të këtij viti. Ngjarja nis në ora 20:00.

    Ky format, i njohur për vlerësimin e artistëve shqiptarë që veprojnë jashtë vendit, këtë edicion i ndan çmimin “Ta zbardhi ftyrën” Azizajt, i cili vjen në Kosovë pas suksesit të madh në Angli me shfaqjen “Balkan Erotic Epic” të Marina Abramović, ku ai jo vetëm ka performuar, por edhe ka realizuar koreografinë.

    Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka theksuar se pavarësisht karrierës së tij të shkëlqyer në Gjermani, Francë, Zelandë të Re, Meksikë, Hong Kong, Brazil e Angli, kjo është hera e parë që Azizaj prezantohet para publikut kosovar. Nga janari 2026 ai nis një tur ndërkombëtar me të njëjtën shfaqje.

    Mbrëmja ndahet në dy pjesë: fillimisht një bashkëbisedim me artistin dhe më pas një performancë e tij ekskluzive për publikun kosovar.

    “Ta zbardhi ftyrën” njihet për sjelljen e disa prej emrave më të suksesshëm shqiptarë në botë, ndërsa mbështetet nga MKRS, RTK, AMC dhe Labi Wine.

  • “Luna Park”, filmi shqiptar që synon Oscars, vjen me premierë në Kosovë

    “Luna Park”, filmi shqiptar që synon Oscars, vjen me premierë në Kosovë

    Filmi shqiptar “Luna Park” shfaqet sot, më 19 nëntor 2025, premierë në Cineplexx – Albi Mall, duke sjellë në Prishtinë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare të këtij viti. Në premierë do të jenë të pranishëm kasti i filmit si edhe njëri nga producentët, Fatmir Spahiu, duke e bërë mbrëmjen edhe më të veçantë për publikun.

    Ky film me regji të Florenc Papas është përzgjedhur zyrtarisht të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në Oscars 2026, pasi kandidatura e tij është dorëzuar nga “On Film Production” dhe është miratuar nga Komisioni Përzgjedhës. Kjo zgjedhje konsiderohet një hap i rëndësishëm për kinematografinë shqiptare dhe kosovare, duke i dhënë filmit një dimension të ri ndërkombëtar.

    “Luna Park” zhvillon historinë e tij në realitetin postkomunist të Shqipërisë, duke ndjekur rrugëtimin emocional të Mirës, një nënë e vetmuar, dhe djalit të saj adoleshent, Tonit, teksa përballen me trazirat civile që godasin vendin. Filmi sjell një qasje të drejtpërdrejtë dhe të guximshme mbi një periudhë të ndërlikuar historike e sociale.

    Në film marrin pjesë emra të njohur të skenës filmike: Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani. Ekipi krijues përfshin skenaristët Florenc Papas dhe Glykeria Patramani, kinematografin Simos Sarketzis, redaktoren Federica Forcesi, dizajnerin Durim Neziri, kostumografen Stela Laknori dhe muzikën e Mater Merlic.

    Producentët e projektit janë Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri dhe Fatmir Spahiu, ndërsa filmi është realizuar nga On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus dhe Buka Production.

    Ndërkohë, “Luna Park” është përzgjedhur pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në GOA, Indi, duke e zgjeruar prezencën e tij në skenën ndërkombëtare.

    Premiera e sotme në Kosovë ofron një moment të veçantë për publikun dhe median, të cilët do të kenë mundësi të shohin nga afër një projekt filmik tashmë të vlerësuar dhe me ambicie të qarta ndërkombëtare.

  • Filmi i Luiz Ejllit dhe Kiara Titos, konfirmohet data e publikimit në kinema

    Filmi i Luiz Ejllit dhe Kiara Titos, konfirmohet data e publikimit në kinema

    Luiz Ejlli dhe Kiara Tito, një nga çiftet më të komentuara dhe më të dashura të publikut shqiptar, kanë konfirmuar zyrtarisht se projekti i tyre më i ri, një film i shumëpritur është drejt finalizimit. Pas muajsh pritjeje dhe aludimesh, dyshja njoftuan se filmi do të shfaqet për herë të parë në shkurt të vitit 2026.

    Lajmi është bërë publik përmes rrjeteve të tyre sociale, ku Luiz dhe Kiara ndanë një postim të shkurtër, por shumë domethënës: “Shkurt 2026 në kinema.” Ky konfirmim ka ngjallur menjëherë reagime të shumta, si nga fansat e çiftit, ashtu edhe nga ndjekës të filmit shqiptar që presin të shohin çfarë historie do të sjellin dy protagonistët.

    Filmi, për të cilin çifti ka punuar prej kohësh në heshtje, besohet të jetë një ndër projektet më personale të tyre. Edhe pse detajet rreth skenarit, zhanrit apo kastës së aktorëve nuk janë zbuluar ende, burime pranë ekipit kanë sugjeruar se projekti përfshin elemente dramatike, romancë dhe momente të frymëzuara nga vetë eksperiencat e tyre të përbashkëta.

    Ky është herën e parë që Luiz dhe Kiara sjellin një projekt artistik të përbashkët në formë filmi, duke e ngritur edhe më tej profilin e tyre si figurat publike që nuk ndalen së befasuari audiencën.

  • Java e Filmit Etnografik nis sot në Prishtinë

    Java e Filmit Etnografik nis sot në Prishtinë

    Edicioni i tretë i Javës së Filmit Etnografik, nis sot dhe do të zgjasë deri më 20 nëntor 2025, aktivitet ky që synon të promovojë përdorimin e filmit si mjet kërkimor, interpretues dhe reflektues në antropologji.

    Gjatë tri ditëve të kësaj ngjarje do të shfaqen filma të përzgjedhur, të cilët trajtojnë tema të ndryshme kulturore, sociale dhe komunitare, duke sjellë perspektiva të reja mbi realitetet që studiohen në fushën e antropologjisë.

    Pas çdo shfaqjeje, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfshihen në diskutime të hapura me panelin e përbërë nga studentë, kolegë dhe profesorë të Departamentit të Antropologjisë. Ngjarjet mbahet në Sallën 014, në Fakultetin Filozofik, Prishtinë.

  • Tregjet e qyteteve: Produkte lokale dhe organike

    Tregjet e qyteteve: Produkte lokale dhe organike

    Në një kohë kur globalizimi po homogenizon gjithçka, një valë e re e qytetarëve po kthen vëmendjen tek origjina e ushqimit dhe produktet lokale. Tregjet urbane dhe organike po shfaqen si pika ku njerëzit kërkojnë autenticitet dhe cilësi, duke sfiduar zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve. Por pyetja që lind gjithnjë e më shpesh është: pse po e preferojnë gjithnjë e më shumë konsumatorët këtë qasje të “ngadaltë” dhe lokale?

    Në tregjet globale, koncepti i “farm-to-table” ka revolucionarizuar mënyrën se si njerëzit blejnë ushqim. Fermerët prezantojnë historitë e tyre, produktet nuk kalojnë muaj në magazina dhe konsumatori lidhet emocionalisht me origjinën e ushqimit. Një trend i ngjashëm po ndodh edhe në Kosovë dhe rajon, ku tregjet e vogla dhe organike po rikthejnë kulturën e blerjes së produkteve autentike.

    Në Kosovë, tregje si Tregu i Artizanatit në Prishtinë, apo iniciativa si Fermerët e Kosovës, po ofrojnë një eksperiencë të veçantë: qytetarët mund të flasin direkt me fermerët, të provojnë produkte sezonale dhe të mësojnë për historinë e çdo produkti. Disa nga këto tregje po fillojnë të organizojnë edhe punëtori gatimi dhe aktivitete për familjet, duke krijuar një komunitet rreth kulturës së ushqimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

    Për qytetarët, përfitimet janë të dyfishta: ushqim më i shëndetshëm dhe ndihmë për ekonominë lokale. Për prodhuesit, tregjet ofrojnë mundësi të qëndrueshme për të shitur pa ndërmjetës dhe për të krijuar lidhje me konsumatorin. Por kjo sjell edhe sfida: si të ruhet cilësia, si të konkurrojnë me mallrat masive dhe si të edukohen qytetarët për zgjedhje të informuara?

    Ekspertët e zhvillimit urban dhe ekonomik parashikojnë se këto tregje nuk do të zëvendësojnë supermarketet, por do të bashkëjetojnë me to, duke krijuar një ekuilibër midis zgjedhjes së lirë, shëndetit dhe mbështetjes për komunitetin. Në fund, e ardhmja e konsumit mund të jetë një kombinim i globalizmit dhe lokalizmit, ku njerëzit blejnë me ndërgjegje, por gjithashtu jetojnë në një botë të lidhur globalisht.

  • Shkrimtari që refuzoi parat e çmimit Nobel

    Shkrimtari që refuzoi parat e çmimit Nobel

    Shkrimtari George Bernard Shaw më 18 nëntor të vitit 1926, refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar.

    Ai kishte thënë: “Unë mund t’a fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur Çmimin Nobel”.

    Çmimi Nobel u themelua në vitin 1895 nga kimisti suedez Alfred Nobel (1833- 1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit. Në vitin 1888, Alfred Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze.

    Në fakt kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Alfredi i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimit dhe i shqetësuar se si do t’a kujtonin kur të vdiste, vendosi të ndryshonte testamentin.

    Nobel ishte i interesuar personalisht për fiziologjine ose mjekesinë eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej – krahas çmimeve për arritjet në Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe – edhe një çmim për Mjekësi. (Çmimi për Ekonomi u krijua vonë, më 1969, nga Akademia Suedeze e Shkencave për nder të Alfred Nobelit – dhe quhet Çmim Nobel, edhe sepse jepet në të njëjtën ditë me 5 çmimet e tjera Nobel).

  • George Clooney zbulon dështimin më të madh në karrierë: Mësova shumë nga ai film

    George Clooney zbulon dështimin më të madh në karrierë: Mësova shumë nga ai film

    Aktori i Hollywoodit, George Clooney, zbuloi së fundmi se nga cili dështim në jetë ka mësuar më shumë.

    Duke folur për mediat gjatë një interviste në grup në premierën e filmit të tij të fundit “Jay Kelly” në Los Angeles, aktori pranoi se filmi i vitit 1997 “Batman dhe Robin” ishte mësimi që mori në jetën e tij.

    “‘Batman dhe Robin’ Mësova shumë nga kjo. Nuk mëson nga suksesi – mëson nga dështimi, por pastaj duhet ta kuptosh gjatë rrugës, kështu që është e dobishme”, u përgjigj aktori 64-vjeçar.

    Filmi “Batman dhe Robin” dikur mori shumë kritika negative, fitoi 11 nominime për çmimin e ‘Mjedrës së Artë’, i cili jepet për arritjet ‘më të këqija të filmit’ dhe aktualisht ka një vlerësim të ulët në Rotten Tomatoes (11 për qind).

    Aktori i famshëm iu bashkua kritikëve që e kanë kritikuar performancën e tij si ‘Batman/Bruce Wayne’ dhe filmin “Batman & Robin” gjatë viteve.Në vitin 2019, Clooney pranoi se filmi ishte një “dështim” dhe ndikoi në punën që ai do të bënte në vitet në vijim.

    “Nuk isha i mirë në të, nuk ishte një film i mirë. Ajo që mësova nga ai dështim është se më është dashur të mësoj nga e para si të punoj”.

    “Tani nuk isha thjesht një aktor që po merrte një rol, isha përgjegjës për vetë filmin”, i tha ai The Hollywood Reporter në atë kohë.