ATV

Author: ATV

  • Çitaku: Kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën

    Çitaku: Kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu për Gjykatën Kushtetuese si dhe për rastin e gjykatësit, Radomir Laban.

    “Sa për qartësi, kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën dhe këtë e kanë konstatuar me unanimitet të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe dy prej të cilëve i keni votuar edhe ju”, ka shkruar Çitaku në Facebook, duke i reaguar deputetes së LVV-së, Albulena Haxhiu.

    Sipas saj çdo përpjekje për të delegjitimuar institucionin, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese, është as më shumë e as më pak se thirrje për anarki.

    “Ku ishit ju, të nderuar, para katër, tre, dy, një viti? Kishit pushtet absolut”, ka shkruar Çitaku.

    Tutje ajo ka thënë se siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete.

    “Të mjerë dhe të rrezikshëm njëkohësisht”, ka përfunduar Çitaku.

  • Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Radoiçiqin

    Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Radoiçiqin

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nga radhët e komunitetit serb, Radomir Laban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA) dhe se ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq.

    Në një konferencë për media të dielën, Haxhiu ka thënë se gjyqtari i Kushtetueses përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Serbia asnjëherë s’ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e saj. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit e sabotazhit të Serbisë në Kosovë. Një përfundoi me dënim sepse vetë ai e pranoi fajësinë. Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i Radomir Labanit”, ka thënë ajo fillimisht.

    Sipas Haxhiut, Labani ishte arrestuar sa ishte zyrtar për inteligjencë në Doganën e Serbisë më 2006 dhe se ishte dënuar me gjashtë vjet heqje lirie. “Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e komprometoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë… si u lirua mbetet enigmatike, por Serbia e ka ende aktive arrestin ndaj tij. Enigmë mbetet edhe emërimi i tij por edhe qëndrimi në pozitën e gjyqtarit”, ka thënë ajo.

    Ministrja në detyrë ka thënë se Labani ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin e rastit të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ajo ka thënë se Labani ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve falë këtyre lidhjeve. Haxhiu ka thënë se Labani ende përfiton të ardhura financiare nga Serbia.

    Teksa ka kritikuar zinxhirin e institucioneve për mosveprim në rastin e Labanit, sidomos pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, Haxhiu ka bërë thirrje që Prokuroria të nisë hetimet, apo nëse i ka nisur të tregojë publikisht për këtë. Ajo po ashtu ka ftuar Gjykatën Kushtetuese të nisë procedurën për shkarkimin e Labanit.

    Sa i përket çështjes së Labanit, në Kushtetuese ditë më parë kanë deklaruar se ai e ushtron funksionin e gjyqtarit “pasi u është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretim nga presidenti”.

    Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike pas dështimit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Ajo u shpreh se këtë e bëri pasi Radomir Laban u caktua gjyqtar raportues. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.

  • Vdes edhe personi i tretë nga rasti në Gjilan

    Vdes edhe personi i tretë nga rasti në Gjilan

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjilanit mesditën e sotme. Mësohet se i vdekur tanimë ka mbetur edhe personi i tretë. Ai është E.H.
    Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 12:32, në “Cafiteria 2000” në Gjilan, ku u përdor armë zjarri, ndërsa është bërë i ditur edhe identiteti i dy personave të tjerë që humbën jetën në këtë rast.

    Viktimat janë: S.H. rreth 67-vjeçar dhe A.H. rreth 68-vjeçar.

    Në këtë incident mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë: N.H. rreth 41-vjeçar, dhe B.H. rreth 41-vjeçar – ky i fundit është dërguar me urgjencë në QKUK për trajtim mjekësor.

    Mediat raportojnë se për këtë rast janë shpallur në kërkim M.SH. dhe dy djemtë e tij, të cilët dyshohen për përfshirje në krim.

    Policia është në ndjekje intensive të tyre, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.

  • Dy të vdekur dhe dy të plagosur në Gjilan, i dyshuari në arrati

    Dy të vdekur dhe dy të plagosur në Gjilan, i dyshuari në arrati

    Sot rreth orës 12:32 dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në Gjilan rr. “Ibrahim Rugova“. Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave, dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    Sipas Hashanit i dyshimti për rastin është personi mashkull shtetas i Kosovës i njohur për policinë i cili për momentin është në arrati.
    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

    Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë njoftoj Ismet Hashan

  • Ambasadori suedez për krizën politike: Situata mund të shfrytëzohet nga mosnjohësit e pavarësisë

    Ambasadori suedez për krizën politike: Situata mund të shfrytëzohet nga mosnjohësit e pavarësisë

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se Kosova ndodhet në një situatë të ndjeshme për shkak të ngërçit politik, të cilën mund ta shfrytëzojnë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj.

    Westerlund ka kujtuar eksperiencën e Suedisë në vitin 2018, kur formimi i qeverisë zgjati disa muaj, por përmes dialogut dhe kompromisit u arrit një marrëveshje. E sipas tij, në Kosovë nuk po duket se ka dialog mes partive.

    “Siç kam thënë më parë, ka shumë demokraci perëndimore ku formimi i qeverisë zgjat dhe përbën sfidë. Por problemi me Kosovën është se ajo ndodhet në një pozicion shumë të ndjeshëm. Është demokracia më e re në Evropë dhe nuk është anëtare e strukturave euro-atlantike, ndaj është më e cenueshme. Kjo situatë ndikon në disa fusha. Së pari, rrezikohet lidhja mes votuesve dhe udhëheqësve politikë nëse këta të fundit nuk arrijnë të përmbushin premtimet e tyre. Së dyti, funksionimi i shtetit demokratik është në rrezik – aktualisht, rreth 17 institucione nuk po funksionojnë si duhet, dhe kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”. “Sa i përket situatës, ne patëm diçka të ngjashme në Suedi në 2018, ku dy koalicione ishin shumë afër me mandate, por asnjëra nuk kishte shumicën absolute. Na duheshin disa muaj për të gjetur një zgjidhje, por në fund arritëm kompromis. Ajo që bëhej ishte që partitë politike diskutonin vazhdimisht, orë të tëra bisedimesh për të gjetur një platformë të përbashkët dhe zgjidhje. Nuk e di se çfarë ndodh pas skenave këtu, por nuk kam parë kaq shumë dialog mes partive politike për të arritur marrëveshje. Kjo mungon, kompromisi nuk është diçka negative”.

    Teksa ka vlerësuar se Kosova ka arritur shumë, Westerlund ka shtuar se procesi megjithatë s’ka përfunduar. Kur ka përmendur njohjet ndërkombëtare, ai ka thënë se mungesa e tyre e bën situatën të ndjeshme dhe të shfrytëzueshme nga mosmbështetësit e pavarësisë.

    “Do thosha se Kosova është demokracia më e re në Evropë dhe ka arritur shumë që nga lufta, por procesi nuk ka përfunduar ende. Nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të komunitetit ndërkombëtar dhe as nga shumë organizata ndërkombëtare. Pra, është një histori suksesi, por ne ende nuk jemi në një pozicion të stabilizuar. Për këtë arsye, Kosova është në një situatë të ndjeshme tani dhe kjo mund të shfrytëzohet nga ata që nuk e mbështesin pavarësinë e saj. Këtë duhet ta kemi parasysh”, ka përfunduar Westerlund.

    Ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës ka hyrë në muajin e gjashtë që prej zgjedhjeve të shkurtit. Deputetët nuk po arrijnë të zgjedhin kryetarin e institucionit më të lartë ligjvënës. Deri tash kanë dështuar më shumë se 50 seanca. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar asnjëherë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut apo edhe për komisionin për votim të fshehtë. Çështja ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese që të premten ka përcaktuar se seanca konstituive duhet të mbyllet për 30 ditë e se partia fituese ka të drejtë që njërin kandidat ta propozojë tri herë. Deputetët janë urdhëruar të votojnë në votim të hapur.

  • Grenell: Trump do të angazhohet hap pas hapi në çështjen e Kosovës

    Grenell: Trump do të angazhohet hap pas hapi në çështjen e Kosovës

    Përfaqësuesi special i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka treguar për planet e shefit të tij për tu përfshirë në çështjen e Kosovës.

    Në një intervistë për Klan Kosovën, Grenelli tha se administrata Trump do të shkojë hap pas hapi në çështjen e Kosovës.
    “Mendoj se do të shkojmë hap pas hapi. Sigurisht jemi plotësisht të angazhuar në këto çështje, por siç e thashë, po bëjmë zhvillim ekonomik gjithandej botës. Ky është fokusi”, tha Grenell.

    I pyetur nga gazetarja se a e ka ndonjë plan për t’u rikthyer në temat e vjetra si korrigjimi i kufijve, Grenell tha se “nuk ka kthim mbrapa në asgjë”.

    “Mendoj se planet kanë qenë gjithmonë plani ekonomik. Nuk ka kthim mbrapa në asgjë. Ne gjithmonë jemi përqendruar në zhvillim ekonomik si shtytës për zgjidhje të problemeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

  • Për shkak të kushteve të shtuara të kërcënimit, nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi në Ballkanin Perëndimor është duke u zbatuar aktualisht.

    Për shkak të kushteve të shtuara të kërcënimit, nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi në Ballkanin Perëndimor është duke u zbatuar aktualisht.

    NJOFTIM PËR SHTYP
    Prishtinë, 05.08.2025

    Për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret, nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në natyrë në Ballkanin Perëndimor është duke u zbatuar aktualisht.
    Zjarret në natyrë përbëjnë një kërcënim serioz dhe gjithnjë në rritje për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pasoja afatgjata në ekosisteme, komunitete dhe ekonomi. Përmes koordinimit të përmirësuar rajonal dhe veprimit të përbashkët nga ministritë kompetente, Programi për Menaxhimin e Zjarreve në Natyrë në Ballkanin Perëndimor hedh themelet për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet nga zjarret në natyrë dhe forcimin e qëndrueshmërisë së peizazhit përmes menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemit.

    Në vend që të mbështetet vetëm në qasjet tradicionale që fokusohen ekskluzivisht te shuarja e zjarreve, programi zbaton konceptin e menaxhimit të integruar të zjarreve në natyrë — duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial, forcimin e kapaciteteve vendore dhe ndërtimin e peizazheve të qëndrueshme që janë në gjendje të përballen në mënyrë efektive me kërcënimet nga zjarret.

    Parandalimi është në qendër të kësaj nisme, me synimin për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore në mënyrë që të mbrohen njëkohësisht njerëzit dhe ekosistemet. Qëllimi është krijimi i peizazheve dhe komuniteteve të qëndrueshme ndaj zjarrit, të cilat do të vazhdojnë ta çojnë përpara këtë nismë edhe në të ardhmen, në nivel rajonal.

    Nisma rajonale mbështetet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si partner strategjik dhe përfshin aktivitete edukative, zhvillim politikash dhe angazhim praktik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Natyra është përgjegjësi e përbashkët, dhe çdo hap drejt parandalimit bën një ndryshim të rëndësishëm. Mbi 95% e zjarreve në natyrë në rajon shkaktohen nga pakujdesia njerëzore — një fakt që tregon qartë se zgjidhjet janë në duart tona. Programi bën thirrje për ndërgjegjësim, pjesëmarrje dhe përgjegjësi kolektive për të mbrojtur peizazhet tona dhe për të siguruar një të ardhme të sigurt për brezat e ardhshëm . Përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe një vizioni afatgjatë, mund të ndjekim një qëllim ambicioz, por të arritshëm: zero zjarre të shkaktuara nga faktori njeri.

    Falë mbështetjes së vazhdueshme dhe partneritetit me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kjo nismë po ndërton një themel të fortë për ndikim afatgjatë dhe të qëndrueshëm në rajon. Ne besojmë fort se një veprim i vetëm mund të ndryshojë gjithçka.

  • Aksion i IPK-së dhe Prokurorisë në Prizren – arrestohen katër persona, mes tyre edhe një zyrtar i lartë policor

    Aksion i IPK-së dhe Prokurorisë në Prizren – arrestohen katër persona, mes tyre edhe një zyrtar i lartë policor

    Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka realizuar sot një aksion të koordinuar që ka përfunduar me bastisjen e katër lokacioneve dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

    Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim nga hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

    Ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me gradën kolonel. Sipas IPK-së, ndaj të dyshuarve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të cilat janë të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Aktualisht, hetuesit janë duke vazhduar veprimet hetimore në terren për të siguruar prova shtesë dhe për të zbardhur tërësisht rastin.

    Si pjesë e procedurës administrative, IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor.

    Inspektorati Policor i Kosovës rithekson përkushtimin e institucioneve të zbatimit të ligjit për bashkëpunim ndërinstitucional dhe luftën kundër çdo forme të krimit, përfshirë atë të kryer nga zyrtarë publik.

  • Deklarohet Ambasada amerikane për vizitën e zyrtarit amerikan: Përforcon partneritetin mbrojtës SHBA-Kosovë

    Deklarohet Ambasada amerikane për vizitën e zyrtarit amerikan: Përforcon partneritetin mbrojtës SHBA-Kosovë

    Ambasada deklaroi se zyrtari amerikan takoi presidenten Vjosa Osmani , kryeministrin në detyrë Kurti ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së dhe atë të KFOR-it në Kosovë.

    Ambasada amerikane po ashtu njoftoi se gjatë kësaj vizite Baker përforcoi partneritetin mbrojtës SHBA-Kosovë dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin në mbështetje të paqes dhe stabilitetit rajonal.

    Zyrtari amerikan gjatë vizitës në Kosovë qëndroi edhe në kampin “Boondsteel”, ku takoi personelin ushtarak amerikan.

  • Mbi 1 mijë gjoba dhe 18 patentë shoferë të pezulluara, brenda një jave nga policia në Ferizaj

    Mbi 1 mijë gjoba dhe 18 patentë shoferë të pezulluara, brenda një jave nga policia në Ferizaj

    Policia në Ferizaj ka njoftuar se javën e kaluar ka shqiptuar 1 mijë 750 gjoba dhe ka pezulluar 18 patentë shoferë.

    “Gjatë javës së kaluar, nga data 28.07-03.08.2025, janë shqiptuar 1,750 gjoba kundërvajtëse, si dhe janë pezulluar 18 patentë-shoferë për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.”

    Po ashtu janë raportuar 99 aksidente.

    “Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 99 aksidente, nga të cilat:
    – 26 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 37 persona

    – 73 aksidente me dëme materiale”

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut. Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes:
    -Stacionit më të afërt policor
    – Aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
    – Numrave : 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.
    Të dhënat e raportuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.”, thuhet në raportin e Policisë.