ATV

Author: ATV

  • Fotografia e Kurtit me fajdexhiun e dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Kryeziu tregon se kur dhe ku u shkrep

    Fotografia e Kurtit me fajdexhiun e dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Kryeziu tregon se kur dhe ku u shkrep

    Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka dhënë sqarim rreth fotografisë ku kryeministri në detyrë Albin Kurti shihet me Mefail Shkodrën, fajdexhiun e dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

    Në një reagim ndaj deputetit të PDK’së, Abelard Tahirit, Kryeziu ka thënë se fotografia është shkrepur në vitin 2022, në shënim të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe se pritja ka qenë e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

    “Deputeti Tahiri mashtroi publikisht kur tha se ajo fotografi ishte shkrepur në një pritje shtetërore të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Edhe pse e di që ajo ngjarje është, në fakt, pritje e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. E di, sepse vetë ka qenë i ftuar dhe i pranishëm në po atë ngjarje të vitit 2022, sikurse dëshmon fotografia më poshtë. E kur ai e thotë qëllimisht e publikisht të pavërtetën, atëherë nuk i mbetet kredibiliteti për të thënë çkado tjetër”, ka shkruar Kryeziu.

    Në atë foto, përveç Kurtit shihet edhe Presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

    Përveç me Kurtin e Osmanin, Shkodra ka foto të publikuara në rrjetet sociale edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

    Mefail Shkodra është ende në arrati, bashkë me dy djemtë e tij.

    Në atë foto, përveç Kurtit shihet edhe Presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

    Përveç me Kurtin e Osmanin, Shkodra ka foto të publikuara në rrjetet sociale edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

    Mefail Shkodra është ende në arrati, bashkë me dy djemtë e tij./ATV/

  • Tahiri: 5 vrasje në 48 orë – Kosova në krizë sigurie, bandat kriminale në lidhje me politikën e kanë kapur shtetin

    Tahiri: 5 vrasje në 48 orë – Kosova në krizë sigurie, bandat kriminale në lidhje me politikën e kanë kapur shtetin

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit, pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

    Tahiri, në një konferencë për media, theksoi se Kosova po kalon nëpër një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga pushteti.

    “Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, tha ai.

    Tahiri, duke theksuar tri nga rastet që faktojnë lidhjen e bandave kriminale me eksponentë të pushtetit, tha se kjo situatë është një thirrje alarmi për të gjithë.

    “15 gusht 2023 – Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, arrestohet në Shqipëri për trafikim dhe shitje të narkotikëve. U kap me 11,300 tableta ekstazi MDMA, peshë mbi 5 kilogramë, vlerë rreth 400 mijë euro. 3 qershor 2025 – Një operacion i gjerë antidrogë çon në arrestimin e 22 personave. Mes tyre, Shemsi Bahtiri, anëtar aktiv i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës, një nga figurat kyçe të një rrjeti të trafikut të drogës ku u sekuestruan qindra mijëra euro para të gatshme e të falsifikuara, armë, llogari bankare, automjete luksoze dhe lëndë narkotike. 10 gusht 2025 – Gjilani tronditet nga një vrasje e trefishtë. Autori, Mefail Shkodra, i njohur për veprat e shumta penale, shihet i pranishëm në ahengjet e partisë në pushtet”, shtoi deputeti i PDK-së.

    Sipas Tahirit, vetëm një qeveri e re, e vendosur, mund ta çkapë shtetin nga krimi, t’i çojë para drejtësisë të gjithë ata që kanë gjak në duar e pasuri nga droga dhe korrupsioni, dhe do ta rikthejë rendin, sigurinë dhe ligjin mbi të gjithë.

    “Duhet të jetë misioni i secilit prej nesh, çkapja e shtetit nga bandat kriminale që sot po terrorizojnë shoqërinë tonë. Rritja e numrit të armëve pa leje në duart e qytetarëve tanë, është e frikshme. Sot, aktualisht kemi rreth 250 mijë armë janë pa leje në vendin tonë. Si PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdorë armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Dhe, jo, kjo nuk është vetëm një betejë politike. Është një betejë për jetën, për paqen, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e vendit”, përfundoi Tahiri./EO/

     

  • Vrasje në Hajvali, Policia zbardh detajet e fundit për rastin

    Vrasje në Hajvali, Policia zbardh detajet e fundit për rastin

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person është vrarë në mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.

    “Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti në përgjigje.

    Ajo ka treguar se policia i ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, edhe është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.

  • Shqipëria, Kosova dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

    Shqipëria, Kosova dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po përgatisin zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, të nënshkruar më 18 mars në Tiranë. Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe ekspertësh po punojnë për planin e zbatimit.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha për REL se më 18 korrik në Tiranë “është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta zbërthyer planin në nivel operacional”. Nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë thanë se në shtator do t’u paraqitet për miratim tri ministrive udhëzuesi që është drejt finalizimit.

    Deklarata, e nënshkruar nga Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ai i Kroacisë, Ivan Anushiq, përcakton katër pika: promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë përkatëse; rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride dhe rritjen e qëndrueshmërisë; si dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik.

    Pika e parë lidhet me blerjen e përbashkët të armatimit. “Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje… sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, tha Maqedonci për REL, duke sqaruar se fondet do të jenë kombëtare nga secili shtet.

    Ai shtoi se pret ndihmë nga partnerët për integrimin euroatlantik të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Qeveria kroate ka thënë më herët për REL se nismës mund t’i bashkohen edhe vende të tjera dhe se “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake” dhe se “një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”.

    Maqedonci tha se në tetor, në takimin e Kartës SHBA-Adriatik (A5), “do t’u kërkohet partnerëve rajonalë të bashkohen”. Marrëveshja parasheh edhe stërvitje të përbashkëta, bashkëpunim në rekrutim dhe edukim ushtarak, si dhe masa kundër kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimet kibernetike dhe dezinformimin.

    Sipas Maqedoncit, marrëveshja “u mirëprit në Pentagon” dhe nga shumë shtete të NATO-s. Serbia ka kundërshtuar, me presidentin Aleksandar Vuçiq që tha se po shkelet marrëveshja nënrajonale e vitit 1996 për kuotat e armatimit. Pas nënshkrimit, Serbia dhe Hungaria forcuan bashkëpunimin strategjik në mbrojtje, që sipas Vuçiqit “mund të çojë në krijimin e një aleance ushtarake” mes dy vendeve.

  • KKSH: Shqiptarët po përjashtohen nga institucionet publike në Luginë

    KKSH: Shqiptarët po përjashtohen nga institucionet publike në Luginë

    Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës ka reaguar ashpër ndaj vendimit për emërimin e katër personave nga komuniteti serb, përfshirë një nga Vranja, në Administratën tatimore në Bujanoc, komunë ku shqiptarët përbëjnë rreth 63% të popullsisë.

    Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar, Enkel Rexhepi, ky veprim përbën një rast të qartë diskriminimi dhe përjashtimi të shqiptarëve nga jeta publike dhe institucionale.

    Në reagimin e Rexhepit thuhet se vazhdimi i përjashtimit të shqiptarëve nga punësimi dhe përfaqësimi në institucionet publike të nivelit republikan dëshmon se qeveria nuk po respekton Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet e arritura, përfshirë Marrëveshjen e Konçulit, planin me 7 pika të vitit 2013 dhe Planin e integrimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në sektorin publik për periudhën 2023–2026.

    Rexhepi njofton se këtë çështje do ta adresojë edhe para faktorëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar si shembull të pastër të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Bujanoc.

  • Presidentja Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të vendit

    Presidentja Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të vendit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, e fokus ishin zhvillimet rreth ngërçit politik.

    Sipas njoftimit nga presidenca, Osmani ka kërkuar nga Gjermania mbështetje të vazhdueshme për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
    “Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz. Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane. Presidentja Osmani nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës. Tutje, Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

    Bëhet e ditur se në takim, Osmani ka theksuar domosdoshmërinë që Kosova të avancojë drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, presidentja ka thënë se duhet qartësi strategjike dhe afate të përcaktuara e objektiva të qarta. Po ashtu tha se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës.

    “Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë. Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës. Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, ka njoftuar Presidenca.

    Reiffenstuel është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, takim në të cilin, sipas Zyrës së Kryeministrit, është diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimet evropiane, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.

    “Kryeministri veçoi performancën ekonomike pozitive të vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe mbarëvajtjen e punës së institucioneve qeveritare dhe të shtetit, përfshirë të drejtat e pakicave dhe mirëqenien e tyre. Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin e tij për rreziqet që paraqesin dhe vështirësitë që shkaktojnë fushatat dezinformuese dhe lajmet e rrejshme në shtrembërimin e të vërtetave dhe krijimin e narrativave të dëmshme për shoqëritë dhe institucionet demokratike”, thuhet në njoftim.

  • Kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

    Kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

    Ende nuk dihet saktësisht se kur mund të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas vendimti të Gjykatës Kushtetuese.
    Sidoqë të jetë, kjo seancë konstituive nuk mund të mbahet derisa Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë. Mund të jetë gjatë kësaj jave, apo më së largu javën e ardhshme, varësisht se kur publikohet aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja.
    Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, bazuar në praktikat e mëparshme, Kushtetueses i nevojiten një deri në dy javë më së shumti për ta publikuar të plotë aktgjykimin.
    “Ta zëmë nëse aktgjykimi publikohet të mërkurën, atëherë seanca mund të thirret menjëherë të enjten dhe pastaj të vazhdojë cikli 48-orësh”, ka thënë Cakolli për KTV.

    Seanca konstituive e Kuvendit u thirr për herë të parë më 15 prill nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Që atëherë, deputetët kanë mbajtur 54 vazhdime të kësaj seance, të cilat janë udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari, si deputeti më i vjetër i legjislaturës së re.

    Kushtetuesja tha se kryesuesi Dehari nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

    Sipas Rregullores së Kuvendit, për mbarëvajtjen e seancës kujdeset kryesuesi i seancës konstituive dhe Dehari pritet ta thërrasë seancën sapo Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë në Gazetën Zyrtare.

  • Arrestohen dy gra në Sllatinë, sulmuan dy femra tjera

    Arrestohen dy gra në Sllatinë, sulmuan dy femra tjera

    Dy femra janë arrestuar në Sllatinë pas një konflikti fizik me dy femra tjera.
    Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarat teksa viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, transmeton KosovaPress.
    Pas intervistimit një nga të dyshuarat është dërguar në mbajtje.
    “Fsh. Sllatinë, Fushë Kosovë / 10.08.2025 – 22:10. Janë arrestuar dy të dyshuarat femra kosovare pasi dyshohet se kishin sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare të cilat si pasojë kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurori e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani

    Sot i jepet lamtumira e fundit babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani

    Selami dhe Edmond Hasani, babë e bir, u vranë të dielën në mesditë ne qytetin e Gjilanit.

    Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot, duke filluar nga ora 16:40, me kohën e Ikindisë.

    Nga ky rast tragjik, edhe një person tjetër ka humbur jetën ndërsa janë plagosur dy të tjerë.

    Policia është në kërkim të tre personave të dyshuar.

  • Avokati Koci bën thirrje për kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi: Një çifti kosovar sot iu mbajt ari i nuses, nuk e kishte deklaruar në kufi

    Avokati Koci bën thirrje për kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi: Një çifti kosovar sot iu mbajt ari i nuses, nuk e kishte deklaruar në kufi

    Avokati Arianit Koci ka paralajmëruar shqiptarët që kalojnë nëpër Serbi të jenë shumë të kujdesshëm, pasi kontrollet në pikëkalimet kufitare janë shtuar ndjeshëm.

    Përmes një postimi në Facebook, Koci ka bërë me dije se çdo udhëtar që bart me vete më shumë se 10,000 euro – qoftë në para të gatshme apo sende me vlerë – duhet ta deklarojë këtë fakt në hyrje të Serbisë.

    Ai thekson se mosdeklarimi mund të sjellë konfiskimin e përkohshëm të shumës ose sendeve dhe hapjen e procedurave gjyqësore.

    “Çdo udhëtar që mban me vete më shumë se 10,000 euro për person – në para të gatshme ose sende me vlerë – duhet ta deklarojë në hyrje të Serbisë. Lexoni me kujdes udhëzimet në hyrje dhe dalje të pikave kufitare”, ka shkruar avokati.

    Ai shton se në raste të caktuara kërkohet edhe dëshmi për prejardhjen e parave ose faturat e sendeve me vlerë.

    Koci ka përmendur rastin e një çifti kosovar që u ndalua së fundmi në hyrje të Serbisë dhe iu konfiskua stoli ari e pajës së nuses, pasi nuk e kishin deklaruar atë dhe vlera e saj tejkalonte kufirin e lejuar.

    Pas ndalimit, stoli është mbajtur në Serbi deri në vendimin e gjykatës, ku çifti do të paraqitet së shpejti.

    “Sot, një çift kosovar u ndalua në hyrje të Serbisë dhe u kontrollua detajisht. Pasi nuk e kanë deklaruar pajën e nuses (stoli ari), e cila kishte vlerë mbi kufirin e lejuar, janë mbajtur dhe ari është konfiskuar deri në vendim të gjykatës. Nesër do të paraqitën para gjykatës serbe, e cila e ka kompetencë territoriale kufirin ku janë ndalur”.

    Avokati Koci i ka ofruar ndihmë dhe këshilla qytetarëve kosovarë që kalojnë përmes Serbisë, duke theksuar se po mundohet t’i mbrojë ata sa më shumë që mundet./Telegrafi/