ATV

Author: ATV

  • Vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin e zhdukur në Liqenin e Ujmanit

    Vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin e zhdukur në Liqenin e Ujmanit

    Kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit po vazhdojnë intensivisht. Sipas autoriteteve, operacioni është duke u zhvilluar në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe me mbështetjen e ekipeve të specializuara të zhytjes dhe terrenit.

    “Ekipi ynë është angazhuar me përkushtim të plotë për të ofruar ndihmë në këtë situatë të rëndë,” thuhet në njoftimin zyrtar.

    Rrethanat e incidentit ende nuk janë sqaruar plotësisht, ndërkohë që autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë deri në momentin kur trupi të lokalizohet.

  • Si të freskoni shtëpinë pa kondicioner në ditët përvëluese të verës?

    Si të freskoni shtëpinë pa kondicioner në ditët përvëluese të verës?

    Kur temperaturat tejkalojnë 30°C dhe ajri bëhet i padurueshëm, mbajtja e freskisë në shtëpi është thelbësore – edhe në mungesë të një sistemi klimatizimi. Fatmirësisht, ka mënyra të thjeshta dhe efektive për të përballuar të nxehtin, duke përdorur pak zgjuarsi dhe disa truke të vjetra.

    Kur dhe si të ajrosni banesën?
    Një nga gabimet më të zakonshme është hapja e dritareve gjatë ditës. Ekspertët këshillojnë t’i mbani të mbyllura në orët më të nxehta dhe t’i hapni vetëm herët në mëngjes ose në mbrëmje, kur temperaturat bien. Kjo ndihmon në krijimin e një qarkullimi natyral të ajrit dhe pengon futjen e nxehtësisë brenda.

    Ventilatori – aleat i heshtur kundër të nxehtit
    Përdorimi i një ventilatori mund të sjellë ndjesi freskie, sidomos nëse para tij vendosni një enë me akull ose shishe të ngrira me ujë. Për ata që kanë ventilator tavani, drejtimi i duhur i rrotullimit (kundër akrepave të orës) ndihmon në shtyrjen e ajrit të freskët poshtë.

    Shmangni burimet e brendshme të nxehtësisë
    Gatimi në sobë gjatë ditës rrit ndjeshëm temperaturën në shtëpi. Përpiquni të gatuani në mëngjes ose të përdorni pajisje që nuk gjenerojnë shumë nxehtësi. Aktivizimi i aspiratorit në kuzhinë dhe ventilatorëve në banjo ndihmon në largimin e avujve dhe ajrit të ngrohtë.

    Lagështia – armik i heshtur në vapë
    Lagështia e lartë e bën të nxehtin edhe më të rëndë për trupin. Nëse është e mundur, përdorni një dehumidifikues për të krijuar një ambient më të freskët dhe të rehatshëm.

    Mos harroni kujdesin ndaj vetes
    Pini sa më shumë ujë, bëni dush të shkurtër me ujë të vakët dhe qëndroni herë pas here në ambiente të ftohta publike – si qendra tregtare apo biblioteka – për të shmangur efektet negative të vapës ekstreme.

    Edhe pa kondicioner, një plan i thjeshtë dhe pak masa praktike mund t’ju ndihmojnë të përballoni më lehtë ditët më të nxehta të verës.

  • Kurti: I kam bërë ofertë konkrete Nismës

    Kurti: I kam bërë ofertë konkrete Nismës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha sot se të shtunën ka zhvilluar negociata për konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë së re me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    Kurti, në një konferencë për media në objektin e qeverisë të hënën, tha se i ka bërë ofertë konkrete Nismës Socialdemokrate.
    “Me kryetarin e Nismës Socialdemokrate kemi zhvilluar një takim, me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, kemi shprehur jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejtë e sa më mirë, mirëpo kur këto bisedime përmbyllen me rezultatin final, atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj”, tha Kurti, duke bërë me dije se janë në pritje të përgjigjes së NISMA-s.

  • Presidentja Osmani pret në takim Shefin e BE-së në Kosovë, fokusi te konstituimi i Kuvendit

    Presidentja Osmani pret në takim Shefin e BE-së në Kosovë, fokusi te konstituimi i Kuvendit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit.

    Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian.

    Presidentja Osmani dhe Ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

  • Kurti: Deklaratat e Vuçiqit kërcënuese dhe krejtësisht të papranueshme

    Kurti: Deklaratat e Vuçiqit kërcënuese dhe krejtësisht të papranueshme

    Kryeministri në detyrë po mban konferencë për media në objektin e qeverisë në Prishtinë. Ai foli për kërcënimin ndaj Kosovës nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    “Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit në çdo cep të territorit të saj. Sundimi i rendit dhe i ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk njeh, pra nuk diskriminon, sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo çfardo përkatësie tjetër. Secili që shkel rendin dhe ligjin do të përballet me drejtësi

    Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik më 18 korrik, sivjet, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.

    “Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëra më 20 korrik, sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandat suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, tha kryeministri në detyrë, transmeton Paparaci.
    Ai tha se Beogradi zyrtar nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e “tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes në rajon”.

    “Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë dhe të veprojë në Serbi. Por, ka kaluar njëherë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë, dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më”, tha ai.

  • Kujdes! Rikthehet vala e të nxehtit afrikan në Kosovë

    Kujdes! Rikthehet vala e të nxehtit afrikan në Kosovë

    Një valë e fuqishme e të nxehtit afrikan, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 39°C, pritet që të përfshijë vendin tonë gjatë kësaj jave.
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron për ndikime të mëdha në shëndet, mungesë reshjesh dhe rrezik të shtuar për zjarre në zonat pyjore dhe bujqësore. Autoritetet e emergjencës u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa janë ndaluar të gjitha zjarret në natyrë. Ndërsa nga Ujësjellësi kërkojnë që uji të shpenzohet në mënyrë më racionale.

    Sipas meteorologut Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vendi po ndikohet nga masa ajrore të thata dhe të nxehta që vijnë nga Afrika Veriore. Ai i tha Radio Kosovës se këto masa, shpeshherë gjatë verës shkaktojnë valë të të nxehtit në rajon.

    “Këto masa sjellin temperatura të larta, përmbajtje të ulët të lagështisë dhe rritje të rrezikut për thatësira dhe zjarre. Dita më e nxehtë pritet të jetë e premtja, me temperatura që mund të arrijnë nga 35 deri në 39°C.”, transmeton Indeksonline.

    ALiu shtoi se indeksi UV do të jetë shumë i lartë nga ora 9 deri në 17, dhe u bëri thirrje qytetarëve, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për mbrojtje nga rrezet e dëmshme. Pavarësisht motit të nxehtë gjatë javës, Aliu tha se IHK parashikon një lehtësim të vogël gjatë fundjavës.

    “Një masë më e freskët nga veriu i Evropës do të ndikojë në uljen e temperaturave. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë stuhi lokale.”

    Ndërkaq, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, u bëri thirrje qytetarëve për shpenzim sa më racional të ujit.

    “Nëse ne e keqpërdorim ujin, atëherë më të vërtetë do të ketë shqetësime për ujë, sidomos në pikat e larta furnizuese.”

    Nga ana tjetër, Genc Metaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave i tha Radio Kosovës se janë ndërmarrë të gjitha masat që në fillim të sezonës verore, por theksoi se situata mund të përshkallëzohet për shkak të zjarreve të shumta.

    “Kemi mbi 40 zjarre të mëdha të regjistruara. Fatkeqësisht, kemi pasur humbje jete ,një person në Klinë dhe një zjarrfikës javën e kaluar. Situata po bëhet e rrezikshme edhe për kapacitetet tona operacionale.”

    Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, duke theksuar se janë ndaluar të gjitha zjarret në ambient të hapur, përfshirë piknikët, ndezjen e fishekzjarrëve dhe çdo aktivitet tjetër që mund të shkaktojë zjarr.

  • Përfundon pa rezultat edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

    Përfundon pa rezultat edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

    Edhe tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Deputetët sërish kanë dështuar që të përmbyllin seancën konstituive të nisur më 15 prill.

    Nga 104 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 53 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.

    Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën, më 23 korrik në orën 11:00.

  • NLB Banka shpërblehet me çmim prestigjioz nga Euromoney – Çmimi për Ekselencë 2025

    NLB Banka shpërblehet me çmim prestigjioz nga Euromoney – Çmimi për Ekselencë 2025

    NLB Banka është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Banka më e mirë për konsumatorët” (Best Bank for Consumers) për Kosovë nga revista ndërkombëtare financiare Euromoney, në
    kuadër të Çmimeve për Ekselencë 2025. Ky është një vlerësim i lartë që dëshmon qartë fokusin e NLB Bankës për klientët.
    Ky çmim prestigjioz vjen si pasojë e një përkushtimi të vazhdueshëm për të ofruar produkte dhe shërbime bankare që janë inovative, të sigurta dhe të përshtatura me nevojat e klientëve.
    Rezultatet e shkëlqyera bankare të NLB Banka të shënuara në vitin e fundit janë njohur dhe shbërblyer me këtë çmim.
    NLB Banka ka shkëlqyer me një sërë iniciativash që kanë përmirësuar ndjeshëm përvojën e klientit: duke përfshirë ofrimin e një game të gjërë produktesh e shërbimesh bankare për
    klientë, ofrimin e zgjidhjeve të personalizuara për klientë, digjitalizimin e shërbimeve bankare, fuqizimin e edukimit financiar etj.
    “Ky çmim është një vlerësim i jashtëzakonshëm për gjithë punën tonë dhe një motivim shtesë për të vazhduar rrugën drejt inovacionit dhe shërbimit cilësor për konsumatorë.” u shpreh Gem Maloku, Kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka,
    NLB Banka i falënderon klientët e saj për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe punonjësit, të cilët me përkushtimin dhe punën e tyre kontribuan në këtë arritje.
    “Ky sukses është i përbashkët!”– theksohet nga banka, duke dëshmuar rëndësinë e marrëdhënies së tyre me klientët.

  • Avokati Arianit Koci, heq flokët para Kuvendit

    Avokati Arianit Koci, heq flokët para Kuvendit

    Në shenjë proteste për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, avokati Arianit Koci sot ka ndërmarrë një tjetër aksion simbolik.
    Ai ka rruar kokën para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur kështu zhgënjimin dhe pakënaqësinë e tij ndaj klasës politike për dështimin që kuvendi të nisë punën, pavarësisht kalimit të afateve ligjore dhe pritjeve të qytetarëve.

    Protesta e tij ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve, ndërsa avokati është shprehur se ky ishte një akt i vetëdijshëm për të ngritur zërin në mënyrë paqësore dhe simbolike.
    Ndryshe, sot deputetët do të mblidhen për të 50-tën herë në përpjekje për të konstituar Kuvendin e Kosovës.Avokati Koci proteston para Kuvendit të Kosovës

  • Sot mbahet tentativa e 50-të herë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot mbahet tentativa e 50-të herë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot, mbahet tentativa e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje tjetër për të zhbllokuar krizën institucionale që po zgjat prej muajsh.
    Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.
    Kriza aktuale ka nxitur shqetësim te qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga liderët politikë që të vënë në vend të parë interesin e vendit.