ATV

Author: ATV

  • Specialja merr vendim, 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi

    Specialja merr vendim, 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi

    Gjykata Speciale në Hagë ka ndaluar vizitat e 11 personave tek Hashim Thaçi, në kuadër të çështjes për pengim të drejtësisë. Mes tyre janë Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër persona me emra të redaktuar.

    Prokuroria kishte kërkuar ndalim vizitash edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e refuzoi këtë, duke theksuar se kontakti me familjen është e drejtë thelbësore, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait të Thaçit.

    Sipas Prokurorisë, disa vizitorë kanë marrë udhëzime nga Thaçi për t’i përcjellë te dëshmitarët, ndërsa gjykata konstatoi se ekzistojnë tregues të besueshëm për shpërndarje të informacioneve konfidenciale. Kufizimet vlejnë vetëm për individët tek të cilët janë identifikuar këto rrethana.

    Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për të kufizuar bisedat e Thaçit gjatë vizitave u hodh poshtë si e panevojshme dhe joproporcionale. Vendimi do të rishikohet çdo tre muaj.

    Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 dhe po gjykohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe pengim të drejtësisë, së bashku me ish-krerë të tjerë të UÇK-së.

  • Specialja rifillon punën, sot konferenca për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Specialja rifillon punën, sot konferenca për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Pas pushimit veror, Gjykata Speciale ka rifilluar punën. Sot mbahet konferenca përgatitore për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Për këtë proces, në shtator janë parashikuar 10 seanca dhe në tetor dy të tjera.

    Avokati Skënder Musa pret që dëshmitarët të ndryshojnë rrjedhën e gjykimit:
    “Këta dëshmitarë pres që të shkatërrojnë të gjitha pretendimet dhe provat e falsifikuara nga Serbia, sepse nuk mund të krahasohen diplomatët evropianë e amerikanë me dëshmitarë që kanë folur për humbje lopësh apo pasurie gjatë luftës”, tha ai për RTK, transmeton Klan Kosova.

    Monitoruesi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e ka quajtur procesin të stërzgjatur dhe të mbyllur për publikun. Sipas tij, pas dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë, nuk ka më arsye për paraburgimin e të akuzuarve.

    Javën e kaluar, Apeli refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm të Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ndërsa prokuroria kërkoi ndalimin e vizitave familjare për Thaçin, me arsyetimin se po informohet për situatën politike në vend.

    Pushimi veror i DHSK-së zgjati nga 28 korriku deri më 15 gusht.

  • “Takimi Putin-Zelenski, brenda dy javëve”, Merz: Presidenti rus ra dakord pas telefonatës me Trump

    “Takimi Putin-Zelenski, brenda dy javëve”, Merz: Presidenti rus ra dakord pas telefonatës me Trump

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski brenda dy javëve të ardhshme gjatë një telefonate me Presidentin amerikan Donald Trump, tha kancelari gjerman Friedrich Merz.

    Vendi i zhvillimit të takimit ende nuk është përcaktuar, u tha Merz gazetarëve të hënën në mbrëmje.

    Ai theksoi se një samit i tillë duhet të përgatitet mirë, por shtoi se nuk e di nëse Putini “do të ketë guximin” të marrë pjesë në një samit të tillë.

  • Skandal në futbollin rus: Mirlind Daku sulmohet nga tifozët e Zenit, Federata nis menjëherë hetimin ndaj klubit të njohur

    Skandal në futbollin rus: Mirlind Daku sulmohet nga tifozët e Zenit, Federata nis menjëherë hetimin ndaj klubit të njohur

    Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Rubin Kazanit, Mirlind Daku, është bërë objekt i thirrjeve fyese nga tifozët e Zenitit të St. Petersburgut gjatë ndeshjes së zhvilluar më 12 gusht, në raundin e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Rusisë.

    Takimi, i fituar 3-0 nga Zeniti, u shoqërua me tensione në tribuna, ku një pjesë e tifozëve vendas ofenduan 27-vjeçarin shqiptar.

    “Komiteti i Kontrollit dhe Disiplinës i RFU-së do të shqyrtojë episodin me thirrje ofenduese nga tifozët e Zenitit të Shën Petersburgut, drejtuar sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku”, deklaroi kreu i komitetit, Artur Grigoryants, për agjencinë ruse RIA Novosti. Ai shtoi se mbledhja disiplinore do të zhvillohet më 20 gusht.

    Në atë përballje, Daku arriti të shënojë një gol, i cili u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

    Ironikisht, gjatë kësaj vere sulmuesi ishte shumë pranë transferimit te Zeniti i St. Petersburgut, por në fund vendosi të qëndrojë te Rubini, që i rinovoi kontratën.

    Komiteti i RFU-së pritet të vendosë nëse Zeniti do të ndëshkohet për sjelljen e tifozëve të tij, ndërkohë që rasti ka marrë vëmendje në mediat ruse, duke rikthyer në fokus marrëdhënien mes klubit dhe lojtarit shqiptar.

  • Pikat kryesore nga diskutimi i Trumpit me Zelenskyn dhe liderët evropianë

    Pikat kryesore nga diskutimi i Trumpit me Zelenskyn dhe liderët evropianë

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të tjerë evropianë në kuadër të bisedimeve të reja që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

    Më poshtë mund të gjeni disa prej pikave kyç të këtij samiti shumëpalësh, të formuluara nga mediumi britanik BBC.

    Një takim Putin-Zelensky në horizont?

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se e kishte telefonuar Vladimir Putinin për të organizuar bisedime dypalëshe midis liderit rus dhe Zelenskyt. Pas kësaj, do të kishte edhe një takim trepalësh që do të përfshinte vetë Trumpin.

    Trump dhe evropianët nuk bien dakord për armëpushimin

    Trump duket se e ka minimizuar rëndësinë e armëpushimit përpara negociatave të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës, që u kundërshtua nga liderët evropianë. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të ndodhë pa një armëpushim”, ka thënë kancelari gjerman Friedrich Merz. “Pra, le të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”.

    Trump jep sinjale për garanci sigurie
    Trumpi ka thënë se SHBA-ja do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Kjo është deklarata më vendimtare që ka bërë ndonjëherë për këtë çështje, e cila është njëkohësisht shqetësim kyç për Ukrainën. Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të merrnin këto garanci, teksa mundësitë përfshijnë: trupa të huaja në terren, patrullime të përbashkëta detare dhe ajrore, ndarje të inteligjencës apo mbështetje logjistike.

    Zelensky nis ofensivën e tij të hijshme

    Në një ndryshim të dukshëm nga vizita e tij e mëparshme e tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky është treguar më i qetë dhe i sjellshëm të hënën, i veshur me kostum, me një letër personale nga bashkëshortja e tij dhe disa “falënderime” të njëpasnjëshme në minutat e para të takimit.

  • Aksidenti me fatalitet në Llapushnik, viktimat janë një çift bashkëshortor nga Drenasi

    Aksidenti me fatalitet në Llapushnik, viktimat janë një çift bashkëshortor nga Drenasi

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të hënën në mbrëmje në rrugën Prishtinë – Pejë, më saktësisht në Llapushnik. Në aksident kanë mbetur të vdekur të vdekur një çift bashkëshortor, ndërsa i lënduar ka mbetur djali i tyre, 19 vjeçar.
    Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

    Viktimat janë identifikuar me inicialet Sh.G. (i lindur më 1979) dhe A.G. (i lindur më 1979).
    Nga përplasja ka mbetur i lënduar rëndë edhe një person tjetër me inicialet F.G. (e lindur më 2006), i cili është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    “Fsh. Llapushnik / Rr. Nacionale Prishtinë-Pejë, 18.08.2025 – 20:50. Ka ndodhur aksident në trafik në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura udhëtarësh njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja, me drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar dy viktimat dhe një ka pësuar lëndime. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.

    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një telegrami ngushëllimi i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimave.

    Ndryshe, numri i aksidenteve në komunikacion është rritur kohëve të fundit.

  • Nis punimet edicioni i 43-të i Seminarit të Gjuhës, pjesëmarrës rreth 200 studiues

    Nis punimet edicioni i 43-të i Seminarit të Gjuhës, pjesëmarrës rreth 200 studiues

    Në Prishtinë është hapur edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të zgjasë deri më 29 gusht me pjesëmarrjen e rreth 200 studiuesve nga vende të ndryshme.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi seminarin si ngjarjen më jetëgjatë kulturore në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.

    “Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i kujtesës, imagjinatës dhe kulturës. Në kohën e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale, ajo mbetet themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës njerëzore… Entuziazmi ynë për gjuhën shqipe duhet vetëm të rritet dhe unë, si kryeministër, shpreh gatishmërinë për të mbështetur këtë mision historik,” tha Kurti.

    Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, tha se kjo ngjarje është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë.

    “Institucioni i seminarit është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore në një kënd global, por edhe i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët. Seminari janë Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare,” u shpreh Sejdiu.

    Seminari, i themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, deri më sot ka zhvilluar 42 sesione dhe mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

  • Kurti: Qeveria ka respektuar gjithmonë aktgjykimet e Kushtetueses, nuk është mirë të kemi vonesa

    Kurti: Qeveria ka respektuar gjithmonë aktgjykimet e Kushtetueses, nuk është mirë të kemi vonesa

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e tij gjithmonë ka respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se këtë e ka bërë edhe si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

    Kurti tha se pyetjet e vazhdueshme nëse do ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë të mendoj se mos ky aktgjykim do të jetë pazakonshëm apo i padrejtë.

    “Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të cilin Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesni sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

    Kurti kritikoi edhe mënyrën e publikimit të aktgjykimit të fundit, duke thënë se më 8 gusht u bë publik vetëm njoftimi, ndërsa vendimi i plotë ende nuk është dorëzuar.

    “Edhe një herë po e ritheksoj që ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë, i cili po vonohet, e të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij. Më 26 qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë njoftimin edhe aktgjykimin. Tash më 8 gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që kemi këtë vonesë, por në bazë të njoftimit, për bindjen time ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi në versionin e plotë që jemi duke e pritur dhe atij të 26 qershorit të po kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese”, tha ndër të tjera Kurti.

    Ndryshe, njoftimi i aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese është bërë më 8 gusht, por ende nuk është bërë publikimi i plotë i aktgjykimit në Gazetën Zyrtare çka po vonon thirrjen e mbledhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë për grabitje me dhunë, konfiskohet motoçikleta dhe paratë e grabitura

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një rast grabitjeje me kërcënim të ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në kryeqytet.

    Sipas raportit policor, viktima është kanosur nga dy persona, të cilët më pas i kanë grabitur para të gatshme dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, transmton IndeksOnline.

    Falë reagimit të shpejtë të njësive policore, të dyshuarit janë lokalizuar dhe ndaluar pak kohë më vonë. Gjatë kontrollit ndaj tyre, policia ka gjetur një motoçikletë dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës, si edhe shumën e parave të grabitura.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet në lidhje me rastin po vazhdojnë.

    Policia apelon për vigjilencë dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët për parandalimin e rasteve të tilla.

  • Arrestohet një person në Vërmicë, në veturë iu gjetën armë e pajisje ushtarake

    Arrestohet një person në Vërmicë, në veturë iu gjetën armë e pajisje ushtarake

    Një person është arrestuar në Vërmicë pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, me 3 karikatorë me 68 copa municion, një pistoletë me karikator me 20 fishekë, një pushkë ajrore me 10 fishekë, dy thika, një palë rroba ushtarake pa shenja(emblema), një maskë ushtarake dhe një çantë ushtarake.

    Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushke automatike, me 3 karikatorë me 68 copa municion, një pistoletë me karikator me 20 fishekë, një pushke ajrore me 10 fishekë, dy thika, një palë rroba ushtarake pa shenja(emblema), nje maskë ushtarake, një çantë ushtarake. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet ne mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.