ATV

Author: ATV

  • 62 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë, një me fatalitet e 25 me të lënduar

    62 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë, një me fatalitet e 25 me të lënduar

    Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Sipas raportit të policisë, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 25 aksidente me të lënduar dhe 36 të tjera me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 17 persona, prej të cilëve 14 ka dërguar në mbajtje.

  • Jahjaga viziton komandën më të madhe të NATO-s: Paqja nuk arrihet vetëm përmes forcave ushtarake

    Jahjaga viziton komandën më të madhe të NATO-s: Paqja nuk arrihet vetëm përmes forcave ushtarake

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jajhaga është pritur në një vizitë në komandën më të madhe të NATO-s që e mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, në Napoli e Itali.

    Aty mori pjesë, me ftesën e admiralit Stuart B. Munsch, komandant i Komandës të Forcave të Përbashkëta, e ku tha se kjo është vizita e parë nga Kosova që bëhet në këtë komandë. Ish-presidentja tha të kenë biseduar mes tjerash për rolin që Kosova luan si partnere e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “E nderuar me ftesën e admiralit Stuart B. Munsch, komandant i Komandës të Forcave të Përbashkëta, për një vizitë të parë nga Kosova në komandën më të madhe të NATO-s që mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, në Napoli, Itali. Gjatë vizitës, pata mundësinë të bashkëbisedoj me ekipin drejtues për integrimin e parimeve të Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në operacionet aktuale dhe të ardhshme të NATO-s, si dhe të shkëmbej mendime për rolin që Kosova luan si partnere e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Admiralin Munsch e përgëzova për punën e jashtëzakonshme të NATO-s dhe të misionit të KFOR-it në Kosovë, që për më shumë se dy dekada kanë garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët tanë. Gjithmonë falënderuese për intervenimin e NATO-s në vitin 1999, hap ky i cili shpëtoi një popull të tërë nga gjenocidi serb dhe hapi rrugën drejt lirisë”, ka shkruar Jahjaga.

    Ndër të tjera, Jahjaga nënvizoi se paqja nuk ruhet vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike.

    “Në fund shpreha thellësisht mirënjohjen time për udhëheqjen, partneritetin dhe miqësinë që Admirali Munsch dhe NATO e kanë ndërtuar me popullin e Kosovës. Bashkëpunimi ynë dëshmon se paqja nuk ruhet vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike”, ka shkruar ish-presidentja.

  • Presidentja Osmani dhuron proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri

    Presidentja Osmani dhuron proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me drejtoreshën e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi vizituan të mërkurën Klinikën e Onkologjisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Me këtë rast, presidentja Osmani dhuroi proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri, si shenjë mbështetjeje për to dhe për fuqizimin e grave që përballen me këtë sëmundje.

    Për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, mediat nuk janë lejuar të marrin pamje brenda Klinikës.

  • Von der Leyen viziton Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin në Kuvend

    Von der Leyen viziton Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin në Kuvend

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të takohet me udhëheqësit e institucioneve të vendit.

    Gjatë vizitës së saj, ajo pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti nga ora 14:05 në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

    Policia e Kosovës ka paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit gjatë qëndrimit të saj, për të mundësuar lëvizjen e lirë të eskortës zyrtare.

    Kjo vizitë është pjesë e turit rajonal të presidentes së Komisionit Evropian, që nisi të hënën në Tiranë dhe përfshin ndalesa në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, për t’u përmbyllur të mërkurën në Shkup.

  • Maqedonci nderohet në SHBA, vendoset në “Hall of Fame” të Kolegjit të Ushtrisë Amerikane

    Maqedonci nderohet në SHBA, vendoset në “Hall of Fame” të Kolegjit të Ushtrisë Amerikane

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci është nderuar me një nga vlerësimet më të larta ushtarake ndërkombëtare, duke u futur në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College).

    Në ceremoninë e mbajtur në Shtetet e Bashkuara mori pjesë edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjë që e shtoi edhe më shumë rëndësinë e këtij nderimi.

    “Është nder jetësor për mua ky vlerësim, duke më vendosur në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së SHBA-ve,” u shpreh Maqedonci.

    Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një reflektim i punës së përbashkët me shumë profesionistë të mbrojtjes në Kosovë gjatë gjithë karrierës së tij.

    “Këtë vlerësim nuk e llogaris vetëm si një arritje personale, por edhe një pasqyrim i përkushtimit, profesionalizmit dhe përpjekjes së përbashkët të të gjithë atyre me të cilët kam pasur fatin dhe mundësinë të shërbej gjatë karrierës sime”, ka shkruar Maqedonci.

    Maqedonci falënderoi Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së për këtë nderim, si dhe për mundësinë që i ishte ofruar vite më parë për të përfunduar studimet në këtë akademi prestigjioze ushtarake, të cilat ai i cilësoi si formuese për karrierën e tij profesionale dhe jetën personale.

    “Ky nderim më forcon më tej bindjen time në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm — vlera që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë vendit dhe komunitetit të tyre,” shtoi ai.

  • MTV njoftoi zyrtarisht mbylljen e pesë kanaleve të tij muzikore më të njohura deri më 31 dhjetor 2025

    MTV njoftoi zyrtarisht mbylljen e pesë kanaleve të tij muzikore më të njohura deri më 31 dhjetor 2025

    Pas 40 vjetësh të ndikimit të jashtëzakonshëm në kulturën e muzikës dhe të rinjtë në mbarë botën, MTV njoftoi zyrtarisht mbylljen e pesë kanaleve të tij muzikore më të njohura deri më 31 dhjetor 2025.

    Këto kanale janë MTV Music, MTV 80s, MTV 90s, Club MTV dhe MTV Live. Ky vendim prek kryesisht tregjet evropiane përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Poloninë, si dhe vende të tjera në Azi, Amerikën Latine dhe Australi.
    Mbyllja e këtyre kanaleve bëhet për shkak të ndryshimeve në mënyrën se si njerëzit konsumojnë muzikën sot; shikuesit janë orientuar masivisht drejt platformave digjitale si YouTube, TikTok dhe Spotify për videot muzikore dhe përmbajtjen e tyre të preferuar. Kanali kryesor MTV HD do të vazhdojë transmetimin, por tani kryesisht me programe realiteti dhe argëtuese, duke larguar fokusin nga videot muzikore.
    Ky moment shënon fundin e një epoke të rëndësishme për televizionin muzikor, që nisi më 1981 me këngën “Video Killed the Radio Star” (linku në koment) dhe ndikoi në karrierat e artistëve si Michael Jackson, Madonna dhe Beyoncé. Ndërsa fansat përgatiten të përshëndesin këtë erë me lot në sy, kjo mbyllje është dëshmi e fuqisë dhe ndryshimit të kulturës muzikore në epokën digjitale.
    Ky lajm do të prekë shumë dashamirës të muzikës dhe nostalgjikë për kohët kur MTV ishte qendra e kulturës së re dhe muzikës pop.

  • Lindi duke mbajtur pajisjen kontraceptive të nënës në dorë

    Lindi duke mbajtur pajisjen kontraceptive të nënës në dorë

    Një foshnjë e lindur në Brazil është bërë virale pasi u fotografua duke mbajtur në dorë spiralen e nënës së tij (pajisje kontraceptive -IUD), që nuk arriti të parandalonte shtatzëninë e saj. Si nëna ashtu edhe fëmija janë plotësisht të shëndetshëm.

    Foshnja e porsalindur në Brazil po bën bujë pasi ka dalë në fotografi duke mbajtur pajisjen kontraceptive që ishte menduar të parandalonte lindjen e tij. Foshnja, e quajtur Matheus Gabriel, lindi në Spitalin “Sagrado Coração de Jesus” në Nerópolis, Goiás, dhe fotografia e tij me pajisjen intrauterine (IUD) në dorë u përhap me shpejtësi në internet. Imazhi ka lënë shumë njerëz të habitur dhe kureshtarë se si dështoi mjeti i kontracepsionit.

    “Foshnja e mrekullisë” që sfidoi gjasat
    Sipas një raporti të gazetës The Mirror, nëna e Matheusit, Queidy Araujo de Oliveira, kishte përdorur spiralen e bakrit për gati dy vjet para se të mbetej shtatzënë. IUD-ja, e njohur ndryshe si “spirale”, konsiderohet si një nga metodat më efektive të kontracepsionit, me mbi 99 për qind efektivitet në parandalimin e shtatzënisë.

    Queidy e kuptoi se ishte shtatzënë gjatë një kontrolli rutinë. Mjekët zbuluan se spiralia ishte ende në vendin e saj, por heqja e saj mund të shkaktonte abort spontan. Prandaj, ajo u la në mitër gjatë gjithë shtatzënisë. Edhe pse Queidy u përball me disa komplikime, si gjakderdhje dhe shkëputje të pjesshme të placentës, ajo solli në jetë një djalë të shëndetshëm.

  • Kostoja e jetesës po i detyron qytetarët të kursejnë në çdo mënyrë

    Kostoja e jetesës po i detyron qytetarët të kursejnë në çdo mënyrë

    Në Kosovë, 68% e konsumatorëve blejnë në dyqane më të lira, ndërsa gjysma e rajonit po anulon abonime dhe shpenzime të panevojshme, tregon studimi “New Normal Study”.

    Inflacioni, pasiguria politike dhe rritja e kostos së jetesës po e shtyjnë gjithnjë e më shumë qytetarin e rajonit të Adriatikut drejt kursimeve të detyruara dhe zakoneve të reja të konsumit.
    Këto janë gjetjet e studimit “New Normal Study” të kompanisë hulumtuese Valicon, i zhvilluar nga 18 deri më 21 gusht 2025 në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

    Inflacioni dhe pasiguria, shqetësimet kryesore në çdo vend

    Inflacioni mbetet problemi më i madh për qytetarët e rajonit.
    Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, 70% e të anketuarve shprehen të shqetësuar për rritjen e kostos së jetesës – shifra më e lartë në gjithë rajonin.
    Pas tyre vijnë Bosnja e Hercegovina (69%) dhe Kroacia (68%), ndërsa shqetësimet janë rritur me rreth 8% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti.

    Në Serbi, pasiguria politike është po aq e madhe sa inflacioni: 58% e qytetarëve ndihen të shqetësuar për situatën politike, kundrejt 60% për çmimet.
    Në Kosovë (54%) dhe Bosnje e Hercegovinë (40%), zhvillimet politike janë gjithashtu në listën e frikave kryesore të qytetarëve.

    Ofertat dhe dyqanet e lira, shpëtimi i përditshëm

    Konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm se kurrë më parë.
    Në Kroaci, 70% blejnë gjatë promocioneve dhe 65% në dyqane më të lira.
    Në Slloveni, përqindjet janë 65% dhe 62%, ndërsa në Kosovë, 68% e qytetarëve preferojnë tregjet me çmime më të ulëta.

    Një tjetër prirje e përhapur është anulimi i shpenzimeve të panevojshme.
    Në Slloveni, 57% e të anketuarve kanë anuluar abonime, ndërsa shifra të ngjashme raportohen në Kroaci (56%) dhe Bosnje e Hercegovinë (58%).
    Në Kosovë, 56% e qytetarëve kërkojnë çmime më të volitshme për shërbime bazë si energjia, interneti apo telefonia.

    Ndërkohë, blerja me shumicë si mënyrë për kursim është më pak e përdorur – vetëm 19% e qytetarëve në Serbi e praktikojnë, krahasuar me 32% në Slloveni dhe Kosovë.

    Më pak kursime, më pak shpresë

    Studimi tregon se aftësia për të kursyer para ka rënë ndjeshëm në gjithë rajonin.
    Vetëm 40% e sllovenëve thonë se kursejnë sa më parë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo shifër bie në vetëm 15%.
    Në Kosovë, vetëm një në pesë qytetarë arrin të kursejë të njëjtën shumë si më parë, ndërsa në Mal të Zi përqindja është edhe më e ulët – 18%.

    Kur pyeten për cilësinë e jetës pas vitit 2020, shumica e të anketuarve në rajon ndihen më keq se më parë.
    Ndjenja më e fortë e përkeqësimit vërehet në Serbi (53%), Maqedoni të Veriut (52%) dhe Kroaci (51%).
    Megjithatë, Kosova dhe Mali i Zi janë më optimistë: 34% e qytetarëve atje besojnë se jeta e tyre është “më e mirë” sot, edhe pse rreth 40% e konsiderojnë “më të keqe”.

    Si u realizua studimi

    Anketa është zhvilluar online, me një mostër përfaqësuese të popullsisë nga 18 deri në 75 vjeç në secilin vend.
    Në total janë anketuar:

    Slloveni (n=512)
    Kroaci (n=511)
    Bosnje e Hercegovinë (n=516)
    Serbi (n=511)
    Maqedoni e Veriut (n=509)
    Kosovë (n=425)
    Mal i Zi (n=317)

     

  • Procesi i numërimit të votave për kandidatët të kuvendeve komunale fillon në orën 16:00

    Procesi i numërimit të votave për kandidatët të kuvendeve komunale fillon në orën 16:00

    KQZ do të fillojë sot numërimin e votave për asambleistë të kuvendeve komunale.

    Valmir Elezi nga KQZ tha se numërimi do të fillojë sot në qendrat komunale të numërimit.

    “Votat e kandidatëve për anëtarët e kuvendeve komunale numërohen në qendrat komunale të numërimit”, tha Elezi.
    Tutje Elezi tha se ky proces nis nga ora 16:00.

    Kosova dje përmbylli procesin e zgjedhjeve lokale. Nga 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë me të drejtë vote, 811 mijë e 984 prej tyre votuan duke përfaqësuar 40.10% pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet lokale në nivel vendi.

  • Kurti kërkon hetim nga Policia e Prokuroria: Exit Pollet në Mitrovicë nuk ishin huqje, por cenim i zgjedhjeve të lira

    Kurti kërkon hetim nga Policia e Prokuroria: Exit Pollet në Mitrovicë nuk ishin huqje, por cenim i zgjedhjeve të lira

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se raportimet e djeshme për komunën e Mitrovicës së Jugut, lidhur me rezultatet në zgjedhje, do të hetohen.
    Sipas tij, në exitpollet e prezantuara dhe në raportimet për fitues para mbylljes së vendvotimeve, nuk bëhet fjalë për huqje por për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.

    Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka ftuar organet e sigurisë dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje, raporton Koha.

    “Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por një inxhiniering të paramenduar, për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exitpollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjeshtë huqje por cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”, ka deklaruar Kurti.

    Kurti ka thënë se për këtë komunë është propaganduar që nga orët e para të mëngjesit.

    “Sa i përket Mitrovicës, prej orës 10:00 është propaganduar maksimalisht se si në komunën jugore të Mitrovicës po fiton kandidati i PDK-së pa balotazh dhe madje me fitore të thellë. Minimalisht për 16 pikë të përqindjes ka pasur huqje. Por, këto huqje kanë qenë të njëjta nga disa burime dhe në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë se ka diçka unike sipër tyre, por i përket organeve të drejtësisë dhe sigurisë që ta hetojnë dhe hulumtojnë këtë cenim të integritetit të shtetit, të sigurisë së shtetit përveçse votës së lirë të qytetarëve dhe të zgjedhjeve demokratike”, ka thënë ai.

    I pyetur për mundësitë e bashkëpunimit me partitë e tjera në balotazh, Kurti ka thënë se do të bëjnë analizë të hollësishme për rezultatin zgjedhor, e më pas të bëjnë plane.

    “Do të bëjmë një analizë të hollësishme për rezultatin zgjedhor, Vetëm pas kësaj analize do t’i bëjmë planet dhe përgatitjet e duhura për rrugën përpara”, ka thënë ai.

    Ai tutje ka folur edhe për rezultatet preliminare, për çka tha se me votat nga diaspora presin që edhe Gjilani të fitohet pa balotazh nga kjo parti.

    “Me votat nga diaspora mund të dalë që e kemi fituar edhe Gjilanin pa balotazh. Jemi në balotazh në 12 nga 17 komuna sa kanë shkuar në balotazh. Rezultatet tregojnë qartë se Lëvizja jonë jo vetëm që ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por është ngritur si forca kryesore politike në republikën e Kosovës edhe në nivelin lokal. Kjo është dhurata më e çmueshme”, ka theksuar ai.