ATV

Author: ATV

  • Nesër disa lagje të Prishtinës do të mbesin pa ujë për 7 orë

    Nesër disa lagje të Prishtinës do të mbesin pa ujë për 7 orë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nesër, disa pjesë të rajonit të Prishtinës do të përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë nga ora 12:00 deri në orën 19:00.

    Vendet që do të mbesin pa ujë për shtatë orë janë: Graçanica, Hajvalia, Çagllavica, Lagja Qendresa, Lagja 038, një pjesë e lagjes Bregu i Diellit dhe një pjesë e lagjes Mati.

  • Tronditëse: Në Prizren burri ther me thikë gruan dhe vajzën e mitur – të dyja në gjendje të rëndë

    Tronditëse: Në Prizren burri ther me thikë gruan dhe vajzën e mitur – të dyja në gjendje të rëndë

    Një burrë nga Prizreni ka therur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur mbrëmë pas mesnatës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë në Prizren të dy viktimat janë në gjendje të rëndë.

    Prokuroria ka njoftuar se në vendngjarje e kanë arrestuar të dyshuarin.

    Për rastin Policia është njoftuar të premten rreth orës 00:20 minuta.

    “Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë vajza e mitur thuhet se është gjetur në katin e fundit të ndërtesës.

    “Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, thuhet tutje në njoftim.

    Në njoftim thuhet se në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.

    “Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, thuhet në njoftim.

  • Atentat ndaj biznesmenit pranë shtëpisë: Vritet presidenti i klubit të futbollit, i biri aksidentohet duke e dërguar në spital!

    Atentat ndaj biznesmenit pranë shtëpisë: Vritet presidenti i klubit të futbollit, i biri aksidentohet duke e dërguar në spital!

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku biznesmenit qipriot, njëkohësisht president i ekipit të futbollit Karmiotissa, Stavros Demosthenous, është qëlluar me armë zjarri mëngjesin e sotëm.

    Atentatorët duket se ishin në dijeni të lëvizjeve të biznesmenit, pasi kishin bërë pritë jashtë shtëpisë së tij.

    Sipas informacioneve nga policia qipriote, autorët e krimit ishin dy persona dhe po udhëtonin me një furgon të vjedhur.

    Sapo Stavros Demosthenous doli nga dera, ata e qëlluan. Ndërkohë djali i biznesmenit e futi në makinë të atin dhe u përpoq ta dërgonte në spital.

    Megjithatë, gjatë rrugës Stavros Demosthenous vdiq dhe makina ku udhëtonte u përplas me automjete të tjera në autostradë.

    Autorët e vrasjes u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa kilometra më larg dogjën furgonin, me të cilin udhëtonin.

    Policia ka nisur kërkimet për të identifikuar autorët, ndërsa dyshohet të kenë qenë vrasës profesionistë me pagesë.

    Po shqyrtohet mundësia që vrasja të ketë lidhje me aktivitetin e basteve në ndeshjet e futbollit, pasi “Karmiotissa” ka qenë nën hetim disa herë për trukim ndeshjesh me transmetimin e dosjeve të kuqe nga UEFA.

  • Lionel Messi e fut në 10-shen e talentëve më premtues edhe një shqiptar

    Lionel Messi e fut në 10-shen e talentëve më premtues edhe një shqiptar

    Lionel Messi ka forumuar një listë me dhjetë lojtarë më premtues për vitet e ardhshme.

    Në këtë listë figuron edhe emri i një lojtari shqiptar.

    Bëhet fjalë për Brajan Grudën, që luan te Brightoni dhe përfaqëson Kombëtaren e Gjermanisë në grupmoshat e reja U21.

    Në këtë listë janë edhe disa lojtarë të njëhur, si: Nico Paz, Kendry Paez, Andrey Santos etj.

    Në top-10 nuk është futur dyshja, Mastantuono dhe Lamine Yamal – ndoshta për Messin nuk llogaritën më si talentë.

  • Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

    Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik.

    Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj bëri të ditur se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka ndërmarrë veprime zyrtare.

    “Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

    Ndryshe edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar për këtë rast.
    Sipas Nitajt, bëhet fjalë për qindra raste që “nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter”, ndërsa disa komuna tashmë e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri.
    “Rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune e as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj. /Telegrafi

  • Sekuestrohen mbi 100 litra vaj ulliri të padeklaruar në Vërmicë

    Sekuestrohen mbi 100 litra vaj ulliri të padeklaruar në Vërmicë

    Dogana e Kosovës ka sekuestruar sot 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili.

    Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare Vërmicë kanë ndaluar një automjet për kontroll të dytë.
    “Pasi personi përgjegjës kishte mohuar se kishte ndonjë gjë për të deklaruar, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar në automjet janë gjetur 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili”, thuhet në njoftim.
    Më tej thuhet se personi përgjegjës për mallrat e padeklaruara nuk posedonte faturë përkatëse, duke kryer kështu kundërvajtje doganore sipas nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK-së).
    Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe udhëtarët se janë të obliguar të deklarojnë saktësisht çdo mall gjatë hyrjes në territorin e vendit. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe sjell masa ndëshkuese.

  • Dogana sekuestron telefona të padeklaruar në Prishtinë

    Dogana sekuestron telefona të padeklaruar në Prishtinë

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli në Prishtinë, në një nga bodrumet e një objekti është gjetur një kasafortë e mbuluar me pako, në të cilën pas hapjes janë gjetur një sasi e konsiderueshme telefonash të rinj të padeklaruar.

    Në total janë sekuestruar 41 pajisje të reja elektronike, derisa nuk është ofruar asnjë dokumentacion për origjinën e mallit.

    “19 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A26 5G; 21 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A16; 1 copë tablet SAMSUNG GALAXY TAB A9+ 5G”, janë pajisjet e sekuestruara sipas njoftimit.

    Dogana e Kosovës thotë se do të vazhdojë me procedurat administrative dhe hetimore lidhur me këtë rast.

  • Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

    Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

    Gjashtë persona janë arrestuar nga policia të mërkurën në Viti pasi janë përfshirë në një përleshje pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 14:30, ndërsa të gjithë të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Gjatë intervenimit në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar 5.38 gram substancë të dyshuar narkotike.

    Me vendim të prokurorit të rastit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

  • Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas akuzave se ai kishte ardhur në Kosovë për të ndikuar në votimin për Gjykatën Speciale.

    Në një reagim publik, Rama tha se pretendimet e Vetëvendosjes janë të pavërteta dhe se partia e Albin Kurtit po përzien raportet institucionale mes dy shteteve me fushatën lokale në Kosovë.

    “Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti apo nevoja, ndërsa Lëvizja… dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” tha Rama.

    Ai shtoi se nuk është “në asnjë lloj gare me Vetëvendosjen”, por se e konsideron të papranueshme ngatërrimin e “marrëdhënieve institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”.

    Rama kujtoi se Gjykata Speciale u themelua për çështjen e “trafikut të organeve”, jo për të “marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës”.

    Në fund, kryeministri shqiptar sqaroi se nuk është organizator apo folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por se e mbështet me zemër dhe do të merrte pjesë “si qytetar i thjeshtë”, nëse nuk do të ekzistonte rreziku që nisma të politizohej.

  • Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

    Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

    Më 16 tetor, Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

    “Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

    Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

    Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

    Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

    Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

    Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

    Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.

    Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

    Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.

    Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve dhe Kurti ka thënë se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për një koalicion qeverisës. LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.

    Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

    Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

    Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja./REL