ATV

Author: ATV

  • Kanosi gjyqtarin në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së një vendimi, shoqërohet në Polici e dyshuara

    Kanosi gjyqtarin në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së një vendimi, shoqërohet në Polici e dyshuara

    Një grua është shoqëruar në stacion policor pasi e njëjta dyshohet se ka kanosur gjyqtarin në shenjë pakënaqësie me një vendim.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe u iniciua si “Kanosje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjykata Themelore Prishtinë 20.10.2025 – 13:35. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi e kënaqur me vendimin e gjykatësit lidhur me një rast, gjatë largimit nga seanca e kishte kanosur gjyqtarin. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” të hënën ka raportuar se pas shpalljes së vendimit për Arlind Ahmetin dhe Agron Vllasaliun, të cilët u dënuan me nga 16 vjet burgim, për rastin e vrasjes së N.S., nëna e të ndjerit duke u larguar nga gjykatorja iu drejtua gjyqtarit me fjalët “Marre të koftë çka jeni tu folë, marre të koftë, i mjeri ai në Tiranë çka i ka bo qatij, edhe ti qashtu je tu e lyp si ai në Tiranë…marre ju koftë krejtve- flaka i daltë këtij gjyqi”. /BetimipërDrejtësi

  • Kurti shkon në Londër për samitin e Procesit të Berlinit

    Kurti shkon në Londër për samitin e Procesit të Berlinit

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, kjo për të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesi të Berlinit.

    Samiti do të mbahet më 21 dhe 22 tetor 2025.

    Për këtë ka njoftuar zyra e kryeministrit, të hënën, duke paralajmëruar edhe takime bilaterale.

    “Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Britanisë së Madhe, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Gjatë qëndrimit në Londër, kryeministri Kurti do të ketë edhe takime bilaterale, si dhe do të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të samitit”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Serbia do të përfaqësohet me kryeministrin, Đuro Macut. Nuk dihet nëse do të ketë takim mes Kurtit dhe Macut.

  • Gati një vit nga sulmi në Ibër-Lepenc, ende pa aktakuzë nga Prokuroria Speciale

    Gati një vit nga sulmi në Ibër-Lepenc, ende pa aktakuzë nga Prokuroria Speciale

    Gati një vit pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, autoritetet ende nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve. Për ngjarjen e ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, janë arrestuar dy persona, Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, të cilët po mbahen në paraburgim që nga fillimi i dhjetorit të kaluar.

    Sipas hetimeve fillestare, dy vëllezërit dyshohen se kanë përdorur eksploziv dhe mjete të tjera shpërthyese për të dëmtuar kanalin e ujësjellësit, që furnizon me ujë veriun e Kosovës, rajonin e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Gjatë bastisjeve të kryera dy ditë pas sulmit, policia kishte sekuestruar armë dhe pajisje ushtarake në shtëpitë e tyre.

    Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim.
    “Prokuroria Speciale ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet hetimore për konstatimin e plotë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ofrojmë më shumë informacione,” tha zëdhënësja e institucionit, Arbnora Luta.

    Ndërkohë, avokati i njërit prej të dyshuarve, Valdet Hoxha, e ka arsyetuar vonesën me kompleksitetin e rastit.
    “Ky është një rast shumë kompleks që kërkon hetim gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim të ngushtë me mekanizmat e tjerë të sigurisë, brenda dhe jashtë vendit. Duhet ekspertiza të shumta për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike,” deklaroi Hoxha.

    Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, vëllezërit Viçentijeviq dyshohen se kanë vepruar me qëllim për të dëmtuar infrastrukturën publike të ujësjellësit, duke kryer veprën penale të terrorizmit.

    Pas sulmit, policia zhvilloi bastisje në dhjetë lokacione në veri të vendit, ku u konfiskuan armë, municione dhe pajisje të tjera ushtarake. Ngjarja kishte shkaktuar shqetësim për sigurinë e furnizimit me ujë dhe për rrezikun e sulmeve ndaj infrastrukturës kritike.

    Rasti i Ibër-Lepencit po hetohet në mënyrë të ngjashme me atë të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, për të cilin aktakuza u ngrit pas një viti dhe përfshinte 45 persona, në krye me Milan Radoiçiqin.

    Hetimet për Ibër-Lepencin mbeten të hapura, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende afat se kur pritet ngritja e aktakuzës.

  • Në Bruksel diskutohet për “afatet e integrimit” të Kosovës në BE

    Në Bruksel diskutohet për “afatet e integrimit” të Kosovës në BE

    Shefi i Misionit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka takuar të hënën shefin e kabinetit të Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marko Makovec, ku në qendër të diskutimit ishte procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat “afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata” të integrimit të Kosovës në BE.

    “Ambasadori Bajrami dhe z. Makovec shkëmbyen pikëpamje edhe mbi Planin e Rritjes dhe instrumentet e tjera të BE-së për të avancuar projektin strategjik të zgjerimit në rajon”, thuhet në njoftimin e lëshuar për shtyp nga zyra e Kosovës në Bruksel.

    Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, të gjitha ose kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në klubin eksluziv evropian, ose kanë nisur tashmë negociatat. Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në vitin 2022.

    Kosova prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 e ka përcaktuar qartë orientimin e saj drejt integrimit në BE dhe NATO, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar stabilitet afatgjatë dhe zhvillim ekonomik, si garanci për paqe në Ballkanin Perëndimor.

    Ndryshe, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se është e rëndësishme për Kosovën të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i zbusë tensionet në veri, pas takimeve me udhëheqësit e vendit më 15 tetor në Prishtinë.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot, diskutohet për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot, diskutohet për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit do të mblidhet sot për takimin e dytë të rregullt këtë vit mbi situatën në Kosovë.

    Zëvendës përfaqësuesi Special dhe Zyrtari i Përgjegjshëm i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Milbert Dongjon Shin, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un , i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 10 tetor dhe mbulon zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator.

    Shin pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm.

    Ai do të flasë rreth zbatimit të marrëveshjeve të lehtësuara nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e shkurtit 2023 në rrugën drejt normalizimit (e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit), dhe se tensionet midis Serbisë dhe Kosovës kanë vazhduar të vazhdojnë.

    Më 9 qershor dhe 11 shtator, përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, lehtësoi dy takime trepalëshe në Bruksel me kryenegociatorët përkatës nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, mbi zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe Deklaratën e majit 2023 për Personat e Zhdukur.

    “Asnjëri takim nuk rezultoi në një rezultat të deklaruar. Takimi i 11 shtatorit përfundoi pa përparim domethënës midis të dyja palëve për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi përparimin e çështjeve në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Për më tepër, megjithëse palët ranë dakord zyrtarisht për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në dhjetor 2024, takimi i tij inaugurues nuk u zhvillua siç ishte planifikuar pas bisedimeve të 11 shtatorit. Në këtë drejtim, në takimin e së martës, Shin do t’u bëjë thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen me mirëbesim drejt përmbledhjes së bisedimeve të normalizimit dhe të përfitojnë nga krijimi i komisionit brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, raporton securitycouncil.

    Në të njëjtën kohë, disa anëtarë, kanë vënë në dukje në të kaluarën se situata në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm që nga themelimi i misionit në vitin 1999.

    Ata në mbledhjen e kaluara kanë bërë thirrje gjithashtu për një rishikim strategjik të misionit, ndërsa Rusia pritet të kundërshtojë çdo modifikim të mandatit, stafit ose buxhetit të UNMIK-ut./Sinjali

  • Shtetasja gjermane dyshohet se vdiq në Malet e Sharrit nga hipotermia, i kishte ngecur këmba mes shkëmbinjve

    Shtetasja gjermane dyshohet se vdiq në Malet e Sharrit nga hipotermia, i kishte ngecur këmba mes shkëmbinjve

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka treguar se në shkëmbinjtë e Liqenit të Jazhnicës në Malet e Sharrit, vdiq një bjeshkatare gjermane.

    Ka treguar se kishte marrë thirrje të dielën nga një grup i bjeshkatarëve, që kishin thënë se kanë hasur në një trup që dyshohet se është i pajetë, në afërsi të shtegut kryesor në Liqenin e Jazhnicës në Malet e Sharit.

    SHKSHMK-ja ka njoftuar se është arritur të lokalizohet viktima.

    Shtetasja gjermane M.N. dyshohet se gjatë ecjes e vetmuar në atë zonë, aksidentalisht kishte ngecur në një çarje mes shkëmbinjve, ka njoftuar SHKSHMK-ja.
    Dyshohet se i kishte ngecur këmba dhe në pamundësi për të dalur dhe në pamundësi për të bërë thirrje për të kërkuar ndihmë, ka vdekur si pasojë e hipotermisë.

    “Sipas mekanizmit të aksidentit dyshohet se viktima shtetases gjermane M.N., gjatë ecjes malore e vetmuar në këtë zonë, aksidentalisht këmba i kishte ngecur në çarje në mes të shkëmbinjve dhe në pamundësi të daljes nga kjo situatë dhe thirrjes për ndihmë – pasi që zona nuk ka mbulueshmëri me rrjet telefonik – dyshohet të ketë pësuar me fatalitet nga kushtet atmosferike duke kaluar në hipotermi”, ka njoftuar SHKMSHK-ja.

    Operacioni i nxjerrjes së trupit zgjati 9 orë.

    “Në këtë operacion ka asistuar edhe një ekipi i Kërkim-Shpëtimit i Forcës së Sigurisë së Kosovës. I shprehim ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimës”.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar vdekjen e një shtetaseje të huaj në Shtërpcë.
    Trupi i saj thuhet se është gjetur të dielën.

    “Është raportuar se është gjetur një trup i pajetë i një femre shtetase të huaj. Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante dhe mjekësia ligjore”, thuhet në raportin 24-orësh.

    Për rastin ka shkruar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

    “Garda Kombëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas marrjes së informacioneve nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka angazhuar togun e Kërkim-Shpëtimit Malor në koordinim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale, ku me sukses ka përfunduar misionin sfidues tërheqjen e trupit të pajetë të një personi, afër Liqenit të Jazhnicës-Shterpcë, trupi i pajetë është dorëzuar autoriteteve për procedura të mëtejme”, ka njoftuar Forca e Sigurisë së Kosovës.

  • Kosova temë diskutimi në Këshillin e Sigurimit të OKB`së, nesër

    Kosova temë diskutimi në Këshillin e Sigurimit të OKB`së, nesër

    Këshilli i Sigurimit do të mblidhet për takimin e dytë të rregullt informues këtë vit mbi situatën në Kosovë.

    Zëvendës Përfaqësuesi Special dhe Zyrtari i Përgjegjshëm i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Milbert Dongjoon Shin, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un, i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 10 tetor dhe mbulon zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator.

    Serbia pritet të marrë pjesë sipas rregullit 37 të rregullores së përkohshme të procedurës së Këshillit, ndërsa Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) pritet të marrin pjesë sipas rregullit 39.

    Shin pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm.

    Ai mund të vërejë se është bërë pak përparim në zbatimin e marrëveshjeve të lehtësuara nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e shkurtit 2023 në rrugën drejt normalizimit (e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit), dhe se tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar të vazhdojnë.

  • Fatos Nano në gjendje të rëndë shëndetësore

    Fatos Nano në gjendje të rëndë shëndetësore

    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe themeluesi i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Sipas raportimit të A2 CNN, Nano pësoi një arrest kardiak në shtëpi para 10 ditësh. Aktualisht ai ndodhet në reanimacion, ndërsa ka pësuar dëmtime në tru si pasojë e ngjarjes.

    Fatos Nano është një nga figurat qendrore të tranzicionit politik në Shqipëri dhe kreu i parë i Partisë Socialiste, parti të cilën e themeloi pas shpërbërjes së Partisë së Punës.

    Gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet serioze.

  • Presidentja për qeverinë e re: Vonesa që po tenton Lista Serbe, dëmton interesat e të gjithë qytetarëve

    Presidentja për qeverinë e re: Vonesa që po tenton Lista Serbe, dëmton interesat e të gjithë qytetarëve

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është deklaruar me shqetësim mbi vonesat e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, për të cilat tha se janë vetëm në dëmtim të interesave të shtetit.

    Megjithatë ajo u shpreh se krijimi i qeverisë varet nga krijimi i koalicioneve politike, por thekson se vonesa që tenton Lista Serbe dëmton interesat e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, transmeton klankosova.

    ”Ka pasë vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve besoj që ky është tentim tjetër për vonesa që e kanë dëmtuar interesin e Kosovës është në interes të Kosovës që të kemi qeveri me mandat të plotë”.

    ”Krijimi i qeverisë varet nga krijimi i koalicioneve politike besoj mund t’i pyesni partitë deri ku kanë arritur në këtë çështje”.

    ”Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton jo vetëm interesat e Kosovës por të gjithë qytetarëve përfshirë edhe serbët që jetojnë në Kosovë”.

    ”Nuk mund të supozoj se cili mund të jetë vendimi final i Gjykatë Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe”.

  • LDK kritikon koalicionin e Xhafer Tahirit me VV-në: Veprim i papranueshëm

    LDK kritikon koalicionin e Xhafer Tahirit me VV-në: Veprim i papranueshëm

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk e autorizuar asnjë koalicion lokal, pas marrëveshjes së arritur të hënën midis Xhafer Tahirit dhe Sylejman Mehollit të Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion në Vushtrri.
    Në reagimin e partisë thuhet se veprimet e Tahirit janë individuale dhe të papranueshme.
    “Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse”, thuhet në reagim.
    Tutje është thënë se këto veprime do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale