ATV

Author: ATV

  • BE-së i dërgohet letër për heqjen e masave ndaj Kosovës

    BE-së i dërgohet letër për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Organizatat e shoqërisë civile nëpërmjet një letre të përbashkët i janë drejtuar Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, Presidentes së Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, Përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, rreth masave që Bashkimi Evropian nuk po ia heq Kosovës.

    Letër e hapur:

    Me respekt, ne organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të nënshkruara më poshtë, po ju drejtohemi me këtë letër për të kërkuar që Bashkimi Evropian të heqë masat e mbetura ndaj Kosovës. Përderisa e kuptojmë se Bashkimi Evropian ka pasur arsyet e veta për vendosjen e atyre që u përshkruan si masa të përkohshme dhe të kthyeshme, si organizata të shoqërisë civile të përkushtuara në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë, jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës.

    Më shumë se dy vjet më vonë, kemi parë se këto masa nuk rezultuan të jenë as të kthyeshme e as të përkohshme. Ato e kanë sfiduar, por jo edhe thyer, besimin dhe partneritetin që lidh Kosovën me Bashkimin Evropian dhe idealet e tij të parimeve, drejtësisë, solidaritetit dhe shpresës. Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit.

    Ne besojmë fuqimisht se heqja e plotë dhe përfundimtare e këtyre masave në këtë fazë është e përshtatshme dhe e nevojshme. Ndërsa tensionet janë ulur dhe pjesëmarrja politike është përmirësuar, situata në veri mbetet e ndërlikuar dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe ndërtim të besimit. Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale është një hap pozitiv drejt rikthimit të përfaqësimit dhe legjitimitetit. Sulmi terrorist në Banjskë dhe aktakuzat ndaj përgjegjësve shënuan një moment të rëndësishëm në përballjen me strukturat kriminale në veri. Këto zhvillime, megjithëse të brishta, nënvizojnë se llogaridhënia dhe dialogu janë thelbësorë për siguri dhe bashkëpunim të qëndrueshëm. Angazhimi konstruktiv dhe i balancuar i BE-së mbetet vendimtar për të ruajtur këtë përparim dhe për të mbështetur stabilitetin për të gjitha komunitetet.

    Si organizata të shoqërisë civile, jemi mirënjohëse që në maj të vitit 2025 Bashkimi Evropian filloi tërheqjen graduale të masave ndaj Kosovës, si dhe për vendimin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian për ta përfshirë Kosovën në iniciativën ECM, duke krijuar një hapësirë të re për përfaqësimin e zërit të qytetarëve në proceset evropiane. Besojmë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë nuk ekzistojnë më. Me rastin e krijimit të institucioneve të reja në nivel lokal, heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon.

    Prandaj, me respekt ju bëjmë thirrje që Bashkimi Evropian të shqyrtojë heqjen e plotë të masave të mbetura. Hapat e parë për t’i tërhequr ato janë dëshmuar të suksesshëm, dhe një rikthim i plotë në normalitet do të ndërtonte mbi momentumin pozitiv të krijuar me organizimin e zgjedhjeve lokale. Populli i Kosovës vazhdon të përballet me sfida, dhe heqja e këtyre masave do të ofronte optimizëm të ri për rrugën tonë evropiane. Jemi të bindur se udhëheqja juaj do të bashkojë të gjitha shtetet anëtare rreth së mirës së përbashkët të BE-së dhe Kosovës.

  • Numërohen 60% e votave të diasporës në Prishtinë, prin Çeku

    Numërohen 60% e votave të diasporës në Prishtinë, prin Çeku

    Janë numëruar 60% e votave me postë në komunën e Prishtinës.

    Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i VV-së për kryetar të kryeqytetit, Hajrulla Çeku udhëheq në votat e diasporës, me 54.88%.

    Derisa sipas rezultateve të përmbledhura, Rama zë vendin e parë me një dallim prej 634 votash ndaj Çekut.

  • Ka nisur shpërndarja e protezave të gjirit dhe sytjenave në Klinikën e Onkologjisë

    Ka nisur shpërndarja e protezave të gjirit dhe sytjenave në Klinikën e Onkologjisë

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se ka filluar shpërndarja e protezave të gjirit dhe sytjenave për pacientet në Klinikën e Onkologjisë.

    Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Muajit Rozë, që i dedikohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, dhe synon të ofrojë mbështetje për gratë që kanë kaluar përvoja me këtë sëmundje.

    Protezat dhe sytjenat janë dhuruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në bashkëpunim me Shoqatën “Jeta Vita”.

    Shpërndarja po bëhet në zyrën e fizioterapeutës së Klinikës së Onkologjisë dhe do të vazhdojë çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten, në orarin 08:00 – 10:00.

    Ky aktivitet simbolik dhe humanitar është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ofruar kujdes gjithëpërfshirës dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacienteve që përballen me kancerin e gjirit.

  • Humbja nga Kosova i la me pasoja, Suedia zyrtarisht emëron përzgjedhësin e ri​

    Humbja nga Kosova i la me pasoja, Suedia zyrtarisht emëron përzgjedhësin e ri​

    Graham Potter është zyrtarisht përzgjedhësi i ri i ekipit kombëtar të Suedisë. Objektivi i tij kryesor është të rikthejë ekipin në Kupën e Botës që do të zhvillohet në verën e vitit 2026.

    Emërimi i tij vjen pas fillimit zhgënjyes në kualifikueset e Botërorit, ku Suedia mori vetëm një pikë në katër ndeshje.

    Si pasojë, federata vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin e mëparshëm, Jon Dahl Tomasson pas humbjes së dytë nga Kosova 0-1.

    Potter do të marrë drejtimin e skuadrës nga e hëna, më 20 tetor. Marrëveshja e tij mbulon fazën aktuale kualifikuese dhe do të zgjatet automatikisht nëse Suedia arrin të kualifikohet në Kupën e Botës.

  • Për herë të parë shqiptarët fitojnë komunën që gjithmonë udhëhiqej nga maqedonasit

    Për herë të parë shqiptarët fitojnë komunën që gjithmonë udhëhiqej nga maqedonasit

    Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka shpallur fitore në Komunën e Çashkës, duke e cilësuar këtë rezultat si arritje historike, pasi për herë të parë kjo komunë do të menaxhohet nga një shqiptar.

    Kandidati fitues i Aleancës Kombëtare për Integrim është Suat Shaqiri, i cili do të shërbejë si kryetar i parë shqiptar në Çashkë.

    Ademi bëri të ditur gjithashtu se në Komunën e Studeniçanit, kandidatët e AKI-së do të përballen në balotazh me kandidatin e pavarur Azem Sadiku. Kandidati i AKI-së për Studeniçanin është Ejup Abazi.

  • Ja si do të duket përfaqësimi i partive politike në Kuvendin e Prishtinës

    Ja si do të duket përfaqësimi i partive politike në Kuvendin e Prishtinës

    Analisti në institutin GAP, Bekim Salihu ka shkruar në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve për Kuvendin e Prishtinës.

    Ai ka thënë se në këtë Kuvend, LDK do të ketë 15 ulëse, PDK 12 ulëse, VV do të ketë 10 ulëse, AAK 7, Feim Kupina 4 dhe Nisma, guxo dhe PSD nga një ulëse secila.

    Salihu ka thënë se bazuar në këto rezultate, është problem të krijohet një shumicë në këtë Kuvend Komunal.

    “Nëse fiton Përparim Rama, për të siguruar shumicën e thjeshtë në Kuvend, që nënkupton 26 vota, nuk i mjafton koalicioni me AAK-në dhe tri partitë e vogla (PSD, Guxo dhe Nisma). Pra, atij i duhet ose vota e Feim Kupinës, ose një koalicion me “elefantët” (PDK ose VV). LDK mund të llogarisë në një koalicion të lehtë me AAK-në, PSD-në dhe Nismën. Nëse fiton Hajrullah Çeku nga VV, edhe nëse i merr në koalicion Kupinën, AAK-në, Nismën, PSD-në dhe Guxon, prapëseprapë nuk e përbën shumicën e thjeshtë, gjë që nënkupton se për një qeverisje eventuale të VV-së në Prishtinë, do t’i duhej vota e PDK-së ose e LDK-së. VV, me këtë përbërje të Kuvendit Komunal, favorizohet nga Feim Kupina dhe lista Guxo”, ka shkruar Salihu.

  • Dyfishohen vdekjet nga alkooli në SHBA

    Dyfishohen vdekjet nga alkooli në SHBA

    Në SHBA, vdekjet që lidhen me alkoolin janë pothuajse dy herë më të zakonshme sot, sesa ishin 25 vjet më parë. Një analizë në shkallë të gjerë e të dhënave të mbledhura nga Sistemi Kombëtar i Statistikave Jetësore i CDC-së ka zbuluar një pamje shqetësuese të konsumit të alkoolit midis banorëve të SHBA-së.

    Që nga viti 1999, vdekjet e lidhura me alkoolin pothuajse janë dyfishuar, me një rritje të veçantë gjatë pandemisë COVID-19 dhe një rritje të konsiderueshme të vdekjeve midis grave të moshës 25 deri në 34 vjeç. Detajet e analizës u botuan në “PLOS Global Public Health”.

    Studiuesit u përqendruan në 14 shkaqe vdekjeje që lidhen me konsumin e alkoolit, duke përfshirë sëmundjen e mëlçisë të shoqëruar me alkoolin (ALD ), çrregullimet mendore dhe të sjelljes si sindroma e tërheqjes nga alkooli dhe psikoza, si dhe dehja.

    Analiza zbuloi se midis viteve 1999 dhe 2024, vdekjet e lidhura me alkoolin në Shtetet e Bashkuara u rritën me 89%. Shumica e vdekjeve ishin për shkak të ALD dhe në një masë më të vogël, çrregullimeve mendore dhe të sjelljes.

    Kulmi më i lartë u regjistrua në vitin 2021, kur vdiqën mbi 54,000 amerikanë. Në atë kohë, ne po përjetonim izolime të ashpra për shkak të pandemisë COVID, dhe shumë njerëz që vuanin nga çrregullime të përdorimit të alkoolit kishin vështirësi në aksesin në trajtim. Në vitin 2024, numri i të vdekurve ra, por ishte ende rreth 25% më i lartë se periudha para pandemisë.

    Popullatat më të prekura të SHBA-së ishin amerikanët vendas kontinentalë dhe amerikanët vendas të Alaskës të quajtur AIAN. Vdekshmëria e lidhur me alkoolin tek burrat AIAN ishte tre herë më e lartë se ajo e burrave të bardhë dhe tek gratë AIAN katër herë më e lartë se ajo e grave të bardha.

    Një grup tjetër i synuar nga rritja e vdekjeve është ai i grave të moshës 25 deri në 34 vjeç. Në këtë rast, vdekjet e lidhura me alkoolin parashikohet të jenë rritur nga 0.9/100,000 në vitin 1999 në 3.2/100,000 në vitin 2024 – një rritje prej 255%. Vdekjet e lidhura me alkoolin tek burrat në të njëjtin grupmoshë janë rritur gjithashtu, nga 2.3/100,000 në vitin 1999 në 6.5/100,000 në vitin 2024 (një rritje prej 188%).

    Edhe pse të frikshme, këto shifra ka të ngjarë të jenë nënvlerësuar, pasi analiza nuk mori parasysh vdekjet që lidhen me sëmundjet kronike të shkaktuara nga konsumimi i alkoolit, siç janë disa lloje kanceri ose kardiovaskulare.

  • Zelensky i hapur për takim në Budapest me Trump dhe Putin

    Zelensky i hapur për takim në Budapest me Trump dhe Putin

    Trump dhe Putin do të takohen në kryeqytetin hungarez për samitin e tyre të dytë

    Volodymyr Zelensky siguroi se ishte gati të bashkohej me takimin e planifikuar së shpejti në Budapest midis homologëve të tij amerikanë dhe rusë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, nëse merrte një ftesë për këtë qëllim.

    Këta të fundit do të takohen në kryeqytetin hungarez për samitin e tyre të dytë që synon të gjejë një rrugëdalje nga lufta në Ukrainë.

    Volodymyr Zelensky, nga ana e tij, kthehet nga një vizitë në Washington të premten, gjatë së cilës nuk arriti të bindë presidentin amerikan të dërgojë raketat Tomahawk në Kiev.

    “Nëse ftohem në Budapest, nëse është një ftesë në formën e një takimi trepalësh, ose siç quhet ndryshe, një diplomaci udhëtuese, ku Presidenti Trump takohet me Putinin dhe Presidenti Trump takohet me mua, atëherë në një formë ose në një tjetër do të arrijmë një marrëveshje”, tha Volodymyr Zelensky në një konferencë për shtyp.

    Megjithatë, ai ndjeu se Budapesti nuk është “vendi më i mirë për këtë takim”.

    Një aleat i ngushtë i Donald Trump brenda Bashkimit Evropian, kryeministri hungarez Viktor Orban mbeti pajtues me Vladimir Putinin pavarësisht pushtimit të Ukrainës dhe, përkundrazi, ishte shumë kritik ndaj Volodymyr Zelensky-it.

    Sipas Zelensky-it, kushtet e Rusisë për arritjen e paqes mbeten të pandryshuara, duke përfshirë tërheqjen e forcave ukrainase nga i gjithë Donbasi, një rajon industrial në Ukrainën lindore që Moska dëshiron ta aneksojë.

    Ai tha se u shpjegoi bashkëbiseduesve të tij amerikanë gjatë vizitës së tij në Washington se “qëndrimi i Ukrainës nuk kishte ndryshuar”, domethënë, ajo i hodhi poshtë kushtet ruse.

    “Ne nuk do t’u japim fitoren rusëve”, këmbënguli ai.

  • Përfundon numërimi i votave, VLEN fiton 9 komuna në Maqedoninë e Veriut / Ja kur mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve

    Përfundon numërimi i votave, VLEN fiton 9 komuna në Maqedoninë e Veriut / Ja kur mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve

    Ka përfunduar pothuajse plotësisht procesi i numërimit të votave, në 3,472 nga gjithsej 3,474 qendra votimi, duke arritur në 99.94% të votave të përpunuara, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

    Rezultatet paraprake tregojnë një fitore të thellë për VMRO–DPMNE, që ka siguruar 34 komuna, në 19 komuna kryeson në balotazh. Partia shqiptare VLEN mori 5 komuna, ndërsa 4 në balotazh.

    Në këto zgjedhje, për t’u zgjedhur kryetar komune në raundin e parë, kandidati duhet të marrë mbi 50% të votave. Në rast se kjo shifër nuk arrihet, raundi i dytë do të zhvillohet më 2 nëntor, mes dy kandidatëve me më shumë vota nga raundi i parë.

    Procesi zgjedhor u mbajt në 3,474 qendra votimi në mbarë vendin, me 1,832,415 qytetarë të regjistruar me të drejtë vote.

  • Tërmet në Shqipëri

    Tërmet në Shqipëri

    Pak pas mesnatës, dy lëkundje tërmeti me magnitudë 3,9 dhe 4 të shkallës Rihter, janë regjistruar në Jug të Shqipërisë, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).

    Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete të vendit, përfshirë Elbasanin, Beratin dhe zonat përreth Skraparit.

    Sipas EMSC-së, tërmetet kanë ndodhur në orën 00:58 dhe 00:59, me epiqendër rreth 16 kilometra në jugperëndim të Çorovodës dhe 77 kilometra në jug të Elbasanit.