ATV

Author: ATV

  • Kina vendos rregulla të reja për influencuesit, gjoba për ata që flasin për tema profesionale pa diplomë

    Kina vendos rregulla të reja për influencuesit, gjoba për ata që flasin për tema profesionale pa diplomë

    Qeveria kineze ka miratuar rregulla të reja që prekin influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjeve në rrjetet sociale, duke kërkuar që ata që trajtojnë tema si mjekësia, ligji, financat, arsimi apo shëndetësia të kenë diploma ose kualifikime përkatëse.

    Sipas njoftimit, platformat si Douyin (versioni kinez i TikTok-ut) dhe Weibo do të kenë detyrimin të verifikojnë këto kredenciale.

    Në rast shkeljesh, dënimet mund të arrijnë deri në 100,000 juanë (rreth 13,000 euro), përfshirë pezullimin ose mbylljen e llogarisë.

    Autoritetet thonë se qëllimi është të luftohet dezinformimi online dhe të rritet cilësia e përmbajtjes, por masa ka shkaktuar debat të gjerë në rrjetet sociale, mes atyre që e konsiderojnë të nevojshme dhe atyre që paralajmërojnë për kufizime të reja të lirisë së shprehjes.

  • Pacientja në Britani luan klarinetë gjatë operacionit në tru për trajtimin e Parkinsonit

    Pacientja në Britani luan klarinetë gjatë operacionit në tru për trajtimin e Parkinsonit

    Një grua 65-vjeçare në Britaninë e Madhe ka luajtur klarinetë gjatë një operacioni në tru, ndërsa mjekët po kryenin një ndërhyrje për të lehtësuar simptomat e sëmundjes së Parkinsonit.

    Denise Bacon, e diagnostikuar me Parkinson në vitin 2014, kishte vështirësi në lëvizje, ngurtësi muskulare dhe probleme në ecje e koordinim, që i pengonin edhe aktivitetet e përditshme si noti, vallëzimi dhe të luajturit klarinetë, shkruan Euronews.

    Për të përmirësuar gjendjen e saj, ajo iu nënshtrua një procedure të quajtur stimulim i thellë i trurit (DBS) në King’s College Hospital në Londër.

    Gjatë operacionit katërorësh, mjekët vendosën elektroda në pjesë të caktuara të trurit, ndërsa Bacon qëndroi zgjuar dhe luajti klarinetë për t’i ndihmuar mjekët të përcaktonin saktësisht zonat që kontrollonin lëvizjen.

    Sipas profesor Keyoumars Ashkan, neurokirurgu që kreu operacionin, rezultatet u panë menjëherë në sallë. “Sapo u aktivizua stimulimi, përmirësimi ishte i menjëhershëm,” tha ai.

    Pas ndërhyrjes, Bacon raportoi se kishte rifituar lëvizshmërinë e dorës së djathtë dhe ndihmohej më mirë për të luajtur instrumentin. “Tani mund të lëviz më lirshëm, të eci më mirë dhe mezi pres të kthehem në not e vallëzim,” tha ajo.

    Stimuluesi që ajo mban tani në trup dërgon impulse të vazhdueshme elektrike në tru, duke ndihmuar në kontrollin e simptomave të Parkinsonit. Pajisja, e ngjashme me një stimulues zemre, ka bateri që mund të zgjasë deri në 20 vjet.

  • OpenAI lanson shfletuesin ChatGPT Atlas

    OpenAI lanson shfletuesin ChatGPT Atlas

    OpenAI ka prezantuar ChatGPT Atlas, një web shfletues të ri i ndërtuar me ChatGPT në thelb. Ky shfletues integron inteligjencën artificiale drejtpërdrejt në përvojën e përdoruesit, duke e rindërtuar mënyrën si përdorim internetin. Me Atlas, ChatGPT shoqëron përdoruesin në çdo faqe, ku e kupton qëllimin e tyre dhe kryen detyra pa shkëputur përdoruesin nga faqja në shfletim.
    Në mënyrë të veçantë, ChatGPT Atlas ka kujtesë të integruar që mban në mend bisedat dhe informacionet e mëparshme për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të përdoruesit. Përdoruesi mund të kërkojë nga ChatGPT të gjejë, për shembull, të gjitha ofertat e punës që ka parë javën e kaluar dhe të bëjë një përmbledhje të trendeve të industrisë për t’u përgatitur për intervista.
    Shfletuesi prezanton një modalitet të agentit ku ChatGPT mund të kryejë automatikisht detyra të tilla si kërkime, analizime, planifikim eventi ose rezervime. Ky modalitet është në dispozicion për përdoruesit me abonime Plus, Pro dhe Business. Përdoruesit kanë kontroll të plotë mbi ato që ChatGPT mund të shohë dhe kujtojë gjatë shfletimit, me mundësi për të fshirë kujtesën në çdo kohë apo për të përdorur modalitetin incognito.
    Ndër veçoritë kryesore të Atlas janë:
    – Sidebar me ChatGPT në çdo tab, që ofron shpjegime, përmbledhje dhe ndihmë praktike.
    – Kujtesa kontekstuale për të mbajtur informacion mbi faqet e vizituara.
    – Automatizim të detyrave si mbushja e formave apo përpilimi i email-eve.
    – Kontroll privatësie të avancuar dhe opsione për filtrimin e përmbajtjes së parë nga AI.
    – Mundësi për komandë me gjuhë natyrale dhe integrim me aplikacionet ChatGPT.
    ChatGPT Atlas është i disponueshëm që sot për përdoruesit e macOS në të gjitha nivelet: Free, Plus, Pro, Go dhe Beta për Business, Enterprise dhe Edu. Versionet për Windows, iOS dhe Android janë në zhvillim dhe do të dalin së shpejti.
    Ky shfletues konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një asistenti super inteligjent në shfletimin web, që ndihmon përdoruesit të punojnë më shpejt dhe më efektivisht duke përdorur AI-në si një pjesë të pandashme të përvojës së tyre në internet.
    Duhet të theksohet se ChatGPT Atlas nuk është web shfletuesi i parë me Inteligjencën Artificiale të integruar.
    Këtu janë web shfletuesit kryesorë që tashmë ekzistojnë në internet me Inteligjencë Artificiale të integruar në vitin 2025:
    – Perplexity Comet: Shfletues i fokusuar në kërkim inteligjent dhe sintezë njohurish me mjetet AI për analizë dhe automatikë detyrash bazuar në kërkime dhe përmbledhje kontekstuale.
    – Dia Browser: Shfletues me AI që ofron biseda me tab-et, asistencë inline për shkrim, planifikim, dhe blerje, si dhe automatizim të detyrave pa kodim.
    – Fellou.ai: Browser agjentik për kërkime të thelluara dhe automatizim reportesh, i dizajnuar për përdorues me nevoja të analizës së të dhënave dhe produktivitetit.
    – Opera One: Shfletues me sidebar modular AI, asistencë në kohë reale dhe menaxhim të avancuar tab-esh për përdorues të zakonshëm dhe krijues.
    – Arc Browser: Përqendruar te krijimtaria dhe produktiviteti me mjetet AI për organizimin e projekteve dhe pastrimin e përmbajtjes.
    – Brave me Leo AI: Fokusuar tek privatësia me asistencë AI në pajisje, pa dërguar të dhëna në serverë të jashtëm.
    – Sigma AI Browser: Për përdorues që kërkojnë mbrojtje private dhe krijim përmbajtjesh me AI dhe përmbledhje faqesh.
    – Genspark AI Browser: Automatikë kërkimesh dhe asistencë për detyra të përsëritura në web, për studentë dhe hulumtues.
    – Browserbase: Shfletues për zhvillues që krijojnë AI agjent për automatizim shfletimi dhe ndërveprime në shkallë.
    – Opera Neon, Quetta Browser, Poly dhe disa të tjerë me fokus të ndryshëm në cilësitë e AI, veçanërisht në automatizimin e detyrave dhe privatësinë.
    Këta shfletues janë shembuj të avancimit të teknologjisë së shfletimit me AI, ku çdo produkt fokusohet në një aspekt unik, si automatikë detytrash, mbrojtje privatësie, asistencë kreative, ose kërkime inteligjente.

  • Anulohen seancat e javës së ardhshme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Anulohen seancat e javës së ardhshme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë anuluar seancat e planifikuara për javën e ardhshme në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas njoftimit të “Betimi për Drejtësi”, seancat e datave 27, 28, 29 dhe 30 tetor 2025 nuk do të zhvillohen, ndërsa gjykimi do të vazhdojë më 3 nëntor. Ndërkohë, janë shtuar seanca shtesë për periudhën 17 nëntor – 11 dhjetor 2025.

    Nga ana tjetër, mbrojtja e Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj – 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174. Po ashtu, është bërë e ditur se autorizimi për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar për shkak të mbylljes së përkohshme të Qeverisë së SHBA-së, por pritet që ky dëshmitar të jetë i fundit që do të paraqitet nga mbrojtja.

    Procesi i mbrojtjes ka nisur më 15 shtator 2025 me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, e më pas kanë dëshmuar edhe Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey.

    Më 14 shtator u mbajt një protestë e madhe në Hagë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat e viktimave pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor.

    Në prill të këtij viti, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave të saj, ndërsa aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, e konfirmuar më 26 tetor 2020, ngarkon ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në disa lokacione në Kosovë.

  • Një shqiptar nga Lugina kapet duke kontrabanduar 5 kinezë në Kosovë, ja si kishin hyrë nga Serbia

    Një shqiptar nga Lugina kapet duke kontrabanduar 5 kinezë në Kosovë, ja si kishin hyrë nga Serbia

    Një ngjarje e pazakontë është shënuar mbrëmjen e 21 tetorit në afërsi të fshatit Seqishtë, komuna e Hanit të Elezit, ku njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës (kufitare) ndaluan gjashtë persona që po lëviznin në këmbë, në mënyrë ilegale, në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

    Sipas Indeksonline, pesë prej tyre ishin shtetas të huaj nga Kina, ndërsa i gjashti, një i mitur nga Presheva dhe ai dyshohet se ishte udhërrëfyesi i tyre.

    Grupi po kalonte nëpër rrugë ilegale pranë vijës hekurudhore, me qëllim hyrjen në territorin e Maqedonisë së Veriut, pasi kishin kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë.

    Burimet bëjnë të ditur se personi i arrestuar është F.R., nga fshati Corroticë e Preshevës. Ndaj tij është iniciuar rast për “kontrabandim me migrantë” dhe “kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë.

    Ai është intervistuar në prani të avokatit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, dhe ndodhet aktualisht në Qendrën e Ndalimit në Viti.

    Pesë shtetasit kinezë janë: Xixo Guoshun, Pan Zhiwei, Zeng Weixiang, Liu Hong dhe Liu Haying. Tw njwjtit janë deportuar për në Serbi. Sipas autoriteteve, ata posedonin vula hyrëse dhe dokumentacion që dëshmonte se kishin qëndruar më parë në një hotel në Serbi.

    Rasti është duke u trajtuar nga institucionet kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.

  • Sekuestrohen 2.2 kg kokainë dhe 13 mijë euro te dy persona që tentuan t’i iknin Policisë

    Sekuestrohen 2.2 kg kokainë dhe 13 mijë euro te dy persona që tentuan t’i iknin Policisë

    Të paktën dy persona janë arrestuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë së Kosovës në Prishtinë gjatë një kontrolli rutinor të zhvilluar më 21 tetor 2025, ku njëri prej tyre tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe sulmoi zyrtarët policorë.

    Gjatë ndërhyrjes, autoritetet kanë sekuestruar mbi 2.2 kilogramë kokainë dhe një shumë të konsiderueshme parash.

    Ngjarja ka ndodhur në një pikë të rregullt kontrolli në Prishtinë, ku policia ndaloi një veturë me targa të huaja. Në automjet ndodheshin dy persona: drejtuesi i dyshuar, një shtetas kosovar, dhe pasagjeri, një shtetas i huaj.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë përpjekjes për të kryer kontrollin rutinor, pasagjeri – shtetas i huaj – tentoi të largohej me forcë nga vendi i ngjarjes.

    Ai u ndalua menjëherë falë reagimit të shpejtë dhe profesional të policisë, por gjatë ndalimit ka rezistuar në mënyrë agresive, duke sulmuar zyrtarët policorë.

    “Gjatë arrestimit të tij, janë gjetur dhe sekuestruar dy paketime të mbështjella me pluhur të bardhë, të dyshuara si kokainë, me peshë totale prej 2,270.6 gramësh (mbi 2.2 kilogramë). Përveç substancës narkotike, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar: 12,550 euro para të gatshme, 1,000 euro të tjera në posedim të të dyshuarve, një telefon mobil”, thuhet në njoftim.

    Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Kurti i ofron Britanisë ndërtimin e qendrave për azilkërkuesit në këmbim të mbështetjes për siguri

    Kurti i ofron Britanisë ndërtimin e qendrave për azilkërkuesit në këmbim të mbështetjes për siguri

    Kosova është bërë vendi i parë që ka konfirmuar publikisht se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Britania.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova “dëshiron të ndihmojë” Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.

    Në prag të samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të mërkurën në Londër, Kurti konfirmoi se po zhvillohen bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje.

    “Ne duam ta ndihmojmë Britaninë. E shohim këtë si detyrim miqësor dhe politik. Edhe pse kemi kapacitete të kufizuara, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, ka thënë ai për gazetën “The Times” të martën.

    Tri shtete të tjera të rajonit — Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina — kanë refuzuar ofertën britanike për ngritjen e qendrave të tilla. Kryeministri shqiptar Edi Rama përsëriti se “asnjëherë në Shqipëri” nuk do të pranohej një marrëveshje e tillë, ndërsa homologu malazez Milojko Spajiq u shpreh se Mali i Zi nuk është pjesë e rrugës së kontrabandës së emigrantëve në Ballkan.

    Britania po kërkon partnerë në rajon si pjesë e përpjekjeve për të frenuar kalimet e paligjshme përmes Kanalit të La Manche, ku këtë vit janë regjistruar rreth 37 mijë emigrantë, një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

  • Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga BE-ja për shkak të bllokimit politik

    Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga BE-ja për shkak të bllokimit politik

    Kosova rrezikon të mbetet pa fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa 61 milionë euro të parafinancimit tashmë janë humbur për shkak të bllokimit institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Njohësit e integrimeve evropiane paralajmërojnë se zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re po e dëmton seriozisht qasjen e vendit në fondet e BE-së, të cilat synojnë të mbështesin reformat ekonomike, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin në rajon.

    Nga paketa prej 6 miliardë eurosh e Planit të Rritjes, që mbulon periudhën 2024–2027, Kosovës i janë ndarë rreth 880 milionë euro – 250 milionë prej të cilave në formë grantesh pa kthim. Por, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, fondet mbeten të bllokuara, ndonëse vendi e kishte miratuar ndër të parat agjendën e reformave.

    “Ky bllokim dërgon një sinjal negativ në Bruksel, ku frustrimi ndaj elitës politike kosovare po rritet”, tha për Radion Evropa e Lirë Donika Emini nga BiEPAG (Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit).

    Ekspertët theksojnë se nëse Kosova nuk e nis zbatimin e reformave brenda afateve të planifikuara, BE-ja mund t’i rishpërndajë fondet për vendet që kanë avancuar më shpejt. “Pamundësia për t’i tërhequr fondet nënkupton edhe pamundësi për të zbatuar reformat”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Ndërkohë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së vlerësohen si më të ulëtat në dekadën e fundit. Zyrtarët evropianë kanë pezulluar takimet brenda ndërtesës së Qeverisë deri në formimin e një ekzekutivi me mandat të plotë, ndërsa vendi mbetet nën masat ndëshkuese të BE-së të vendosura që nga qershori 2023.

    Sipas ekspertëve, nëse kriza politike zgjat apo çon në zgjedhje të reja, Kosova rrezikon jo vetëm të humbasë fondet e BE-së, por edhe të thellojë hendekun në raportet me Brukselin.

  • Agron Nesho: Ka ardhur koha të shuhet UNMIK-u në Kosovë – Rezoluta 1244 s’mund të mbahet peng nga Rusia

    Agron Nesho: Ka ardhur koha të shuhet UNMIK-u në Kosovë – Rezoluta 1244 s’mund të mbahet peng nga Rusia

    Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Agron Nesho ka deklaruar se ka ardhur koha që misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) të shuhet, pasi ekzistenca e tij është kthyer në një anomali politike që nuk pasqyron më realitetin e shtetit të pavarur të Kosovës.
    Në një intervistë dhënë për emisionin “Compass” në ATV, Nesho theksoi se “çelësi për mbylljen e UNMIK-ut është Rezoluta 1244”, dokumenti mbi të cilin bazohet ende prania e këtij misioni në Kosovë.
    “Sipas procedurave të OKB-së, një mision shuhet kur bie rezoluta që e mban në këmbë. Në rastin e Kosovës, kjo është 1244-a. Por për shkak të interesave të ngushta të Rusisë, e cila vazhdon të mbrojë Serbinë, kjo rezolutë mbahet ende artificialisht gjallë,” tha Nesho.
    Ai shtoi se, meqë Kosova është tashmë një shtet i pavarur dhe funksional, i njohur nga mbi 100 vende, ekzistenca e UNMIK-ut nuk ka më asnjë justifikim real.
    “Me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, bie vetvetiu edhe rezoluta, dhe misioni që e mbart atë. Por kjo vonohet për shkak të bllokadës ruse në Këshillin e Sigurimit,” tha më tej Nesho.
    Në sfond të kësaj çështjeje, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është zhvilluar së fundmi një debat i tensionuar midis Kosovës dhe Serbisë. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, akuzoi Serbinë për kërcënime ndaj rajonit dhe mosdorëzimin e autorëve të sulmit në Banjskë, ndërsa përfaqësuesit serbë e akuzuan Prishtinën për presion ndaj serbëve të Kosovës.
    Sipas Neshos, edhe qëndrimet e Kinës dhe Rusisë në këtë debat treguan se të dyja vendet po përdorin çështjen e Kosovës për interesa të tyre strategjike.
    “Kina e mbështet Serbinë për shkak të lidhjeve ekonomike dhe ushtarake, ndërsa Rusia e përdor Kosovën si instrument për të sfiduar Perëndimin,” shtoi ai.
    Megjithatë, Nesho theksoi se realiteti politik është i qartë: “Kosova është shtet i lirë, demokratik dhe funksional – dhe prania e UNMIK-ut është një relike e së kaluarës që duhet të marrë fund.”

  • Verifikimi i pensionistëve: mbi 80 vjeç ose me probleme shëndetësore, ekipi mobil shkon në shtëpi

    Verifikimi i pensionistëve: mbi 80 vjeç ose me probleme shëndetësore, ekipi mobil shkon në shtëpi

    Ministria e Financave, Punës, ka njfotuar se pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimi.

    Ministria ka publikuar edhe numrat e telefonit në gjashtë qytete, ku mund të thirren ekipet mobile.

    Më poshtë lexoni të plotë njoftimin e Ministrisë:

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sqaron për opinionin publik se tashmë ekzistojnë ekipet mobile që vizitojnë në shtëpi pensionistët që duhet të lajmërohen çdo gjashtë (6) muaj, por e kanë të pamundur ta bëjnë këtë në zyrat e pensioneve për shkak të arsyeve shëndetësore.
    Që nga muaji gusht 2023, Ministria ka lansuar projektin e lajmërimit në shtëpi të pensionistëve, përmes ekipeve mobile që vizitojnë pensionistët në adresën e tyre të banimit.

    Me qëllim të lehtësimit të procedurave, pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimit.

    Kërkesën mund ta bëjë vetë pensionisti dikush nga familjarët, mjafton të ofrohen të dhënat e sakta të pensionistit dhe arsyet e kërkesës.
    Ekipet mobile punojnë 7 ditë në javë, për të siguruar që të gjitha familjet të vizitohen në kohë dhe në mënyrë të rregullt.

    Pensionistët apo anëtarët e tyre të familjes mund të dërgojnë kërkesat për lajmërim në këto adresa elektronike ose numra telefoni, varësisht nga rajoni:

    Prishtinë – [email protected] | 038 213 268

    Pejë – [email protected] | 039 431 217

    Gjakovë – [email protected] | 039 326 999

    Gjilan – [email protected] | 028 324 555

    Ferizaj – [email protected] | 0290 320 403

    Mitrovicë – [email protected] | 028 533 010

    MFPT mbetet e përkushtuar që pensionistët të mos përballen me vështirësi gjatë procesit të lajmërimit dhe që shërbimet tona të jenë sa më afër qytetarëve.