ATV

Author: N.T.

  • Osmani, Kaçuri dhe Avdyli flasin për herë të parë si lojtarë të Kombëtares A të Kosovës

    Osmani, Kaçuri dhe Avdyli flasin për herë të parë si lojtarë të Kombëtares A të Kosovës

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë tri emra të rinj në grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.

    Erblin Osmani, Dion Kaçuri dhe Milot Avdyli janë ftuar për herë të parë në Kombëtaren A, duke bërë hapin e radhës në karrierën e tyre dhe duke iu bashkuar grupit të përzgjedhësit Franco Foda.

    Tre futbollistët kanë folur për emocionet e tyre përmes një videoje të publikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, duke treguar se çfarë do të thotë për ta veshja e fanellës së Dardanëve.

    Osmani ka premtuar angazhim maksimal në këtë kapitull të ri, duke theksuar se do të japë gjithçka për fanellën e Kosovës.

    Edhe Kaçuri nuk e ka fshehur emocionin për ftesën e parë. Ai është shprehur i lumtur dhe krenar që i është dhënë mundësia të jetë pjesë e Kombëtares A, ndërsa ka premtuar përkushtim maksimal në çdo ditë me Dardanët.

    “Do të jap maksimumin çdo ditë për këtë fanellë. Forca Kosova!”, ka thënë Kaçuri.

    Për Avdylin, kjo ftesë ka një domethënie të veçantë. Ai e ka cilësuar grumbullimin me Kombëtaren A si realizim të një ëndrre, duke kujtuar rrugëtimin e tij nga grupmoshat e Kosovës deri te ekipi i parë.

    “Ëndërr e realizuar, zemra plot krenari. Tash gjithçka për Kosovën”, është shprehur Avdyli.

    Me këto tri prurje, Kombëtarja e Kosovës po i jep mundësi një brezi të ri futbollistësh të provojnë veten në nivelin më të lartë, ndërsa për Osmanin, Kaçurin dhe Avdylin nis një kapitull i ri me fanellën e Dardanëve.

  • Kosovë – Irlandë, gjyqtarët belgë në krye të sfidës në “Fadil Vokrri”

    Kosovë – Irlandë, gjyqtarët belgë në krye të sfidës në “Fadil Vokrri”

    Kosova të enjten do ta nisë aventurën e re në Ligën e Kombeve, me “Dardanët” që në stadiumin “Fadil Vokrri” do të presin Irlandën. Ndeshja është programuar të nisë në ora 20:45.

    UEFA ka vendosur që kjo përballje të drejtohet nga një ekip tërësisht belg, me Lawrence Visserin të caktuar si gjyqtar kryesor.

    Për Visserin nuk është hera e parë që arbitron një ndeshje të Kosovës. Gjyqtari belg e kishte drejtuar edhe takimin Kosovë – Ishujt Faroe në Ligën e Kombeve 2018/19, të zhvilluar në të njëjtin stadium.

    Atëherë, Kosova kishte triumfuar 2-0 ndaj Ishujve Faroe.

    Në sfidën e së enjtes, Visser do të asistohet nga Ruben Wyns dhe Michele Seeldraeyers, ndërsa Kevin Van Damme do të jetë gjyqtari i katërt.

    Edhe ekipi i VAR-it do të jetë belg. Jan Boterberg do të jetë përgjegjës për VAR-in, me Simon Bourdeaud’hui si ndihmës i tij.

    Kështu, UEFA ka caktuar një ekip tërësisht belg për të drejtuar sfidën e parë të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

  • Messi konfirmon ndeshjen e fundit me Argjentinën: Një fanellë për gjithë jetën

    Messi konfirmon ndeshjen e fundit me Argjentinën: Një fanellë për gjithë jetën

    Lionel Messi do ta zhvillojë ndeshjen e 208-të dhe të fundit me fanellën e Argjentinës më 30 shtator, kur kampionët e botës do të përballen me Bolivinë në një ndeshje miqësore.

    39-vjeçari ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për këtë takim, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur në mënyrë simbolike përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

    Në video, Messi heq fanellën që kishte veshur dhe vendos atë që do ta përdorë në përballjen ndaj Bolivisë, duke shoqëruar pamjet me një mesazh emocionues:

    “Një ndeshje e fundit… Një fanellë për gjithë jetën.”

    Kjo do të jetë paraqitja e 208-të e Messit me Argjentinën, me yllin e futbollit që deri tani ka realizuar 125 gola dhe ka dhënë 68 asistime.

    Me kombëtaren, Messi ka fituar tre trofe madhorë: Kupën e Botës në vitin 2022 dhe dy herë Copa América.

    Ndeshja ndaj Bolivisë pritet të shënojë fundin e një epoke për Argjentinën, me kapitenin legjendar që do t’i japë fund aventurës së tij ndërkombëtare pas një karriere historike me fanellën “Albiceleste”.

  • Formula 1 ndryshon distancën e garave nga viti 2027

    Formula 1 ndryshon distancën e garave nga viti 2027

    Garat e Formula 1 do të jenë më të shkurtra duke nisur nga sezoni 2027, si pjesë e ndryshimeve të planifikuara për njësitë e reja të fuqisë dhe rritjes së rrjedhës së karburantit.

    Komisioni i Formula 1 ka miratuar propozimin për uljen e distancës standarde minimale të garave nga 305 në 290 kilometra. Në varësi të karakteristikave të pistës, kjo do të përkthehet në rreth dy deri në tri xhiro më pak.

    Ndryshimi vjen në kuadër të rregullave të reja teknike që do të hyjnë në fuqi në vitin 2027. FIA synon të rrisë rolin e motorit me djegie të brendshme, duke ndryshuar raportin mes komponentit termik dhe atij elektrik të njësisë së fuqisë.

    Sipas konfigurimit të ri, motori V6 do të arrijë një fuqi prej 420 kW, ndërsa fuqia maksimale e sistemit elektrik MGU-K do të ulet në 300 kW. Gjatë modalitetit të parakalimit, megjithatë, MGU-K do të mund të arrijë deri në 350 kW.

    Për të mbështetur rritjen e fuqisë së motorit me djegie të brendshme, rrjedha e karburantit do të rritet me rreth pesë për qind.

    Si rezultat, në vitin 2027 raporti i fuqisë do të jetë 58:42 në favor të motorit me djegie të brendshme, ndërsa një vit më vonë pritet të shkojë në 60:40.

    Një nga arsyet kryesore për shkurtimin e garave është shmangia e rritjes së kapacitetit të rezervuarit të karburantit. Një rezervuar më i madh do të sillte edhe rritje të peshës së makinave, ndaj është zgjedhur alternativa e reduktimit të distancës së garës.

    Formula 1 Grand Prix de Monaco do të mbetet jashtë këtij ndryshimi, pasi gara në Monte Carlo ka tashmë një distancë më të shkurtër dhe rregulla specifike.

    Vendimi i Komisionit të F1 duhet të marrë ende miratimin formal nga Këshilli Botëror i Sportit Motorik i FIA-s. Nëse miratimi final jepet, ndryshimet do të zbatohen duke nisur nga sezoni 2027.

  • Erblin Osmani: Gjithmonë kam dashur të luaj për Kosovën, jam krenar për këtë mundësi

    Erblin Osmani: Gjithmonë kam dashur të luaj për Kosovën, jam krenar për këtë mundësi

    Mesfushori i talentuar, Erblin Osmani, ka shprehur emocionet e tij pas grumbullimit me Përfaqësuesen e Kosovës, duke theksuar se përfaqësimi i “Dardanëve” ka qenë një dëshirë e kahershme e tij.

    17-vjeçari, i cili është pjesë e Bayern Munichut, ka marrë ftesën nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve.

    Pas mbërritjes në Prishtinë, Osmani foli për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke treguar se sa shumë do të thotë për të kjo ftesë.

    “Kam dashur gjithmonë të luaj për Kosovën. Jam shumë krenar që kam mundësinë të luaj dhe ta përfaqësoj këtë shtet”, u shpreh Osmani.

    Ai ka edhe një synim të qartë me Përfaqësuesen e Kosovës, duke besuar se skuadra ka potencial për të arritur rezultate të mëdha.

    “Ishalla kemi me arrit shumë lart me Kosovën. Ka shumë potencial për me arrit shumë”, deklaroi talenti i Bayern Munichut.

    Osmani nuk la pa falënderuar përzgjedhësin Franco Foda, presidentin e FFK-së, Agim Ademin, si dhe gjithë stafin për ftesën dhe pritjen që i është bërë.

    “Falënderoj Franco Fodën, Agim Ademin dhe tërë stafin që më kanë dërguar ftesë dhe që më kanë pritur kaq mirë. Falënderoj edhe Bayern Munichun që më ka ndihmuar të arrij deri në këtë pikë”, tha ai.

  • Donjeta Sadiku nis me fitore të fuqishme aventurën në “Sofje 2026”

    Donjeta Sadiku nis me fitore të fuqishme aventurën në “Sofje 2026”

    Donjeta Sadiku e ka nisur me këmbë të mbarë Kampionatin Evropian të Boksit “Sofje 2026”, duke regjistruar një fitore të pastër dhe bindëse në Bullgari.

    Boksierja kosovare triumfoi me rezultat 5:0 ndaj ruses Alina Pushkar, në kategorinë deri në 60 kilogramë, në një duel të cilin e kontrolloi nga gongu i parë deri në fund.

    Sadiku ishte dominuese gjatë të tri raundeve, duke shfaqur teknikë të lartë, ritëm të mirë dhe një menaxhim të shkëlqyer të duelit. Paraqitjen e saj të fortë ajo e konkretizoi edhe në raundin e dytë, kur arriti ta rrëzonte kundërshtaren dhe ta detyronte referin të numëronte nokdaun.

    Në fund, të gjithë gjyqtarët ishin unanimë në vendimin e tyre, duke ia dhënë fitoren boksieres kosovare me rezultat 5:0.

    Me këtë triumf, Sadiku avancon në garën evropiane dhe vazhdon rrugëtimin në “Sofje 2026”, me synimin për të shkuar sa më larg në këtë kampionat.

    Fitorja ndaj Pushkarit është një tjetër dëshmi e formës së mirë të kampiones kosovare, e cila tashmë pret sfidën e radhës në arenën evropiane.

  • FFK reagon pas vendimit të Amir Rrahmanit: E falënderojmë për kontributin, por vendimi i fundit nuk justifikohet

    FFK reagon pas vendimit të Amir Rrahmanit: E falënderojmë për kontributin, por vendimi i fundit nuk justifikohet

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar pas vendimit të kapitenit Amir Rrahmani për t’i dhënë fund paraqitjeve të tij me fanellën e Kosovës.

    Menaxheri i FFK-së, Bajram Shala, ka vlerësuar kontributin e madh të Rrahmanit ndër vite, por ka bërë të qartë se mënyra se si është marrë dhe komunikuar vendimi i fundit nuk mund të justifikohet.

    Në një konferencë për media, Shala deklaroi se Federata kishte tentuar të kontaktonte dhe të diskutonte drejtpërdrejt me kapitenin, madje i kishte propozuar edhe një takim në Napoli, por Rrahmani nuk kishte qenë i gatshëm për një takim të tillë.

    “Fillimisht, dua që në emër të FFK-së ta falënderoj për tërë kontributin që e ka dhënë si lojtar, pavarësisht se sa i papranueshëm është vendimi i tij i fundit. Për ne si Federatë, kjo nuk e fshin kontributin e madh që e ka dhënë për 10 vite”, u shpreh Shala.

    Megjithatë, ai theksoi se kontributi i Rrahmanit gjatë viteve nuk e ndryshon qëndrimin e Federatës ndaj vendimit të fundit.

    “Mirëpo, as periudha si lojtar e kapiten nuk e justifikon vendimin e tij të fundit, sidomos për mënyrën se si ka ardhur ky veprim. Kam qenë në kontakt për një kohë të gjatë dhe kam provuar t’i adresoj të gjitha kritikat eventuale që Amiri i ka pasur. I kemi ofruar që të shkojmë në shtëpinë e tij në Napoli për të diskutuar për këto çështje, por Amiri nuk ka qenë i gatshëm”, deklaroi ai.

    Shala tha se nuk i di arsyet e sakta që kanë çuar Rrahmanin drejt këtij vendimi, duke shtuar se Kombëtarja e Kosovës nuk mund të kushtëzohet nga prania apo mungesa e një lojtari të vetëm.

    “Arsyet e veprimit të tij nuk i di, ai është goxha i pjekur. A ka qenë i manipuluar nga dikush tjetër apo pse ka dalë me atë veprim, unë nuk e kuptoj. Por ajo që mund të them është se ekipi kombëtar nuk mund të kushtëzohet me prezencën apo mosprezencën e kushdo qoftë. Besoj që kjo vlen për të gjithë, përfshirë Amirin”, përfundoi Shala.

  • Foda për Ibrahimovicin: Nuk e kam ftuar, por jemi në kontakt prej një viti

    Foda për Ibrahimovicin: Nuk e kam ftuar, por jemi në kontakt prej një viti

    Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka sqaruar situatën rreth Arijon Ibrahimovicit, duke bërë të ditur se mesfushori i Augsburgut nuk ka marrë ftesë zyrtare nga “Dardanët” për këtë grumbullim.

    Ibrahimovic, i cili është pjesë e Augsburgut, është ftuar nga Kombëtarja U21 e Gjermanisë, ndërsa e ardhmja e tij në nivelin ndërkombëtar ende mbetet e hapur.

    Foda ka treguar se me futbollistin ka kontakte prej kohësh dhe se komunikimi mes tyre vazhdon.

    “Jo, Arijoni nuk ka marrë ftesë nga ana ime, por jam në kontakt me të prej gati një viti. Herë pas here shkëmbejmë mesazhe dhe do të shohim se si do të zhvillohet situata”, tha Foda.

    Përzgjedhësi gjerman foli edhe për synimet e Kosovës në ndeshjet e ardhshme, duke kërkuar që skuadra të mos mbështetet te rezultatet e së kaluarës, por të dëshmojë veten sërish në fushë.

    “Futbolli nuk luhet me të kaluarën. Jetojmë në të tashmen dhe tani duhet ta dëshmojmë veten nga e para. Pres që lojtarët të jenë të gatshëm që nga e enjtja dhe të kenë uri për fitore”.

    Foda e pranon se Kosova ka përballë kundërshtarë të fortë, por beson se grupi mund të ndërtojë një skuadër të bashkuar dhe konkurruese.

    “Është e vërtetë që kemi tre kundërshtarë shumë të fortë, Austrinë, Irlandën dhe Izraelin. Do të përpiqemi të ndërtojmë një ekip të mirë, të bashkuar dhe që dëshiron të luajë futboll të mirë”.

    Në fund, Foda theksoi se vlerësimi i situatës do të bëhet pas ndeshjeve, kur do të shihet edhe bilanci i pikëve.

  • Foda për Rrahmanin e Hadërgjonajn: Vendimet e tyre duhet t’i pranojmë

    Foda për Rrahmanin e Hadërgjonajn: Vendimet e tyre duhet t’i pranojmë

    Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për vendimet e Amir Rrahmanit dhe Florent Hadërgjonajt për të mos qenë pjesë e Kombëtares.

    Rrahmani ka vendosur t’i japë fund paraqitjeve me Kosovën, ndërsa Hadërgjonaj ka bërë të ditur se nuk do t’i përgjigjet ftesave përderisa Foda është në krye të “Dardanëve”.

    Për Rrahmanin, Foda ka treguar se ka zhvilluar një bisedë me kapitenin dhe është përpjekur ta bindë që ta ndryshojë vendimin, por pa sukses.

    “Më ka telefonuar dhe kemi biseduar. Detajet e bisedës do të mbesin mes nesh. Jam përpjekur t’ia ndryshoj mendjen, por nuk kam mundur. Ai e ka marrë vendimin e tij dhe të gjithë duhet ta pranojmë. I uroj më të mirat”, deklaroi Foda.

    Sa i përket Hadërgjonajt, përzgjedhësi gjerman tha se ishte befasuar nga vendimi i tij, pasi mbrojtësi nuk e kishte kontaktuar personalisht.

    “Nuk më ka kontaktuar. Vendimin e tij e kam parë në media. Edhe këtë vendim duhet ta pranojmë. Të gjithë lojtarëve që i ftoj ua jap besimin tim të plotë dhe i përkrah. Sinqerisht, nuk mund ta kuptoj arsyen pse është tërhequr nga Kombëtarja”, u shpreh Foda.

    Trajneri i Kosovës theksoi se për të, më e rëndësishmja është që çdo futbollist që pranon ftesën të jetë i gatshëm të japë maksimumin, pavarësisht minutave që mund të ketë në fushë.

    “Secili që është në dispozicion duhet të luajë me zemër për Kosovën, të jetë i gatshëm dhe gjithmonë të japë maksimumin. Kur një lojtar ftohet në Kombëtare, duhet ta pranojë edhe mundësinë që mund të mos luajë asnjë minutë. U uroj të dyve më të mirat në të ardhmen”, përfundoi Foda.

    Ndërkohë, Kosova do ta zhvillojë të hënën nga ora 17:00 seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e ardhshme.

  • Foda: Duam t’i fitojmë të gjitha, besoj në 27 lojtarët e grumbulluar

    Foda: Duam t’i fitojmë të gjitha, besoj në 27 lojtarët e grumbulluar

    Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë të qartë se objektivi i “Dardanëve” në ndeshjet e ardhshme është të kërkojnë fitoren në çdo përballje.

    Në konferencën për media, trajneri gjerman pranoi se Kosova do të ketë disa mungesa të rëndësishme, si pasojë e lëndimeve dhe tërheqjes së disa futbollistëve, por vlerësoi pozitivisht prurjet e reja në ekip.

    “Mezi presim t’i luajmë këto katër ndeshje. Këto ditë do të përgatitemi sidomos për ndeshjen ndaj Irlandës. Duam ta fitojmë secilën ndeshje, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë”, tha Foda.

    Ai theksoi se mungesat nuk duhet të ndikojnë në ambiciet e skuadrës, pasi në dispozicion ka një grup prej 27 futbollistësh, tek të cilët ka besim të plotë.

    “Na mungojnë disa lojtarë me përvojë dhe të rëndësishëm. Rexhbeçaj dhe Muslija nuk janë me ne për shkak të lëndimeve, ndërsa disa lojtarë të tjerë janë tërhequr. Por kemi ftuar futbollistë të rinj dhe besoj në të gjithë grupin”.

    Foda pret që futbollistët e rinj të sjellin energji dhe konkurrencë në skuadër, ndërsa avantazh e sheh edhe faktin që Kosova do të luajë para tifozëve të saj.

    “Kemi një ekip të mirë dhe të uritur për fitore. Është e rëndësishme të luajmë me intensitet të lartë. Gjithashtu kemi përparësinë se luajmë në shtëpi dhe shpresojmë ta fitojmë ndeshjen”.

    Përzgjedhësi gjerman tha se ditët në vijim do të shfrytëzohen për të analizuar gjendjen e lojtarëve dhe për të përcaktuar formacionin më të përshtatshëm.

    Kosova ndeshjen e parë në këtë cikël do ta zhvillojë të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndaj Irlandës.