ATV

Author: N.T.

  • Trajneri Hossam Hassan shkarkohet nga Kombëtarja e Egjiptit

    Trajneri Hossam Hassan shkarkohet nga Kombëtarja e Egjiptit

    Një histori e pazakontë ka tronditur futbollin egjiptian. Hossam Hassan nuk është më përzgjedhës i Kombëtares së Egjiptit, pasi Federata Egjiptiane e Futbollit ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me të, pas një sërë polemikash që kanë dëmtuar imazhin e përfaqësueses.

    Sipas raportimeve të mediave, në qendër të kësaj situate është një incident i ndodhur në gusht të vitit 2026, në një hotel në resortin Porto Marina, ku bashkëshortja dhe ish-bashkëshortja e trajnerit u përfshinë në një përleshje fizike.

    Ngjarja shkaktoi kaos në hotel, ndërsa dëshmitarët raportuan për britma dhe hedhje objektesh, duke detyruar stafin të ndërhynte. Situata thuhet se ndikoi rëndë edhe te vetë Hassani, i cili sipas raportimeve humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital.

    Federata nuk e përmendi drejtpërdrejt incidentin në njoftimin zyrtar, por bëri të ditur se vendimi erdhi pas ngjarjeve të fundit, të cilat kishin ndikuar negativisht në imazhin dhe stabilitetin e Kombëtares.

    Shkarkimi është edhe më i bujshëm për faktin se Hassani kishte arritur rezultate të rëndësishme sportive. Gjatë drejtimit të Egjiptit, ai regjistroi 21 fitore, 10 barazime dhe shtatë humbje në 38 ndeshje, ndërsa e udhëhoqi ekipin deri në fazën e 16 më të mirëve të Kupës së Botës 2026.

    Megjithatë, karriera e tij në krye të përfaqësueses është shoqëruar edhe me polemika të tjera, përfshirë një pezullim nga FIFA pas ndeshjes ndaj Argjentinës.

    Ndërkohë, Egjipti nuk ka humbur kohë për të gjetur pasuesin. Në vendin e Hassanit është emëruar Ali Maher, ish-trajneri i Ceramica Cleopatra.

    Kështu, një periudhë që nisi me ambicie të mëdha për Hossam Hassanin përfundon mes polemikave dhe një vendimi që ka bërë bujë të madhe në futbollin egjiptian.

  • Tre yje të futbollit saudit drejt rikthimit në Evropë, gjigantët evropianë i kanë në radar

    Tre yje të futbollit saudit drejt rikthimit në Evropë, gjigantët evropianë i kanë në radar

    Futbolli evropian mund të mirëpresë sërish disa emra të njohur që aktualisht aktivizohen në Arabinë Saudite. Afati kalimtar i janarit 2027 pritet të sjellë zhvillime interesante për të ardhmen e Joao Felix, Ivan Toney dhe Darwin Nunez, të cilët mund të largohen nga kampionati saudit.

    Secili prej tyre ka një situatë të ndryshme, por një gjë i bashkon: mundësia për t’u rikthyer në futbollin e nivelit më të lartë në Evropë.

    Emri që po përmendet më së shumti është ai i Joao Felixit. Sulmuesi portugez, që aktualisht luan te Al-Nassr, nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Evropë dhe për të garuar sërish në Ligën e Kampionëve.

    Forma e tij këtë sezon ka qenë mbresëlënëse, me shtatë gola dhe 11 asistime në 14 paraqitje. Madje, në mesin e mundësive të përfolura është edhe një rikthim te Barcelona, ku kishte luajtur më parë si i huazuar. Megjithatë, kontrata e tij me Al-Nassr dhe mundësia e vazhdimit të saj mund ta vështirësojnë largimin.

    Në anën tjetër, vëmendjen e klubeve angleze e ka tërhequr Ivan Toney. Sulmuesi i Al-Ahlit është lidhur me Manchester Unitedin dhe Newcastle Unitedin, ndërsa përvoja e tij në Ligën Premier me Brentfordin e bën një përforcim potencialisht shumë interesant.

    Megjithatë, një transferim i tij do të varet edhe nga kërkesat financiare të klubit saudit.

    Ndërkohë, rasti i Darwin Nunez është më ndryshe. Uruguaiani, pas një periudhe jo të qëndrueshme te Al-Hilal, është huazuar te Al-Diriyah deri në vitin 2027. Për momentin, prioriteti i tij është rikthimi në formën më të mirë dhe sigurimi i minutave të rregullta në fushë.

    Përvojat e mëparshme te Benfica dhe Liverpooli tregojnë se Nunez ka cilësitë për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Tashmë, janari mund të jetë vendimtar për të ardhmen e këtyre tre sulmuesve. Felix dhe Toney duken më pranë një largimi të mundshëm, ndërsa për Nunez gjithçka do të varet nga paraqitjet në muajt e ardhshëm.

    Një gjë është e sigurt, rikthimi i tyre në Evropë do të ishte një nga temat më interesante të merkatos së dimrit.

  • Betim Fazliji i bashkohet Kosovës para dy ndeshjeve vendimtare në Ligën e Kombeve

    Betim Fazliji i bashkohet Kosovës para dy ndeshjeve vendimtare në Ligën e Kombeve

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë një përforcim në prag të dy ndeshjeve të fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Mbrojtësi Betim Fazliji i është bashkuar grumbullimit të “Dardanëve” dhe do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda.

    Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila ka bërë të ditur se futbollisti i St. Gallenit ka mbërritur në kampin e përfaqësueses.

    Kosovën e presin dy përballje të rëndësishme në kuadër të Grupit B3, ku synimi është që edicioni të mbyllet me rezultate sa më pozitive. Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, ekipi i drejtuar nga Foda pozicionohet në vendin e dytë me pesë pikë, tri më pak se liderja Austria.

    Fillimisht, Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 17 nëntor do të udhëtojë drejt Dublinit, ku do të zhvillojë ndeshjen kundër Republikës së Irlandës.

    Fazliji, 27-vjeçar, pritet t’i japë më shumë alternativa përzgjedhësit Foda në repartin e mbrojtjes, veçanërisht në një moment kur gjendja e Lumbardh Dellovës mbetet e paqartë për shkak të shqetësimeve fizike pas një lëndimi të pësuar te klubi i tij.

    Kujtojmë se mbrojtësi i St. Gallenit kishte kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve, ndërsa në maj të këtij viti ishte rikthyer te Kosova pas një mungese të gjatë.

    Tashmë mbetet të shihet nëse Fazliji do të marrë minuta në dy sfidat e ardhshme, ku Kosova synon të konfirmojë pozitën e saj në grup dhe ta përmbyllë me sukses këtë edicion të Ligës së Kombeve.

  • Kosova synon fitoret në nëntor, objektivi mbetet Liga B

    Kosova synon fitoret në nëntor, objektivi mbetet Liga B

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për dy ndeshjet e muajit nëntor ndaj Izraelit dhe Irlandës, objektivat e Dardanëve në Ligën e Kombeve, si dhe planet për të ardhmen dhe futbollistët që mund t’i bashkohen Kombëtares.

    Foda ka theksuar se synimi kryesor mbetet që Kosova të ruajë vendin në Ligën B, ndërsa në dy ndeshjet e fundit kërkon fitoret.

    “Sigurisht që objektivi ynë është që ta fitojmë çdo ndeshje, objektivi kryesor gjithmonë ka qenë që të mbetemi në grupin B dhe në këtë drejtim është shumë me rëndësi që ta fitojmë ndeshjen kundër Izraelit pasi është shumë me rëndësi në këtë fazë dhe ne të shohim se cilin vend do ta zëmë të parin apo të dytin por me rëndësi që këto ndeshje t’i fitojmë”.

    Tekniku gjerman ka folur edhe për planet afatgjata, duke konfirmuar se stafi po përcjell futbollistë nga kampionatet vendore dhe ato ndërkombëtare, me fokus të veçantë te talentet e rinj.

    “Është e rëndësishme që kemi disa mundësi edhe për ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, duke pasur parasysh skuadrën, ne nuk përgatitemi vetëm për ndeshjet aktuale, por edhe për vitin e ardhshëm dhe kualifikimet për Kampionatin Evropian”. I përcjellim të gjithë lojtarët, edhe ata që aktivizohen në ligat ndërkombëtare. Është e rëndësishme t’i ndjekim edhe talentet e rinj. Ne punojmë së bashku për t’i arritur këto objektiva”.

    Ndërkohë, menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, ka bërë të ditur se dokumentacioni i Enis Rexhepit ende nuk është kompletuar dhe se janë në pritje të përgjigjes përfundimtare nga FIFA.

    “Dokumentacionet janë kryer për Bleon Kurtulus dhe Lindrit Kamberin, mirëpo jo për Enis Rexhepin. Jemi në pritje të përgjigjes së FIFA-s”.

    Shala konfirmoi gjithashtu mungesën e Erblin Osmanit dhe Valmir Matoshit për shkak të lëndimeve, ndërsa bëri të ditur se Lumbardh Dellova do t’i nënshtrohet testeve mjekësore para se të konfirmohet gatishmëria e tij.

    Në konferencë, Foda ka zbuluar edhe kontaktet me dy talentë të futbollit, Lutfi Dalipin dhe Arijon Ibrahimovicin, të cilët ende nuk kanë marrë vendimin përfundimtar se cilën kombëtare do të përfaqësojnë.

    “Po, kam pasur kontakte me Lutfi Dalipin. Kam biseduar me të. Ai ende nuk ka vendosur se kë të përfaqësojë. Të shohim, shpresoj që të vendos për Kosovën”.

    Po ashtu ai foli edhe për Ibrahimovicin, i cili ka të drejtë të luajë për Kosovën dhe Gjermaninë.

    “Po, kam biseduar dhe me të, por do të jetë zgjedhja e tij nëse do të luajë për Kosovën. Ai ka të drejtë të luajë për Gjermaninë dhe Kosovën. Kemi biseduar disa herë, shpresoj që në fund të zgjedhë Kosovën”.

    Kujtojmë se Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor dhe Irlandën më 17 nëntor, në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

  • NBA: Lakers marrin kreun e Perëndimit, Celtics vazhdojnë serinë e fitoreve

    NBA: Lakers marrin kreun e Perëndimit, Celtics vazhdojnë serinë e fitoreve

    NBA ka vazhduar edhe mëngjesin e sotëm me disa superpërballje, të cilat sollën befasi dhe spektakël.

    Los Angeles Lakers ka arritur të marrë kreun e tabelës së Perëndimit, pas pesë fitoreve radhazi, ku kësaj here mundi Detroit Pistons me shifrat 121-116.

    Edhe pse Luka Doncic mungoi në këtë përballje, Austin Reaves udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 43 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

    Te Pistons paraqitje të mirë kishin Daniss Jenkins me 31 pikë dhe Kevin Huerter me 24 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Pistons renditen në pozitën e tretë në Konferencën e Lindjes.

    Boston Celtics kanë realizuar fitoren e tretë radhazi, pasi mposhtën kësaj radhe Milwaukee Bucks me rezultat 117-97.

    Paul George shkëlqeu në këtë përballje me 27 pikë, derisa Jayson Tatum shtoi 21 pikë për këtë fitore.

    Te skuadra humbëse më efikasi ishte Kyle Kuzma me 27 pikë.

    Celtics pozicionohen në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes, derisa Bucks në pozitën e fundit.

    Miami Heat është këndellur me fitore pas triumfit ndaj Sacramento Kings me rezultat 114-108.

    Giannis Antetokounmpo, si gjithmonë, ishte ylli i mbrëmjes me 29 pikë e 14 kërcime, derisa Klay Thompson realizoi 23 të tilla.

    Nga ana tjetër, Darius Acuff Jr. po ashtu shkëlqeu me 32 pikë e 10 asistime, por që nuk mundi ta evitonte humbjen.

    Heat renditen në vendin e tetë në Konferencën e Lindjes, derisa Kings në pozitën e 14-të në Perëndim.

  • Kosova siguron edhe dy talentë të Bayern Munichut, FFK-ja i bind për ta veshur fanellën dardane

    Kosova siguron edhe dy talentë të Bayern Munichut, FFK-ja i bind për ta veshur fanellën dardane

    Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të përforcojë të ardhmen e përfaqësueses me talente që po zhvillohen në akademitë e njohura evropiane.

    Dy emrat e rinj që kanë vendosur t’i bashkohen Kosovës janë Lamar Rama dhe Florent Krasniqi, të cilët po lënë gjurmë me paraqitjet e tyre në grupmoshat e Bayern Munichut.

    Rama, i cili luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë, dhe Krasniqi, anësor i krahut të djathtë, janë ftuar për herë të parë në përfaqësuesen U17 të Kosovës.

    Të dy talentët kanë marrë besimin e përzgjedhësit Fadil Berisha për tri sfidat e rëndësishme që Dardanët do t’i zhvillojnë më vonë gjatë këtij muaji.

    Lamar Rama ka regjistruar gjashtë paraqitje këtë edicion me Bayern Munichun U17 në kuadër të DFB Youth League.

    Mbrojtësi kosovar ka edhe dy vite kontratë me klubin gjerman dhe, nëse vazhdon me zhvillimin e tij pozitiv, mund të bëjë hapin drejt ekipit U19 të Bayernit, aty ku aktualisht luajnë edhe Erblin Osmani dhe Yll Gashi.

    Ndërkohë, Florent Krasniqi po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me bavarezët.

    Anësori është një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës U17, ku deri më tani ka zhvilluar 11 ndeshje, duke shënuar po aq gola dhe duke regjistruar edhe një asistim.

    Shifrat e tij flasin qartë për potencialin që posedon dhe për pritshmëritë që mund të ketë Kosova nga ky futbollist në të ardhmen.

    Kosova U17 do të përballet me Belgjikën, Kroacinë dhe Letoninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe.

    Ftesa e parë për Ramën dhe Krasniqin përbën një tjetër lajm pozitiv për futbollin kosovar, i cili vazhdon të afrojë talente të rinj që po zhvillohen në futbollin evropian.

  • De la Fuente i dërgon mesazh Gavit: Duhet të punojë më shumë për t’u rikthyer te Spanja

    De la Fuente i dërgon mesazh Gavit: Duhet të punojë më shumë për t’u rikthyer te Spanja

    Mesfushori i Barcelonës, Gavi, vazhdon të mbetet jashtë planeve të Kombëtares së Spanjës. Përzgjedhësi Luis de la Fuente nuk e ka përfshirë sërish 21-vjeçarin në listën e fundit të lojtarëve të ftuar, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij në Kombëtare do të varet nga puna dhe përmirësimi i vazhdueshëm.

    Gavi mungoi edhe në grumbullimin e muajit tetor, ndërsa De la Fuente ka folur sërish për situatën e mesfushorit, duke theksuar se ai duhet të vazhdojë të punojë dhe të zhvillohet për të fituar përsëri një vend në ekipin kombëtar.

    Trajneri spanjoll vlerëson cilësitë e futbollistit të Barcelonës, por njëkohësisht nënvizon se konkurrenca në kombëtare është jashtëzakonisht e madhe dhe se askush nuk e ka të garantuar një vend në skuadër. Sipas tij, të gjithë lojtarët duhet të vazhdojnë të japin maksimumin dhe të përmirësohen për të qenë pjesë e planeve të tij.

    Situata e Gavit nuk është më e lehtë as te Barcelona, ku mesfushori po përpiqet të fitojë më shumë hapësira dhe minuta në dispozicion. Megjithatë, ai ka nisur gradualisht të rikthehet në fushë, pasi u aktivizua si zëvendësues edhe në ndeshjen e mesjavës në Ligën e Kampionëve.

    Ndërkohë, Spanja po përgatitet për dy përballjet e radhës ndaj Çekisë dhe Anglisë në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa për Gavi mbetet e hapur sfida për të bindur De la Fuenten se e meriton sërish fanellën e kampionëve spanjollë.

  • Fisnik Asllani gjen golin e parë sezonal në Bundesligë, ia dedikon babait në ditëlindjen e tij

    Fisnik Asllani gjen golin e parë sezonal në Bundesligë, ia dedikon babait në ditëlindjen e tij

    Fisnik Asllani ka përjetuar një mbrëmje të paharrueshme në elitën e futbollit gjerman. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka realizuar golin e tij të parë këtë sezon në Bundesligë, duke ndihmuar Hoffenheimin të marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Schalke 04.

    Futbollisti kosovar e gjeti rrugën drejt rrjetës që në minutën e 10-të, pas një momenti të pafat për portierin kundërshtar, Loris Karius. Asllani ushtroi presion të vazhdueshëm ndaj gardianit gjerman dhe, pas një ndërhyrjeje me këmbë, topi përfundoi mbi të dhe në portë.

    Pas përfundimit të ndeshjes, 24-vjeçari pranoi se në realizimin e golit kishte edhe pak fat, por theksoi se gjithçka erdhi si rezultat i lëvizjes dhe presionit të tij ndaj portierit.

    “Pati pak fat që topi përfundoi në rrjetë në atë mënyrë, kjo është e vërtetë. Por nuk ishte vetëm fat, sepse unë bëra atë vrapim. Vetëm në atë mënyrë mund të shënohej goli. Nëse nuk do ta bëja atë lëvizje, goli nuk do të realizohej”, deklaroi Asllani.

    Kjo fitore kishte rëndësi të veçantë për Hoffenheimin, i cili po kalon një periudhë jashtëzakonisht të ngarkuar, me nëntë ndeshje të zhvilluara brenda vetëm 29 ditësh. Lodhja dhe mungesat në skuadër kanë ndikuar dukshëm në përgatitjen e ekipit, gjë të cilën e pranoi edhe sulmuesi kosovar.

    Megjithatë, Asllani u shpreh se preferon një ritëm të tillë, pasi për të nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të zbresë në fushë dhe të luajë ndeshje çdo pak ditë.

    “Unë jam dikush që e pëlqen këtë. Preferoj të luaj, asgjë nuk është më e mirë sesa të kesh ndeshje çdo disa ditë. Më mirë kështu sesa të stërvitem”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës.

    Por, përtej rëndësisë sportive, ky gol kishte një domethënie shumë më të veçantë për Asllanin. Sulmuesi zbuloi se realizimi i tij i parë në Bundesligë për këtë sezon erdhi pikërisht në ditëlindjen e babait, duke e kthyer golin në një dhuratë të paharrueshme familjare.

    “Golat gjithmonë më japin një ndjenjë të veçantë, është gjithmonë diçka shumë e bukur. Por sot është edhe ditëlindja e babait tim. Ky ishte praktikisht dhurata ime për të. Goli im i parë në Bundesligë këtë sezon, nuk mund të shkruaja një histori më të bukur se kjo”, përfundoi Asllani.

    Kështu, për Fisnik Asllanin, mbrëmja ndaj Schalkes nuk solli vetëm golin e parë sezonal në kampionatin gjerman, por edhe një moment emocional që do ta kujtojë gjatë, pasi arriti ta festojë këtë sukses duke i bërë dhuratën më të bukur babait të tij në ditën e lindjes.

  • Rodrigo Mora refuzon fanellën legjendare të Ronaldos: Numri 86 më përshtatet!

    Rodrigo Mora refuzon fanellën legjendare të Ronaldos: Numri 86 më përshtatet!

    Talenti i ri i futbollit portugez, Rodrigo Mora, nuk dëshiron të marrë përsipër trashëgiminë e Cristiano Ronaldos te Kombëtarja e Portugalisë. Edhe pse mundësia për të veshur fanellën me numrin 7, të cilën për vite me radhë e ka bartur legjenda portugeze, mund të jetë joshëse, 19-vjeçari ka bërë të qartë se nuk e ka një synim të tillë.

    Mora, i cili pati privilegjin të stërvitej dhe të ndante dhomën e zhveshjes me Ronaldon, gjatë muajve të fundit, nuk i fshehu emocionet për këtë përvojë. Ai e cilësoi pesë herë fituesin e Topit të Artë si një figurë të veçantë dhe shprehu mirënjohjen për gjithçka që ka dhënë për futbollin portugez.

    Në një intervistë për DAZN, talenti portugez foli me admirim për kapitenin legjendar.

    “Kam qenë shumë me fat që kam luajtur me Cristianon dhe kam ndarë dhomën e zhveshjes me të. Ai është idhulli i të gjithëve. Ai është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar dhe Portugalia i është jashtëzakonisht mirënjohëse për gjithçka që ka bërë”, deklaroi Mora.

    I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të trashëgonte fanellën me numrin 7, e cila është bërë simbol i Ronaldos në përfaqësuesen portugeze, përgjigjja e tij ishte e menjëhershme dhe plot humor.

    “Jo, jo, jo, jo. Nuk po mendoj për këtë. Është përgjegjësi e tepërt. Numri 86 është në rregull”, u shpreh ai.

    Duket se Rodrigo Mora nuk ka ndërmend të marrë mbi supe peshën e një prej fanellave më ikonike të futbollit. Për momentin, talenti portugez preferon të vazhdojë rrugëtimin e tij me numrin 86, duke respektuar trashëgiminë e Ronaldos dhe duke kërkuar të krijojë identitetin e tij në futbollin botëror.

  • Lamine Yamal thyen rekordin e La Ligës, lë pas edhe Lionel Messin

    Lamine Yamal thyen rekordin e La Ligës, lë pas edhe Lionel Messin

    Lamine Yamal vazhdon të mahnitë botën e futbollit. Talenti i Barcelonës ka regjistruar një tjetër arritje historike në kampionatin spanjoll, duke u bërë lojtari më i ri që arrin shifrën prej 40 asistimeve në La Liga.

    Ylli katalunas e vulosi këtë rekord pas asistimit vendimtar në fitoren e Barcelonës ndaj Atletico Madridit, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e tij të madh në lojën e skuadrës.

    Sipas statistikave të publikuara nga eksperti i njohur MisterChip, Yamal arriti kuotën e 40 asistimeve në moshën 19-vjeçare e 118 ditëshe, duke thyer rekordin e mëparshëm me gati tre vjet diferencë.

    Dominimi i tij në këtë statistikë bëhet edhe më mbresëlënës kur shihet lista e futbollistëve që kanë arritur këtë shifër në moshë të re.

    Pas Yamalit renditen Lopez Ufarte, i cili regjistroi 40 asistime në moshën 22-vjeçare e 15 ditëshe, dhe Adrian Escudero me 22 vjet e 349 ditë. Në listë gjenden gjithashtu Segui, Etxeberria dhe legjenda e Barcelonës, Lionel Messi, i cili këtë shifër e kishte arritur në moshën 23-vjeçare e 158 ditëshe.

    Kësisoj, Yamal ka lënë pas edhe ish-bashkëlojtarin e tij, Messin, duke vazhduar të shkruajë historinë e La Ligës në një moshë kur shumë futbollistë ende janë në hapat e parë të karrierës.

    Një tjetër rekord që dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm të yllit të Barcelonës dhe vendin gjithnjë e më të rëndësishëm që ai po zë në futbollin evropian.