ATV

Author: N.T.

  • Reagime të përziera në Real Madrid pas largimit të Xabi Alonsos

    Reagime të përziera në Real Madrid pas largimit të Xabi Alonsos

    Ndarja e papritur e Real Madridit me trajnerin Xabi Alonso ka shkaktuar befasi brenda dhomës së zhveshjes, pasi shumica e lojtarëve e mësuan vendimin përmes njoftimit zyrtar të klubit të publikuar të hënën pasdite.

    Menjëherë pas lajmit, Kylian Mbappé ishte futbollisti i parë që reagoi publikisht, duke i uruar sukses trajnerit spanjoll në rrugëtimin e tij të ardhshëm. Pas tij, edhe disa lojtarë të tjerë të skuadrës shprehën falënderime dhe mesazhe lamtumire, përfshirë Arda Güler, Rodrygo Goes, Raúl Asencio, Federico Valverde, Fran García, Antonio Rüdiger dhe Álvaro Carreras.

    Kapiteni Dani Carvajal zgjodhi një reagim të shkurtër, duke shkruar “Faleminderit për gjithçka, shef”, ndërsa mesazhe më emocionale u panë nga lojtarë si Dean Huijsen dhe David Alaba.

    Megjithatë, jo e gjithë skuadra ka reaguar publikisht. Deri në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë mëngjesit të sotëm, shtatë lojtarë që aktualisht janë pjesë e Real Madridit nuk kanë publikuar asnjë mesazh lidhur me largimin e Alonsos.

    Në mesin e tyre janë Vinícius Jr., Éder Militão, Trent Alexander-Arnold, Ferland Mendy, Jude Bellingham, Brahim Díaz, i cili aktualisht ndodhet me Marokun në Kupën e Kombeve të Afrikës, si dhe Franco Mastantuono.

    Edhe Endrick nuk ka reaguar, por sulmuesi brazilian ndodhet i huazuar te Olympique Lyonnais dhe nuk është më nën drejtimin e trajnerit spanjoll.

    Kujtojmë se largimi i Xabi Alonsos nga posti i trajnerit u raportua pas tensioneve me disa lojtarë kyç të skuadrës.

  • Talenti kosovar Aron Babaj transferohet te Milani

    Talenti kosovar Aron Babaj transferohet te Milani

    Futbolli kosovar ka marrë një tjetër lajm të rëndësishëm, pasi mesfushori i ri Aron Babaj ka zyrtarizuar kalimin te gjiganti italian, AC Milan.

    16-vjeçari, i cili deri tani ishte pjesë e klubit Prishtina e Re, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij duke kaluar nga Superliga e Kosovës në Serie A, për t’u bashkuar me një nga klubet më të mëdha të futbollit evropian.

    Milani ka konfirmuar transferimin përmes kanaleve zyrtare, duke bërë të ditur se Babaj do të jetë pjesë e projektit afatgjatë të klubit për zhvillimin e talenteve të rinj, të njohur si “Projekti i së Ardhmes së Milanit”.

    Mesfushori i lindur në vitin 2009 konsiderohet një nga talentet më premtuese të brezit të tij dhe aktualisht është pjesë e Kombëtares U-17 të Kosovës, ku ka treguar paraqitje të qëndrueshme.

    Kalimi te Milani përbën një arritje të madhe jo vetëm për Babajn, por edhe për futbollin kosovar, duke dëshmuar se talentet vendore po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në skenën elitare evropiane.

    Aron Babaj është gjithashtu djali i ish-futbollistit të njohur kosovar, Shpëtim Babaj, duke vazhduar kështu traditën familjare në futboll.

  • Alvaro Arbeloa, nis epokën e tij në Real Madrid me seancën e parë stërvitore

    Alvaro Arbeloa, nis epokën e tij në Real Madrid me seancën e parë stërvitore

    Alvaro Arbeloa ka filluar zyrtarisht punën si trajner i Real Madridit, duke drejtuar stërvitjen e parë me skuadrën pas marrjes së detyrës nga Xabi Alonso, i cili u largua nga posti të hënën pasdite.

    Ekipi madrilen zhvilloi seancën stërvitore të së martës në kompleksin Real Madrid City, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës së 1/8-ave të Kupës së Mbretit, ku do të përballet me Albaceten në stadiumin “Carlos Belmonte”.

    Seanca nisi me ushtrime fizike dhe nxehje të drejtuara nga trajneri atletik Antonio Pintus, përpara se lojtarët të kalonin në punë me topin. Grupi u angazhua në ushtrime rondo, skema të lojës së kombinuar dhe qarkullim të shpejtë të topit, të shoqëruara me gjuajtje drejt portës.

    Në pjesën përmbyllëse të stërvitjes, Arbeloa organizoi lojëra në grupe të vogla, duke testuar intensitetin dhe reagimin e futbollistëve.

    Ndërkohë, disa lojtarë të rëndësishëm si Antonio Rüdiger, Ferland Mendy, Trent Alexander-Arnold, Rodrygo Goes dhe Kylian Mbappé u stërvitën veçmas në ambiente të mbyllura, ndërsa Éder Militão vijon procesin e rikuperimit nga lëndimi.

    Real Madridi synon të nisë me këmbë të mbarë aventurën në Kupën e Mbretit nën drejtimin e trajnerit të ri.

  • ZYRTARE: Ilir Krasniqi nis një kapitull të ri në Zhytomyr

    ZYRTARE: Ilir Krasniqi nis një kapitull të ri në Zhytomyr

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ilir Krasniqi, do të vazhdojë karrierën e tij në elitën e futbollit ukrainas, pasi ka arritur marrëveshje me Polissya Zhytomyr.

    Futbollisti kosovar vjen te Polissya nga Kolos Kovalivka, ekip ku kishte krijuar një stabilitet të dukshëm në vitet e fundit. Drejtuesit e klubit të Zhytomyr e kanë parë Krasniqin si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv, duke i besuar një kontratë afatmesme.

    Sipas marrëveshjes së arritur mes palëve, 24-vjeçari ka firmosur kontratë 3 vjeçare e gjysmë dhe do të jetë pjesë e skuadrës me fanellën me numrin 16.

    Kalimi te Polissya shihet si një hap i rëndësishëm në karrierën e Krasniqit, i cili tashmë është i njohur me intensitetin dhe kërkesat e Premier League ukrainase, çka pritet ta ndihmojë të integrohet shpejt në ambientin e ri.

    Përvoja ndërkombëtare është një tjetër plus për klubin ukrainas, pasi Krasniqi ka zhvilluar 17 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, duke sjellë siguri dhe pjekuri në fazën mbrojtëse të ekipit.

    Polissya, që këtë sezon synon objektiva ambicioze, vazhdon kështu të forcojë skuadrën me lojtarë me eksperiencë në nivel të lartë.

  • Lakers e Celtics vazhdojnë me humbje, Mavericks rikthehet te fitorja

    Lakers e Celtics vazhdojnë me humbje, Mavericks rikthehet te fitorja

    Liga më e fortë e basketbollit në botë, NBA, ka vazhduar me ndeshjet e radhës mëngjesin e stoëm, ku si gjithmonë pati spektakël dhe befasi.

    Los Angeles Lakers kanë pësuar humbjen e tretë radhazi, pasi humben kësaj radhe nga Sacramento Kings me rezultat 124-112.

    DeMar DeRozan ishte ylli I mbrëmjes pasi udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 32 pikë e gjashtë asistime, derisa Malik Monks shtojë 26 sosh.

    Nga ana tjetër, Luka Doncic ishte fantastik me 42 pikë, tetë asitime dhe shtatë kërcime, derisa Lebron James po ashtu shënoj 22 sosh, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Pas kesaj humbje, Lakers kanë rënë në poziten e pestë në Konferencën e Perëndimit, derisa Kings renditen në vendin e parafundit.

     

    Boston Celtics po ashtu ka marrur humbjen e dytë rresht, pasi humbi me rezultat të ngushtë nga Indiana Pacers me rezultat 98-96.

    Në këtë fitore u dalluan Paskal Siakam me 21 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistme dhe Jay Huff me 20 pikë.

    Te skuadra humbëse më efikasi ishte Payton Pritchard me 23 pikë e tetë asistime.

    Pacers renidten në vendin e fundit në Konferencën e Lindjes, derisa Celtics në poziten e tretë.

     

    Dallas Mavericks është këndellur me fitore pasi i’a shkaktoj humbjen e tretë radhazi Brooklyn Nets me rezultat 113-105.

    Cooper Flagg ishte fantastik me 27 pikë, pesë kërcime e po aq asistime derisa Naji Marshall shtoj 22 pikë e nëntë assitime për në fitore.

    Nga ana tjetër, Michael PorteR Jr. realizoi 28 pikë e nëntë kërcime por nuk mjaftuan për fitore.

    Maverciks renditen në vendin e 12 në Konferencën e Perëndimt, derisa Nets në poziten e 13 në Lindje.

  • Investimi i LeBron James në Liverpool, një nga lëvizjet më fitimprurëse në sport

    Investimi i LeBron James në Liverpool, një nga lëvizjet më fitimprurëse në sport

    Investimi i superyllit të NBA-së, LeBron James, në Liverpool Football Club ka rezultuar një nga vendimet më të zgjuara financiare në botën e sportit.

    Në vitin 2011, James bleu 2 për qind të aksioneve të Liverpoolit për rreth 5.6 milionë euro, në një kohë kur klubi vlerësohej nga Forbes rreth 473 milionë euro. Në atë periudhë, investimi shihej si një pjesëmarrje modeste, por me potencial të madh afatgjatë.

    Sot, situata ka ndryshuar ndjeshëm. Vlera e Liverpoolit arrin rreth 4.1 miliardë euro, çka do të thotë se 2 për qind e aksioneve vlerësohen rreth 82.3 milionë euro, një rritje prej afërsisht 1,400 për qind krahasuar me investimin fillestar të basketbollistit amerikan.

    Në vitin 2021, LeBron James vendosi të shndërrojë aksionet e tij direkte në Liverpool në një pjesëmarrje prej 1 për qind në Fenway Sports Group (FSG), kompania që zotëron dhe menaxhon klubin anglez. FSG ka në pronësi edhe klube të tjera të njohura si Boston Red Sox dhe Pittsburgh Penguins, duke e zgjeruar më tej ndikimin e investimit të James në industrinë sportive.

    Sipas Forbes, Fenway Sports Group vlerësohet në rreth 11.1 miliardë euro në vitin 2024, çka nënkupton se aksionet e LeBron James vlejnë rreth 111 milionë euro, gati njëzetfish më shumë se shuma e investuar fillimisht.

    Rritja e jashtëzakonshme e vlerës lidhet me sukseset sportive të Liverpoolit, përfshirë fitimin e titullit të 20-të kampion në Angli, performancën e fortë financiare dhe zgjerimin e markës në tregjet globale, veçanërisht në Azi dhe Amerikën e Veriut.

    Ky investim konfirmon edhe një herë LeBron James jo vetëm si një ikonë sportive, por edhe si një strateg të suksesshëm biznesi.

  • Formacionet zyrtare, Atletico Madridi dhe Real Madridi përballen në derbin madrilen

    Formacionet zyrtare, Atletico Madridi dhe Real Madridi përballen në derbin madrilen

    Atletico Madridi dhe Real Madridi do të përballen sot në një derbi emocionues, me fillim të orës 20:00, në stadiumin “Alinma” në Arabinë Saudite, në kuadër të gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës.

    Superkupa këtë vit po zhvillohet edhe një herë në Arabinë Saudite, dhe në gjysmëfinalen tjetër, Barcelona siguroi finalen pas fitores së thellë 5-0 ndaj Athletic Bilbaos. Tani, sfida mes dy klubeve madrilene do të vendosë rivalin e katalanasve për finalen e së dielës.

    Te Atletico Madridi, trajneri Diego Simeone nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Pablo Barrios, i cili nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi i marrë në kampionat.

    Në kampin e Real Madridit, mungesa më e dukshme është Kylian Mbappe, që po vuan nga shqetësime në gju. Përveç tij, trajneri Xabi Alonso nuk do të mund të llogarisë as te lojtarët Trent Alexander-Arnold, David Alaba, Eder Militao, Daniel Carvajal dhe Brahim Diaz, i cili po merr pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës me Marokun.

     

    Formacionet zyrtare:

    Atletico Madrid: Oblak; Llorente, Pubill, Hancko, Ruggeri; Baena, Gallagher, Koke; Giuliano, Sorloth, Alvarez.

    Real Madrid: Courtois; Valverde, Rudiger, Asencio; Bellingham, Tchouameni, Camavinga; Rodrygo, Gonzalo, Vinicius.

  • Raphinha shkëlqen te Barcelona, 31 gola dhe asistime në 29 ndeshje vendimtare

    Raphinha shkëlqen te Barcelona, 31 gola dhe asistime në 29 ndeshje vendimtare

    Sulmuesi brazilian Raphinha po shkëlqen me Barcelona, duke shënuar statistika mbresëlënëse në ndeshjet vendimtare të klubit katalonas. Sipas të dhënave të fundit, ai ka regjistruar 31 kontribute direkte në 29 ndeshje “knockout”, një shifër që tregon ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në fazat vendimtare të kompeticioneve.

    Kontributet e Raphinha-s përfshijnë: 17 gola, 14 asistime dhe një mesatare prej 1.07 gola/assist për ndeshje.

    Performanca e tij ka ndezur debatet te tifozët dhe analistët, ndërsa emri i tij po përmendet gjithnjë e më shumë si kandidat për Topin e Artë 2026, çmimi më i madh individual në futboll.

    Braziliani është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Barcelonës në ndeshjet vendimtare, duke treguar jo vetëm cilësi teknike, por edhe mentalitet fitues në momente kyçe.

    Tifozët po pyesin: A do të jetë Raphinha sfiduesi i madh për Topin e Artë këtë vit?

    Barcelona duket se po përfiton maksimalisht nga energjia dhe kreativiteti i brazilianit, i cili po kontribuon në mënyrë vendimtare për të çuar klubin drejt suksesit në La Liga dhe kompeticione europiane.

  • Ademi takon kryetarin e Obiliqit, në fokus zhvillimi i futbollit dhe Kampi i të Rinjve

    Ademi takon kryetarin e Obiliqit, në fokus zhvillimi i futbollit dhe Kampi i të Rinjve

    Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, me të cilin ka zhvilluar një diskutim të detajuar rreth projekteve zhvillimore në fushën e futbollit.

    Në qendër të takimit ishte Kampi i të Rinjve në Obiliq, projekt i realizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, i cili përfaqëson një investim të rëndësishëm strategjik në zhvillimin e futbollit, me theks të veçantë te grupmoshat e reja. Ky kamp po shihet si një bazë e rëndësishme për identifikimin dhe përgatitjen e talenteve të së ardhmes.

    Po ashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe projektet tjera zhvillimore në territorin e Komunës së Obiliqit, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës sportive, krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet futbollistike.

    Palët shprehën gatishmëri të ndërsjellë për bashkëpunim institucional dhe koordinim të vazhdueshëm, me synim avancimin e futbollit në Komunën e Obiliqit dhe vazhdimin e mbështetjes për projekte që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e të rinjve dhe forcimin e strukturave sportive lokale.

    Federata e Futbollit e Kosovës ka theksuar se investimet në infrastrukturë dhe në edukimin sportiv të të rinjve mbeten prioritet kyç për zhvillimin afatgjatë të futbollit në vend.

  • Një gotë që ndezi polemika, tifozët e Tottenhamit të zemëruar me Thomas Frank

    Një gotë që ndezi polemika, tifozët e Tottenhamit të zemëruar me Thomas Frank

    Një detaj i vogël ka mjaftuar për të ndezur zemërimin e tifozëve të Tottenham Hotspur. Në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi ku trajneri i skuadrës, Thomas Frank, shihet duke pirë nga një gotë letre që mban stemën e Arsenalit, rivalit historik dhe të përbetuar të “Spurs”.

    Në rrethana normale, një episod i tillë mund të ishte kaluar pa shumë vëmendje, por momenti aktual i klubit e ka kthyer atë në një çështje të madhe. Tottenhami po kalon një sezon të vështirë në Premier League, duke u renditur aktualisht në vendin e 14-të, ndërsa presioni mbi stafin teknik është rritur ndjeshëm.

    Për tifozët londinezë, rivaliteti me Arsenalin nuk njeh kompromise, dhe fotografia është perceptuar si një mungesë ndjeshmërie ndaj identitetit të klubit. Reagimet kanë qenë të ashpra, me shumë mbështetës që e cilësuan veprimin si të papranueshëm për një trajner të Tottenhamit.

    I përballur me kritikat, Frank ka reaguar duke sqaruar situatën dhe duke mohuar çdo qëllim provokues.

    “Sinçerisht nuk e kam vërejtur fare stemën. Nëse do ta kisha parë, nuk do ta kisha marrë kurrë atë gotë. Do të ishte budallallëk i plotë ta bëja me vetëdije”, është shprehur trajneri danez.

    Megjithatë, shpjegimi i tij nuk ka mjaftuar për të qetësuar plotësisht tifozët. Besimi ndaj Frank mbetet i brishtë, ndërsa mediat angleze raportojnë se e ardhmja e tij në stol është në pikëpyetje.

    Sipas këtyre raportimeve, ndeshja e fundjavës ndaj Aston Villës në FA Cup mund të jetë vendimtare për fatin e tij. Një eliminim tjetër do ta vendoste trajnerin shumë pranë shkarkimit, duke e kthyer këtë përballje në një test jetik për vazhdimësinë e tij te Tottenhami.