ATV

Author: N.T.

  • Joao Cancelo i bashkohet Barcelonës, huazim finalizohet pas vonesave

    Joao Cancelo i bashkohet Barcelonës, huazim finalizohet pas vonesave

    Pas një periudhe të gjatë negociatash dhe disa tensioneve administrative, FC Barcelona ka zyrtarizuar huazimin e mbrojtësit portugez, Joao Cancelo, nga Al-Hilal.

    Mbrojtësi 31-vjeçar mbërriti në Barcelonë me fluturim privat për t’u nënshtruar testeve mjekësore dhe për të finalizuar marrëveshjen, e cila u shty disa orë për shkak të vonesave në shkëmbimin e dokumentacionit ndërkombëtar.

    Cancelo do të mbajë fanellën me numrin 2, të njëjtin që kishte gjatë huazimit të tij në sezonin 2023-24. Prezantimi i tij zyrtar në klubin katalanas u realizua në prani të presidentit Joan Laporta, zëvendëspresidentit Rafa Yuste, drejtorit të futbollit Deco, anëtarit të bordit Joan Soler, si dhe familjes së lojtarit.

    Zyrtarizimi i huazimit vjen pas përfundimit të gjithë procedurave të nevojshme administrative nga ana e klubit saudit, duke e bërë Cancelon pjesë të ekipit katalanas për sezonin aktual.

  • Mario Mitaj gati për hapin e madh, Atletico Madrid dhe Sunderland në garë për të

    Mario Mitaj gati për hapin e madh, Atletico Madrid dhe Sunderland në garë për të

    Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, është i vendosur të largohet nga Al Ittihad dhe Arabia Saudite, duke hapur rrugën për një transferim në një nga ligat kryesore europiane.

    Sipas mediave në Spanjë dhe Angli, dy skuadra të mëdha po ndjekin me kujdes 22-vjeçarin: Atletico Madrid, ekipi i Cholo Simeone, dhe Sunderland, ku kapiten është Granit Xhaka.

    Drejtori sportiv i Al Ittihad ka konfirmuar se mbi tavolinën e tij ka ardhur oferta nga La Liga dhe Premier Liga, duke e vendosur Mitajn në qendër të një merkatoje të nxehtë dimërore.

    Mediat spanjolle e paraqesin Mitajn si një mundësi interesante për formacionin e Atletico Madrid, megjithatë theksojnë se konkurrenca brenda skuadrës dhe rivaliteti i fortë në mbrojtje mund të kufizojnë kohën e tij të lojës.

    Nga ana tjetër, oferta e Sunderland i siguron Mitajt një hap të madh në Premier Ligë dhe një ambient të njohur për shqiptarët, me prezencën e Granit Xhakës si pikë e fortë për integrimin e tij.

    Pas eksperiencave në Greqi, Rusi dhe Arabinë Saudite, Mario Mitaj është gati të bëjë një tjetër kapitull në karrierën e tij dhe të sfidojë veten në një nga kampionatet më të forta të Europës.

  • Besfort Zeneli nis aventurën e re te kampioni belg, Union Saint-Gilloise

    Besfort Zeneli nis aventurën e re te kampioni belg, Union Saint-Gilloise

    Mesfushori kosovar, Besfort Zeneli, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij duke iu bashkuar Union Saint-Gilloise, kampionit në fuqi të Belgjikës, me një kontratë që shtrihet deri në vitin 2030.

    23-vjeçari vjen nga Elfsborg i Suedisë, ku u formua që në moshë të vogël dhe u dallua si një lider i natyrshëm. Në sezonin e fundit ai mbante rregullisht shiritin e kapitenit dhe regjistroi 93 paraqitje, me 5 gola dhe 15 asistime, duke ndihmuar klubin suedez të mbyllë kampionatin në vendin e tetë.

    Zeneli ka një histori të veçantë edhe në nivel ndërkombëtar: pas paraqitjeve me Kosovën U21, ai vendosi të përfaqësojë Suedinë në ekipin A, ku ka regjistruar deri më tani 5 ndeshje, debutimin e tij duke e bërë më 22 mars 2025 kundër Luksemburgut.

    “Kur folëm me drejtuesit e klubit, e dija menjëherë që doja të vijoja këtu. Union është një klub me ambient familjar, por gjithmonë në nivel maksimal,” deklaroi Zeneli për faqen zyrtare të Saint-Gilloise.

    Në skuadër, ai do të mbajë fanellën me numrin 23, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij europiane.

  • Alvaro Arbeloa prezantohet te Real Madrid: Qëllimi im është të mbush kabinetin me trofe

    Alvaro Arbeloa prezantohet te Real Madrid: Qëllimi im është të mbush kabinetin me trofe

    Trajneri i sapoemëruar i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka zbuluar ambiciet e tij për të vendosur standarde të larta dhe për ta kthyer klubin në një makinë fituese.

    Sot, pasuesi i Xabi Alonsos zhvilloi seancën e tij të parë stërvitore me ekipin dhe më pas mbajti konferencën e prezantimit për media.

    “Ky klub ka të bëjë me fitoren, fitoren dhe fitoren përsëri. Ne duhet të tregojmë ADN-në që na ka sjellë deri këtu”, tha Arbeloa.

    Trajneri shtoi se vlerat që mësoi si lojtar në dhomën e zhveshjes të Real Madridit janë ende të pranishme dhe se obsesioni i tij është të vazhdojë të mbushë kabinetin e trofeve të klubit.

    “Skuadra është një grup lojtarësh me shumë entuziazëm. Pavarësisht sfidave të ndeshjeve të fundit, ata janë të motivuar për të dhënë më të mirën, për të fituar dhe për të kënaqur tifozët,” përfundoi Arbeloa.

    Ky është fillimi i një kapitulli të ri për Real Madridin, ndërsa trajneri i ri synon të kthejë ekipin në majat e futbollit spanjoll dhe evropian.

  • Antonio Conte pezullohet për dy ndeshje në Serie A pas kartonit të kuq ndaj Interit

    Antonio Conte pezullohet për dy ndeshje në Serie A pas kartonit të kuq ndaj Interit

    Trajneri i Napolit, Antonio Conte, është ndëshkuar me dy ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas kartonit të kuq të marrë gjatë ndeshjes së së dielës kundër Interit në “Giuseppe Meazza”.

    Vendimi është konfirmuar nga Lega Serie A, e cila bëri të ditur se Conte nuk do ta udhëheqë Napolin në sfidat e radhës ndaj Parmas dhe Sassuolos.

    Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të takimit, pasi Interi fitoi një penallti pas rishikimit me VAR. Conte reagoi ashpër ndaj vendimit, duke humbur kontrollin emocional. Ai goditi topin nga zona teknike, hodhi një shishe në tokë dhe bërtiti ndaj gjyqtarit të katërt, që solli kartonin e kuq.

    Napoli do të rikthehet në fushë nesër ndaj Parmës, ndërsa të shtunën përballet me Sassuolon, pa praninë e trajnerit italian në stol.

    Në të njëjtën xhiro, kartonë të kuq morën edhe trajnerët Paolo Vanoli (Fiorentina) dhe Davide Nicola (Cremonese), por ata u ndëshkuan vetëm me një ndeshje pezullim secili, ndryshe nga Conte.

  • Arber Prekazi ndahet nga FC Feronikeli: Jam mirënjohës për çdo moment

    Arber Prekazi ndahet nga FC Feronikeli: Jam mirënjohës për çdo moment

    Mesfushori i njohur Arber Prekazi ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se ka vendosur të largohet nga FC Feronikeli, pas një marrëveshjeje të dyanshme me klubin.

    “Ky nuk ishte një vendim i lehtë, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i planifikojmë ne. Vetëm Zoti e di të ardhmen,” shkroi Prekazi.

    Ai u shpreh i kënaqur me rrugëtimin e tij në klub, duke theksuar se ka ardhur për sfidën dhe për ta ndihmuar Feronikelin të arrijë aty ku i takon. “Po largohem duke e lënë ekipin në vendin e dytë, një pozicion që dërgon direkt në Superligën e Kosovës, pas një rrugëtimi plot sakrificë, djersë dhe punë të ndershme,” shtoi ai.

    Prekazi falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij në klub: lojtarët, trajnerët, stafin dhe kryesinë, për respektin dhe ambientin pozitiv që kanë ndërtuar së bashku. “Edhe dy jetë po t’i kisha, nuk do ta zhbëja kurrë vendimin për të qenë pjesë e këtij klubi të madh. Faleminderit për gjithçka! Deri herën tjetër,” përfundoi ai.

    Largimi i Prekazit shënon një kapitull të rëndësishëm për Feronikelin, i cili vazhdon të synojë rikthimin e plotë në Superligë dhe stabilitetin në elitën e futbollit kosovar.

  • Dy gola të Hadërgjonajt në Kupën e Turqisë, Alanyaspor ndalet në barazim

    Dy gola të Hadërgjonajt në Kupën e Turqisë, Alanyaspor ndalet në barazim

    Florent Hadërgjonaj ka kaluar një mbrëmje të veçantë në futbollin turk, duke qenë protagonisti kryesor i Alanyasporit në ndeshjen e Kupës së Turqisë ndaj Karagumrukut.

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës realizoi dy gola në barazimin 2:2, duke konfirmuar formën e tij të mirë dhe rolin e rëndësishëm që ka në skuadrën e tij. Hadërgjonaj hapi serinë e golave në minutën e 16-të, ndërsa golin e dytë e shënoi në minutën e 74-t nga pika e bardhë e penalltisë.

    Karagumruku reagoi dy herë, me Fofanan që barazoi rezultatin në minutën e 29-të, ndërsa në minutën e 58-të realizoi edhe golin e dytë, gjithashtu nga penalltia.

    Hadërgjonaj u aktivizua si titullar dhe qëndroi në fushë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa nga minuta e parë luajti edhe Fidan Aliti. Ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë në fund të pjesës së parë.

    Pas këtij barazimi, Alanyaspor kryeson Grupin A me katër pikë pas dy xhirove të zhvilluara, ndërsa Karagumruk renditet në vendin e tretë me dy pikë në grupin me tetë skuadra.

    Paraqitja e Hadërgjonajt konfirmon edhe një herë rëndësinë e tij si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren e Kosovës.

  • Superliga e basketbollit sjell spektakël në mesjavë me ndeshje vendimtare

    Superliga e basketbollit sjell spektakël në mesjavë me ndeshje vendimtare

    ProCredit Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon me ritëm të lartë edhe gjatë mesjavës, ku tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin disa përballje mjaft interesante në kuadër të javës së 15-të të kampionatit.

    Programi i së mërkurës ofron dy ndeshje me rëndësi të veçantë. Bora do të presë Rahoveci 029 në një duel që vjen vetëm pak ditë pas përballjes së tyre në çerekfinalen e Kupës së Kosovës. Prishtinasit hyjnë në këtë takim të motivuar pas triumfit të madh ndaj Bashkimit në Prizren, ndërsa rahovecasit kërkojnë rikthimin te fitoret pas humbjes nga Golden Eagle Ylli. Aktualisht, Bora ka gjashtë fitore dhe tetë humbje, ndërsa Rahoveci 029 numëron pesë fitore dhe nëntë humbje.

    Në ndeshjen tjetër të së mërkurës, Vëllaznimi do të përballet me Bashkimin. Kuqezinjtë vijnë pas një fitoreje të rëndësishme ndaj GO+ Pejës dhe synojnë vazhdimësinë, ndërsa prizrenasit kërkojnë të reagojnë pas rezultateve jo të dëshiruara. Vëllaznimi ka pesë fitore dhe nëntë humbje, ndërsa Bashkimi nëntë fitore dhe pesë humbje.

    Vëmendja kryesore e javës do të jetë të enjten në Mitrovicë, ku Trepça do të përballet me GO+ Pejën në palestrën “Minatori”. Ky duel konsiderohet si derbi i xhiros, duke pasur parasysh historinë e rivalitetit dhe pozicionin e skuadrave në tabelë. Trepça kryeson renditjen me 11 fitore dhe tri humbje, ndërsa Peja mban vendin e tretë me tetë fitore dhe gjashtë humbje.

    Një tjetër përballje interesante do të zhvillohet po të enjten, ku Golden Eagle Ylli do të ndeshet me Sigal Prishtinën. Therandasit janë në formë të mirë me dy fitore radhazi në vitin 2026, ndërsa prishtinasit synojnë pikë të rëndësishme për t’u afruar me kreun e tabelës. Pas 14 xhirove, Ylli ka pesë fitore dhe nëntë humbje, ndërsa Sigal Prishtina shtatë fitore dhe shtatë humbje.

  • Xabi Alonso reagon pas largimit nga Real Madridi: Largohem me respekt dhe krenari

    Xabi Alonso reagon pas largimit nga Real Madridi: Largohem me respekt dhe krenari

    Xabi Alonso ka reaguar për herë të parë pas ndarjes së tij me Real Madridin, duke i dhënë fund heshtjes vetëm një ditë pasi u shkarkua nga posti i trajnerit të ekipit të parë.

    Tekniku spanjoll, i cili qëndroi në krye të madrilenëve për vetëm gjashtë muaj, zgjodhi rrjetet sociale për t’u drejtuar tifozëve, duke reflektuar mbi një periudhë që, sipas tij, nuk përfundoi ashtu siç ishte planifikuar.

    Në një postim në Instagram, Alonso shprehu mirënjohje për klubin, lojtarët dhe tifozët, duke theksuar se drejtimi i Real Madridit ishte një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e përditshme. Ai theksoi se largohet me ndërgjegje të pastër, duke nënvizuar se ka dhënë maksimumin gjatë qëndrimit të tij në “Santiago Bernabeu”.

    Alonso u emërua trajner i Real Madridit në fillim të këtij sezoni, pas suksesit të tij me Bayer Leverkusen. Gjatë 28 ndeshjeve në krye të skuadrës, ai regjistroi 20 fitore, tri barazime dhe pesë humbje – një bilanc pozitiv, por që nuk mjaftoi për të qetësuar pritshmëritë e larta të klubit.

    Diferenca prej katër pikësh nga Barcelona në La Liga, së bashku me paraqitjet e paqëndrueshme në Ligën e Kampionëve, ndikuan në vendimin e drejtuesve për një ndarje të parakohshme.

    Pas largimit të Alonsos, Real Madridi ka emëruar Alvaro Arbeloan si trajner të ri, duke i besuar drejtimin e skuadrës ish-trajnerit të Real Castilla, i cili më parë garonte në ligën e tretë spanjolle.

  • Klopp mohon zërat për Real Madridin dhe komenton largimin e Xabi Alonsos

    Klopp mohon zërat për Real Madridin dhe komenton largimin e Xabi Alonsos

    Jurgen Klopp ka reaguar ndaj spekulimeve që e lidhnin atë me postin e trajnerit të Real Madridit, pas ndarjes së klubit madrilen me Xabi Alonson. Drejtori i futbollit global te Red Bull GmbH ka qenë i qartë se këto zëra nuk kanë asnjë bazë reale.

    Ish-trajneri i Liverpoolit ka shprehur habinë për mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Madrid, duke vënë në pah presionin e madh që ekziston në klubin spanjoll dhe mungesën e kohës për ndërtim afatgjatë.

    Sipas Kloppit, fakti që një trajner si Xabi Alonso, i cili kishte lënë përshtypje shumë pozitive me Bayer Leverkusen gjatë dy viteve të fundit, u largua vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, tregon qartë klimën aktuale në “Santiago Bernabeu”.

    Ai theksoi se pritshmëritë te Real Madridi janë në një nivel ekstrem dhe se vendimet shpesh merren nën ndikimin e presionit të menjëhershëm, sidomos pas rezultateve negative, si humbja në finalen e Kupës ndaj Barcelonës.

    Klopp gjithashtu bëri të ditur se emri i tij u përmend pa asnjë arsye konkrete dhe se ai nuk ka pasur asnjë kontakt apo interes lidhur me këtë çështje. Ai pranoi se ishte i befasuar nga situata, duke shtuar me humor se disa mesazheve u ishte përgjigjur vetëm me emoji.

    Me këtë reagim, Klopp i ka dhënë fund zërave për një rikthim të mundshëm në pankinë, të paktën në të ardhmen e afërt.