ATV

Author: N.T.

  • Thomas Muller: Zemra ime mbetet te Bayern, i shoh deri në finale të Champions League

    Thomas Muller: Zemra ime mbetet te Bayern, i shoh deri në finale të Champions League

    Edhe pse Thomas Muller ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij me Vancouver Whitecaps, zemra e tij mbetet te FC Bayern Munich. Sulmuesi gjerman, i cili u bashkua me skuadrën kanadeze si transferim i lirë pas skadimit të kontratës me bavarezët, ndjek me pasion zhvillimet e ish-klubit të tij.

    Në një intervistë të fundit për gazetën BILD, 36-vjeçari vlerësoi sezonin e deritanishëm të FC Bayern dhe shprehu besimin e tij se ekipi mund të arrijë shumë në Ligën e Kampionëve.

    “Më bën përshtypje mënyra se si ekipi punon së bashku,” tha Muller. “Jo vetëm që luajnë futboll të bukur, por gjithashtu luftojnë deri në fund dhe nuk dorëzohen asnjëherë. Shumë fitore kanë ardhur edhe kur ishin në disavantazh, gjë që i bën ndeshjet emocionuese për t’u ndjekur.”

    Legjenda bavareze nuk kurseu as parashikimin për sezonin e Ligës së Kampionëve: ai beson se FC Bayern ka potencial të arrijë të paktën deri në finale.

    “Më pëlqen ta ndjek ekipin sa më shumë që mundem. Ndihem ende pjesë e familjes, edhe pse jam larg. Bayern gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në zemrën time,” përfundoi Muller.

    Kjo deklaratë tregon se lidhja emocionale mes ish-lojtarëve dhe klubit nuk shuhet lehtë, edhe kur karriera i çon ata larg Gjermanisë.

  • Milionat që zhvendosën trofetë, Superkupat italiane dhe spanjolle jashtë kufijve

    Milionat që zhvendosën trofetë, Superkupat italiane dhe spanjolle jashtë kufijve

    Në futbollin modern, edhe trofetë tradicionale kanë ndryshuar adresë. Superkupa e Italisë dhe ajo e Spanjës, që dikur shënonin hapjen zyrtare të sezonit në stadiumet vendase, sot janë shndërruar në evente dimërore të zhvilluara mijëra kilometra larg Evropës, në Arabinë Saudite.

    Ndryshimi nuk është i rastësishëm, përveç aspektit sportiv, këto turne janë kthyer në produkte të fuqishme financiare, ku tregu dhe shikueshmëria globale kanë marrë përparësi ndaj traditës.

    Italia e mbylli tashmë edicionin e saj të Superkupës, ku Napoli triumfoi në një mini-turne me katër skuadra, ndërsa në Spanjë gara është ende e hapur, me Real Madridin dhe Atletico Madridin që kërkojnë kualifikimin në finale, aty ku Barcelona pret tashmë.

    Por si përfunduan këto trofe në Lindjen e Mesme?

    Superkupa italiane ka nisur “udhëtimet” jashtë vendit që në vitet ’90, duke kaluar nga Shtetet e Bashkuara në Azi dhe Afrikën e Veriut. Megjithatë, Arabia Saudite është destinacioni që ka sjellë ndryshimin më të madh, jo vetëm gjeografik, por edhe strukturor.

    Kontratat e nënshkruara me autoritetet saudite kanë diktuar jo vetëm vendin dhe kohën e zhvillimit, por edhe formatin e ri me katër ekipe, i cili garanton më shumë ndeshje, më shumë spektakël dhe mbi të gjitha, më shumë të ardhura. Fondi i çmimeve është rritur ndjeshëm, duke e bërë Superkupën italiane ndër më fitimprurëset në Evropë për klubet pjesëmarrëse.

    Në anën tjetër, Spanja ka shkuar edhe më larg. Federata Spanjolle ishte e para që adoptoi formatin me katër skuadra dhe e lidhi fort Superkupën me tregun saudit. Marrëveshja financiare është shumë e majme, por vjen me një kusht të heshtur: prania e Real Madridit dhe Barcelonës është thelbësore.

    Në fakt, suksesi ekonomik i turneut varet drejtpërdrejt nga këta dy gjigantë. Çdo mungesë e tyre sjell pasoja financiare për federatën, çka e bën Superkupën spanjolle jo vetëm një garë sportive, por edhe një projekt të ndërtuar rreth emrave më të mëdhenj të futbollit iberik.

    Deri më tani, skenari ideal për organizatorët është realizuar, çdo finale e zhvilluar në Arabinë Saudite ka pasur të paktën njërin prej dy kolosëve, duke garantuar interes maksimal dhe fitime të sigurta.

    Në fund, Superkupat e Italisë dhe Spanjës janë shembulli më i qartë se si futbolli evropian po përshtatet me realitetin e ri global, aty ku tradita, marketingu dhe miliona euro takohen në të njëjtën fushë

  • Arda Guler humbet hapësirë te Reali, Arsenali gati të përfitojë

    Arda Guler humbet hapësirë te Reali, Arsenali gati të përfitojë

    Edhe pse në javët e fundit ka pasur një rënie të lehtë në minutazhin dhe ndikimin e tij në lojë, Arda Guler vazhdon të konsiderohet një element me vlerë të lartë në projektin e Real Madridit. Talentit turk nuk i mungon cilësia, ndaj situata e tij po ndiqet me vëmendje edhe nga klube të mëdha evropiane.

    Në këtë kontekst, Arsenali ka shtuar vëzhgimet, duke mbajtur në fokus zhvillimet rreth të ardhmes së 20-vjeçarit, i cili shihet si një profil ideal për filozofinë e Mikel Artetës.

    Ndërkohë, Real Madridi po përgatitet për një tjetër sfidë të madhe në Superkupën e Spanjës, turne që zhvillohet në Arabinë Saudite. “Los Blancos” do të përballen me Atletico Madridin në një derbi shumë të pritur, me objektivin për të siguruar kualifikimin në finalen e madhe.

    Paralelisht me këtë duel, vëmendja rikthehet te Arda Guler, një futbollist që e nisi sezonin në mënyrë premtuese, veçanërisht falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Kylian Mbappe, por që me kalimin e javëve ka humbur hapësirë në skemat taktike të trajnerit Xabi Alonso.

    Megjithatë, mesfushori ofensiv mbetet i vendosur për të rikthyer formën më të mirë me fanellën e Real Madridit dhe për të bindur stafin teknik për rëndësinë e tij në skuadër.

    Sa i përket së ardhmes, interesimi nga Liga Premier është konkret. Sipas raportimeve të Sports Illustrated, Arsenali, me nxitjen direkte të trajnerit Mikel Arteta, është i gatshëm të bëjë një ofertë të konsiderueshme financiare për të siguruar shërbimet e Gulerit.

    Pavarësisht kësaj, drejtuesit e Real Madridit nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga një talent me potencial të jashtëzakonshëm dhe çdo lëvizje e mundshme pritet të kërkojë një investim të madh.

  • Skena të çuditshme në Premier League, Evertoni mbeti me tetë lojtarë ndaj Wolves

    Skena të çuditshme në Premier League, Evertoni mbeti me tetë lojtarë ndaj Wolves

    Ndeshja mes Evertonit dhe Wolverhamptonit, e përfunduar me rezultat 1-1, u shoqërua me skena të rralla dhe vendime të pazakonta të gjyqtarit, që lanë skuadrën vendase me vetëm tetë lojtarë në fushë.

    Futbollistët e Evertonit u ndëshkuan me dy kartonë të kuq, jo si pasojë e ndërhyrjeve të ashpra, por për situata të pazakonshme që rrallëherë shihen në futbollin profesionist. Madje, Jack Grealish u përjashtua nga loja pa kryer asnjë faull gjatë gjithë ndeshjes.

    Evertoni kaloi i pari në epërsi në minutën e 17-të me golin e Michael Keane ndaj ekipit që renditet në fund të tabelës, por Wolverhamptoni u rikthye në lojë në minutën e 69-të falë golit të talentit 18-vjeçar Mateus Mane.

    Momentet më kaotike të takimit erdhën në minutat e fundit. Në minutën e 83-të, Michael Keane u ndëshkua me karton të kuq direkt pasi tërhoqi për flokësh sulmuesin kundërshtar Toluwalase Arokodare, një veprim që habiti edhe vetë mbrojtësin e Evertonit.

    Menjëherë pas këtij rasti, Jack Grealish reagoi ndaj vendimit të gjyqtarit duke protestuar, çka i solli kartonin e parë të verdhë. Pak minuta më vonë, i pakënaqur me vazhdimin e arbitrimit, ai duartrokiti gjyqtarin Thomas Kirk në shenjë ironie dhe u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja pa kryer asnjë ndërhyrje të parregullt.

    Pavarësisht se Evertoni mbeti me tetë lojtarë në fushë, rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

  • Alarm te FC Drenica, shiu e nxjerr jashtë funksioni stadiumin

    Alarm te FC Drenica, shiu e nxjerr jashtë funksioni stadiumin

    Klubi i Futbollit Drenica ka dalë me një apel publik për ndihmë dhe solidaritet, pasi reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme të rënda në fushën e stadiumit, duke e bërë atë të papërshtatshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe procesin stërvitor.

    Në komunikatën e klubit thuhet se gjatë muajve të fundit janë realizuar investime të mëdha në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumit, falë angazhimit, përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme, me synimin për të krijuar kushte më të mira për futbollistët, klubin dhe gjithë komunitetin lokal.

    Por, e gjithë kjo punë është dëmtuar brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi reshjet intensive kanë shkaktuar shkatërrime serioze në fushë, duke lënë pas pasoja të mëdha.

    FC Drenica ka publikuar edhe pamje video që dokumentojnë gjendjen e fushës para ndërhyrjeve, pas përfundimit të investimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se situata aktuale flet vetë për gjendjen alarmante.

    Klubi u është drejtuar me kërkesë zyrtare institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe organeve të tjera relevante, duke kërkuar mbështetje të menjëhershme për rehabilitimin e stadiumit dhe rikthimin e tij në funksion të plotë.

    Sipas drejtuesve të klubit, ndihma institucionale është thelbësore për vazhdimin normal të garave kampionale, pasi në mungesë të saj ekziston rreziku real që aktiviteti sportiv i klubit të vihet në dyshim.

    Në të njëjtën kohë, FC Drenica ka bërë thirrje për bashkim dhe solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi përfaqëson më shumë sesa një skuadër, ai është pjesë e trashëgimisë sportive, rinisë dhe identitetit të rajonit.

    “Me përkrahjen e të gjithëve, besojmë se do të arrijmë ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’u sigurojmë futbollistëve kushtet që meritojnë. Synimi ynë është ndërtimi i një infrastrukture të qëndrueshme, në shërbim të së tashmes dhe brezave të ardhshëm”, thuhet në mesazhin e klubit.

    FC Drenica përmbyll thirrjen duke theksuar se ky apel është në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të sportit në Kosovë, duke rikujtuar mesazhin e fuqishëm: “Drenica është e Kosovës!”.

  • Pistons e Thunder vazhdojnë të jenë lider në NBA, Lakers pëson humbje

    Pistons e Thunder vazhdojnë të jenë lider në NBA, Lakers pëson humbje

    Ka vazhduar spektakli në Ligën më të fortë të Basketbollit në botë, NBA, ku u zhvillun plotë 12 ndeshje.

    Lideri I Konferencës së Perëndimit, Oklahoma City Thunder, është këndellur me fitore pasi mundi kësaj radhe Utah Jazz, me rezultat të ngushtë 129-125.

    Shai-Gilgeous-Alexander, ishte ylli I mbrëmjes duke udhëhequr skuadrën e tijë drejt fitores me 46 pikë, gjashtë kërcime e po aq asistime, derisa Chet Holmgren shtojë 23 pikë e 12 kërcime.

    Nga ana tjetër, Lauri Markkanen u dallua me 29 pikë e 13 kërcime, derisa Keynote George po ashtu pati paraqitje të mirë me 25 pikë e 11 asisitme, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Kujtojmë që Jazz renditen në poziten e 13 në Konferencën e Perëndimit, ku kjo ishte humbja e tyre e pestë radhazi.

     

    Lideri I Konferencës së Lindjes, Detroit Pistons, ka vazhdur me fitore duke marrur të tretën radhazi, pasi mundi Chicago Bulls me shifrat 108-93.

    Më meritori për fitoren e Pistons, ishte Isaiah Steëart me 31 pikë të realizuara.

    Te skuadra humbëse, u dalluan Nikola Vucevic me 20 pikë e 16 kërcime dhe Matas Buzelis me 20 sosh.

    Bulls renditen në poziten e 10 në Konferencën e Lindjes.

     

    Los Angeles Lakers ka ësuar humbje nga San Antonio Spurs me rezultat 107-91, gjë që I kushtojë edhe me rënie nga pozita e tretë në të katërten në tabelën e Perëndimit.

    Më efikaset në fitoren e Spurs ishin, Keldon Johnson me 27 pikë e gjashtë asistime, Victor Wembanyama me me 16 pikë e 14 kërcime, Stephon Castle me 15 pikë dhe De’Aron Fox me 14 sosh.

    Naga ana tjetër, përkunder triple-double të realizuar nga Luca Doncic, me 38 pikë, 10 kërcime dhe 10 asistime, Lakers nuk munden ti rezistonin humbjes.

  • Shkëmbim bombastik në NBA, Trae Young transferohet te Wizards

    Shkëmbim bombastik në NBA, Trae Young transferohet te Wizards

    Një nga lëvizjet më të bujshme të afatit të shkëmbimeve në NBA ka përfshirë Trae Young. Ylli i Atlanta Hawks ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij te Washington Wizards, duke mbyllur një kapitull tetëvjeçar në Atlanta.

    Basketbollisti 27-vjeçar, katër herë All-Star, kalon te Wizards në një marrëveshje që dërgon CJ McCollum dhe Corey Kispert te Hawks. Ky transferim shënon një hap të rëndësishëm si për Washingtonin, ashtu edhe për vetë Young.

    Një nga arsyet kryesore të këtij vendimi është ribashkimi i Young me Travis Schlenk, drejtuesin ekzekutiv të Wizards, i cili ishte personi që e përzgjodhi atë në Draftin e vitit 2018.

    Washington Wizards, që aktualisht renditen në fundin e Konferencës Lindore me bilanc 10 fitore dhe 26 humbje, e konsiderojnë Young një gur themeli në projektin e rindërtimit të skuadrës, me objektivin për t’u rikthyer në garën për playoff në sezonet e ardhshme.

    Sezoni aktual nuk ka qenë i lehtë për Young për shkak të dëmtimeve, pasi ka zhvilluar vetëm 10 ndeshje. Megjithatë, ai ka arritur të ruajë një mesatare mbresëlënëse prej 25 pikësh për ndeshje, duke treguar se forma e tij mbetet në nivel të lartë.

    Trae Young shpreson që pas transferimit te Wizards të lërë pas problemet me dëmtimet dhe të rikthehet plotësisht në formën e tij më të mirë.

    Nga ana tjetër, Atlanta Hawks përfitojnë përvojën dhe qetësinë që sjell CJ McCollum, ndërsa Corey Kispert i jep skuadrës më shumë energji dhe thellësi në rotacion.

  • KB Prishtina njofton gjendjen e lojtarëve: Azemi jashtë për 3 javë, Kakruki rikthehet gradualisht

    KB Prishtina njofton gjendjen e lojtarëve: Azemi jashtë për 3 javë, Kakruki rikthehet gradualisht

    KB Prishtina ka bërë të ditur për tifozët gjendjen e fundit të dy prej lojtarëve të saj kryesorë.

    Arian Azemi ka pësuar një lëndim në gju dhe do të mungojë të paktën për tre javët e ardhshme. Stafi mjekësor i klubit po monitoron vazhdimisht gjendjen e tij dhe rikuperimi do të përcaktojë datën e rikthimit në fushë.

    Nga ana tjetër, Valmir Kakruki është rikthyer në stërvitje, por ende nuk është në gjendje të luajë në ndeshje. Lojtari do të jetë i gatshëm vetëm pasi ritmi i stërvitjes dhe gjendja fizike të jenë të përshtatshme, sipas vlerësimit të stafit teknik dhe mjekësor.

    KB Prishtina thekson se shëndeti i lojtarëve mbetet prioritet dhe rikthimi i tyre do të bëhet vetëm kur ata të jenë plotësisht të gatshëm për të kontribuar në fushë.

  • KB Prishtina forcohet me amerikanin Kahlil Dukes

    KB Prishtina forcohet me amerikanin Kahlil Dukes

    Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon të tërheqë lojtarë të huaj, ndërsa klubet vendase synojnë përforcime strategjike për të rritur konkurrencën dhe nivelin e kampionatit.

    Në këtë kuadër, KB Prishtina ka njoftuar nënshkrimin e kontratës me amerikanin Kahlil Dukes, një lojtar 30-vjeçar me gjatësi 1.82 metra, i cili vjen nga klubi hungarez Atomeromu.

    Dukes pritet të sjellë përvojë dhe cilësi në mesfushën e skuadrës, duke forcuar rolin e Prishtinës në garat vendase dhe atë ndërkombëtare. Ky transferim reflekton strategjinë e klubit për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe të balancuar, i cili mund të rivalizojë për titujt kryesorë në Superligë.

  • Arbin Rushiti rikthehet te Vëllaznimi i Gjakovës pas aventurës në Maqedoninë e Veriut

    Arbin Rushiti rikthehet te Vëllaznimi i Gjakovës pas aventurës në Maqedoninë e Veriut

    KB Vëllaznimi i Gjakovës ka njoftuar rikthimin e basketbollistit Arbin Rushiti, pas një sezoni të suksesshëm me ekipin maqedonas “Çair 2030”.

    Rushiti, basketbollisti nga Shkupi, ka lënë gjurmë në Superligën e Maqedonisë së Veriut, ku ishte pjesë bazike e skuadrës. Gjatë sezonit, ai regjistroi mesatare prej 8.5 pikëve, 5.1 asistimeve dhe 3 kërcimeve për ndeshje, duke treguar konsistencë dhe profesionalizëm në fushë.

    “Arbin Rushiti rikthehet në shtëpi! Djaloshi nga Shkupi rikthehet në folenë Kuq e Zi. Ai nuk ka nevojë për prezantim, pasi më parë ishte një nga figurat kryesore të ekipit, i njohur për angazhimin dhe përkushtimin e tij për ngjyrat e shenjta të Vëllaznimit”, njofton klubi përmes një komunikate zyrtare.

    Rikthimi i Rushitit konsiderohet një forcim i madh për Vëllaznimin, i cili synon të jetë konkurrues dhe në krye të Superligës së Kosovës në basketboll. Klubi shpreson se përvoja dhe stabiliteti i tij do të japin një shtysë të re për skuadrën në sezonin e ardhshëm.