ATV

Author: N.T.

  • Jurgen Klopp, kandidati kryesor për stolin e Gjermanisë pas eliminimit nga Botërori

    Jurgen Klopp, kandidati kryesor për stolin e Gjermanisë pas eliminimit nga Botërori

    Eliminimi i befasishëm i Gjermanisë nga Paraguai në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës 2026 ka tronditur futbollin gjerman dhe ka vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e Julian Nagelsmannit si përzgjedhës i “Mannschaft”.

    Gjermanët u eliminuan pas ekzekutimit të penalltive, në një ndeshje ku nuk arritën të justifikonin rolin e favoritit. Humbja ka shkaktuar reagime të shumta në Gjermani, me kritika të forta ndaj paraqitjes së ekipit dhe punës së stafit teknik.

    Ndërkohë, mediat gjermane raportojnë se emri i Jurgen Klopp po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares. Ish-trajneri i Liverpoolit, i njohur për sukseset dhe stilin e tij të lojës, aktualisht mban një rol drejtues në grupin Red Bull, por nuk përjashtohet mundësia e rikthimit në pankinë për të udhëhequr vendin e tij.

    Federata Gjermane ende nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare, megjithatë e ardhmja e Nagelsmannit mbetet e pasigurt. Nëse vendoset për një ndryshim, Klopp shihet si njeriu që mund të nisë një kapitull të ri dhe të rikthejë Gjermaninë mes pretendenteve kryesore në arenën ndërkombëtare.

  • Faza eliminatore e Botërorit vazhdon sot me dy superndeshje

    Faza eliminatore e Botërorit vazhdon sot me dy superndeshje

    Faza eliminatore e Kampionatit Botëror 2026 vazhdon edhe sot me duele shumë interesante, ndërsa njëra prej tyre tashmë ka nisur.

    Që nga ora 17:00, në stadiumin e Dallasit është duke u zhvilluar përballja mes Bregut të Fildishtë dhe Norvegjisë. Të dyja kombëtaret synojnë një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të Botërorit, në një duel ku favorit i lehtë konsiderohet formacioni norvegjez, i udhëhequr nga sulmuesi Erling Haaland. Megjithatë, Bregu i Fildishtë ka treguar paraqitje shumë të mira gjatë fazës së grupeve dhe pritet t’i bëjë rezistencë të fortë kundërshtarit.

    Më vonë, nga ora 21:00, vëmendja do të jetë e përqendruar në superduelin mes Francës dhe Suedisë. Francezët vijnë në këtë takim pas një faze të grupeve të shkëlqyer, ku siguruan vendin e parë në grup, ndërsa Suedia arriti të kualifikohej në fazën eliminatore si njëra prej kombëtareve më të mira të renditura në vendin e tretë. Franca hyn në këtë sfidë si favorite, por në ndeshjet me eliminim direkt çdo gabim mund të jetë vendimtar.

    Deri më tani, një biletë për në fazën e 1/8 së finales e kanë siguruar Kanadaja, Brazili, Paraguai dhe Maroku. Kanadaja eliminoi Afrikën e Jugut pas vazhdimeve, Brazili mposhti Japoninë, Paraguai befasoi Gjermaninë pas penalltive, ndërsa Maroku triumfoi ndaj Holandës, gjithashtu pas goditjeve nga pika e bardhë.

  • Zyrtare: Enzo Maresca merr drejtimin e Manchester Cityt

    Zyrtare: Enzo Maresca merr drejtimin e Manchester Cityt

    Manchester City ka zyrtarizuar emërimin e Enzo Marescës si trajnerin e ri të skuadrës, duke i besuar italianit drejtimin e ekipit pas largimit të Pep Guardiolës.

    Maresca rikthehet në “Etihad”, aty ku më parë kishte qenë pjesë e stafit teknik të Guardiolës, ndërsa së fundmi drejtonte Chelsean. Klubi anglez ka bërë të ditur se ai ka firmosur një kontratë trevjeçare, e vlefshme deri në verën e vitit 2029.

    “Manchester City ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Enzo Marescës si trajner të ekipit të parë. Ai ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, e cila do ta mbajë në klub deri në verën e vitit 2029”, thuhet në njoftimin zyrtar të kampionëve të Anglisë.

    Pas zyrtarizimit, Maresca shprehu emocionet për rikthimin në klubin që e konsideron si shtëpinë e tij futbollistike.

    “Manchester City është një klub që e njoh shumë mirë dhe drejtimi i kësaj skuadre është një nder dhe një mundësi e jashtëzakonshme për mua. Kjo është aventura ime e tretë këtu. I njoh standardet, ambiciet dhe kulturën e këtij klubi. Dua të falënderoj drejtuesit për besimin që kanë treguar ndaj meje. Jam i motivuar të nis këtë kapitull të ri dhe të punoj për të arritur suksese të tjera me ekipin”, u shpreh trajneri italian.

  • Ronaldinho rikthehet në futboll, legjenda braziliane nis aventurën e re te Ravenna

    Ronaldinho rikthehet në futboll, legjenda braziliane nis aventurën e re te Ravenna

    Një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror është sërish në qendër të vëmendjes. Ronaldinho ka befasuar opinionin sportiv duke firmosur me klubin italian Ravenna FC, në atë që konsiderohet një nga lëvizjet më të papritura të kësaj vere.

    Fillimisht, ardhja e legjendës braziliane u interpretua si një marrëveshje me karakter promovues dhe marketingu, me synimin për të rritur imazhin dhe popullaritetin e klubit italian. Megjithatë, ditët e fundit janë shtuar spekulimet se ish-fituesi i Topit të Artë mund të mos kufizohet vetëm jashtë fushës.

    Zëvendëspresidenti i Ravennës, Ariedo Braida, kishte deklaruar fillimisht se mosha e Ronaldinhos nuk e lejonte të luante në Serie C. Por më pas ai ndryshoi tonin, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi surprizë në fushën e lojës.

    “Ronaldinho është një kampion i përjetshëm. Nëse do ta shohim në fushë? Për momentin nuk mund të themi asgjë me siguri, por nuk përjashtohet”, u shpreh Braida.

    Edhe vetë braziliani nuk e fshehu emocionin për këtë kapitull të ri në karrierën e tij, duke treguar se pasioni për futbollin vazhdon të jetë po aq i fortë sa dikur.

    “Ngjyra të reja, por e njëjta buzëqeshje. Jam i lumtur për këtë sfidë dhe mezi pres të rikthehem pranë topit. Futbolli më ka dhuruar gjithmonë gëzim dhe dua të ndaj të njëjtën energji me familjen e Ravennës”, deklaroi Ronaldinho.

    Megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse 46-vjeçari do të aktivizohet në ndeshje zyrtare, vetëm prania e tij në klub ka krijuar një atmosferë entuziazmi të jashtëzakonshëm. Tifozët e Ravennës tashmë po ëndërrojnë të shohin edhe një herë magjinë e Ronaldinhos në fushën e blertë, qoftë edhe për disa minuta.

    Nëse kjo ndodh, futbolli italian mund të bëhet sërish skenë e një prej figurave më karizmatike dhe spektakolare që ka njohur ndonjëherë ky sport.

  • PSG futet në garë për Thuram, Juventusi i hap derën largimit të mesfushorit francez

    PSG futet në garë për Thuram, Juventusi i hap derën largimit të mesfushorit francez

    Paris Saint-Germain po monitoron nga afër situatën e Khephren Thuram dhe mund të bëjë një lëvizje konkrete për mesfushorin e Juventusit gjatë merkatos së verës.

    Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit e kampionëve francezë kanë shfaqur interes serioz për 24-vjeçarin, emri i të cilit është përmendur edhe gjatë negociatave mes PSG-së dhe Juventusit për të ardhmen e sulmuesit Randal Kolo Muani.

    Juventusi nuk e konsideron të paprekshëm Thuram dhe është i gatshëm të shqyrtojë oferta të rëndësishme për kartonin e tij. Klubi torinez synon të krijojë hapësira financiare dhe të sigurojë të ardhura shtesë për të financuar objektivat e merkatos në muajt e ardhshëm.

    Pavarësisht interesimit që vjen nga disa skuadra të Ligës Premier, burimet pranë lojtarit bëjnë të ditur se Thuram e sheh me prioritet një rikthim në futbollin francez. PSG-ja konsiderohet si destinacioni më tërheqës për vazhdimin e karrierës së tij dhe një mundësi ideale për të luftuar për trofetë më të rëndësishëm në Evropë.

    Megjithatë, nëse transferimi materializohet, francezi do të përballet me konkurrencë të fortë në mesfushën e skuadrës pariziene. Aktualisht, Luis Enrique ka në dispozicion emra të rëndësishëm si Vitinha, Joao Neves, Fabian Ruiz, Desire Doue dhe Warren Zaire-Emery, duke e bërë luftën për një vend titullari jashtëzakonisht të fortë.

    Thuram iu bashkua Juventusit nga Nice dhe në një kohë të shkurtër është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të bardhezinjve. Performancat e tij të qëndrueshme kanë tërhequr vëmendjen e klubeve elitare evropiane, ndërsa vera e këtij viti mund të sjellë një kapitull të ri në karrierën e talentit francez.

  • Mourinho flet për herë të parë si trajner i Real Madridit: Mbappe mund të bëhet edhe më i fortë

    Mourinho flet për herë të parë si trajner i Real Madridit: Mbappe mund të bëhet edhe më i fortë

    Jose Mourinho ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në stolin e Real Madridit, ndërsa në paraqitjen e parë para mediave si trajner i skuadrës madrilene, portugezi ka dërguar një mesazh të qartë: prioriteti i tij është zhvillimi i lojtarëve dhe forcimi i ekipit.

    Tekniku i njohur theksoi se kjo është periudha e duhur për të njohur grupin dhe për të analizuar në detaje situatën brenda klubit, duke shmangur komentet e nxituara.

    “Ky nuk është momenti për të folur shumë. Është koha për të vëzhguar, analizuar, komunikuar dhe për të ndërtuar një dialog të sinqertë me të gjithë. Qëllimi im është të ndihmoj lojtarët të përmirësohen, ekipin të rritet dhe klubin të ecë përpara”, deklaroi Mourinho.

    Trajneri portugez nënvizoi se nuk ka ardhur në “Santiago Bernabeu” për të gjykuar apo kritikuar punën e askujt, por për të dëgjuar dhe për të kontribuar në suksesin e përbashkët.

    “Jam këtu për të ndihmuar të gjithë. Nuk kam ardhur për të kritikuar apo për të bërë krahasime. Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe të jap maksimumin tim për këtë klub”, shtoi ai.

    Një pjesë e veçantë e konferencës iu kushtua edhe yllit francez, Kylian Mbappe. Mourinho nuk i kurseu elozhet për sulmuesin, duke e cilësuar si një nga futbollistët më të mirë në botë, por njëkohësisht duke theksuar se ai ka ende hapësirë për t’u përmirësuar.

    “Mbappe është një lojtar fenomenal. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta ndihmuar të arrijë një nivel edhe më të lartë”, u shpreh Mourinho.

    Ndërkohë, Mbappe dhe pjesa më e madhe e yjeve të Real Madridit janë aktualisht të përqendruar te angazhimet me kombëtaret e tyre në Kupën e Botës 2026, duke synuar suksesin maksimal në turneun më të madh të futbollit

  • Kupa e Botës 2026: Katër përballje vendimtare sonte, në lojë kualifikimi për fazën tjetër

    Kupa e Botës 2026: Katër përballje vendimtare sonte, në lojë kualifikimi për fazën tjetër

    Sonte zhvillohen katër ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026, ku ekipet e Grupeve B dhe C do të luftojnë për pikët që mund t’u sigurojnë kalimin në raundin e ardhshëm.

    Në Grupin B, Kanadaja dhe Zvicra kryesojnë renditjen me nga 4 pikë, ndërsa Bosnja dhe Katari kanë grumbulluar vetëm nga 1 pikë. Në Grupin C, Brazili dhe Maroku ndajnë vendin e parë me nga 4 pikë, Skocia ka 3 pikë, ndërsa Haiti renditet i fundit pa asnjë pikë.

    Në orën 19:00, vëmendja do të jetë te përballja mes Bosnjës dhe Katarit. Të dy kombëtaret hyjnë në fushë me detyrimin për të fituar, pasi çdo rezultat tjetër do t’i komplikonte ndjeshëm shanset për kualifikim. Boshnjakët kërkojnë të shfrytëzojnë eksperiencën dhe cilësinë e tyre për të marrë tre pikët e para në turne, ndërsa Katari synon reagimin pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet e para.

    Po në të njëjtën orë, Zvicra dhe Kanadaja do të përballen në një duel direkt për kreun e Grupit B. Të dy skuadrat kanë treguar formë të mirë deri tani, duke mbetur të pamposhtura pas dy ndeshjeve të para. Një fitore do t’i siguronte fituesit vendin e parë në grup, ndërsa edhe barazimi mund të rezultojë i mjaftueshëm për të dyja ekipet për të vazhduar rrugëtimin në turne.

    Mbrëmja vazhdon në orën 22:00 me sfidat e Grupit C. Maroku do të përballet me Haitin, në një ndeshje ku afrikanët konsiderohen favoritë pas rezultateve pozitive të deritanishme. Me 4 pikë në dy takime, marokenët kanë në dorën e tyre fatin e kualifikimit, ndërsa Haiti kërkon pikët e para në këtë Botëror.

    Përballja më e fortë e natës pritet të jetë ajo mes Skocisë dhe Brazilit. Brazili kryeson grupin falë golavarazhit më të mirë dhe mbetet një nga favoritët kryesorë për triumfin në turne. Në anën tjetër, Skocia ka ende shanse reale për kualifikim dhe do të kërkojë të shkaktojë surprizën ndaj pesë herë kampionëve të botës.

    Me llogaritë e kualifikimit ende të hapura në të dy grupet, katër ndeshjet e sotme pritet të sjellin emocione, tension dhe spektakël, ndërsa ekipet luftojnë për një vend në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026.

  • Fundi i një epoke në Milwaukee: Giannis transferohet te Miami Heat në një nga marrëveshjet më të mëdha të NBA-së

    Fundi i një epoke në Milwaukee: Giannis transferohet te Miami Heat në një nga marrëveshjet më të mëdha të NBA-së

    Një nga lëvizjet më spektakolare të viteve të fundit në NBA tashmë është zyrtare. Pas muajsh spekulimesh dhe diskutimesh intensive, Giannis Antetokounmpo po largohet nga Milwaukee Bucks për t’iu bashkuar Miami Heat, duke i dhënë fund një kapitulli historik që zgjati më shumë se një dekadë.

    Sipas raportimeve të mediave amerikane, mes tyre edhe ESPN, Miami arriti të triumfojë në garën për nënshkrimin e superyllit grek, duke lënë pas edhe Boston Celtics. Antetokounmpo largohet nga Bucks si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e organizatës, pasi fitoi dy çmime MVP dhe udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në vitin 2021.

    Marrëveshja mes dy skuadrave është një nga më të mëdhatë e viteve të fundit. Përveç Giannisit, në Miami do të transferohet edhe Bobby Portis, ndërsa Milwaukee do të përfitojë Tyler Herro, Kel’el Ware, Jaime Jaquez Jr. dhe Kasparas Jakucionis.

    Pakoja për Bucks nuk përfundon me kaq. Klubi nga Wisconsin do të marrë gjithashtu tri zgjedhje të raundit të parë në draft, të drejtën për shkëmbimin e një zgjedhjeje të ardhshme dhe një zgjedhje të raundit të dytë.

    Largimi i Antetokounmpos mbyll një histori që nisi në vitin 2013, kur ai u përzgjodh nga Milwaukee në draft. Që nga ajo kohë, greku u shndërrua në fytyrën e klubit, liderin e skuadrës dhe simbolin e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e Bucks.

    Megjithatë, muajt e fundit raportet mes yllit grek dhe drejtuesve të klubit nuk kanë qenë më të njëjtat. Pakënaqësitë u shtuan pas vendimeve të stafit mjekësor dhe teknik për ta lënë jashtë fushës pas një dëmtimi në gju, pavarësisht insistimit të lojtarit se ishte i gatshëm të luante.

    Situata u përkeqësua edhe më shumë pas një sezoni zhgënjyes për Milwaukee, që dështoi të siguronte një vend në play-off dhe e mbylli kampionatin me bilanc negativ prej 32 fitoresh dhe 50 humbjesh. Antetokounmpo nuk e fshehu pakënaqësinë e tij as ndaj mënyrës se si ishte ndërtuar skuadra.

    “Mendoj se ndonjëherë njerëzit nuk dëgjojnë atë që them. Ata dëgjojnë burime të tjera. Burimi kryesor jam unë, por kështu funksionojnë gjërat”, deklaroi ai në muajin prill.

    Tashmë, në moshën 31-vjeçare, Antetokounmpo nis një aventurë të re me Miami Heat, me synimin për të rikthyer skuadrën mes pretendenteve kryesore për titullin e NBA-së. Ndërkohë, Milwaukee përballet me sfidën e rindërtimit pas largimit të lojtarit që për më shumë se dhjetë vjet ishte zemra dhe shpirti i klubit.

  • Ministri Gashani vlerëson Gresa Bakraçin: Krenari e sportit kosovar dhe frymëzim për gjeneratat e reja

    Ministri Gashani vlerëson Gresa Bakraçin: Krenari e sportit kosovar dhe frymëzim për gjeneratat e reja

    Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për sukseset e vazhdueshme të atletes kosovare Gresa Bakraçi, e cila po vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare me paraqitje dhe rezultate të jashtëzakonshme.

    Përmes një postimi publik, Gashani bëri të ditur se pati kënaqësinë të takojë kampionen kosovare, duke theksuar se arritjet e saj janë dëshmi e përkushtimit, disiplinës dhe talentit që sportistët e Kosovës po e prezantojnë me krenari para botës.

    Ministri rikujtoi suksesin e fundit të Bakraçit në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim, të mbajtur në Monako, ku ajo u shpall nënkampione evropiane, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e saj elitar në atletikë.

    “Në orët e para të mëngjesit, dita nisi me një nga ato takime që të kujtojnë se sporti është shumë më tepër sesa garë; është krenari, disiplinë dhe identitet kombëtar.

    Me kënaqësi të veçantë takova kampionen tonë, Gresa Bakraçi, e cila po vazhdon të shkruajë historinë e sportit kosovar me suksese të njëpasnjëshme në skenën ndërkombëtare.

    Në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim në Monako, ajo u shpall nënkampione, ndërsa në Kampionatin Ballkanik në Volos fitoi dy medalje të argjendta, duke u shpallur dy herë nënkampione ballkanike. Po ashtu, ajo vendosi rekord shtetëror në disiplinën e 5000 metrave, duke e bërë këtë paraqitje një nga më të veçantat në karrierën e saj.

    Sukseset nuk u ndalën me kaq. Në ‘Challenge Meeting’ në Celje të Sllovenisë, Bakraçi u shpall kampione dhe theu edhe një herë rekordin shtetëror në disiplinën e 1 miljes”, ka shkruar Gashani.

    Gresa Bakraçi vazhdon të mbetet një nga figurat më të spikatura të atletikës kosovare, duke shërbyer si frymëzim për të rinjtë dhe ambasadore e denjë e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Suksese të mëtejshme, kampione! Kosova është krenare me ty”, përfundoi ministri Gashani.

  • Gjilani nis ndryshimet në skuadër, tre futbollistë largohen nga klubi

    Gjilani nis ndryshimet në skuadër, tre futbollistë largohen nga klubi

    SC Gjilani ka bërë të ditur lëvizjet e para në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, duke konfirmuar largimin e tre futbollistëve nga ekipi i parë.

    Klubi kuqebardhë ka njoftuar se bashkëpunimi me Leonit Abazin, Astrit Thaqin dhe Agron Kolajn ka përfunduar, duke i dhënë fund rrugëtimit të tyre me skuadrën nga Anamorava.

    Përmes një komunikate zyrtare, drejtuesit e Gjilanit kanë falënderuar tre lojtarët për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës sa ishin pjesë e klubit.

    Një falënderim i veçantë është adresuar edhe për FC Prishtinën në rastin e Agron Kolajt, me Gjilanin që vlerësoi bashkëpunimin korrekt dhe sportiv mes dy klubeve.

    Largimi i Abazit, Thaqit dhe Kolajt vjen në kuadër të riorganizimit të skuadrës për edicionin e ardhshëm, ndërsa klubi pritet të vazhdojë me lëvizje të tjera në merkato gjatë javëve në vijim.

    Në fund, Gjilani u ka uruar tre futbollistëve suksese të mëtejshme në karrierë, si dhe shëndet e mbarësi në sfidat e tyre të ardhshme sportive.