ATV

Author: N.T.

  • Yamal i bën thirrje Alvarezit: Do të të presim me krahë hapur

    Yamal i bën thirrje Alvarezit: Do të të presim me krahë hapur

    Lamine Yamal nuk e ka fshehur dëshirën për ta parë Julian Alvarezin me fanellën e Barcelonës, duke e ftuar publikisht sulmuesin argjentinas t’i bashkohet katalanasve.

    Ylli i ri spanjoll tha se do ta mirëpriste me kënaqësi Alvarezin në “Camp Nou”, duke e cilësuar atë si një futbollist të nivelit të lartë.

    “Nuk mendoj shumë për këtë, por sigurisht që do të doja ta shihja këtu, sepse është një lojtar i madh. Nëse vjen, do ta presim me krahë hapur. Po të isha në vendin e tij, do ta bëja këtë hap. I them vetëm: eja”, deklaroi Yamal.

    Sipas raportimeve të fundit, Alvarez mbetet i vendosur të largohet nga Atletico Madridi dhe Barcelona vazhdon të jetë destinacioni i tij i preferuar.

    Megjithatë, realizimi i këtij transferimi nuk pritet të jetë i lehtë, pasi Atletico Madridi kërkon një shumë të konsiderueshme për të lënë të lirë sulmuesin argjentinas gjatë afatit kalimtar të verës.

  • Bielsa largohet nga Uruguai pas dështimit në Botëror: I zhgënjyem të gjithë

    Bielsa largohet nga Uruguai pas dështimit në Botëror: I zhgënjyem të gjithë

    Marcelo Bielsa ka konfirmuar largimin nga posti i trajnerit të Uruguait, pasi kombëtarja u eliminua që në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.

    Në konferencën e tij të lamtumirës, tekniku argjentinas e cilësoi këtë fund si një nga momentet më të vështira të karrierës.

    “Është një lamtumirë shumë e dhimbshme. Kisha ëndrra të mëdha për këtë ekip, por nuk ia dolëm. I zhgënjyem tifozët dhe përgjegjësia bie mbi mua”, deklaroi Bielsa.

    Ai pranoi se nuk arriti të menaxhonte skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme, megjithëse theksoi se lojtarët dhe stafi dhanë maksimumin.

    Bielsa hodhi poshtë gjithashtu zërat për përçarje brenda ekipit, duke sqaruar se kishte pranuar disa kërkesa të futbollistëve për mënyrën e stërvitjes dhe takimeve taktike, me synimin për të ruajtur harmoninë në grup.

    Tekniku argjentinas shtoi se, pavarësisht eliminimit, beson se Uruguai kishte cilësinë për të kaluar fazën e grupeve, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara.

    Kështu, pas gati katër vitesh në krye të “La Celeste”, merr fund aventura e Marcelos Bielsas me kombëtaren uruguaiane.

  • Mbappe thyen rekorde në Kupën e Botës, vetëm Messi mbetet para tij

    Mbappe thyen rekorde në Kupën e Botës, vetëm Messi mbetet para tij

    Kylian Mbappe vazhdon të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit botëror. Sulmuesi francez ishte protagonist në fitoren 3-0 të Francës ndaj Suedisë, duke realizuar dy gola dhe duke hyrë sërish në historinë e Kupës së Botës.

    Me golin e parë të mbrëmjes, Mbappe arriti në kuotën e nëntë golave në ndeshjet me eliminim direkt, duke u bërë futbollisti me më shumë realizime në këtë fazë të turneut. Ai la pas legjendat braziliane Leonidas dhe Ronaldo Nazario, të cilët kishin nga tetë gola secili.

    Francezi nuk u ndal me kaq, pasi realizoi edhe golin e dytë të ndeshjes, duke e çuar rekordin e tij në 10 gola në fazat eliminatore të Botërorit.

    Dygolëshi ndaj Suedisë e ngjiti gjithashtu Mbappen në vendin e dytë të golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës. Sulmuesi francez tani numëron 18 gola, duke kaluar legjendën gjermane Miroslav Klose.

    Në krye të renditjes mbetet vetëm Lionel Messi me 19 gola, por me formën që po kalon Mbappe, diferenca është minimale dhe rekordi i argjentinasit duket më i rrezikuar se kurrë.

  • Haaland po shkruan historinë me Norvegjinë, rekordet duken më pranë se kurrë

    Haaland po shkruan historinë me Norvegjinë, rekordet duken më pranë se kurrë

    Erling Haaland po vazhdon të lërë gjurmë me fanellën e Norvegjisë, duke konfirmuar statusin e tij si lideri i padiskutueshëm i kombëtares.

    Sulmuesi ishte vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026, teksa realizoi golin që i siguroi Norvegjisë një kualifikim historik në çerekfinale për herë të parë.

    Me këtë gol, Haaland ka arritur shifrën e 60 realizimeve në vetëm 53 ndeshje me kombëtaren, ndërsa në Botërorin e këtij viti numëron pesë gola në tri paraqitje, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të turneut.

    Edhe pse ndaj Bregut të Fildishtë nuk pati shumë kontakte me topin, sulmuesi tregoi edhe një herë instinktin e tij para portës, duke vendosur fatin e ndeshjes me një rast të vetëm.

    Legjenda angleze Wayne Rooney e vlerësoi paraqitjen e Haalandit, duke theksuar se ai është lojtari që bën diferencën dhe se ka dëshmuar se i përket nivelit më të lartë të futbollit botëror.

    Me ritmin që po mban, Haaland po afrohet gjithnjë e më shumë me rekordet historike dhe, nëse vazhdon me të njëjtën formë edhe në vitet e ardhshme, mund të sfidojë seriozisht Cristiano Ronaldon për vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtareve.

  • Ronald Koeman largohet nga drejtimi i Holandës pas eliminimit nga Kupa e Botës

    Ronald Koeman largohet nga drejtimi i Holandës pas eliminimit nga Kupa e Botës

    Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të kombëtares së Holandës, vetëm pak kohë pasi “Tulipanët” i dhanë fund aventurës së tyre në Kupën e Botës.

    Holanda u eliminua në fazën e 1/16-tës nga Maroku, pasi ndeshja përfundoi 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë, ndërsa afrikanët triumfuan në serinë e penalltive.

    Lajmin për largimin e tij e bëri të ditur vetë Koeman përmes një postimi në rrjetet sociale.

    “Pas ndeshjes së mbrëmshme mora vendimin për t’i dhënë fund detyrës sime si trajner i kombëtares së Holandës. Më dhemb që rrugëtimi im me Portokallinjtë përfundon në këtë mënyrë. Të gjithë ëndërronim të bënim histori në këtë Kupë Bote, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë”, shkroi ai.

    Tekniku holandez theksoi se e merr përsipër plotësisht përgjegjësinë për rezultatin.

    “Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua. Kështu e kam ndjerë gjithmonë dhe kështu do të vazhdoj ta ndiej”, u shpreh Koeman.

    Holanda e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë me shtatë pikë të grumbulluara në tri ndeshje, por nuk arriti të kalonte pengesën e parë në fazën me eliminim direkt, duke u ndalur nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.

  • Hamilton i zhgënjyer me Ferrarin: Jemi ende larg Mercedesit

    Hamilton i zhgënjyer me Ferrarin: Jemi ende larg Mercedesit

    Lewis Hamilton nuk e fshehu zhgënjimin pas Çmimit të Madh të Austrisë, ku e mbylli garën vetëm në vendin e pestë. Piloti britanik pranoi se Ferrari nuk ishte në nivelin e rivalëve dhe se skuadra ka ende shumë punë për të bërë.

    Sipas Hamiltonit, problemi kryesor i Ferrarit mbetet mungesa e shpejtësisë në vijat e drejta. Ai tha se Mercedes kishte një avantazh të madh, ndërsa Ferrari humbiste shumë kohë në këtë aspekt.

    “Makina ishte e mirë në kthesa, por në vijat e drejta humbnim shumë. Përveç kësaj, patëm probleme edhe me mbinxehjen dhe ishte e vështirë të gjenim ekuilibrin gjatë garës”, u shpreh shtatë herë kampioni i botës.

    Hamilton shtoi se konsumimi i madh i gomave e bëri edhe më të vështirë garën, pasi u detyrua të shtynte më shumë për të kompensuar mungesën e shpejtësisë.

    Piloti britanik pranoi se diferenca me Mercedesin nuk mund të eliminohet shpejt dhe se Ferrarit do t’i duhet kohë për të zhvilluar makinën. Ai u shpreh gjithashtu i shqetësuar edhe për garën e radhës në Silverstone, duke theksuar se pista angleze ka shumë vija të gjata të drejta, pikërisht aty ku Ferrari po has më së shumti vështirësi.

    “Nuk do të jetë një fundjavë e lehtë. Shpresojmë të përmirësohemi, por e dimë se kemi ende shumë punë për të bërë”, përfundoi Hamilton.

  • BILD zbulon prapaskenat e eliminimit të Gjermanisë, Goretzka kritikohet për refuzimin e penalltisë vendimtare

    BILD zbulon prapaskenat e eliminimit të Gjermanisë, Goretzka kritikohet për refuzimin e penalltisë vendimtare

    Eliminimi i Gjermanisë nga Paraguai në Kupën e Botës 2026 vazhdon të shkaktojë debat në mediat gjermane. Gazeta prestigjioze BILD ka publikuar detaje nga seria e penalltive, duke kritikuar mesfushorin Leon Goretzka për refuzimin e ekzekutimit të goditjes së gjashtë.

    Sipas raportimit, kapiteni Joshua Kimmich i kërkoi dy herë Goretzkas të merrte përgjegjësinë, por mesfushori nuk pranoi. Si pasojë, penalltinë vendimtare e ekzekutoi mbrojtësi Jonathan Tah, i cili gaboi nga pika e bardhë. BILD thekson se kjo ishte penalltia e parë që Tah kishte marrë ndonjëherë në karrierën e tij profesionale.

    Pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të Manuel Neuer, i cili arriti të presë dy penallti radhazi, Gjermania nuk përfitoi nga avantazhi dhe u eliminua pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe vazhdime.

    Pas këtij dështimi të rëndë, pikëpyetje të mëdha janë ngritur edhe për të ardhmen e përzgjedhësit Julian Nagelsmann, ndërsa kritikat ndaj kombëtares gjermane vazhdojnë të shtohen.

  • Interi mbyll një epokë, katër veteranë largohen nga “San Siro”

    Interi mbyll një epokë, katër veteranë largohen nga “San Siro”

    Interi i ka dhënë fund bashkëpunimit me katër prej futbollistëve më me përvojë të skuadrës. Me skadimin e kontratave, Yann Sommer, Francesco Acerbi, Stefan de Vrij dhe Matteo Darmian nuk do të jenë më pjesë e zikaltërve.

    Portieri zviceran Yann Sommer largohet pas tri sezonesh të suksesshme, gjatë të cilave ishte titullar i padiskutueshëm dhe fitoi dy tituj të Serie A, një Kupë të Italisë, një Superkupë të Italisë, si dhe luajti në finalen e Ligës së Kampionëve.

    Edhe Francesco Acerbi i jep fund aventurës së tij me Interin pas katër sezonesh të mbushura me trofe, ndërsa Matteo Darmian mbyll një kapitull gjashtëvjeçar në “San Siro”, ku ishte një nga lojtarët më të besueshëm të skuadrës dhe kontribuoi në fitimin e tre titujve kampionë.

    Ndërkohë, Stefan de Vrij ka vendosur të mos rinovojë kontratën dhe do ta vazhdojë karrierën në Greqi, ku pritet t’i bashkohet Panathinaikosit.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Interi falënderoi të katër futbollistët për kontributin dhe profesionalizmin e treguar ndër vite, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit.

  • Laporta ndez spekulimet për Julian Alvarez: Shumica e futbollistëve ëndërrojnë të luajnë te Barcelona

    Laporta ndez spekulimet për Julian Alvarez: Shumica e futbollistëve ëndërrojnë të luajnë te Barcelona

    Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka komentuar zërat që e lidhin sulmuesin argjentinas Julian Alvarez me një transferim në “Camp Nou”, duke lënë të kuptohet se dera e klubit katalunas mbetet e hapur për lojtarët që dëshirojnë të veshin fanellën blaugrana.

    Laporta theksoi se Barcelona vazhdon të jetë një destinacion i ëndrrave për shumë futbollistë, duke deklaruar se me punë dhe përkushtim, ëndrrat mund të bëhen realitet.

    Ndërkohë, mediat spanjolle raportojnë se Barcelona nuk ka hequr dorë nga interesimi për sulmuesin e Atletico Madridit, pavarësisht se klubi madrilen ka refuzuar deri më tani të gjitha përpjekjet për ta transferuar.

    Drejtuesit katalunas besojnë se dëshira e vetë Alvarezit për të bërë hapin drejt Barcelonës mund të ndikojë në qëndrimin e Atletico Madridit gjatë merkatos. Megjithatë, madrilenët nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga ylli i tyre dhe raportohet se kanë refuzuar tashmë një ofertë prej 100 milionë eurosh, duke e vlerësuar kartonin e argjentinasit edhe më lart

  • Lëndohet Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar pritet të mungojë rreth një muaj

    Lëndohet Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar pritet të mungojë rreth një muaj

    Fenerbahçe ka marrë një goditje të rëndësishme gjatë përgatitjeve për sezonin e ri, pasi sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka pësuar një lëndim në stërvitje.

    32-vjeçari ndjeu dhimbje muskulore gjatë një seance në kampin stërvitor në Topuk Yaylasi dhe u detyrua të largohej nga fusha para përfundimit të stërvitjes.

    Pas kontrolleve mjekësore dhe rezonancës magnetike, klubi turk konfirmoi se Muriqi ka pësuar një çarje të pjesshme në muskulin e pjesës së poshtme të këmbës së djathtë. Fenerbahçe njoftoi se futbollisti ka nisur menjëherë procesin e rehabilitimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.

    Sipas mediave turke, reprezentuesi i Kosovës pritet të jetë jashtë fushave për rreth katër javë. Si pasojë, ai me shumë gjasa do të mungojë në të dy ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Gornik Zabrzes, duke i shkaktuar një mungesë të rëndësishme Fenerbahçes në nisje të sezonit të ri.