ATV

Author: N.T.

  • Serie A revolucionon përdorimin e VAR-it, ndryshime të rëndësishme në rregullat e arbitrimit për sezonin e ri

    Serie A revolucionon përdorimin e VAR-it, ndryshime të rëndësishme në rregullat e arbitrimit për sezonin e ri

    Futbolli italian do të hyjë në një epokë të re të arbitrimit nga sezoni 2026/27, pasi Serie A ka vendosur të zgjerojë kompetencat e sistemit VAR me ndryshime të rëndësishme që synojnë të reduktojnë gabimet e gjyqtarëve.

    Sipas raportimit të Corriere dello Sport, teknologjia VAR nuk do të kufizohet më vetëm te rastet e golave, penalltive apo kartonëve të kuq direkt, por do të ketë rol edhe në korrigjimin e disa vendimeve të tjera që kanë shkaktuar polemika në vitet e fundit.

    Një nga risitë më të rëndësishme është mundësia që VAR të ndërhyjë për të anuluar një goditje nga këndi të akorduar gabimisht. Kjo do të jetë e mundur vetëm nëse rishikimi nuk ndërpret një aksion që është ende në zhvillim, duke ruajtur kështu ritmin e lojës.

    Një tjetër ndryshim me peshë lidhet me kartonët e verdhë. Për herë të parë, sistemi VAR do të ketë autoritetin të rishikojë vendimet që çojnë në kartonin e dytë të verdhë dhe, si pasojë, në përjashtimin e një futbollisti nga loja. Nëse konstatohet se vendimi ka qenë i gabuar, arbitri do të ketë mundësinë ta korrigjojë atë.

    Megjithatë, VAR nuk do të ndërhyjë në rastet kur arbitri vendos të mos japë kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë këtë vlerësim ekskluzivisht në dorën e gjyqtarit kryesor.

    Ndërsa rregulli për korrigjimin e goditjeve nga këndi do të jetë në diskrecionin e secilës federatë kombëtare, ndërhyrja e VAR-it për kartonin e dytë të verdhë është një direktivë e IFAB-it dhe do të zbatohet detyrimisht në të gjitha garat që përdorin sistemin VAR.

    Serie A ka konfirmuar se do t’i aplikojë menjëherë këto rregulla, ndërsa Serie B dhe Serie C ende po shqyrtojnë zbatimin e tyre, pasi numri më i kufizuar i kamerave në këto kategori paraqet vështirësi teknike.

    Ndryshimet vijnë pas shumë polemikave të sezonit të kaluar, ku një nga rastet më të diskutuara ishte ai mes Pierre Kalulu dhe Alessandro Bastonit. Sipas rregullave të reja, një situatë e tillë do të mund të rishikohej nga VAR dhe pezullimi i lojtarit potencialisht do të shmangej.

    Përveç zgjerimit të rolit të VAR-it, futbolli italian do të harmonizohet edhe më shumë me standardet e UEFA-s në aspektin disiplinor. Mbulimi i gojës gjatë debatit me një kundërshtar nuk do të ndëshkohet më automatikisht me karton të kuq, por me karton të verdhë. Po ashtu, një qasje më tolerante do të zbatohet edhe ndaj lojtarëve që largohen përkohësisht nga fusha si formë proteste.

    Me këto ndryshime, Serie A synon ta bëjë arbitrimin më të drejtë, më të saktë dhe më në përputhje me zhvillimin modern të futbollit.

  • Lumbardha Misini transferohet te Bayer Leverkusen, Servette realizon shitjen më të madhe në historinë e klubit

    Lumbardha Misini transferohet te Bayer Leverkusen, Servette realizon shitjen më të madhe në historinë e klubit

    Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u transferuar te Bayer Leverkusen.

    Lajmi është konfirmuar nga Servette FCCF, i cili njoftoi se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman për kalimin e sulmueses kosovare. Ky transferim shënon një moment historik për klubin zviceran, pasi konsiderohet marrëveshja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga Servette në futbollin e femrave.

    Misini iu bashkua skuadrës nga Gjeneva verën e kaluar, pasi u transferua nga Trabzonspori. Brenda vetëm një sezoni, ajo u shndërrua në një prej lojtareve më të rëndësishme të ekipit, duke regjistruar 25 paraqitje dhe duke dhënë një kontribut të çmuar në sukseset e klubit.

    Falë paraqitjeve të shkëlqyera të saj, Servette riktheu dominimin në futbollin zviceran, duke fituar si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Zvicrës.

    Forma e lartë e Misinit, si me Servetten ashtu edhe me fanellën e Kombëtares së Kosovës, nuk kaloi pa u vënë re nga klubet elitare evropiane. Interesimi konkret u kurorëzua me transferimin te Bayer Leverkusen, ku ajo do të vazhdojë karrierën në një nga kampionatet më të forta të futbollit të femrave.

    Në njoftimin e tij, Servette FCCF falënderoi futbollisten kosovare për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë sezonit të kaluar, duke i uruar suksese në sfidën e re me klubin gjerman.

    Kalimi te Bayer Leverkusen përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe një dëshmi të rritjes së vazhdueshme të Lumbardha Misinit në skenën ndërkombëtare.

  • Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet në Serie A, Venezia e prezanton sulmuesin kosovar

    Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet në Serie A, Venezia e prezanton sulmuesin kosovar

    Albion Rrahmani ka realizuar një tjetër hap të madh në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është zyrtarisht futbollist i Venezias, pasi klubi italian konfirmoi transferimin e tij nga Sparta e Pragës.

    Skuadra veneciane, e rikthyer këtë sezon në elitën e futbollit italian, njoftoi se Rrahmani ka firmosur një kontratë afatgjatë, e cila do ta mbajë të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2029.

    “Venezia FC njofton transferimin e përhershëm të sulmuesit Albion Rrahmani nga Sparta e Pragës. Futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin deri më 30 qershor 2029”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit.

    Menjëherë pas prezantimit, 24-vjeçari nuk e fshehu entuziazmin për nisjen e kësaj aventure në Serie A, duke theksuar se projekti i Venezias ishte vendimtar në zgjedhjen e tij.

    “Venezia është një klub me histori të pasur dhe me një vizion shumë ambicioz për të ardhmen. Gjatë bisedave që zhvilluam mbeta vërtet i impresionuar nga projektet dhe objektivat e klubit”, deklaroi Rrahmani.

    Ai shtoi se të përfaqësojë një qytet si Venecia dhe një klub me tifozë kaq besnikë është një motivim i madh për të.

    “Është një privilegj të luaj për një klub që përfaqëson një qytet kaq unik. Mbështetja e tifozëve më motivon edhe më shumë dhe premtoj se do të jap gjithmonë maksimumin në fushë. Bashkë me skuadrën do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat dhe për t’u dhënë tifozëve sa më shumë arsye për t’u krenuar”, u shpreh sulmuesi kosovar.

    Sipas raportimeve, Venezia ka investuar rreth 7.5 milionë euro për kartonin e Rrahmanit, duke e bërë atë një nga transferimet më të rëndësishme në historinë e klubit. Pas paraqitjeve të mira me Spartën e Pragës, sulmuesi llapjan tashmë do të ketë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij në një nga kampionatet më prestigjioze të futbollit evropian.

  • Malisheva nis sonte aventurën evropiane, përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”

    Malisheva nis sonte aventurën evropiane, përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”

    Malisheva do të bëjë sonte debutimin e saj në edicionin e ri të Ligës së Konferencës, teksa përballet në transfertë me Vllazninë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues.

    Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, duke nisur nga ora 20:00, ku të dyja skuadrat do të synojnë ta hedhin hapin e parë drejt kualifikimit në raundin e dytë të garës.

    Vllaznia vjen në këtë përballje pas një periudhe intensive përgatitore, me trajnerin dhe stafin teknik që kanë punuar në çdo aspekt për ta paraqitur skuadrën në formën më të mirë të mundshme. Shkodranët synojnë ta shfrytëzojnë faktorin fushë për të ndërtuar një epërsi para ndeshjes së kthimit.

    Në anën tjetër, Malisheva udhëton drejt Shkodrës me ambicie të mëdha dhe besim se mund të nxjerrë një rezultat pozitiv. Përfaqësuesja kosovare synon të largohet me një rezultat të favorshëm, që do t’i jepte avantazh për sfidën e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

    Dueli pritet të jetë i luftuar nga minuta e parë deri në fund, pasi bëhet fjalë për një përballje eliminatore, ku çdo detaj dhe çdo gol mund të ketë peshë vendimtare në garën për kualifikim.

    Atmosfera në “Loro Boriçi” pritet të jetë elektrizuese, me mbështetjen e tifozëve vendas, ndërsa Malisheva do të përpiqet të përballojë presionin dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të rrugëtimit në skenën evropiane.

  • Klose zbulon telefonatën prekëse me Messin pasi argjentinasi theu rekordin e tij historik në Botëror

    Klose zbulon telefonatën prekëse me Messin pasi argjentinasi theu rekordin e tij historik në Botëror

    Legjenda e futbollit gjerman, Miroslav Klose, ka rrëfyer një moment të veçantë me Lionel Messin, pasi kapiteni i Argjentinës theu rekordin e tij si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.

    Në prag të çerekfinales së shumëpritur mes Argjentinës dhe Zvicrës, që zhvillohet në orët e para të mëngjesit të së dielës (12 korrik), Klose ka treguar se mori një telefonatë plot emocione nga Messi, një gjest që e vlerësoi jashtëzakonisht shumë.

    Sipas ish-sulmuesit gjerman, gjithçka u bë e mundur falë trajnerit të Argjentinës, Lionel Scaloni, me të cilin ai ndau dhomat e zhveshjes te Lazio gjatë viteve 2011-2013.

    “Scaloni ishte shoku im i skuadrës te Lazio dhe vazhdojmë të kemi kontakte të rregullta. Ishte ai që organizoi telefonatën mes meje dhe Messit. Ishte një bisedë shumë prekëse”, ka deklaruar Klose.

    Ai kujtoi se, edhe pse janë përballur disa herë në fushën e lojës dhe gjithmonë kanë treguar respekt maksimal për njëri-tjetrin, kjo ishte hera e parë që bisedonin personalisht pas përfundimit të karrierës së tyre si kundërshtarë.

    “Jemi takuar disa herë në fushë dhe gjithmonë ka pasur respekt mes nesh. Por kjo ishte hera e parë që folëm pas kaq shumë vitesh. Messi më tha se do të më dërgonte një fanellë të firmosur dhe ky ishte një gjest që e vlerësova shumë”, shtoi ai.

    Klose vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e Botërorit me 16 gola të realizuar, rekord që e mbajti për shumë vite. Megjithatë, Messi e ka kaluar tashmë këtë shifër falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2026, duke arritur në kuotën e 21 golave dhe duke u ngjitur i vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e turneut.

  • Franca dhe Maroku rikthejnë rivalitetin e Katarit, sonte luftë për një vend në gjysmëfinale

    Franca dhe Maroku rikthejnë rivalitetin e Katarit, sonte luftë për një vend në gjysmëfinale

    Sonte, duke filluar nga ora 22:00 sipas kohës lokale, vëmendja e botës së futbollit do të përqendrohet në Boston, ku Franca dhe Maroku do të përballen në çerekfinalen e parë të Kupës së Botës 2026.

    Ky takim rikthen në kujtesë gjysmëfinalen e paharrueshme të Botërorit të Katarit në vitin 2022, kur Franca triumfoi me rezultatin 2-0, duke i dhënë fund ëndrrës historike të Marokut për të arritur në finale.

    Katër vjet më vonë, historia u ofron marokenëve mundësinë për të kërkuar hakmarrje sportive, ndërsa francezët synojnë të dëshmojnë edhe një herë pse vazhdojnë të konsiderohen një nga kombëtaret më të forta në futbollin botëror.

    “Les Bleus” hynë në këtë Botëror me objektivin e qartë për të ngritur trofeun. Të udhëhequr nga një skuadër e mbushur me yje dhe cilësi në çdo repart, francezët kanë treguar deri tani një kombinim të shkëlqyer të organizimit defensiv, tranzicionit të shpejtë dhe efikasitetit në fazën sulmuese.

    Megjithëse Franca shihet si favorite në letër, trajneri Didier Deschamps ka paralajmëruar se përballë një kundërshtari si Maroku nuk ka vend për nënvlerësim. Kampionët e botës të vitit 2018 pritet të marrin menjëherë iniciativën, duke kërkuar ta zhbllokojnë sfidën që në minutat e para.

    Në anën tjetër, Maroku ka treguar se suksesi i jashtëzakonshëm në Katar nuk ishte rastësi. Përfaqësuesja afrikane vazhdon të mbështetet te mbrojtja solide, disiplina taktike dhe fryma e jashtëzakonshme luftarake, elemente që e kanë bërë një nga skuadrat më të vështira për t’u mposhtur.

    “Luanët e Atlasit” do të kërkojnë ta godasin Francën përmes kundërsulmeve të shpejta dhe situatave nga topat e ndalur, ndërsa do të kenë edhe mbështetjen e mijëra tifozëve të tyre, të cilët pritet të krijojnë një atmosferë elektrizuese në stadiumin e Bostonit.

    Për Marokun kjo sfidë është shumë më tepër se një çerekfinale. Është mundësia për të shlyer humbjen e hidhur të vitit 2022 dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit afrikan. Në anën tjetër, Franca synon të vazhdojë marshimin drejt një tjetër trofeu botëror, duke konfirmuar statusin e saj si një prej superfuqive të futbollit.

  • Zyrtare: Prishtina siguron përfundimisht shërbimet e Albin Krasniqit

    Zyrtare: Prishtina siguron përfundimisht shërbimet e Albin Krasniqit

    Prishtina ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Albin Krasniqin, duke e transferuar përfundimisht mesfushorin ofensiv nga klubi ukrainas Kolos.

    Pas një periudhe gjashtëmujore në huazim, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë aktivizuar marrëveshjen për blerjen e kartonit të futbollistit nga Kaçaniku, duke e bërë atë pjesë të projektit edhe për sezonet në vazhdim.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë Prishtina përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se Krasniqi ka firmosur kontratën e re me bardhekaltrit, duke rikthyer zyrtarisht një futbollist që tashmë e njeh mirë ambientin e klubit dhe ka lënë gjurmë me fanellën e tij.

    “Rrugëtimi i Albin Krasniqit me fanellën bardhekaltër vazhdon. Mesfushori ofensiv ka nënshkruar kontratë me Prishtinën, pasi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e skuadrës si i huazuar nga klubi ukrainas Kolos.

    Krasniqi rikthehet zyrtarisht te bardhekaltrit, ekip me të cilin fitoi Kupën e Kosovës në vitin 2025. Gjatë pjesës pranverore të sezonit të kaluar, ai regjistroi 16 paraqitje, shënoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim.

    Në total, Albini ka zhvilluar 77 ndeshje me fanellën e Prishtinës në të gjitha garat”, thuhet në komunikatën e klubit.

    Paraqitjet e tij gjatë pjesës së dytë të sezonit bindën drejtuesit e Prishtinës se ai meritonte një kontratë të përhershme. Mesfushori 24-vjeçar u shndërrua në një element të rëndësishëm të skuadrës, falë kreativitetit, energjisë dhe kontributit në fazën sulmuese.

    Me këtë lëvizje, Prishtina ruan një prej futbollistëve që konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit të trajnerit për sezonin e ri, ku objektivi mbetet lufta për trofe në futbollin kosovar dhe një paraqitje sa më e suksesshme në garat evropiane.

  • Mbyllet një epokë në Kroaci: Zlatko Dalić njofton largimin pas Botërorit 2026

    Mbyllet një epokë në Kroaci: Zlatko Dalić njofton largimin pas Botërorit 2026

    Një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e futbollit kroat po shkon drejt fundit. Zlatko Dalić ka vendosur të largohet nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares së Kroacisë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, duke i dhënë fund një rrugëtimi gati nëntëvjeçar plot suksese.

    Vendimi i trajnerit 59-vjeçar i është komunikuar presidentit të Federatës Kroate të Futbollit, Marijan Kustić, gjatë një takimi të zhvilluar pas përfundimit të aventurës së Kroacisë në Botëror.

    Dalić mori drejtimin e kombëtares në vitin 2017 dhe shumë shpejt u shndërrua në arkitektin e brezit më të artë të futbollit kroat. Nën drejtimin e tij, Kroacia arriti rezultate historike, duke fituar tri medalje në turne madhorë.

    Kulmi i suksesit erdhi në Kupën e Botës 2018 në Rusi, ku kroatët mbërritën deri në finale dhe fituan medaljen e argjendtë. Katër vite më vonë, në Katar, skuadra siguroi medaljen e bronztë, ndërsa në vitin 2023 arriti edhe finalen e Ligës së Kombeve, ku u shpall nënkampione e Evropës.

    Përveç këtyre arritjeve, Dalić e udhëhoqi Kroacinë në Kampionatet Evropiane të viteve 2020 dhe 2024, si dhe siguroi kualifikimin në Kupën e Botës 2026, duke ruajtur vazhdimësinë e kombëtares në arenën më të madhe ndërkombëtare.

    Në një deklaratë emocionale, trajneri kroat pranoi se drejtimi i kombëtares ishte nderi më i madh i karrierës së tij.

    “Nuk ka nder më të madh sesa të drejtosh kombëtaren e vendit tënd. Kur mora këtë detyrë, besoja te lojtarët dhe te vetja, por nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrinim gjithçka që kemi arritur gjatë këtyre pothuajse nëntë viteve.”

    Ai theksoi se medaljet dhe sukseset do të mbeten gjithmonë të veçanta, por arritja për të cilën ndihet më krenar është lidhja e fortë që kombëtarja krijoi me tifozët kroatë.

    Dalić nuk harroi të falënderojë as futbollistët që ishin pjesë e këtij rrugëtimi historik, duke përmendur kapitenin Luka Modrić, brezin që arriti finalen e Botërorit 2018 dhe lojtarët e rinj që morën përgjegjësi në vitet e fundit.

    “Isha jashtëzakonisht i privilegjuar që punova me futbollistë të mëdhenj dhe njerëz të jashtëzakonshëm. Ata gjithmonë e vendosën Kroacinë mbi gjithçka dhe treguan me përkushtimin e tyre se çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë.”

    Edhe pse pranoi se mbështetja e madhe e tifozëve e bëri ta rishqyrtonte vendimin, ai beson se ka ardhur momenti i duhur për të mbyllur këtë kapitull.

    “Kam ende ambicie dhe dëshirë për të fituar, por besoj se tani është koha t’ia lë stafetën dikujt tjetër. Çdo epokë e ka fundin e saj.”

    Zlatko Dalić largohet si trajneri më i suksesshëm në historinë e Kombëtares së Kroacisë. Gjatë mandatit të tij, ai jo vetëm që solli trofe dhe medalje, por e shndërroi Kroacinë në një nga kombëtaret më të respektuara dhe më konkurruese në futbollin botëror, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet për shumë vite.

  • Xhaka i mbyll derën Chelseat: E ardhmja ime është te Sunderlandi, dua të shkruaj histori këtu

    Xhaka i mbyll derën Chelseat: E ardhmja ime është te Sunderlandi, dua të shkruaj histori këtu

    Granit Xhaka ka shuar përfundimisht spekulimet rreth një largimi të mundshëm nga Sunderlandi, duke konfirmuar se nuk do të transferohet te Chelsea dhe se do të vazhdojë karrierën me klubin anglez.

    Mesfushori shqiptar, i cili ishte lidhur vazhdimisht me një kalim në “Stamford Bridge”, ku thuhej se kërkohej me ngulm nga trajneri Xabi Alonso, ish-trajneri i tij te Bayer Leverkusen, e bëri të qartë se e ka marrë tashmë vendimin për të ardhmen.

    Pas kualifikimit historik të Zvicrës në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, Xhaka foli edhe për situatën e tij në nivel klubesh, duke theksuar se ndihet i lumtur te Sunderlandi dhe nuk e mendon një largim.

    “Sunderlandi ka qenë shtëpia ime që nga dita e parë. Të gjithë jemi shumë të lumtur. Kam vendosur të qëndroj aty ku jam. Gjëja më e rëndësishme është familja. Jam gati të bëj histori me këtë klub”, deklaroi kapiteni i Zvicrës.

    Deklarata e tij i jep fund thashethemeve të merkatos, ndërsa Sunderlandi ruan një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Klubi anglez e mbylli sezonin e kaluar në vendin e shtatë të Ligës Premier, rezultat që i siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për edicionin e ri, ndaj drejtuesit nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga lideri i mesfushës.

    Nga ana tjetër, Chelsea mbeti jashtë garave evropiane dhe nuk arriti ta bindte 33-vjeçarin të ndryshonte ambient.

    Xhaka komentoi edhe suksesin e Zvicrës në Botërorin 2026, pasi helvetikët eliminuan Kolumbinë pas penalltive dhe siguruan një vend në mesin e tetë kombëtareve më të mira të turneut.

    “Ende nuk mund ta besoj plotësisht atë që po ndodh. Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne”, u shpreh ai.

    Tashmë fokusi i kapitenit shqiptar është te sfida e radhës në Kupën e Botës, ku Zvicra do të ketë përballë kampionen në fuqi, Argjentinën, në një duel që pritet të jetë një nga më interesantët e fazës çerekfinale.

  • Ballkani nis sonte rrugëtimin evropian, kampioni i Kosovës përballet me Connah’s Quay Nomads

    Ballkani nis sonte rrugëtimin evropian, kampioni i Kosovës përballet me Connah’s Quay Nomads

    Kampioni i Kosovës, Ballkani, rikthehet sonte në skenën evropiane, duke hapur zyrtarisht aventurën në edicionin 2026/27 të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

    Skuadra nga Suhareka do të përballet në transfertë me ekipin uellsian Connah’s Quay Nomads, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Llanellian Road” në Colwyn Bay, me fillim nga ora 19:30.

    Ballkani e nis këtë edicion me objektivin e qartë për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt raundit të dytë, ndërsa një rezultat pozitiv në tokën uellsiane do t’i jepte skuadrës avantazh të vlefshëm për sfidën e kthimit.

    Therandasit tashmë kanë ndërtuar një emër në garat evropiane, falë paraqitjeve mbresëlënëse në vitet e fundit. Ballkani ka qenë pjesëmarrës i rregullt në kompeticionet e UEFA-s dhe ka shkruar histori duke arritur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, sukses që e ka shndërruar në një nga klubet më të respektuara të rajonit në arenën ndërkombëtare.

    Nën drejtimin e trajnerit Mislav Karoglan, kampionët e Kosovës synojnë ta shfrytëzojnë përvojën evropiane për të marrë një rezultat të favorshëm jashtë fushe, para se ta mbyllin llogarinë e këtij raundi në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

    Ballkani konsiderohet favorit në këtë përballje, por stafi teknik ka bërë thirrje për përqendrim maksimal, duke qenë se ndeshjet eliminatore shpesh rezervojnë befasi.

    Një kualifikim në raundin e dytë do të ishte një tjetër hap drejt objektivit të madh të klubit suharekas – vazhdimit të traditës së sukseseve në Evropë dhe tentativës për të siguruar edhe një herë një rrugëtim të gjatë në garat e UEFA-s.