ATV

Author: N.T.

  • Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, përfshihet në formacionin më të mirë të javës

    Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, përfshihet në formacionin më të mirë të javës

    Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku po kalon një periudhë fantastike në futbollin rus, duke u shpërblyer për paraqitjet e tij me një vend në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Rusisë.

    Futbollisti nga Gjilani është rikthyer në formë të shkëlqyer pas pushimit ndërkombëtar, duke konfirmuar potencialin e tij me gola dhe paraqitje vendimtare.

    Daku vazhdoi serinë pozitive edhe në përballjen ndaj ish-skuadrës së tij, Rubin Kazan, ku realizoi vetëm një minutë pasi u inkuadrua në lojë. Pavarësisht golit të rëndësishëm, sulmuesi shqiptar zgjodhi të mos festonte, duke treguar respekt për ish-klubin e tij.

    Paraqitja ndaj Rubin Kazanit erdhi pas një tjetër ndeshjeje të suksesshme në Kupën e Rusisë, ku Daku kishte shënuar dy gola. Kështu, me tri realizime në dy ndeshjet e fundit, ai ka konfirmuar formën e lartë që po kalon.

    Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re, pasi platforma e statistikave “SofaScore” e ka përfshirë në formacionin më të mirë të javës në kampionatin rus.

    Tashmë, Daku synon ta vazhdojë këtë ritëm dhe të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacionin titullar të skuadrës së tij. Mundësinë e radhës për të dëshmuar vlerat e tij do ta ketë pas gjashtë ditësh, kur skuadra e tij përballet me CSKA-në.

  • Lëndimi i Conceicaos mund t’i hapë rrugën Zhegrovës drejt formacionit titullar te Juventusi

    Lëndimi i Conceicaos mund t’i hapë rrugën Zhegrovës drejt formacionit titullar te Juventusi

    Sulmuesit kosovar Edon Zhegrova mund t’i krijohet një mundësi e rëndësishme për të fituar më shumë hapësirë në formacionin e Juventusit, pas lajmeve për lëndimin e bashkëlojtarit të tij, Francisco Conceicao.

    Pavarësisht pritshmërive që Zhegrova të niste si titullar në përballjen ndaj Lazios, trajneri Luciano Spalletti zgjodhi sërish Nico Gonzalezin për 11-shen startuese, duke e lënë yllin e Kosovës në bankën rezervë.

    Në humbjen e Juventusit ndaj Lazios, Spalletti vendosi t’i aktivizonte Zhegrovën dhe Conceicaon vetëm në minutën e 70-të. Megjithatë, të dy patën pak kohë për të ndikuar në lojë, në një ndeshje ku skuadra torineze hasi vështirësi përballë mysafirëve.

    Por, situata mund të ndryshojë në ditët në vijim. Sipas gazetarit Giovanni Albanese, Conceicao ka pësuar një lëndim në krahun e majtë dhe ekziston rreziku që të qëndrojë jashtë fushave për rreth një muaj.

    “Goditje në krahun e majtë për Conceicaon. Testet do të bëhen në orët e ardhshme. Rrezikon një muaj jashtë”, ka raportuar Albanese.

    Nëse mungesa e portugezit konfirmohet, Zhegrova mund të përfitojë nga kjo situatë për të siguruar më shumë minuta dhe për t’i dëshmuar Spallettit se meriton një vend në formacionin titullar.

    Megjithatë, për sulmuesin kosovar ekziston edhe një kufizim i rëndësishëm: ai nuk është i përfshirë në listën e Juventusit për garat evropiane. Për këtë arsye, mundësitë e tij për të bindur trajnerin do të vijnë vetëm në ndeshjet e kampionatit italian.

  • Gashani i përgjigjet Ramës për Lojërat Mesdhetare 2030: Kosova do t’i organizojë

    Gashani i përgjigjet Ramës për Lojërat Mesdhetare 2030: Kosova do t’i organizojë

    Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas shqetësimeve të këtij të fundit lidhur me rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.

    Rama, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Kosova rrezikon ta humbasë këtë mundësi, duke iu referuar një komunikimi të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Sipas tij, mungesa e përgjigjeve institucionale ka bërë që situata të shqyrtohet më 19 dhjetor, ndërsa mund të thirret edhe një Asamble e Jashtëzakonshme për të vendosur mbi të ardhmen e organizimit.

    Në reagimin e tij, ministri Gashani e ka kritikuar mënyrën se si Rama e ka bërë publike këtë çështje, duke thënë se korrespondenca nuk pasqyron tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.

    Gashani ka theksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për realizimin e këtij projekti dhe se puna po vazhdon në bashkëpunim me ICMG-në dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

    Ai ka shtuar se vështirësitë dhe obligimet që lidhen me organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla po trajtohen me seriozitet, ndërsa ka bërë thirrje që vëmendja të përqendrohet te puna konkrete dhe bashkëpunimi institucional.

    Në fund të reagimit të tij, ministri ka dhënë një mesazh të qartë, duke këmbëngulur se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 dhe se synimi është që vendi të prezantohet me sukses, si në organizimin e garave, ashtu edhe përmes rezultateve të sportistëve kosovarë.

  • Malisheva dhe Prishtina ndajnë pikët, kreu i tabelës mbetet i pandryshuar

    Malisheva dhe Prishtina ndajnë pikët, kreu i tabelës mbetet i pandryshuar

    Malisheva dhe Prishtina kanë mbyllur në barazim 1:1 duelin e vlefshëm për javën e nëntë të Superligës së Kosovës, në një përballje mes dy skuadrave që po synojnë kreun e renditjes.

    Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 29-të, kur Xhemajl Ibishi gjeti rrugën drejt rrjetës, duke i dhënë Malishevës avantazhin dhe duke vënë në vështirësi skuadrën kryeqytetase.

    Prishtina reagoi në pjesën e dytë, duke kërkuar me ngulm golin e barazimit. Këmbëngulja e bardhekaltërve u shpërblye në minutën e 76-të, kur Assane Diatta u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 1:1.

    Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi dhe secila prej tyre u desh të kënaqej me nga një pikë.

    Barazimi nuk sjell ndryshime në krye të tabelës. Malisheva vazhdon të kryesojë me 20 pikë, ndërsa Prishtina renditet e dyta me po aq pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Kështu, gara për kreun e Superligës mbetet e hapur, me dy skuadrat që vazhdojnë të jenë në një luftë të drejtpërdrejtë për pozitën e parë.

  • Ferrari kërkon rikthimin në Austin, Leclerc shpreson te përmirësimet e reja

    Ferrari kërkon rikthimin në Austin, Leclerc shpreson te përmirësimet e reja

    Ferrari është shumë pranë fitores, por suksesi vazhdon t’i shpëtojë skuadrës italiane. Pas paraqitjes në Singapor, skuderia nga Maranello synon të reagojë në garën e radhës në Austin, ku pritet të prezantojë një paketë të rëndësishme përmirësimesh.

    Ndërkohë, Mercedes po kalon një periudhë të vështirë pas zhvillimeve të fundit teknike, ndërsa Red Bull dhe Max Verstappen janë rikthyer fuqishëm në luftën për kreun. Edhe McLaren mbetet një rival që Ferrari nuk mund ta nënvlerësojë.

    Charles Leclerc pranon se skuadra ka humbur terren në tri garat e fundit kundrejt rivalëve kryesorë. Piloti nga Monako shpreson që përditësimet e reja të SF-26 të sjellin një ndryshim të madh në performancë.

    Sipas tij, gjithçka do të varet nga aftësia për t’i sjellë përmirësimet në pistë sa më shpejt. Ferrari synon të bëjë një hap më të madh se rivalët dhe të rikthehet në garën për fitore.

  • Rikthehet Raphinha, Barcelona merr lajme të mira para sfidave të mëdha

    Rikthehet Raphinha, Barcelona merr lajme të mira para sfidave të mëdha

    Barcelona ka marrë një lajm shumë pozitiv në prag të ndeshjeve të rëndësishme të këtij sezoni. Raphinha është rikthyer në stërvitje të plotë me pjesën tjetër të skuadrës, duke rritur shpresat për ta parë sërish në fushë në ditët e ardhshme.

    Kapiteni i katalunasve ka kaluar një periudhë jashtë fushave për shkak të një problemi muskulor të pësuar gjatë angazhimeve me kombëtaren e Brazilit. Rikthimi në stërvitje vjen në një moment shumë të rëndësishëm për trajnerin Hansi Flick, i cili synon ta ketë skuadrën sa më të kompletuar për sfidat që e presin.

    Sipas raportimeve, objektivi është që Raphinha të jetë i gatshëm fillimisht për përballjen ndaj Real Betisit, ndërsa rikthimi i tij do të ishte një përforcim i madh edhe për duelin e rëndësishëm kundër Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve. Vendimi për aktivizimin e brazilianit do të varet nga gjendja e tij fizike dhe vlerësimi përfundimtar i stafit mjekësor.

    Lajmet pozitive nuk përfundojnë me kaq. Edhe mesfushori Frenkie de Jong është rikthyer në stërvitje të plotë me grupin, duke iu afruar gjithnjë e më shumë rikthimit në dispozicion të trajnerit.

    Barcelona vjen pas një paraqitjeje fantastike në Evropë, ku dy ditë më parë mposhti Galatasarayn me rezultat bindës 4-1 në Stamboll. Katalunasit përmbysën disavantazhin fillestar, duke realizuar katër gola dhe duke konfirmuar formën e mirë në Ligën e Kampionëve.

    Tani, me rikthimin e mundshëm të dy lojtarëve të rëndësishëm, Barcelona synon ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive dhe të përgatitet sa më mirë për përballjet vendimtare që e presin në kampionat dhe në Evropë.

  • Vinicius Junior kundërshton pezullimin me katër ndeshje

    Vinicius Junior kundërshton pezullimin me katër ndeshje

    Vinicius Junior ka reaguar ashpër ndaj vendimit për ta pezulluar me katër ndeshje, pas incidentit të ndodhur në përballjen mes Real Madridit dhe Villarrealit, të cilën madrilenët e fituan me rezultat 1-0.

    Ylli brazilian u ndëshkua pasi kapi për flokësh Nathan Saliban gjatë një aksioni që përfundoi me gol. Pas rishikimit të pamjeve përmes sistemit VAR, goli u anulua, ndërsa veprimi i sulmuesit solli edhe masa disiplinore ndaj tij.

    Megjithatë, Vinicius nuk e ka pritur mirë vendimin, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si u komunikua pezullimi. Ai pretendon se autoritetet e kishin pasur të gjithë ditën në dispozicion për ta njoftuar, por lajmin e mori vesh vetëm pasi mbërriti në stadium.

    Braziliani shprehu pakënaqësi edhe për mungesën e informimit rreth rregullit të ri që lidhet me incidente të tilla. Sipas tij, përfaqësuesit e La Ligës zakonisht i informojnë futbollistët për ndryshimet në rregullore, por këtë herë nuk kishte pasur një shpjegim të qartë për dispozitën në fjalë.

    Përveç kritikave ndaj organizatorëve të kampionatit spanjoll, Vinicius mohoi se kishte ushtruar ndonjëherë dhunë ndaj një futbollisti kundërshtar. Ai theksoi se shpeshherë është vetë objekt i ndërhyrjeve të kundërshtarëve, por në shumë raste përfundon duke u ndëshkuar me karton.

    Pezullimi përbën një goditje për Real Madridin, pasi mungesa e brazilianit në katër ndeshje mund të ndikojë në planet e skuadrës për sfidat e ardhshme, përfshirë edhe përballjen e shumëpritur ndaj Barcelonës në El Clasico.

  • Malisheva dhe Prishtina përballen në duelin e kreut, sot mbyllet xhiroja e nëntë në Superligë

    Malisheva dhe Prishtina përballen në duelin e kreut, sot mbyllet xhiroja e nëntë në Superligë

    Sot zhvillohet ndeshja e fundit e xhiros së nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës, me vëmendjen kryesore të përqendruar te përballja mes Malishevës dhe Prishtinës.

    Pas katër ndeshjeve të zhvilluara të martën dhe të mërkurën, java kampionale mbyllet me një duel mjaft interesant, ku përballen dy skuadrat që po udhëheqin garën për kreun e tabelës.

    Malisheva do të ketë avantazhin e fushës vendase, teksa në stadiumin “Liman Gegaj” pret Prishtinën. Takimi është planifikuar të nisë në orën 14:00.

    Përballja pritet të sjellë emocione të shumta, pasi pikët në lojë kanë rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat. Si Malisheva, ashtu edhe Prishtina synojnë një rezultat pozitiv për të ruajtur pozitën në krye të renditjes dhe për ta mbyllur këtë fazë të kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Ndërkohë, skuadrat e Superligës nuk do të kenë shumë kohë për pushim, pasi gjatë fundjavës do të zhvillohet xhiroja e dhjetë e kampionatit, duke vazhduar kështu garën për objektivat sezonale.

  • Haaland thyen rekordin e Messit, hyn në histori me një tjetër arritje në Ligën e Kampionëve

    Haaland thyen rekordin e Messit, hyn në histori me një tjetër arritje në Ligën e Kampionëve

    Erling Haaland vazhdon të shkruajë historinë e futbollit evropian. Sulmuesi norvegjez realizoi dy gola në përballjen mes Manchester Cityt dhe Paris Saint-Germainit, duke arritur një rekord të jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve.

    Pavarësisht paraqitjes së tij dhe dy golave të shënuar, skuadra angleze u mposht me rezultat 4-2 nga PSG-ja në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin “Etihad”.

    Megjithatë, humbja e Cityt nuk e zbeh aspak arritjen individuale të Haalandit. Me dy golat ndaj parisienëve, 26-vjeçari çoi në 61 numrin e realizimeve të tij në këtë kompeticion, duke u bërë lojtari që ka arritur më shpejt kuotën e 60 golave në historinë e Ligës së Kampionëve, sipas statistikave të raportuara.

    Norvegjezit i janë dashur vetëm 60 paraqitje për të arritur këtë shifër, duke lënë pas Lionel Messin, të cilit i nevojiteshin 80 ndeshje për të shënuar 60 gola në garën më prestigjioze evropiane për klube.

    Pas tyre renditen Robert Lewandowski, i cili e arriti këtë kuotë në 85 ndeshje, Kylian Mbappe në 89 paraqitje dhe Cristiano Ronaldo, që iu deshën 98 ndeshje.

    Kështu, edhe pse Manchester City doli i mposhtur nga kjo përballje, Haaland siguroi një tjetër moment historik në karrierën e tij, duke konfirmuar edhe një herë aftësinë e jashtëzakonshme për të shënuar në skenën më të madhe të futbollit evropian.

  • Alexander Zverev drejt historisë, gjermani pritet ta mbyllë vitin si numri një në botë

    Alexander Zverev drejt historisë, gjermani pritet ta mbyllë vitin si numri një në botë

    Alexander Zverev pritet të përmbyllë vitin 2026 në krye të renditjes botërore të tenisit për meshkuj, duke u përgatitur për të shkruar një kapitull të ri në historinë e sportit gjerman.

    Nëse ky skenar konfirmohet, 29-vjeçari do të bëhet tenisti i parë gjerman që e përfundon një vit kalendarik në pozitën e parë të renditjes së ATP-së.

    Për Zverevin, kjo do të ishte një arritje e jashtëzakonshme, që do ta kurorëzonte një sezon të suksesshëm dhe do ta vendoste emrin e tij mes tenistëve më të spikatur të këtij brezi.

    Përveç historisë që do të shkruante për Gjermaninë, Zverev do të bëhej edhe lojtari më i moshuar që arrin për herë të parë në krye të renditjes botërore, në moshën 29-vjeçare.

    Gjermani ka treguar vazhdimësi dhe nivel të lartë në paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni, duke konfirmuar ambiciet për të qenë në mesin e më të mirëve të tenisit botëror.

    Nëse përfundon vitin në pozitën e parë, Zverev do ta shndërronte këtë sukses në një moment historik për karrierën e tij dhe për tenisin gjerman.

    Megjithatë, renditja përfundimtare do të varet nga rezultatet e turneve të mbetur të sezonit, ndaj konfirmimi i këtij objektivi do të jetë vendimtar për të ardhmen e afërt të tenistit gjerman.