ATV

Author: N.T.

  • Antonelli triumfon në Çmimin e Madh të Amerikës, titulli kampion gjithnjë e më afër

    Antonelli triumfon në Çmimin e Madh të Amerikës, titulli kampion gjithnjë e më afër

    Kimi Antonelli vazhdon të shkëlqejë në Formula 1!

    Piloti italian i Mercedesit ka triumfuar në Çmimin e Madh të Amerikës, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion.

    20-vjeçari zhvilloi një garë të shkëlqyer, duke përfituar nga strategjia me vetëm një ndalesë në bokse, për të menaxhuar avantazhin dhe për të siguruar fitoren.

    Me këtë sukses, Antonelli ka krijuar një epërsi prej 123 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, ndërsa gara e radhës në Meksikë mund të jetë vendimtare për fatin e titullit.

    Në vendin e dytë u rendit Charles Leclerc me Ferrari, i cili arriti të lërë pas Max Verstappenin e Red Bullit, që përfundoi në pozitën e tretë.

    Lewis Hamilton e mbylli garën në vendin e katërt, shumë pranë podiumit, ndërsa Lando Norris me McLaren u rendit i pesti.

    Në zonën e pikëve përfunduan gjithashtu Isack Hadjar, Oscar Piastri, George Russell, Liam Lawson dhe Pierre Gasly.

    Tashmë, vëmendja zhvendoset drejt Meksikës, ku Antonelli mund të kurorëzohet kampion, nëse rezultatet e garës ia mundësojnë këtë.

    Një tjetër paraqitje e madhe për talentin italian, i cili është gjithnjë e më pranë një suksesi historik në Formula 1!

  • Albin Prapashtica shpallet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë

    Albin Prapashtica shpallet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë

    Albin Prapashtica është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, pas paraqitjes së shkëlqyeshme në fitoren e FC Feronikeli 74 ndaj FC Dukagjinit.

    Sulmuesi i Feronikelit ishte protagonist kryesor në triumfin bindës me rezultat 3-0, duke realizuar dy nga tre golat e skuadrës së tij dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurimin e tri pikëve.

    Me efikasitetin para portës, angazhimin dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rezultat, Prapashtica u veçua si një nga futbollistët më të dalluar të kësaj xhiroje, duke merituar çmimin tradicional të javës.

    Ky vlerësim ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ndërsa përzgjedhja e futbollistit më të mirë të xhiros së 11-të është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Për Prapashticën, ky çmim vjen si shpërblim për paraqitjen vendimtare, ndërsa Feronikeli 74 përfiton tri pikë të rëndësishme falë fitores ndaj skuadrës së Dukagjinit.

  • Mbappe arrin shifrën e 100 golave me Real Madridin

    Mbappe arrin shifrën e 100 golave me Real Madridin

    Kylian Mbappe vazhdon të lërë gjurmë te Real Madridi. Sulmuesi francez ka arritur shifrën e 100 golave me fanellën e klubit madrilen, duke e kurorëzuar këtë sukses në mënyrën më të veçantë të mundshme: me dy gola në përballjen ndaj rivalit të përbetuar, Barcelonës.

    Ylli francez ishte protagonisti kryesor i El Clásicos, të zhvilluar në kuadër të javës së dhjetë të La Ligës, ku Real Madridi triumfoi me rezultatin 2-1. Me dygolëshin e tij, Mbappe bëri diferencën në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, duke i dhënë skuadrës madrilene një fitore me peshë të madhe.

    Sulmuesi francez po dëshmon se është një nga futbollistët më vendimtarë në përballjet ndaj katalunasve. Me dy realizimet e fundit, ai ka shënuar tashmë tetë gola në shtatë paraqitjet e para në El Clásico, një statistikë që dëshmon ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në këtë rivalitet historik.

    Për Mbappen, arritja e 100 golave me Real Madridin merr edhe më shumë vlerë, pasi u realizua në një ndeshje ku presioni dhe pritshmëritë janë gjithmonë maksimale.

    Përveç rekordeve me fanellën madrilene, Mbappe ka lënë pas edhe një emër të madh të futbollit spanjoll. Sipas statistikave të publikuara nga “Stats Foot”, francezi ka realizuar 258 gola në pesë ligat kryesore evropiane gjatë karrierës së tij, duke kaluar ish-sulmuesin legjendar të Real Madridit, Raul Gonzalez, i cili kishte shënuar 256 gola.

    Barcelona vazhdon të jetë një nga kundërshtaret ndaj të cilëve Mbappe ka treguar më së shumti efikasitet. Katalunasit kanë pësuar 14 gola nga sulmuesi francez në ndeshjet zyrtare, ndërsa vetëm Montpellier, me 15 gola të pësuar, ka pësuar më shumë prej tij.

    Në një moshë kur shumë futbollistë janë ende në kërkim të konsolidimit në nivelet më të larta, Mbappe po ndërton një karrierë që e afron gjithnjë e më shumë me emrat më të mëdhenj të futbollit evropian.

    100 gola me Real Madridin dhe një dygolësh ndaj Barcelonës, një tjetër kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin e yllit francez, i cili vazhdon të konfirmojë statusin e tij si një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë.

  • Londra pret ceremoninë e 70-të të Topit të Artë, yjet e futbollit në garë për çmimin prestigjioz

    Londra pret ceremoninë e 70-të të Topit të Artë, yjet e futbollit në garë për çmimin prestigjioz

    Londra do të jetë sonte epiqendra e futbollit botëror, pasi më 26 tetor do të mbahet ceremonia e 70-të e ndarjes së çmimeve të Topit të Artë për vitin 2026. Për herë të parë në histori, ceremonia e këtij çmimi prestigjioz individual do të organizohet në kryeqytetin anglez.

    Ngjarja madhore do të zhvillohet në teatrin London Palladium, duke nisur nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. Mbrëmja do të drejtohet nga legjenda e futbollit francez, Thierry Henry, dhe gazetarja sportive Kate Scott.

    I themeluar nga revista France Football në vitin 1956, Topi i Artë mbetet një nga vlerësimet më të rëndësishme individuale në futboll, duke shpërblyer lojtarët që spikasin me paraqitjet dhe kontributin e tyre gjatë sezonit përkatës.

    Përveç çmimeve kryesore për futbollistin dhe futbollisten më të mirë të vitit, ceremonia do të përfshijë edhe disa kategori të tjera, mes tyre çmimet për talentin e ri, portierin, trajnerin, klubin dhe sulmuesin më të mirë, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.

    Në program është përfshirë edhe çmimi “Socrates”, i cili nderon personalitete të futbollit për angazhimin e tyre në iniciativa humanitare, solidaritet dhe kauza me rëndësi shoqërore.

    Lista e kandidatëve për çmimin e meshkujve përfshin emra të njohur të futbollit ndërkombëtar. Lionel Messi, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Lamine Yamal, Ousmane Dembele, Vinicius Junior, Harry Kane dhe Jude Bellingham janë ndër futbollistët që tërheqin vëmendjen në garën për trofeun prestigjioz.

    Një përfaqësim të gjerë në listë ka edhe Paris Saint-Germaini, me futbollistë si Dembele, Achraf Hakimi, Khvicha Kvaratskhelia, Marquinhos, Nuno Mendes, Joao Neves, Willian Pacho, Fabian Ruiz dhe Vitinha.

    Në mesin e kandidatëve të tjerë janë edhe Rodri, Declan Rice, Bruno Fernandes, Luis Diaz, Michael Olise, Lautaro Martinez dhe Sadio Mane, duke e bërë konkurrencën edhe më interesante.

    Vëmendja tashmë është përqendruar te emri që do të triumfojë në këtë edicion jubilar, ndërsa ceremonia në Londër pritet të mbledhë emrat më të njohur të futbollit dhe të kurorëzojë protagonistët e sezonit.

  • Unai Emery në radarët e Manchester Unitedit, Carrick nën presion pas krizës së rezultateve

    Unai Emery në radarët e Manchester Unitedit, Carrick nën presion pas krizës së rezultateve

    Manchester Unitedi mund të ndryshojë sërish trajner, ndërsa Unai Emery është shfaqur si një nga kandidatët për ta marrë drejtimin e “Djajve të Kuq”.

    Sipas raportimeve të The i Paper, trajneri spanjoll vlerësohet nga disa drejtues të klubit anglez, pas punës së suksesshme që ka bërë me Aston Villan, duke e shndërruar atë në një skuadër që lufton për pjesëmarrje në garat evropiane.

    Megjithatë, Emery është i përkushtuar ndaj Aston Villas, ku ka ndikim të madh në vendimet sportive, ndaj një largim i mundshëm nuk do të ishte i lehtë.

    Ndërkohë, pozita e Michael Carrickut në stolin e Manchester Unitedit është dobësuar ndjeshëm pas humbjes 4-1 ndaj Comos në Ligën e Kampionëve dhe një serie prej shtatë ndeshjesh pa fitore.

    Situata është tensionuar edhe më shumë pas kritikave të kapitenit Bruno Fernandes ndaj taktikave të skuadrës, me Carrickun që iu kundërpërgjigj portugezit.

    Përveç Emeryt, në mesin e kandidatëve të mundshëm përmenden edhe Eddie Howe, Antonio Conte, Fabian Hurzeler dhe Kieran McKenna.

    Tashmë, drejtuesit e Unitedit duhet të vendosin nëse do t’i japin Carrickut më shumë kohë apo do të kërkojnë një trajner të ri për ta nxjerrë skuadrën nga kriza.

    Për momentin, Emery mbetet një emër i përmendur në raportime, por nuk ka konfirmim për negociata konkrete apo marrëveshje me Manchester Unitedin.

  • Nis sezoni i ri në NBA, Lakers shkëlqejnë ndaj Golden State

    Nis sezoni i ri në NBA, Lakers shkëlqejnë ndaj Golden State

    Los Angeles Lakers e kanë nisur sezonin e ri të NBA-së me një fitore bindëse, duke mposhtur Golden State Warriors me rezultat 127-105. Skuadra nga Los Angeles dominoi në parket, ndërsa Luka Doncic ishte lideri i vendasve me 28 pikë.

    Stephen Curry realizoi 23 pikë për Warriors, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Në anën tjetër, Lakers u mbështetën në kontributin e disa lojtarëve, të cilët së bashku realizuan 77 pikë.

    Një tjetër rezultat befasues u regjistrua në përballjen mes Miami Heat dhe Minnesota Timberëolves, ku mysafirët triumfuan me shifrat 131-106.

    Anthony Edwards ishte protagonisti kryesor i Minnesota-s, duke realizuar 42 pikë dhe duke regjistruar 10 kërcime. Përkundër 35 pikëve të Giannis Antetokounmpo për vendasit, Miami nuk arriti të rivalizonte deri në fund.

    Fitore bindëse shënoi edhe Toronto Raptors, që mposhti Chicago Bulls me rezultat të thellë 135-92.

    Leonard, Barnes dhe Quickley kontribuan me nga 23 pikë secili, duke udhëhequr skuadrën kanadeze drejt triumfit.

    Derisa te skuadra humbëse, u dallua Caleb Wilson me 16 pikë e katër kkërcime.

    Ndërkohë, Los Angeles Clippers nuk i lanë shumë hapësirë Sacramento Kings, duke fituar me rezultat 121-96.

    Darius Garland shkëlqeu në këtë takim me 30 pikë të realizuara.

    Sa i përket Kings, Zach LaVine, kishte paraqitje të mirë me 28 pikë, 4 kërcimee po aq asistime, mirëpo nuk mundi ta evidentonte humbjen.

  • Harry Kane në ndjekje të rekordit historik të Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve

    Harry Kane në ndjekje të rekordit historik të Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve

    Harry Kane po i afrohet një arritjeje madhështore në Ligën e Kampionëve, duke kërcënuar një nga rekordet më të veçanta të Cristiano Ronaldos në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

    Sulmuesit të Bayern Munichut i duhet vetëm edhe një ndeshje me gol për të barazuar rekordin e yllit portugez, i cili kishte arritur të shënonte në 11 ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve gjatë periudhës së tij te Real Madridi.

    Kapiteni i Anglisë po dëshmon edhe këtë sezon se mbetet një nga sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin evropian. Sezonin 2026/27, ai e ka nisur me shifra mbresëlënëse, duke regjistruar 16 gola dhe tetë asistime në 15 paraqitje në të gjitha garat.

    Forma e tij e jashtëzakonshme e ka vendosur në prag të një rekordi që për vite me radhë është mbajtur nga Cristiano Ronaldo, një prej golashënuesve më të mëdhenj në historinë e Ligës së Kampionëve.

    Nëse Kane arrin të gjejë rrugën drejt rrjetës edhe në paraqitjen e ardhshme në këtë kompeticion, ai do të barazojë serinë prej 11 ndeshjesh radhazi me gol, të realizuar nga Ronaldo me fanellën e Real Madridit.

    Për sulmuesin anglez, ky do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa Bayern Munichu vazhdon të mbështetet te instinkti i tij para portës për të synuar suksese në arenën evropiane.

    Tashmë, vëmendja do të jetë te ndeshja e ardhshme e bavarezëve, ku Kane do të ketë mundësinë të barazojë një rekord që mban firmën e një prej legjendave më të mëdha të futbollit botëror.

  • Lionel Scaloni drejt rinovimit me Argjentinën, synimi mbetet Botërori 2030

    Lionel Scaloni drejt rinovimit me Argjentinën, synimi mbetet Botërori 2030

    Lionel Scaloni ka dhënë dritën e gjelbër për vazhdimin e aventurës së tij në krye të kombëtares së Argjentinës, pasi ka arritur marrëveshje me Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA) për një kontratë të re deri në përfundim të Kupës së Botës 2030.

    Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano, përzgjedhësi i kampionëve të botës ka pranuar ofertën e paraqitur nga federata në muajin shtator. Tashmë, palët pritet të finalizojnë detajet e fundit përpara nënshkrimit të marrëveshjes së re.

    Kontrata aktuale e Scalonit skadon në dhjetor të vitit 2026, por ky zhvillim pritet t’i japë fund paqartësive rreth së ardhmes së tij dhe të sigurojë vazhdimësinë e projektit të nisur me “Albiceleste”.

    Që nga marrja e drejtimit të kombëtares, Scaloni ka ndërtuar një skuadër fituese, duke e rikthyer Argjentinën në majën e futbollit botëror.

    Nën udhëheqjen e tij, argjentinasit triumfuan në Kupën e Amerikës më 2021, fituan Kupën e Botës në Katar më 2022 dhe e konfirmuan dominimin kontinental me një tjetër sukses në Kupën e Amerikës më 2024.

    Këto arritje e kanë shndërruar Scalonin në një nga figurat më të rëndësishme të futbollit argjentinas, ndërsa vazhdimi i bashkëpunimit me AFA-në do t’i mundësojë atij të punojë me të njëjtin projekt edhe në vitet e ardhshme.

    Me synimin për të mbrojtur statusin e saj si një nga kombëtaret më të forta në botë, Argjentina pritet të vazhdojë përgatitjet për sfidat e ardhshme nën drejtimin e trajnerit që i riktheu trofetë më të mëdhenj.

    Nëse marrëveshja zyrtarizohet, Scaloni do të ketë mundësinë ta udhëheqë Argjentinën edhe në Botërorin e vitit 2030, me synimin për të vazhduar një cikël që tashmë ka hyrë në historinë e futbollit.

  • Alarm te Barcelona, Dani Olmo rrezikon të mungojë në El Clasico

    Alarm te Barcelona, Dani Olmo rrezikon të mungojë në El Clasico

    Barcelona mund të përballet me një mungesë të rëndësishme në prag të El Clasicos ndaj Real Madridit, pasi Dani Olmo ka pësuar një lëndim në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit dhe rrezikon të mos jetë i gatshëm për sfidën e së dielës.

    Sipas mediumit spanjoll AS, mesfushori ofensiv nuk pritet të rikuperohet në kohë për duelin e madh ndaj rivalit madrilen, duke i shtuar shqetësimet e trajnerit Hansi Flick në një moment të rëndësishëm të sezonit.

    Megjithatë, ende nuk ka një diagnozë përfundimtare për gjendjen e futbollistit. Ekzaminimet mjekësore pritet të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperimin e tij.

    Reprezentuesi spanjoll e nisi nga minuta e parë përballjen ndaj PSG-së, me Flickun që i besoi atij një vend në formacionin titullar, përpara Fermin Lopezit.

    Por paraqitja e tij përfundoi shumë shpejt. Pas një përplasjeje me mesfushorin e skuadrës franceze, Vitinha, Olmo u rrëzua në fushë dhe sinjalizoi se nuk mund të vazhdonte më lojën.

    Në vend të tij u aktivizua Fermin Lopez, ndërsa pamjet televizive shfaqën zhgënjimin e dukshëm të futbollistit të Barcelonës pas këtij incidenti.

    Sipas raportimit të AS, një rezonancë magnetike e planifikuar për të mërkurën në Barcelonë pritet të qartësojë natyrën e lëndimit dhe mundësitë e rikthimit të tij.

    Nëse ekzaminimet konfirmojnë një çarje muskulore, Olmo mund të qëndrojë jashtë fushave për katër deri në pesë javë.

    Një skenar i tillë do të ishte një goditje e ndjeshme për Barcelonën, e cila mund të humbasë shërbimet e një lojtari të rëndësishëm në një periudhë me ndeshje të shumta dhe sfida vendimtare.

    Për Hansi Flickun, shqetësimi kryesor tani është gjendja fizike e Olmos dhe mundësia për ta pasur atë në dispozicion për El Clasicon, një prej përballjeve më të rëndësishme të sezonit ndaj Real Madridit.

  • Ligën e Kampionëve vazhdon edhe sonte, Bayern Munich – Arsenal në qendër të vëmendjes

    Ligën e Kampionëve vazhdon edhe sonte, Bayern Munich – Arsenal në qendër të vëmendjes

    Liga e Kampionëve rikthehet sonte me një mbrëmje të mbushur me emocione, ku nëntë ndeshje janë në program dhe vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Bayern Munichut dhe Arsenalit, dy gjigantëve që synojnë të dëshmojnë forcën e tyre në skenën më të madhe të futbollit evropian.

    Aksioni nis nga ora 18:45, me dy përballje që premtojnë rivalitet. Como do të përballet me Manchester Unitedin, ndërsa Lille do të ketë përballë Galatasarayn. Skuadrat do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të përmirësuar pozitat e tyre dhe për të vazhduar me objektiva të qarta në garën evropiane.

    Vëmendja kryesore do të jetë në orën 21:00, kur Bayern Munichu dhe Arsenali zbresin në fushë për një përballje që pritet të jetë ndër më tërheqëset e mbrëmjes.

    Të dyja skuadrat kanë ambicie të mëdha në Ligën e Kampionëve dhe synojnë të marrin një rezultat të rëndësishëm. Me kualitetin që kanë në përbërjet e tyre, dueli pritet të vendoset nga detajet, organizimi taktik dhe shfrytëzimi i rasteve para portës kundërshtare.

    Një tjetër ndeshje që pritet të zgjojë interes është ajo mes Real Madridit dhe Leipzigut. Skuadra spanjolle, me historinë e saj të pasur në këtë garë, synon të vazhdojë rrugëtimin me sukses, ndërsa Leipzig do të kërkojë të prishë planet e madrilenëve.

    Programi i orës 21:00 sjell edhe disa përballje të tjera interesante. Aston Villa luan ndaj Vikingut, Club Brugge përballet me Lensin, ndërsa Interi pret Shakhtarin.

    Në ndeshjet e tjera, Real Betisi takohet me Feyenoordin, kurse Sporting Lisbona përballet me LASK-un.

    Me nëntë ndeshje në program dhe disa përballje mes skuadrave me ambicie të mëdha, tifozët e futbollit i pret një mbrëmje e pasur me aksion dhe emocione. Dueli Bayern Munich – Arsenal mbetet padyshim një nga sfidat që pritet të marrë vëmendjen më të madhe të kësaj nate evropiane.