Erling Haaland vazhdon të shkruajë historinë e futbollit evropian. Sulmuesi norvegjez realizoi dy gola në përballjen mes Manchester Cityt dhe Paris Saint-Germainit, duke arritur një rekord të jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht paraqitjes së tij dhe dy golave të shënuar, skuadra angleze u mposht me rezultat 4-2 nga PSG-ja në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin “Etihad”.
Megjithatë, humbja e Cityt nuk e zbeh aspak arritjen individuale të Haalandit. Me dy golat ndaj parisienëve, 26-vjeçari çoi në 61 numrin e realizimeve të tij në këtë kompeticion, duke u bërë lojtari që ka arritur më shpejt kuotën e 60 golave në historinë e Ligës së Kampionëve, sipas statistikave të raportuara.
Norvegjezit i janë dashur vetëm 60 paraqitje për të arritur këtë shifër, duke lënë pas Lionel Messin, të cilit i nevojiteshin 80 ndeshje për të shënuar 60 gola në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Pas tyre renditen Robert Lewandowski, i cili e arriti këtë kuotë në 85 ndeshje, Kylian Mbappe në 89 paraqitje dhe Cristiano Ronaldo, që iu deshën 98 ndeshje.
Kështu, edhe pse Manchester City doli i mposhtur nga kjo përballje, Haaland siguroi një tjetër moment historik në karrierën e tij, duke konfirmuar edhe një herë aftësinë e jashtëzakonshme për të shënuar në skenën më të madhe të futbollit evropian.
