ATV

Author: N.T.

  • Valverde i thotë “jo” ofertave të tjera, besnikëria ndaj Real Madridit mbetet e palëkundur

    Valverde i thotë “jo” ofertave të tjera, besnikëria ndaj Real Madridit mbetet e palëkundur

    Federico Valverde nuk ka ndërmend të largohet nga Real Madridi. Kapiteni i “Los Blancos” ka refuzuar disa oferta të ardhura nga klube të tjera gjatë kësaj vere, pasi dëshiron të vazhdojë karrierën në “Santiago Bernabéu”, raporton MARCA.

    E ardhmja e mesfushorit uruguaian ishte vënë në pikëpyetje pas përplasjes së bujshme me Aurélien Tchouaménin gjatë një seance stërvitore sezonin e kaluar. Në atë periudhë u spekulua se njëri prej dy mesfushorëve mund të largohej nga Madridi.

    Në fund, ishte Tchouaméni ai që rinovoi kontratën me klubin madrilen, pavarësisht interesimit të Manchester United. Ndërkohë, edhe Valverde mori oferta konkrete për të vazhduar karrierën larg kryeqytetit spanjoll.

    Megjithatë, sipas MARCA, përgjigjja e uruguaianit ka qenë e qartë që në fillim. Valverde nuk ka dashur t’i shqyrtojë seriozisht mundësitë për largim dhe ka refuzuar ofertat, duke e bërë të qartë se e ardhmja e tij mbetet në Madrid.

    Mesfushori tashmë është kapiteni i parë i Real Madridit dhe pritet të ketë një rol të rëndësishëm edhe nën drejtimin e José Mourinhos. Para sfidës hapëse të La Ligës ndaj Espanyolit, uruguaiani pritet të formojë repartin e mesfushës së bashku me transferimin e ri, Bernardo Silva.

    Megjithatë, Mourinho ende nuk e ka vendosur përfundimisht rolin e Valverdes. Aftësia e tij për të luajtur në disa pozicione i jep trajnerit mundësi të shumta taktike.

    Përveç rolit në mesfushë, Valverde mund të aktivizohet në krahun e djathtë të sulmit, por edhe si mbrojtës i djathtë, një pozitë në të cilën ka luajtur edhe më parë.

    Refuzimi i ofertave nga klubet e tjera është një tjetër dëshmi e lidhjes së fortë të Valverdes me Real Madridin. Me shiritin e kapitenit në krah dhe një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadër, uruguaiani duket i vendosur të vazhdojë historinë e tij në “Santiago Bernabéu”.

  • Rodri, pas Lamine Yamalit, bëhet lojtari i dytë më i paguar i Barcelonës

    Rodri, pas Lamine Yamalit, bëhet lojtari i dytë më i paguar i Barcelonës

    Sipas të përditshmes spanjolle El País, Rodri është bërë lojtari i dytë më i paguar në ekipin e parë të Barcelonës, menjëherë pas Lamine Yamalit, pas përfundimit zyrtar të transferimit të tij nga Manchester City.

    Mesfushori 30-vjeçar ka kaluar me sukses testet mjekësore, ka firmosur kontratën e tij të re dhe tashmë është bashkuar me skuadrën në stërvitje. Madje, Rodri mund të ketë edhe një paraqitje të parë simbolike me fanellën e Barcelonës në ndeshjen për trofeun “Joan Gamper” ndaj Al Ahlyt.

    Spanjolli ka kaluar në hierarkinë e pagave edhe disa prej kapitenëve të skuadrës. Sipas raportimeve të bëra gjatë verës, kontrata e tij parashikon rreth 15 milionë euro neto në sezon, shifër që arrin afërsisht 30 milionë euro bruto para taksave.

    Kjo marrëveshje financiare pasqyron statusin e Rodrit si një prej mesfushorëve më të mirë në botë, fitues i “Topit të Artë” dhe një prej figurave kryesore të kombëtares spanjolle.

    Në aspektin sportiv, cilësitë e tij dhe përshtatja me filozofinë e trajnerit Hansi Flick duken të padiskutueshme. Megjithatë, transferimi mbetet edhe një bast i madh financiar për Barcelonën, sidomos duke marrë parasysh problemet fizike që e kanë shqetësuar lojtarin gjatë dy sezoneve të fundit.

    Pikërisht për këtë arsye, një nga prioritetet kryesore të stafit mjekësor dhe atij teknik do të jetë menaxhimi i ngarkesës së Rodrit dhe ruajtja e gjendjes së tij fizike gjatë gjithë sezonit. Barcelona shpreson që ta ketë në dispozicion sidomos në ndeshjet më të rëndësishme, ku përvoja dhe kontrolli i tij në mesfushë mund të bëjnë diferencën.

    Katalanasit kanë bërë një investim të madh për të siguruar shërbimet e një prej mesfushorëve më të kompletuar të gjeneratës së tij. Tani, sfida e vërtetë për Rodrin është ta dëshmojë në fushë se çmimi dhe pritshmëritë e larta që shoqërojnë transferimin e tij janë plotësisht të justifikuara.

  • Kosova gati për sfidën historike në Taranto, nisin garat për dy kombëtaret e volejbollit

    Kosova gati për sfidën historike në Taranto, nisin garat për dy kombëtaret e volejbollit

    Dy kombëtaret e Kosovës në volejboll, ajo e vajzave dhe e djemve, kanë mbërritur në Taranto të Italisë, ku do të përfaqësojnë vendin në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.

    Pas udhëtimit pa probleme, ekipet kosovare janë akomoduar në anijen ARОYA, e cila do të jetë vendqëndrimi i tyre gjatë gjithë pjesëmarrjes në “Fshatin e Lojërave Mesdhetare”.

    Tashmë gjithçka është gati për paraqitjet e para, me të dyja ekipet që synojnë të japin maksimumin në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.

    Kombëtarja e vajzave do ta nisë garimin më 20 gusht ndaj Greqisë, ndërsa më pas do të përballet me Algjerinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.

     

    Ndeshjet e vajzave:

    20 gusht: Kosovë – Greqi, 20:00

    21 gusht: Algjeri – Kosovë, 11:00

    24 gusht: Kosovë – Maqedonia e Veriut, 11:00

    26 gusht: Turqi – Kosovë, 14:00

     

    Ndërkohë, kombëtarja e djemve do ta nisë aventurën po më 20 gusht, me përballjen ndaj Greqisë.

     

    Ndeshjet e djemve:

    20 gusht: Kosovë – Greqi, 12:00

    22 gusht: Kosovë – Spanjë, 17:00

    23 gusht: Egjipt – Kosovë, 17:00

    25 gusht: Turqi – Kosovë, 14:00

     

    Për të dyja ekipet, pjesëmarrja në Taranto 2026 përbën një tjetër mundësi të rëndësishme për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e volejbollit kosovar.

  • Rashica në rrezik te Besiktasi, një transferim mund t’i hapë rrugën largimit të tij

    Rashica në rrezik te Besiktasi, një transferim mund t’i hapë rrugën largimit të tij

    Milot Rashica mund të jetë pranë fundit të aventurës së tij te Besiktasi, pavarësisht se sulmuesi i Kosovës ka ende një vit kontratë me klubin turk.

    E ardhmja e 30-vjeçarit në Stamboll është vënë në pikëpyetje nga zhvillimet e fundit në merkato. Sipas mediave turke, përfshirë Milliyet, Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti për krahun e djathtë të sulmit.

    Një lëvizje e tillë do të komplikonte situatën e Rashicës, pasi klubi do të kishte tre futbollistë të huaj për të njëjtin pozicion.

    Në këtë skenar, Rashica mund të jetë lojtari që do t’i hapte rrugë përforcimit të ri, duke bërë që aventura e tij te gjiganti turk të përfundojë më herët se sa ishte planifikuar.

    Drejtuesit e Besiktasit raportohet se janë të kënaqur me Vaclav Cernyn, i cili shihet si një nga opsionet që mund të ketë përparësi në krahun e djathtë.

    Nëse klubi arrin marrëveshje edhe me një tjetër lojtar për këtë repart, atëherë mundësia e largimit të Rashicës do të bëhej edhe më konkrete.

    Reprezentuesi i Kosovës është pjesë e Besiktasit prej disa sezonesh dhe ka zhvilluar 119 paraqitje, duke kontribuar me 13 gola dhe 25 asistime.

    Tani mbetet të shihet nëse Rashica do të vazhdojë në Stamboll edhe në sezonin e ardhshëm, apo do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.

  • Goditje e rëndë për tenistin, Kyrgiosin, pezullohet pas testit pozitiv për kokainë

    Goditje e rëndë për tenistin, Kyrgiosin, pezullohet pas testit pozitiv për kokainë

    Nick Kyrgios është përballur me një goditje të rëndë, pasi tenisti australian është pezulluar përkohësisht pas rezultatit pozitiv në një test antidoping për kokainë.

    Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA) ka konfirmuar se mostra e dhënë nga Kyrgios më 22 qershor, gjatë turneut të Mallorcas, përmbante benzoilekgoninë, një metabolit të kokainës.

    Sipas BBC, 31-vjeçari është nën pezullim të përkohshëm që nga 4 gushti, çka e ka lënë atë jashtë aktiviteteve të organizuara nga ATP dhe WTA.

    Vetë Kyrgios ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke pranuar shkeljen dhe duke kërkuar falje për atë që e cilësoi si një “gabim shumë të madh”.

    “Doja që këtë ta dëgjonit fillimisht nga unë. Së fundmi, dështova në një test antidoping në Mallorca, pasi rezultova pozitiv për kokainë. Kam bërë një gabim shumë të madh dhe marr përgjegjësi të plotë për të”, ka shkruar australiani.

    Kyrgios u ka kërkuar falje tifozëve, familjes, sponsorëve dhe veçanërisht fëmijëve që e ndjekin, duke pranuar se është thellësisht i zhgënjyer me veten.

    Pezullimi i përkohshëm nënkupton se tenisti nuk mund të garojë, të punojë si trajner apo të marrë pjesë në turnetë Grand Slam dhe në garat e tjera të zhvilluara nën autoritetin e ATP dhe WTA.

    ITIA ka bërë të ditur se Kyrgios ka të drejtë ta apelojë vendimin. Deri tani, australiani nuk e ka ushtruar këtë të drejtë.

    Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe sa do të ndikojë kjo çështje në të ardhmen e karrierës së tenistit kontrovers australian.

  • Zbulohet prapaskena, Barcelona ishte gati ta shiste Raphinhan te Arabia Saudite

    Zbulohet prapaskena, Barcelona ishte gati ta shiste Raphinhan te Arabia Saudite

    Barcelona ishte e gatshme ta shiste Raphinhan këtë verë, veçanërisht drejt Arabisë Saudite. Këtë e ka zbuluar gazetari i njohur Romain Molina, duke hedhur dritë edhe mbi arsyen e transferimit të Jesse Bisiëut nga Club Brugge.

    Sipas Molinës, drejtuesit e Barcelonës kishin përgatitur një plan edhe në rast të largimit të brazilianit, ndërsa Bisiëu shihej si një alternativë në krahun e sulmit.

    “Bordi ishte shumë i hapur për largimin e Raphinhas, sidomos drejt Arabisë Saudite. Kjo është edhe arsyeja pse Barcelona nënshkroi me një tjetër sulmues të ri anësor. Gjithçka ishte planifikuar paraprakisht”, deklaroi Molina.

    Raphinha prej kohësh ka qenë në radarët e klubeve saudite dhe për të nuk kanë munguar ofertat e majme. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar.

    Molina nuk e përjashton mundësinë që Arabia Saudite të rikthehet me një ofertë të re para mbylljes së afatit kalimtar, por aktualisht largimi i brazilianit duket i vështirë.

    Raphinha konsiderohet një nga lojtarët kryesorë të Hansi Flick dhe rëndësia e tij për Barcelonën u theksua edhe me emërimin e tij si kapiten i përkohshëm.

    Për Barcelonën, shitja e tij do të kishte një ndikim të madh financiar dhe do t’i krijonte hapësirë klubit për të investuar në një sulmues të ri.

    Për momentin, megjithatë, gjithçka tregon se Raphinha do të vazhdojë në Camp Nou. Por nëse nga Arabia Saudite vjen një ofertë e jashtëzakonshme, situata mund të ndryshojë sërish.

  • Paul Pogba ndahet nga Monaco, aventura e francezit përfundon para kohe

    Paul Pogba ndahet nga Monaco, aventura e francezit përfundon para kohe

    Paul Pogba dhe Monaco kanë ndarë rrugët, pasi të dyja palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të përbashkët.

    Mesfushori francez kishte kontratë me klubin nga Principata deri në qershor të vitit 2027, por aventura e tij përfundoi para kohe, vetëm pak kohë para startit të sezonit të ri.

    Monaco ka bërë të ditur se vendimi erdhi pasi objektivat e vendosura në fillim të bashkëpunimit u realizuan vetëm pjesërisht.

    “Pas një vlerësimi të përbashkët se objektivat e përcaktuara fillimisht ishin realizuar vetëm pjesërisht, Monaco dhe Paul Pogba kanë vendosur të ndërpresin kontratën e tyre”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Monaco gjithashtu i ka shprehur mirënjohjen e tij Pogbas, duke vlerësuar profesionalizmin dhe besimin që ai tregoi gjatë periudhës së kaluar në klub.

    Edhe vetë fituesi i Kupës së Botës 2018 ka reaguar pas ndarjes, duke falënderuar drejtuesit, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët e Monacos.

    “Përfaqësimi i këtij klubi dhe i Principatës ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Monaco është një klub fantastik dhe, edhe pse nuk luajta aq shumë ndeshje sa shpresoja, do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që pata t’i vesh ngjyrat e tij. Daghe Munegu!”, ka shkruar Pogba.

    Rikthimi i francezit në futboll pas pezullimit për doping nuk shkoi sipas pritshmërive. Problemet e vazhdueshme fizike e penguan Pogban të gjejë ritmin e duhur, ndërsa së fundmi ai pësoi edhe një tjetër dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës gjatë përgatitjeve parasezonale.

    Tashmë, Pogba është sërish lojtar i lirë dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vazhdojë karrierën.

  • Aston Villa nuk ndalet në merkato, zyrtarizon dy përforcime të mëdha

    Aston Villa nuk ndalet në merkato, zyrtarizon dy përforcime të mëdha

    Aston Villa ka bërë zyrtare dy përforcime të reja për sezonin e ardhshëm, duke afruar në skuadër portierin japonez Zion Suzuki dhe mbrojtësin italian Matteo Ruggeri.

    Klubi anglez po vazhdon të jetë aktiv në merkato, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese si në Ligën Premier, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

    Pas afrimeve të Johan Manzambit nga Freiburg, João Gomes nga Wolves dhe huazimit të Alejandro Garnachos nga Chelsea, Aston Villa ka finalizuar edhe dy lëvizje të tjera të rëndësishme.

    Transferimet e Ruggerit dhe Suzukit janë konfirmuar nga vetë klubi përmes faqes zyrtare.

    “Aston Villa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Matteo Ruggerit nga Atlético Madrid”, thuhet në njoftimin për mbrojtësin italian.

    Ndërsa për portierin japonez, klubi anglez njoftoi: “Aston Villa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Zion Suzukit nga Parma”.

    Sipas raportimeve, Aston Villa ka shpenzuar rreth 18 milionë euro për Ruggerin, ndërsa transferimi i Suzukit kap vlerën e rreth 35 milionë eurove.

    Me këto dy përforcime, skuadra nga Birminghami po tregon qartë ambiciet e saj për sezonin e ri.

  • Daku protagonist në fitoren e Spartakut, shqiptari dhuron asist dhe paralajmëron vazhdimësi

    Daku protagonist në fitoren e Spartakut, shqiptari dhuron asist dhe paralajmëron vazhdimësi

    Mirlind Daku po përshtatet gjithnjë e më mirë me aventurën e tij të re te Spartaku i Moskës, teksa ishte një nga protagonistët e fitores 2-1 ndaj Baltikës në javën e katërt të Premier Ligës ruse.

    Sulmuesi shqiptar dha kontribut të drejtpërdrejtë në suksesin e skuadrës së tij, duke asistuar për Manfred Ugalden në golin e parë të Spartakut në ndeshjen e zhvilluar në Kaliningrad.

    Pas përfundimit të takimit, Daku e vlerësoi maksimalisht fitoren, duke theksuar se përballja me Baltikën ishte një nga ato ndeshje ku më e rëndësishmja ishte marrja e tri pikëve.

    Për sulmuesin shqiptar, nuk ka rëndësi nëse është ai që shënon apo nëse kontribuon në një mënyrë tjetër. Objektivi mbetet i njëjtë: fitorja e ekipit.

    Daku ka krijuar tashmë një lidhje interesante me Ugalden në repartin ofensiv. Edhe pse dy lojtarët nuk kanë shumë kohë që luajnë së bashku, shqiptari beson se mirëkuptimi mes tyre është i natyrshëm dhe se me kalimin e ndeshjeve bashkëpunimi do të bëhet edhe më i mirë.

    Ai e njeh mirë mënyrën e lojës së Ugaldes dhe beson se të dy mund të formojnë një dyshe të rrezikshme për kundërshtarët në vazhdim të sezonit.

    Transferimi te Spartaku shënoi fundin e një kapitulli trevjeçar për Dakun te Rubini i Kazanit. 28-vjeçari pranoi se largimi nuk ishte i lehtë, pasi gjatë qëndrimit në klub kishte krijuar miqësi dhe lidhje të shumta.

    Megjithatë, tashmë e gjithë vëmendja e tij është te aventura e re. Daku dëshiron të konsolidohet te Spartaku dhe të vazhdojë të japë kontribut për skuadrën e Moskës.

    Pas katër javësh, Spartaku ka grumbulluar nëntë pikë dhe aktualisht renditet në vendin e tretë në Premier Ligën ruse.

    Sfida e radhës do të jetë një test i madh për Dakun dhe bashkëlojtarët e tij, pasi më 23 gusht në Moskë do të presin Zenitin.

    Daku iu bashkua Spartakut këtë verë pas tri sezonesh te Rubini, ku zhvilloi 93 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 38 gola dhe regjistruar 13 asistime. Tani, sulmuesi shqiptar synon ta vazhdojë formën e mirë edhe me gjigantin nga Moska

  • Modric rikthehet me ambicie të mëdha te Milani: Dua t’ia kthej dashurinë tifozëve

    Modric rikthehet me ambicie të mëdha te Milani: Dua t’ia kthej dashurinë tifozëve

    Luka Modric është gati për sezonin e dytë me fanellën e Milanit dhe duket se motivimi i kroatit për të vazhduar aventurën në “San Siro” është më i madh se kurrë.

    Mesfushori 40-vjeçar ka bërë të qartë se synon të luftojë për objektivat e klubit dhe të japë maksimumin për një skuadër me të cilën tashmë është krijuar një lidhje e veçantë.

    Modric ka pranuar se dëshira për të qëndruar në Milano kishte qenë gjithmonë e pranishme, por para se të merrte vendimin përfundimtar duhej të zgjidhte disa çështje. Tani, ai është rikthyer me energji të reja dhe me synimin për të dhënë kontributin e tij në sezonin e ri.

    Kroati ka folur edhe për fundin zhgënjyes të sezonit të kaluar, duke e përshkruar atë si një periudhë frustruese. Milani ishte në garë për titull deri në muajin mars, ndërsa një lëndim e pengoi Modricin të ndihmonte ekipin në momentet vendimtare.

    Pavarësisht mungesës së kualifikimit në Ligën e Kampionëve, ai vlerëson se sezoni solli edhe shumë aspekte pozitive, veçanërisht atmosferën brenda klubit dhe raportet mes lojtarëve.

    Edhe gjatë angazhimit me Kroacinë në Kupën e Botës, Modric nuk e humbi lidhjen me Milanin. Edhe pse fokusi i tij ishte te kombëtarja, mesfushori vazhdoi të qëndronte në kontakt me klubin dhe ta ndiqte nga afër situatën në Milano.

    Një nga arsyet kryesore që e ka bindur të vazhdojë aventurën në Itali është lidhja e krijuar me tifozët. Modric ka mbetur i impresionuar nga mbështetja që ka marrë gjatë gjithë sezonit dhe dëshiron t’ua shpërblejë këtë dashuri me paraqitje sa më të mira.

    Për kroatin, Milani është një klub i veçantë dhe për nga madhështia e vendos në të njëjtën kategori me Real Madridin, klubin ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.

    Modric ka theksuar se që nga dita e parë në Milano është ndier sikur ka qenë pjesë e klubit prej vitesh. Pikërisht kjo ndjenjë përkatësie dhe dashuria e tifozëve duket se e kanë shtyrë të kërkojë edhe më shumë nga vetja.

    Tani, me sezonin e ri në prag, Modric synon ta shijojë në maksimum aventurën te Milani dhe të ndihmojë “Rossonerët” të rikthehen te trofetë.