ATV

Author: N.T.

  • Ernest Muçi shkëlqen te Trabzonspori, shifrat e tij janë dyfish më të mira se te Beşiktaşi!

    Ernest Muçi shkëlqen te Trabzonspori, shifrat e tij janë dyfish më të mira se te Beşiktaşi!

    46 ndeshje, 17 gola dhe 15 asistime. Ernest Muçi po kalon një periudhë shumë të mirë te Trabzonspori, ku është shndërruar në një nga lojtarët më produktivë të skuadrës turke.

    Fantazisti shqiptar duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë, duke lënë gjurmë me paraqitjet dhe kontributin në repartin ofensiv. Statistikat e publikuara nga mediumi turk “Sabah Spor” tregojnë qartë dallimin në performancën e tij krahasuar me aventurën e mëparshme te Beşiktaşi.

    Në fanellën e Trabzonsporit, Muçi ka zhvilluar 46 ndeshje, në të cilat ka realizuar 17 gola dhe ka dhënë 15 asistime. Në total, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në 32 gola, duke dëshmuar rëndësinë e tij në lojën sulmuese të ekipit.

    Ndërkohë, periudha e tij te Beşiktaşi kishte shifra më modeste. Në 61 paraqitje me skuadrën nga Stambolli, futbollisti shqiptar kishte shënuar 11 gola dhe kishte regjistruar katër asistime, për gjithsej 15 kontribute në gola.

    Dallimi mes dy aventurave është i dukshëm. Te Trabzonspori, Muçi ka arritur më shumë se dyfishin e kontributeve në gola, ndonëse ka luajtur 15 ndeshje më pak.

    Këto statistika dëshmojnë rritjen e produktivitetit të mesfushorit ofensiv shqiptar, i cili po shfrytëzon në mënyrën më të mirë mundësitë e tij dhe po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadrën turke.

  • Barcelona thyen rekordin e të ardhurave nga biletat në El Clasico, arkëton 19.1 milionë euro

    Barcelona thyen rekordin e të ardhurave nga biletat në El Clasico, arkëton 19.1 milionë euro

    Barcelona ka regjistruar një rekord të ri financiar nga shitja e biletave, falë përballjes së madhe ndaj Real Madridit në Spotify Camp Nou. Pavarësisht humbjes 2-1 në fushë, skuadra katalanase ka përfituar plot 19.1 milionë euro nga kjo ndeshje.

    Sipas “Mundo Deportivo”, kjo shumë tejkalon rekordin e mëparshëm prej 16.4 milionë eurosh, të vendosur në El Clasicon e 10 majit, duke shënuar një rritje prej rreth 16 për qind.

    Interesant është fakti se këtë herë në stadium ishin të pranishëm më pak tifozë. Përballja e së dielës u ndoq nga 60,055 spektatorë, krahasuar me 62,213 në ndeshjen e muajit maj.

    Ky sukses financiar lidhet me politikën e çmimeve të Barcelonës, e cila përdor një sistem dinamik, duke përshtatur vlerën e biletave sipas kërkesës dhe rëndësisë së ndeshjes. Një ndikim të madh kanë pasur edhe sektorët premium dhe zgjerimi i hapësirave VIP në stadium.

    Rekordi është arritur në një kohë kur Spotify Camp Nou ende nuk i ka përfunduar punimet e rinovimit dhe nuk funksionon me kapacitet të plotë.

    Pas përfundimit të projektit, stadiumi pritet të ketë rreth 104,600 vende, përfshirë afro 9,500 ulëse VIP, krahasuar me rreth 5,000 që janë aktualisht.

    Ndërkohë, anëtarët e klubit dhe mbajtësit e biletave sezonale patën një rol të rëndësishëm në këtë përballje, ndërsa rreth 10,000 bileta u blenë nga anëtarët gjatë fazës së para-shitjes.

    Kështu, edhe pse Real Madridi triumfoi në fushë, Barcelona festoi një fitore të rëndësishme financiare, duke dëshmuar potencialin e madh ekonomik që pritet të sjellë stadiumi pas përfundimit të rinovimit.

  • Tragjedia hekurudhore në Spanjë, shtyhen 24 ndeshjet e Kupës së Mbretit

    Tragjedia hekurudhore në Spanjë, shtyhen 24 ndeshjet e Kupës së Mbretit

    Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të shtyjë të gjitha 24 ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Mbretit, të cilat ishin planifikuar të zhvilloheshin këtë të mërkurë, pas një aksidenti të rëndë hekurudhor në Spanjë, ku humbën jetën dhjetëra persona.

    Vendimi u mor pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë pranë Urdës, në provincën e Toledos, një ngjarje tragjike që ka tronditur vendin.

    Përmes një njoftimi zyrtar, RFEF konfirmoi shtyrjen e të gjitha takimeve të planifikuara, ndërsa datat e reja të zhvillimit të tyre ende nuk janë bërë të ditura. Federata pritet të publikojë kalendarin e ri në ditët në vijim.

    Në mesin e ndeshjeve të shtyra janë edhe ato të Valencias në Tavernes de la Valldigna, Real Betisit në Navalcarnero, Celtas në Salamanca, Mallorcës në Alcoyano dhe Levantes në Tarancón.

    Aksidenti ndodhi në linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë që lidh Madridin me Andaluzinë, duke shkaktuar ndërprerjen e trafikut hekurudhor mes dy pjesëve të Spanjës.

    Pasojat e aksidentit janë ndier edhe në sportet e tjera. Ndeshja e hendbollit për Kupën e Mbretit mes Anaitasunës dhe Proin Sevillas është shtyrë, pasi lojtarët e skuadrës nga Sevilla nuk arritën të udhëtonin drejt Pamplonës.

    Sipas të dhënave të fundit zyrtare të autoriteteve spanjolle, të paktën 40 persona kanë humbur jetën në këtë aksident, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet, pasi që në të dy trenat udhëtonin gjithsej 544 pasagjerë.

  • Knicks fitojnë ndeshjen e parë të sezonit, Lakers pësojnë humbjen e parë në NBA

    Knicks fitojnë ndeshjen e parë të sezonit, Lakers pësojnë humbjen e parë në NBA

    Mëngjesin e sotëm janë zhvilluar katër ndeshje në elitën e basketbollit amerikan NBA.

    Kampioni në fuqi, New York Knicks, ka marrë fitoren e parë të këtij sezoni pasi mundi Detroit Pistons me rezultat 111-97, me këta të fundit që pësuan humbjen e parë për këtë sezon.

    Më meritorët për këtë fitore ishin Karl-Anthony Towns me 27 pikë e 20 kërcime, derisa Jalen Brunson kontribuoi me 23 pikë e shtatë asistime.

    Nga ana tjetër, Paul Reed u dallua me 22 pikë e nëntë kërcime, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Knicks renditen në vendin e 11-të në Konferencën e Lindjes, derisa Pistons janë liderë të kësaj konference.

    Los Angeles Lakers janë njoftuar me humbjen e parë në këtë sezon, pasi pësuan nga Portland Trail Blazers me shifrat 136-129.

    Deni Avdija udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 23 pikë e nëntë asistime. 23 pikë shënoi edhe Ja Morant, derisa Jrue Holiday shtoi 22 sosh.

    Te Lakers, Luka Doncic ishte ylli i mbrëmjes me 41 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime, mirëpo nuk mundi ta evitojë humbjen.

    Sa i përket dy ndeshjeve të tjera, Boston Celtics fitoi me vështirësi ndaj Brooklyn Nets me rezultat të ngushtë 125-124.

    Jayson Tatum shkëlqeu në këtë ndeshje me 40 pikë, pesë kërcime e tetë asistime.

    San Antonio Spurs mposhti bindshëm Sacramento Kings me shifrat 130-103.

    Victor Wembanyama realizoi 29 pikë, derisa Julian Champagnie shtoi 26 pikë për këtë fitore.

  • Dirk Kuyt merr drejtimin e përkohshëm të Fenerbahçes

    Dirk Kuyt merr drejtimin e përkohshëm të Fenerbahçes

    Fenerbahçe ka emëruar Dirk Kuytin në krye të ekipit të parë, në një rol të përkohshëm, pas largimit të Ismail Kartalit nga posti i trajnerit.

    Vendimi erdhi pas një serie rezultatesh zhgënjyese në kampionat dhe në garat evropiane, që shtuan presionin mbi teknikun turk.

    Kuyt, ish-sulmuesi i Liverpoolit, e njeh mirë klubin, pasi veshi fanellën e Fenerbahçes nga viti 2012 deri në vitin 2015. Holandezi ishte gjithashtu pjesë e stafit teknik si ndihmës trajner, përpara se t’i besohej kjo detyrë e re.

    Sipas njoftimit zyrtar, Kuyt do të shërbejë si koordinator teknik i ekipit të parë deri në emërimin e trajnerit të ri.

    Kartali largohet pavarësisht se arriti ta rikthente Fenerbahçen në Ligën e Kampionëve pas gati dy dekadash. Megjithatë, humbjet ndaj Beşiktaşit dhe Galatasarayt, si dhe disfata e rëndë 6-0 ndaj Aston Villas në arenën evropiane, e vështirësuan ndjeshëm pozitën e tij.

    Tashmë, drejtuesit e klubit turk janë në kërkim të një trajneri të përhershëm, ndërsa Kuyt do të ketë përgjegjësinë të udhëheqë skuadrën deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

  • Fenerbahçe kërkon ndëshkime pas kaosit në ndeshjen ndaj Galatasarayt

    Fenerbahçe kërkon ndëshkime pas kaosit në ndeshjen ndaj Galatasarayt

    Fenerbahçe ka reaguar ashpër pas incidenteve të raportuara në derbin ndaj Galatasarayt, duke kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve dhe ndëshkimin e të gjithë personave që mund të kenë qenë të përfshirë në sulmet e pretenduara ndaj futbollistëve të saj.

    Në një komunikatë zyrtare, klubi nga Stambolli ka paraqitur versionin e tij për ngjarjet, duke pretenduar se tensionet nisën pas fyerjeve në drejtim të Kerem Akturkoglut dhe më pas përshkallëzuan në përplasje fizike.

    Sipas Fenerbahçes, mesfushori Matteo Guendouzi është sulmuar nga Serhat Dogan, pjesë e ekipit të analizës së Galatasarayt. Klubi pretendon gjithashtu se në incident është përfshirë edhe Abdulkerim Bardakci, i cili dyshohet se ia ka tërhequr flokët futbollistit të Fenerbahçes.

    Drejtuesit e klubit i kanë dënuar këto veprime, duke theksuar se rivaliteti mes dy skuadrave dhe tensionet që shoqërojnë një derbi nuk mund të shërbejnë si justifikim për dhunën ndaj futbollistëve.

    “Rivaliteti dhe tensioni i një derbi nuk i japin askujt të drejtën të sulmojë futbollistët tanë. Ajo që ndodhi nuk mund të justifikohet me ‘tensionin e derbit’”, thuhet në reagimin e klubit.

    Fenerbahçe kërkon që incidentet të shqyrtohen në mënyrë të gjithanshme dhe që personat përgjegjës të përballen me masa disiplinore, pavarësisht pozitës apo rolit të tyre.

    “Rruga për ta parandaluar dhunën në futbollin turk është që përgjegjësit të mos mbeten pa u ndëshkuar”, përfundon komunikata.

    Pas këtyre pretendimeve, mbetet të shihet nëse organet përkatëse do të nisin procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe nëse do të shqiptohen masa disiplinore ndaj personave të përmendur.

  • Tri skuadra në NBA vazhdojnë pa humbje, Houston Rockets prin listën

    Tri skuadra në NBA vazhdojnë pa humbje, Houston Rockets prin listën

    Mëngjesin e sotëm janë zhvilluar ndeshjet e radhës në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

    Deri më tani, vetëm tri skuadra nuk kanë ende asnjë humbje dhe të gjitha renditen në Konferencën e Perëndimit.

    Houston Rockets i prin listës, pas fitores bindëse ndaj Atlanta Hawks me rezultat 120-110.

    Alperen Sengun udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 29 pikë, nëntë kërcime e po aq asistime, derisa Kevin Durant shënoi 22 pikë e nëntë kërcime.

    Te Hawks u dalluan Jalen Johnson me 21 pikë dhe CJ McCollum me 20 sosh.

    Me fitoren e katërt radhazi ka vazhduar edhe Oklahoma City Thunder, pasi mundi Phoenix Suns me shifrat 125-114.

    Ajay Mitchell shkëlqeu në këtë ndeshje me 30 pikë, derisa Shai Gilgeous-Alexander shtoi 26 pikë për fitoren e skuadrës së tij.

    Te skuadra humbëse, Jalen Green u dallua me 20 pikë, si dhe Dillon Brooks me 19 sosh.

    Në pozitën e tretë është Memphis Grizzlies, që vjen pas një fitoreje me rezultat të ngushtë ndaj Utah Jazz, 110-105.

    Meritorët për këtë fitore ishin Cedric Coward me 16 pikë e 11 kërcime dhe Ty Jerome me 15 pikë e tetë asistime.

    Në anën tjetër, Keyonte George shkëlqeu me 26 pikë e gjashtë asistime, mirëpo ato nuk mjaftuan për ta fituar këtë ndeshje.

  • Harry Kane fiton Topin e Artë, histori për Bayernin dhe Anglinë pas 25 vjetësh

    Harry Kane fiton Topin e Artë, histori për Bayernin dhe Anglinë pas 25 vjetësh

    Harry Kane është fituesi i Topit të Artë për vitin 2026, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm dhe duke hyrë në histori me fanellën e Bayern Munichut dhe kombëtares së Anglisë.

    Sulmuesi anglez triumfoi falë paraqitjeve mbresëlënëse dhe statistikave të jashtëzakonshme, duke lënë pas emra si Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal.

    Ky sukses ka rëndësi të veçantë për Bayernin, pasi Kane bëhet lojtari i parë i klubit bavarez që fiton Topin e Artë që nga Karl-Heinz Rummenigge, në vitin 1981. Kështu, pritjes 45-vjeçare të gjigantit gjerman i vjen fundi.

    Edhe për Anglinë, ky është një moment historik. Kane është anglezi i parë që fiton këtë çmim që nga Michael Owen, i cili triumfoi në vitin 2001, duke i dhënë fund një pritjeje 25-vjeçare.

    Pas shpalljes së fituesit, reagimet ishin të shumta. Shumë e vlerësuan çmimin si shpërblim për vazhdimësinë dhe kontributin e Kane, ndërsa trajneri Thomas Tuchel e përgëzoi kapitenin anglez për arritjen e jashtëzakonshme.

    Megjithatë, pati edhe kritika. Disa ish-futbollistë vunë në pikëpyetje rezultatin, duke argumentuar se Mbappe ose Yamal mund ta meritonin më shumë trofeun.

    Pavarësisht debateve, Kane arrin kulmin e karrierës së tij, duke i dhënë fund dy pritjeve të gjata dhe duke konfirmuar statusin e tij mes emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

  • Tre shqiptarë në formacionin e javës në Superligën e Turqisë, Muçi shkëlqen me notën 9.3

    Tre shqiptarë në formacionin e javës në Superligën e Turqisë, Muçi shkëlqen me notën 9.3

    Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmë në futbollin turk. Ernest Muçi, Amar Gërxhaliu dhe Lumbardh Dellova janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës së nëntë në Superligën e Turqisë, sipas vlerësimeve të platformës së specializuar për statistika futbollistike, Sofascore.

    Protagonisti kryesor mes tre shqiptarëve është Ernest Muçi, i cili ka marrë notën e shkëlqyer 9.3. Mesfushori i Trabzonsporit është vlerësuar për paraqitjen e tij mbresëlënëse, duke kontribuar me tri asistime dhe duke u renditur ndër lojtarët më të spikatur të javës.

    Përkrah Muçit në formacionin ideal është përfshirë edhe Amar Gërxhaliu. Futbollisti shqiptar, i cili aktivizohet te Erzurumspori, është vlerësuar me notën 7.9, pas paraqitjes së tij pozitive në javën e nëntë të kampionatit.

    Listës së shqiptarëve të përzgjedhur i bashkohet edhe Lumbardh Dellova. Mbrojtësi i Amedsporit ka marrë notën 7.6, duke kompletuar përfaqësimin shqiptar në formacionin më të mirë të javës.

    Përfshirja e tre futbollistëve shqiptarë në formacionin ideal të javës dëshmon paraqitjet e tyre pozitive në futbollin turk, ndërsa vlerësimi i lartë për Ernest Muçin e veçon mes emrave më të spikatur të kësaj jave.

  • NBA: Detroit mposht Philadelphian, Knicks në krizë, Oklahoma vazhdon serinë e fitoreve

    NBA: Detroit mposht Philadelphian, Knicks në krizë, Oklahoma vazhdon serinë e fitoreve

    NBA ka vazhduar edhe mëngjesin e sotëm me pesë përballje interesante.

    Ndeshja më e zjarrtë ishte në mes të dy liderëve të Konferencës së Lindjes, Detroit Pistons dhe Philadelphia 76ers.

    Pistons arritën të triumfonin në shtëpi me rezultat 103-93, me Cade Cunningham që ishte më meritori për këtë fitore, me 26 pikë, tetë asistime e po aq kërcime, derisa Duncan Robinson shtoi 21 sosh.

    Te 76ers paraqitje të mirë kishte Tyrese Maxey me 29 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Kampioni në fuqi, New York Knicks, si duket ende nuk po mund të këndellet, ku në tri ndeshje deri më tani, të gjitha i ka humbje, madje këtë të fundit e pësuan nga Orlando Magic me rezultat 111-102.

    Franz Wagner udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 23 pikë, 13 kërcime e nëntë asistime, derisa Desmond Bane shtoi 22 pikë e gjashtë kërcime.

    Në anën tjetër, Jalen Brunson u dallua me 28 pikë, OG Anunoby me 22 pikë dhe Karl-Anthony Towns po ashtu me 22 sosh, por që nuk mjaftuan ta fitonin këtë ndeshje.

    Oklahoma City Thunder ka realizuar fitoren e tretë radhazi, pasi mundi kësaj radhe Los Angeles Clippers me rezultat 108-101.

    Si gjithmonë, ylli i skuadrës së Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, shkëlqeu me 34 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime, duke i siguruar skuadrës së tij fitoren.

    Rezultatet e tjera të mbrëmjes në NBA sollën vazhdimin e garës në të dyja konferencat, me skuadrat që po kërkojnë të krijojnë ritmin e duhur që në fillim të sezonit.