ATV

Author: N.T.

  • Ronaldo: Neymar mbetet i pazëvendësueshëm për Brazilin në Botërorin 2026

    Ronaldo: Neymar mbetet i pazëvendësueshëm për Brazilin në Botërorin 2026

    Ronaldo ka theksuar se Neymar vazhdon të jetë një lojtar vendimtar për Kombëtaren e Brazilit, pavarësisht sfidave dhe dëmtimeve që ka kaluar së fundmi.

    Sulmuesi 33-vjeçar është diagnostikuar me një dëmtim në muskujt e kofshës së djathtë dhe më 20 shtator u raportua se do të mungojë të paktën për një muaj. Neymar nuk ka luajtur me Brazilin që prej vitit 2023 dhe nuk është përfshirë as në listën e trajnerit Carlo Ancelotti për ndeshjet kualifikuese të Botërorit.

    Megjithatë, Ronaldo ka dërguar një mesazh të qartë mbështetjeje për të:
    “Ai është një lojtar kyç për kombëtaren. Nuk kemi asnjë tjetër si Neymar. Shpresojmë të jetë 100% gati për Kupën e Botës,” u shpreh legjenda braziliane.

    Pavarësisht dyshimeve rreth formës dhe rikuperimit të tij, Ronaldo beson se roli i Neymarit mbetet i pazëvendësueshëm në misionin e Brazilit për t’u rikthyer në majën e futbollit botëror në vitin 2026.

  • Goditje e rëndë për Barcelonën: Gavi jashtë për disa muaj, por premton rikthim më të fortë

    Goditje e rëndë për Barcelonën: Gavi jashtë për disa muaj, por premton rikthim më të fortë

    Barcelona ka marrë një tjetër lajm të hidhur këtë javë. Mesfushori i talentuar, Gavi, do të mungojë për 4-5 muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale në gju, i cili rezultoi në gjendje më të rëndë nga sa ishte menduar fillimisht. Operacioni ka qenë i suksesshëm, por periudha e rikuperimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

    Ky është një tjetër goditje për 20-vjeçarin, i cili vetëm pak muaj më parë kishte kaluar afro një vit jashtë fushave pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar anterior në të njëjtin gju. Megjithatë, lojtari i Barcelonës ka zgjedhur të përçojë optimizëm.

    Në një mesazh në Instagram, Gavi shkroi:
    “Do të kthehem sa herë të jetë e nevojshme për të mbrojtur Barçën dhe popullin tim deri në fund. Një kampion nuk matet në momentet e suksesit, por në forcën për t’u ngritur pas rënies. Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen!”

    Mesazhet e ngrohta nuk munguan as nga shokët e tij të ekipit. Lamine Yamal e quajti “luftëtarin e tij” dhe u shpreh i bindur se Gavi do të kthehet edhe më i fortë, ndërsa Alejandro Balde i dërgoi një mesazh mbështetjeje duke e quajtur “vëllai i tij”. Urime të sinqerta erdhën edhe nga ish-shoku i skuadrës, Ousmane Dembele, fitues i Topit të Artë 2025, i cili shkroi: “Shpresoj të shërohesh shpejt që të të shoh sërish duke u argëtuar në fushë. Më mungon!”

    Pavarësisht sfidave, vendosmëria dhe forca e Gavit lënë të kuptohet se rikthimi i tij do të jetë vetëm çështje kohe.

  • Taulant Seferi po shkëlqen në Turqi, drejt Superligës dhe Këpucës së Artë

    Taulant Seferi po shkëlqen në Turqi, drejt Superligës dhe Këpucës së Artë

    Taulant Seferi duket se po gjen më në fund vendin e tij. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka lënë Lindjen e Mesme për të provuar veten në futbollin turk dhe po kalon një moment të artë me skuadrën e Bodrumit.

    Aktualisht, Bodrum renditet i dyti në Ligën e Parë të Turqisë, në zonën e ngjitjes direkte në Superligë, ndërsa Seferi është lideri i ekipit si shënuesi dhe lojtari më i mirë. Në 7 ndeshje kampionat, ai ka realizuar 5 gola, vetëm një më pak se rivali kryesor për Këpucën e Artë, Florent Hasani, ish-sulmues i Tiranës që sot luan për Bolusporin.

    Në ndeshjen e fundit, 28-vjeçari shkëlqeu duke shënuar dopietë në fitoren 2-0 ndaj Van Sporit, duke i dhënë ekipit tre pikë të çmuara.

    Forma e tij e lartë ngre pyetje nëse Seferi do të rikthehet sërish në kombëtare, pasi ftesa e fundit nga Silvinjo daton në Ligën e Kombeve, nëntorin e kaluar.

  • Murale spektakolare për Jose Mourinhon në Lisbonë

    Murale spektakolare për Jose Mourinhon në Lisbonë

    Një vepër arti e veçantë i është kushtuar Jose Mourinhos në Portugali. Artisti João Cavalheiro, i njohur me pseudonimin Styler, ka realizuar një murale ku trajneri portugez paraqitet krah shqiponjës, simbolit të klubit Benfica.

    Në këtë krijim, fytyra e Mourinhos është vendosur në plan të parë pranë shqiponjës, ndërsa në sfond shfaqet stadiumi “Da Luz”, shtëpia e klubit. Murali plotësohet edhe me një riprodhim të autografit të “Special One”.

    Ky nuk është homazhi i parë artistik për Mourinhon: në vitin 2021, me rastin e mbërritjes së tij te Roma, artisti Harry Greb e kishte përjetësuar në një murale duke drejtuar një Vespa në lagjen Testaccio.

    Për trajnerin portugez, kjo ka një simbolikë të veçantë, pasi Benfica është klubi ku ai bëri një ndalesë të shkurtër në vitin 2000, duke drejtuar për nëntë ndeshje. Në rikthimin e tij këtë sezon, Mourinho ka nisur mbarë me një fitore dhe një barazim në dy takimet e para.

  • Flick për Yamal pas humbjes së Topit të Artë: “Është i motivuar dhe do ta fitojë në të ardhmen”

    Flick për Yamal pas humbjes së Topit të Artë: “Është i motivuar dhe do ta fitojë në të ardhmen”

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka komentuar mbi gjendjen e Lamine Yamal pas humbjes në garën për Topin e Artë 2025, ku çmimi shkoi për Ousmane Dembele.

    Flick u shpreh se talenti i ri i Barcelonës e ka pranuar rezultatin me sportivitet dhe është i motivuar të punojë edhe më shumë për të ardhmen.
    “Fola me të dhe është i motivuar për vitet në vijim. E ka pranuar me qetësi dhe dëshiron të tregojë potencialin e tij maksimal. Jam i bindur se do të ketë shansin ta fitojë më vonë”, deklaroi Flick.

    Trajneri gjerman vuri në dukje gjithashtu se Dembele e meritoi plotësisht trofeun, duke përmendur edhe faktin që disa lojtarë të tjerë të Barcelonës ishin në listën e të nominuarve – një tregues sipas tij i progresit që po bën skuadra.

    Përveç kësaj, Flick dha edhe një lajm pozitiv për gjendjen shëndetësore të Yamalt, i cili është pranë rikthimit pas një problemi muskulor në ijë. Megjithatë, ai ka pak gjasa të jetë gati për ndeshjen e së enjtes ndaj Oviedos, por pritet të rikthehet fundjavën kundër Real Sociedadit.

    Barcelona shpreson që 18-vjeçari të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën e madhe të Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së javën e ardhshme.

  • El Clasico i parë i sezonit mes Realit dhe Barcelonës, më 26 tetor në “Bernabeu”

    El Clasico i parë i sezonit mes Realit dhe Barcelonës, më 26 tetor në “Bernabeu”

    “El Clasico”, derbi më i madh i futbollit botëror, është gati të rikthehet. Episodi i parë i këtij sezoni mes Real Madridit dhe Barcelonës do të zhvillohet më 26 tetor në “Santiago Bernabeu”, në orën 16:15, një orar i cili po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për këtë përballje gjigantësh.

    Ky takim pritet me interes të jashtëzakonshëm, pasi të dy ekipet kanë hyrë në sezon me ambicie të mëdha, ndërsa një fitore në “Clasico” shpeshherë ka ndikim vendimtar në ecurinë e kampionatit. Përveç rivalitetit sportiv, kjo ndeshje mbart edhe ngarkesë emocionale, historike dhe prestigji që shkon përtej futbollit.

    Në përballjen e fundit midis tyre, ishte Barcelona që triumfoi në një ndeshje spektakolare me rezultat 4-3, fitore që vulosi edhe titullin e sezonit të kaluar në La Liga. Pikërisht për këtë arsye, Real Madridi kërkon hakmarrje dhe do të synojë t’i japë një mesazh të fortë rivalit të përjetshëm.

    “El Clasico” nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por një ngjarje që ndalet për të gjithë botën e sportit. Nga duelet historike të Maradonës, Ronaldinhos, Messit e Ronaldos, e deri te gjenerata e re me Jude Bellingham, Vinicius Junior e Lamine Yamal, ky derbi vazhdon të prodhojë momente të paharrueshme dhe të shkruajë kapituj të rinj në historinë e futbollit.

    Me stadiumin “Bernabeu” të rikonstruktuar dhe modernizuar, atmosfera e këtij edicioni premton të jetë edhe më elektrizuese. Tifozët e të dyja skuadrave, por edhe miliona shikues në mbarë botën, tashmë kanë filluar numërimin mbrapsht për spektaklin që do të ndodhë më 26 tetor.

  • FIFA dhe CONMEBOL diskutojnë mundësinë e Kupës së Botës 2030 me 64 ekipe

    FIFA dhe CONMEBOL diskutojnë mundësinë e Kupës së Botës 2030 me 64 ekipe

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me homologun e tij të CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, dhe disa drejtues të federatave të futbollit, u takuan në New York për të diskutuar opsionin që Kupa e Botës 2030 të zhvillohet me 64 ekipe, raporton ESPN.

    Ideja për zgjerimin e turneut u propozua fillimisht nga presidenti i Federatës së Uruguait, në emër të konfederatës së Amerikës së Jugut.

    Infantino ka zhvilluar së fundmi edhe vizita në Marok për të kërkuar mbështetjen e federatave afrikane, ndërsa ka pasur bisedime me disa prej federatave kryesore aziatike për të siguruar konsensus të gjerë rreth formatit të ri.

    Botërori i vitit 2030 pritet të zhvillohet në gjashtë vende dhe tre kontinente: Marok, Spanjë, Portugali, si dhe Uruguai, Argjentinë e Paraguai. Aktualisht, vendet e Amerikës së Jugut pritet të presin nga një ndeshje secila.

    Nëse miratohet zgjerimi në 64 ekipe, CONMEBOL mund të përfitojë deri në 10 vende të garantuara në turne. Nga shtetet e saj, vetëm Venezuela nuk ka debutuar ende në një Kupë Bote.

    Për krahasim, Botërori 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të ketë 48 ekipe, pas kalimit nga formati tradicional me 32 skuadra.

  • Tifozët e Eintracht Frankfurt ndalohen të udhëtojnë në Napoli për Champions League – Klubi shpërthen ndaj autoriteteve italiane

    Tifozët e Eintracht Frankfurt ndalohen të udhëtojnë në Napoli për Champions League – Klubi shpërthen ndaj autoriteteve italiane

    Ndeshja e ardhshme e Champions League mes Napolit dhe Eintracht Frankfurt, e planifikuar për 4 nëntor, po zhvillohet nën tension të madh dhe masa të rrepta sigurie. Autoritetet italiane kanë ndaluar udhëtimin e tifozëve gjermanë drejt Napolit, duke ua mohuar atyre mundësinë për të qenë të pranishëm në stadium.

    Ky vendim, i marrë nga Prefektura e Napolit dhe Ministria e Brendshme e Italisë, është justifikuar me rrezikun e lartë për trazira, duke pasur parasysh incidentet e dhunshme që ndodhën në vitin 2023 mes ultrasve gjermanë dhe forcave të rendit, ku pati makina të djegura dhe përleshje të ashpra në rrugët e qytetit.

    Klubi gjerman ka reaguar ashpër ndaj këtij ndalimi. Philipp Reschke, anëtar i bordit të Eintracht-it, deklaroi pas takimit me autoritetet italiane:
    “Duhet të pranojmë me keqardhje se përjashtimi i tifozëve nga ndeshjet me rrezik të lartë është bërë praktikë e zakonshme në Itali. Ne e dimë që kjo ndeshje është e ndjeshme për shkak të së kaluarës, por ndalimi i tifozëve është përgjigjja e gabuar”.

    Eintracht ka bërë të ditur se do të shqyrtojë edhe rrugë ligjore për të kundërshtuar dekretin, ndërsa tifozët gjermanë njihen për mbështetjen e zjarrtë dhe udhëtimet masive në gjithë Evropën.

    Autoritetet italiane paralajmërojnë masa shtesë sigurie për të ndaluar hyrjen e çdo tifozi gjerman në Napoli, duke e kthyer këtë përballje të fazës së grupeve jo vetëm në sfidë sportive, por edhe në një çështje politike dhe shoqërore që prek futbollin europian.

  • Mourinho shpërthen: “VAR-i po e shkatërron futbollin”

    Mourinho shpërthen: “VAR-i po e shkatërron futbollin”

    Benfica u ndal në një barazim 1-1 kundër Rio Ave në javën e gjashtë të Superligës së Portugalisë, dhe Jose Mourinho nuk i kurseu kritikat pas ndeshjes së tij të parë në shtëpi si trajner i klubit.

    Në minutën e 60-të, goli i Antonio Silva u anulua nga VAR për një faull të dyshuar, vendim që ngriti polemika. Benfica arriti të kalojë në epërsi vonë, me golin e Heorhiy Sudakov në minutën e 86-të, por vetëm pesë minuta më vonë Andre Luiz barazoi, duke i mohuar fitoren ekipit vendas.

    Mourinho u shpreh i pakënaqur me arbitrimin dhe vendimin e VAR-it, duke e cilësuar futbollin e sotëm si të padrejtë.

    “Pjesa e parë ishte e dobët, ndërsa e dyta e mirë. Kontrolluam lojën, krijuam raste dhe ishim agresivë. Shënuam një gol që na e mohuan për një shkelje minimale, një gisht mbi një tjetër. Nëse ky është futbolli i ri, atëherë nuk më pëlqen”, tha Mourinho.

    Ai shtoi se arbitrat po bëhen protagonistë të panevojshëm:
    “Nuk më pëlqen kur burri te monitori bëhet personazhi kryesor. Nëse goli anulohet për një shkelje të tillë, atëherë gjyqtari nuk ka karakter”.

  • Chelsea në krizë: Palmer lëndohet, Maresca i shqetësuar për sezonin

    Chelsea në krizë: Palmer lëndohet, Maresca i shqetësuar për sezonin

    Në Londër, tek Chelsea po mbretëron ankthi pas një serie dëmtimesh që kanë reduktuar ndjeshëm alternativat e skuadrës së Enzo Maresca-s. Aktualisht, lista e lojtarëve të padisponueshëm ka arritur në shtatë emra, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet gjendja e Cole Palmer.

    Sulmuesi ofensiv u detyrua të largohej nga fusha vetëm pas 21 minutash në sfidën ndaj Manchester United, dhe ende nuk ka një afat të qartë rikuperimi. Maresca e pranoi se situata është alarmuese:
    “Gjendja e tij do të vlerësohet ditë pas dite. Është diçka e re për ne dhe duket se lidhet me lodhjen pas Botërorit për Klube. Nuk e dimë ende se si do të ndikojë kjo në vazhdimësinë e sezonit”, tha italiani.

    Problemet për Chelsea nuk mbarojnë këtu. Portieri Robert Sanchez, i cili u përjashtua me karton të kuq në të njëjtën ndeshje, nuk do të jetë i gatshëm. Raportet nga klubi sugjerojnë se trajneri nuk është i kënaqur me performancën e tij, dhe ky incident mund të përshpejtojë largimin e spanjollit nga “Stamford Bridge”.

    Me një listë të gjatë mungesash dhe presionin e rezultateve, Maresca përballet me një sfidë të vështirë për të rikthyer qetësinë dhe konkurrueshmërinë te “Blutë e Londrës”.