ATV

Author: N.T.

  • Lamine Yamal fiton trofeun “Kopa” në ceremoninë e Topit të Artë 2025

    Lamine Yamal fiton trofeun “Kopa” në ceremoninë e Topit të Artë 2025

    Talenti spanjoll i Barcelonës, Lamine Yamal, është shpallur fitues i trofeut Kopa, një çmim që ndahet për futbollistin më të mirë nën 21 vjeç në botë, në ceremoninë madhështore të Ballon d’Or 2025.

    Ky është çmimi i dytë radhazi për Yamal, duke e vendosur atë në mesin e talenteve më të mëdhenj të futbollit modern. Me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme si me Barcelonën ashtu edhe me Kombëtaren e Spanjës, 18-vjeçari ka fituar zemrat e tifozëve dhe respektin e ekspertëve të futbollit.

    Në fjalimin e tij pas marrjes së çmimit, Yamal falënderoi klubin katalanas, kombëtaren spanjolle dhe familjen e tij, duke theksuar se ky sukses është rezultat i punës së përbashkët dhe mbështetjes së vazhdueshme.

    Me këtë arritje, Lamine Yamal jo vetëm që konfirmon potencialin e tij të jashtëzakonshëm, por gjithashtu shihet si një kandidat i ardhshëm për trofeun më të madh individual në futboll – Topin e Artë.

  • Real Madridi do të mungoj sërish në galanë e “Topit të Artë 2025”

    Real Madridi do të mungoj sërish në galanë e “Topit të Artë 2025”

    Real Madridi ka vendosur të mos marrë pjesë as këtë vit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Topi i Artë”, që mbahet sonte në Teatrin du Châtelet në Paris. Ky është bojkoti i dytë radhazi i klubit madrilen, i cili vazhdon të jetë në përplasje me organizatorët e ngjarjes prestigjioze.

    Sipas mediave ndërkombëtare, presidenti Florentino Perez ka qëndruar i palëkundur në vendimin e tij për të mos dërguar përfaqësues të klubit, duke e konsideruar vitin e kaluar si një mungesë respekti ndaj lojtarëve të Realit, në veçanti ndaj Vinícius Jr. Ky i fundit nuk fitoi çmimin kryesor, pavarësisht pritshmërive të larta, ndërsa trofeu iu dha Rodrit.

    Edhe këtë herë, pavarësisht nominimeve të rëndësishme, Real Madridi nuk do të ketë prani në sallë. Në listën e kandidatëve për çmime janë Vinícius Jr., Jude Bellingham dhe Kylian Mbappé për “Topin e Artë”, Thibaut Courtois për trofeun Yachine dhe Dean Huijsen për çmimin Kopa.

    Burime pranë klubit theksojnë se tensionet me organizatorët e “France Football” dhe dyshimet mbi ndikimin e UEFA-s për shkak të mbështetjes së Realit ndaj Superligës Evropiane kanë qenë vendimtare në këtë vendim.

    Ceremonia e “Topit të Artë 2025” fillon sonte nga ora 20:00 në kryeqytetin francez, ku pritet të shpallen më të mirët e futbollit botëror.

  • Robert Rrahmani shpallet “Ylli i Javës” në Superligë pas golit vendimtar ndaj Ferizajt

    Robert Rrahmani shpallet “Ylli i Javës” në Superligë pas golit vendimtar ndaj Ferizajt

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar me ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që u dedikohet futbollistëve më të dalluar në elitën e futbollit kosovar.

    Për javën e pestë të këtij edicioni, çmimi i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Robert Rrahmani, i cili shkëlqeu me paraqitjen e tij në fitoren e rëndësishme kundër Ferizajt (0:1). Ai realizoi golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar gjilanasve tri pikë të vlefshme.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Blerim Haxholli, Isuf Llumnica dhe Denis Isaja.

    Pas pranimit të çmimit, Rrahmani u shpreh i lumtur për këtë vlerësim, duke theksuar se skuadra kishte hyrë në fushë vetëm me një objektiv – fitoren. “Nuk kemi pasur si synim as lojën e bukur, as të dalim nga detyrat tona. Trajneri na e ka bërë të qartë që duhet të luftojmë vetëm për tri pikë”, tha ai.

    Ai shtoi se konkurrenca brenda skuadrës është e madhe dhe e shëndoshë, ndaj gabimet nuk kanë më vend. Në fund, Rrahmani falënderoi FFK-në për çmimin dhe ia dedikoi këtë vlerësim bashkëlojtarëve për angazhimin e treguar.

  • Muric shkëlqen ndaj Interit, pavarësisht humbjes së Sassuolos

    Muric shkëlqen ndaj Interit, pavarësisht humbjes së Sassuolos

    Arijanet Muric zhvilloi një paraqitje të madhe në përballjen kundër Interit, edhe pse Sassuolo u mposht me rezultat 2-1.

    Portieri i Kosovës ishte një nga lojtarët më të spikatur në fushë, duke realizuar disa pritje vendimtare ndaj yjeve zikaltër.

    Sipas vlerësimit të SofaScore, Muric mori notën 7.6 – më i miri për skuadrën e tij dhe i dyti në ndeshje, pas Federico Dimarcos.

    Gardiani i portës realizoi pesë pritje brenda kuadratit, duke parandaluar që rezultati të thellohej edhe më shumë.

    Aksionet e tij më të bukura u shpërndanë në rrjetet sociale, ku morën vlerësime pozitive dhe komente të shumta nga tifozët.

    Muric mbetet portieri i parë i Kosovës dhe në tetor pritet të jetë sërish forcë brenda kuadratit për Dardanët.

  • Vedat Muriqi optimist para Zvicrës: “Do të dalim fitues, Rrahmani dhe Asllani janë më të mirë se unë”

    Vedat Muriqi optimist para Zvicrës: “Do të dalim fitues, Rrahmani dhe Asllani janë më të mirë se unë”

    Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është shfaqur shumë optimist para ndeshjes së madhe kundër Zvicrës, që zhvillohet në Basel. Ai foli në konferencën për shtyp së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, duke theksuar se Kosova është përgatitur maksimalisht për këtë duel.

    “Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe kemi analizuar çdo detaj të kundërshtarit. E njohim Zvicrën dhe dobësitë e saj. Atmosfera në ekip është e jashtëzakonshme, kemi lojtarë të nivelit të lartë dhe jam i bindur se nesër do të dalim fitues”, tha sulmuesi i Mallorcas.

    Muriqi kujtoi disa momente nga karriera e tij, përfshirë golin ndaj Real Madridit, por edhe rastet kundër Zvicrës në të kaluarën, duke theksuar se gëzimi i golave është gjithmonë një ndjenjë unike. “Jemi gati dhe shpresojmë t’i bëjmë tifozët tanë krenarë në stadium,” shtoi ai.

    Në repartin ofensiv, përveç Muriqit, Kosova ka edhe dy emra të rinj në formë të lartë, Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani. Vetë Muriqi i konsideroi ata si të ardhmen e Kosovës:
    “Personalisht mendoj se Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani janë më të mirë se unë. Uroj që të mos kenë lëndime dhe besoj se do ta thyejnë rekordin tim të golave me fanellën e Kosovës,” u shpreh ai.

  • Janë bërë publike formacionet zyrtare të ndeshjes miqësore në mes të Shqipëris dhe Gjibraltarit

    Janë bërë publike formacionet zyrtare të ndeshjes miqësore në mes të Shqipëris dhe Gjibraltarit

    Shqipëria do të zbresë sot në fushë përballë Gjibraltarit, në atë që është ndeshja e parë historike mes dy kombëtareve, pasi më herët nuk janë takuar kurrë.

    Ky duel shihet më shumë si një test i rëndësishëm për kuqezinjtë, të cilët e konsiderojnë një provë gjenerale përpara sfidës së së martës ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror.

    Trajneri Sylvinho ka paralajmëruar rotacion në formacion, duke u dhënë hapësirë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta, si dhe duke provuar alternativa taktike për ndeshjen vendimtare kundër Letonisë.

    Në repartin ofensiv luajnë së bashku Armando Broja, Mirlind Daku dhe Jasir Asani, të mbështetur nga Aridon Pajaziti, Medon Berisha dhe Nedim Bajrami. Në mbrojtje debuton Maldin Kacurri, ndërsa portën e mbron Mario Dajsinani.

    Formacionet zyrtare:
    • Shqipëria: Dajsinani, Hysaj, Kacurri, Kumbulla, Aliji, M. Berisha, Pajaziti, Bajrami, Daku, Broja, Asani.
    • Gjibraltari: Banda, Jolley, Torilla, Lopes, McClafferty, Scanlon, Valarino, Pozo, Richards, De Barr, Del Rio.

  • Mbrëmje me duele vendimtare në kualifikueset e Kupës së Botës

    Mbrëmje me duele vendimtare në kualifikueset e Kupës së Botës

    Sot do të zhvillohet një tjetër raund emocionues i kualifikueseve të Kupës së Botës, ku në total 16 kombëtare europiane do të kërkojnë pikë vendimtare për të qëndruar në garë drejt Botërorit 2026.

    Programi nis herët, në orën 16:00, me përballjen mes Kazakistanit dhe Uellsit, një ndeshje ku britanikët shihen si favoritë, por vendasit kanë treguar shpesh se dinë të surprizojnë në terrenin e tyre.

    Dy orë më vonë, në orën 18:00, do të luhen dy sfida paralele: Gjeorgjia – Turqia, një duel i fortë mes një ekipi që po rritet ndjeshëm dhe një përfaqësueseje me traditë, si dhe takimi Lituani – Maltë, ku të dyja skuadrat kërkojnë pikë prestigji për të përmirësuar renditjen.

    Gjithsesi, vëmendja më e madhe do të përqendrohet në mbrëmje. Në orën 20:45 janë parashikuar pesë ndeshje mjaft interesante:
    • Bullgari – Spanjë, ku iberikët kërkojnë të konsolidojnë dominimin e tyre në grup,
    • Lihtenshtejn – Belgjikë, një sfidë ku “Djajtë e Kuq” janë favoritë absolutë,
    • Luksemburg – Irlanda e Veriut, një duel i hapur për pikë të rëndësishme,
    • Holandë – Poloni, supersfida e mbrëmjes me dy skuadra me pretendime për Botëror,
    • dhe Sllovaki – Gjermani, ku “Pancerat” synojnë të tregojnë forcën e tyre kundër një kundërshtari gjithnjë të rrezikshëm në shtëpi.

    Këto takime pritet të përcaktojnë jo vetëm fatin e grupeve, por edhe të dhurojnë spektakël për tifozët anembanë kontinentit.

  • Sinner kalon Musettin dhe siguron gjysmëfinalen e US Open 2025

    Sinner kalon Musettin dhe siguron gjysmëfinalen e US Open 2025

    Numri një i botës, Jannik Sinner, ka shkëlqyer në derbin italian të çerekfinales së US Open 2025, duke mposhtur me lehtësi Lorenzo Musettin me rezultatin 3-0.

    Sinner dominoi nga fillimi deri në fund: fitoi setin e parë me 6-1, kontrolloi të dytin me 6-4 dhe vulosi kualifikimin me një tjetër paraqitje bindëse në setin e tretë, të cilin e mbylli 6-2, pas një ndeshjeje që zgjati vetëm dy orë.

    Musetti luftoi për të rivalizuar bashkëkombësin e tij, por nuk arriti të ndalojë ritmin dhe forcën e kampionit aktual.

    Në gjysmëfinale, Sinner do të përballet me Felix Auger-Aliassime, i cili eliminoi Alex de Minaur, ndërsa në krahun tjetër të shortit do të zhvillohet superpërballja mes Novak Djokovic dhe Carlos Alcaraz.

  • Gjilani nikoqir i Kupës së BVA-së në volejboll për femra – KV Drita synon triumfin historik

    Gjilani nikoqir i Kupës së BVA-së në volejboll për femra – KV Drita synon triumfin historik

    Kosova do të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme të volejbollit rajonal për femra, Kupën e BVA-së, e cila do të zhvillohet nga 25 deri më 28 shtator në Gjilan.

    KV Drita, kampione e mirënjohur e volejbollit kosovar, këtë vit do të ketë privilegjin të jetë nikoqire e turneut, duke pritur në parketin e saj tri skuadra të fuqishme nga rajoni: AEK Athina nga Greqia, Fit Fun Volley nga Maqedonia e Veriut dhe Herceg Novi nga Mali i Zi.

    Programi i garave nis më 25 shtator, ku në ndeshjen hapëse (15:30) do të përballen AEK Athina – Fit Fun Volley, ndërsa menjëherë pas tyre (17:30), KV Drita do të sfidojë Herceg Novin para tifozëve të saj.

    Dita e dytë sjell përballje të tjera interesante: Herceg Novi – AEK Athina dhe Fit Fun Volley – KV Drita, ndërsa pas një dite pushimi, më 28 shtator, turneu do të mbyllet me duelet Herceg Novi – Fit Fun Volley dhe supersfidën e madhe AEK Athina – KV Drita.

    Fituesi i Kupës së BVA-së do të shpërblehet me një biletë të artë për në arenën ndërkombëtare, duke siguruar pjesëmarrjen në CEV Challenge Cup.

    Organizimi i këtij eventi është një mundësi e artë jo vetëm për KV Dritën, por edhe për sportin kosovar në tërësi, për të treguar potencialin dhe për të ngritur imazhin e volejbollit në skenën evropiane.

  • Andre Onana drejt largimit nga Manchester United, interes nga Arabia Saudite dhe Fenerbahçe

    Andre Onana drejt largimit nga Manchester United, interes nga Arabia Saudite dhe Fenerbahçe

    Portieri kamerunas Andre Onana mund të largohet nga Manchester United gjatë ditëve në vijim. 29-vjeçari është futur në listën e dëshirave të disa klubeve në Ligën Profesionale Saudite, ndërsa interesim ka shfaqur edhe gjiganti turk Fenerbahçe.

    Sipas mediave britanike, drejtuesit e “Djajve të Kuq” po shqyrtojnë seriozisht një transferim të mundshëm, sidomos pas vendimit të trajnerit Ruben Amorim, i cili i ka besuar portën portierit belg Senne Lammers, i ardhur nga Antwerp në ditët e fundit të merkatos.

    Kontrata e Onanës me United është e vlefshme deri në vitin 2028, me opsion rinovimi për një vit tjetër, por duket se palët nuk e shohin të ardhmen së bashku. Portieri kamerunas nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Premier League këtë sezon, gjë që e ka shtuar pasigurinë për statusin e tij.

    Në rast të transferimit, Onana mund të rikthehet në qendër të vëmendjes ose në Arabinë Saudite me një kontratë të majme, ose te Fenerbahçe, ku shihet si pasues i mundshëm i brazilianit Ederson.