ATV

Author: N.T.

  • Anis Mehmeti shënon ndaj Arsenalit, shqiptari jep sinjal të fortë për më shumë minuta

    Anis Mehmeti shënon ndaj Arsenalit, shqiptari jep sinjal të fortë për më shumë minuta

    Anis Mehmeti ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë mundësinë e marrë në EFL Cup, duke gjetur rrjetën në përballjen ndaj Arsenalit.

    Sulmuesi shqiptar ishte protagonist në sfidën ndaj skuadrës londineze, duke treguar se është një alternativë që mund t’i japë më shumë Ipswich Town-it në repartin ofensiv.

    Mehmeti arriti të shënonte pas një asistimi nga Clarke, duke realizuar me një goditje të bukur dhe duke lënë gjurmë në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të tij këtë sezon.

    Ky gol vjen në një moment të rëndësishëm për shqiptarin, i cili deri tani nuk ka pasur hapësirën e dëshiruar në formacionin e Ipswichit. Klubi nuk e ka përfshirë rregullisht në planet e tij që nga fillimi i sezonit në Ligën Premier, duke bërë që minutat e tij të jenë të kufizuara.

    Megjithatë, Mehmeti tashmë ka dhënë përgjigjen e tij në fushë. Paraqitja dhe goli ndaj Arsenalit mund t’i shërbejnë atij për të fituar më shumë besim dhe, mbi të gjitha, më shumë minuta në vazhdim të sezonit.

    Mbetet të shihet nëse kjo paraqitje do të jetë e mjaftueshme për t’i ndryshuar statusin te Ipswich dhe nëse trajneri do t’i japë mundësinë të tregojë vlerat e tij edhe në Ligën Premier.

    Një gjë është e sigurt, Mehmeti e ka shfrytëzuar rastin kur iu dha mundësia dhe tashmë topi është në duart e stafit teknik.

  • Messi rikthehet te Argjentina, përgatitet për lamtumirën e madhe

    Messi rikthehet te Argjentina, përgatitet për lamtumirën e madhe

    Lionel Messi është rikthyer në listën e Kombëtares së Argjentinës, ndërsa gjithçka po shkon drejt një nate të veçantë në Buenos Aires.

    Kapiteni argjentinas pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të lamtumirës më 6 tetor, në stadiumin “Monumental”, ku Argjentina do të përballet me Beninin në kuadër të ndeshjeve miqësore.

    Federata Argjentinase e Futbollit ka konfirmuar përfshirjen e Messit në listën e Lionel Scalonit, ndërsa ai pritet të jetë i gatshëm për sfidën e fundit të këtij cikli.

    Në total, Argjentina do të zhvillojë tri ndeshje miqësore, ndaj Bolivisë, Burkina Fasos dhe Beninit. Megjithatë, vëmendja më e madhe do të jetë te dueli i 6 tetorit, pasi pritet të shndërrohet në një lamtumirë emocionuese për një prej figurave më të rëndësishme në historinë e futbollit argjentinas.

    Edhe Rodrigo De Paul dhe Giovani Lo Celso pritet të jenë në dispozicion vetëm për këtë përballje. Në “Monumental” pritet të mblidhen gjithashtu kampionët e botës nga Katari, së bashku me familjet e tyre, për ta shoqëruar Messin në këtë moment.

    Presidenti i Federatës Argjentinase, Claudio Tapia, ka bërë të ditur se vendimi për ta ftuar Messin është marrë së bashku me trajnerin Lionel Scaloni, me synimin që kapiteni të ketë lamtumirën që meriton përpara tifozëve të tij.

    Në listën e Scalonit janë përfshirë edhe disa emra të rinj, si Franco Mastantuono, Gianluca Prestianni, Román Vega, Matías Soulé dhe Santiago Castro.

    Por mbi të gjitha, sytë do të jenë te Messi. Më 6 tetor, “Monumental” pritet të kthehet në skenën e një nate historike, ku kampioni i botës mund t’i japë lamtumirën përfundimtare tifozëve argjentinas.

  • Barcelona synon që Camp Nou të jetë gati për finalen e Championsit në 2029

    Barcelona synon që Camp Nou të jetë gati për finalen e Championsit në 2029

    Barcelona po përgatit rikthimin madhështor të Camp Nou, me synimin që stadiumi të jetë në gjendje optimale për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2029.

    Joan Sentelles, drejtori i projektit Espai Barça, ka shprehur besimin se punimet do të përfundojnë përpara afatit dhe se stadiumi do të jetë plotësisht funksional shumë kohë para finales.

    Sipas tij, objektivi është që Camp Nou të rikthehet me kapacitet të plotë, ndërsa çatia dhe ekranet e stadiumit të jenë të përfunduara. Sentelles ka vlerësuar punën e kompanisë Limak dhe ka theksuar se synimi është që impianti të jetë funksional që gjatë sezonit paraprak.

    Barcelona, ndërkohë, është në komunikim të vazhdueshëm me UEFA-n për ecurinë e projektit dhe kërkesat që duhet të përmbushen për organizimin e finales.

    Sentelles ka bërë të ditur se UEFA ka standarde të larta, por Barcelona dhe qyteti katalanas pritet t’i përmbushin ato pa probleme. Kërkesat përfshijnë edhe kapacitetet hoteliere dhe kushte të tjera infrastrukturore.

    Ai ka shtuar se synimi i klubit është që Camp Nou të jetë plotësisht funksional gjatë sezonit 2028/29, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që stadiumi të arrijë kapacitetin e plotë edhe më herët.

    Sipas drejtuesit të Espai Barça, kërkesat e UEFA-s nuk pritet të sjellin ndryshime të reja në projekt dhe as kosto shtesë për Barcelonën.

    Në këtë mënyrë, klubi katalanas po synon që Camp Nou i rinovuar të jetë gati për të pritur një prej netëve më të mëdha të futbollit evropian në vitin 2029.

  • Hoffenheimi merr lajmin e mirë për Fisnik Asllanin: Na duhen të gjithë lojtarët

    Hoffenheimi merr lajmin e mirë për Fisnik Asllanin: Na duhen të gjithë lojtarët

    Hoffenheimi ka marrë një lajm të mirë me rikthimin në fushë të Fisnik Asllanit, i cili pas një periudhe jashtë për shkak të lëndimit është sërish në dispozicion të skuadrës gjermane.

    Sulmuesi i Kosovës ishte shumë pranë transferimit te RB Leipzig gjatë afatit kalimtar të verës, në një marrëveshje që raportohej të kishte vlerë mbi 30 milionë euro. Megjithatë, transferimi nuk u finalizua pasi Asllani nuk arriti t’i përfundonte me sukses testet mjekësore.

    Si rezultat, 23-vjeçari mbeti pjesë e Hoffenheimit, por më pas u detyrua të mungonte në disa ndeshje për shkak të lëndimit.

    Asllani bëri rikthimin e tij në fundjavë në përballjen ndaj Stuttgartit, ndërsa në Hoffenheim janë të kënaqur që sulmuesi kosovar është sërish pjesë e skuadrës.

    Drejtori sportiv Andreas Schicker e ka vlerësuar pozitivisht rikthimin e tij, duke theksuar rëndësinë që Asllani mund të ketë për ekipin gjatë pjesës së mbetur të sezonit.

    “Ka qenë një verë aspak e lehtë për Fisin. Jemi të lumtur që ai është këtu. Në ato pak minuta kundër Stuttgartit, ai tregoi se mund të na ndihmojë sërish”, deklaroi Schicker.

    Ai shtoi se Hoffenheimit i nevojiten të gjithë futbollistët në dispozicion, veçanërisht duke pasur parasysh ngarkesën e madhe me ndeshje.

    “Jam i lumtur që është këtu, sepse kemi shumë ndeshje, sidomos deri në janar dhe shpresojmë edhe më gjatë. Na duhen të gjithë lojtarët dhe është mirë që edhe Fisi është rikthyer”, u shpreh drejtori sportiv.

    Megjithatë, e ardhmja e Asllanit në Hoffenheim mbetet ende për t’u përcaktuar. Sipas “Kicker”, nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi kosovar të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi interesimi nga klubet e njohura evropiane për të vazhdon.

    Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Asllani do të jetë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovës për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

  • Brajan Gruda pranë debutimit me Gjermaninë, Shqipëria humb një tjetër talent

    Brajan Gruda pranë debutimit me Gjermaninë, Shqipëria humb një tjetër talent

    Brajan Gruda është pranë një momenti të madh në karrierën e tij, pasi sulmuesi i RB Leipzigut pritet të marrë ftesën e parë nga Kombëtarja A e Gjermanisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Sipas raportimeve të “Sky Sport Deutschland”, 21-vjeçari me prejardhje nga Shkodra është një prej emrave të rinj që trajneri Jürgen Klopp pritet ta përfshijë në listën e Gjermanisë për grumbullimin e muajit shtator.

    “Brajan Gruda do të ftohet nga Jürgen Klopp për afatin e shtatorit”, raporton mediumi gjerman.

    Kjo ftesë do të ishte një zhvillim i rëndësishëm për Grudën, i cili prej vitesh është kërkuar nga Kombëtarja e Shqipërisë. Sulmuesi, megjithatë, ka zgjedhur vazhdimisht të presë mundësinë për të përfaqësuar Gjermaninë, me “ëndrrën” e tij që tashmë duket shumë pranë realizimit.

    Gruda nuk është një emër i panjohur për përfaqësuesen gjermane. Ai ishte ftuar më herët nga Julian Nagelsmann për të stërvitur me ekipin e parë, por ende nuk ka regjistruar asnjë paraqitje zyrtare me Gjermaninë.

    Kjo situatë pritet të ndryshojë gjatë këtij muaji, nëse raportimet për ftesën e tij rezultojnë të sakta.

    Që prej transferimit te RB Leipzig, Gruda ka treguar formë të mirë dhe ka fituar vlerësimin e Jürgen Klopp. Trajneri gjerman thuhet se e çmon veçanërisht shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë e tij për të eliminuar kundërshtarët në duelet një kundër një.

    Madje, sipas “Sky Sport Deutschland”, Gruda mund të ketë edhe mundësinë për të nisur nga minuta e parë, në një repart ofensiv ku do të mund të luante përkrah yjeve si Lamine Yamal dhe Florian Wirtz.

    Nëse debutimi i tij me Gjermaninë bëhet realitet, Shqipëria do të humbte përfundimisht mundësinë për ta pasur në radhët e saj një prej talenteve më premtues me origjinë shqiptare.

  • Ron Raçi vazhdon formën e lartë, përfshihet në formacionin e javës në Kroaci

    Ron Raçi vazhdon formën e lartë, përfshihet në formacionin e javës në Kroaci

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ron Raçi, po vazhdon të lërë gjurmë në elitën e futbollit kroat me fanellën e Hajduk Splitit.

    23-vjeçari pati një tjetër paraqitje mbresëlënëse në fitoren minimale 1-0 të Hajdukut ndaj Slaven Belupos, duke qenë një prej figurave kryesore në prapavijën e skuadrës nga Spliti.

    Raçi zhvilloi një ndeshje të sigurt dhe pothuajse të pakalueshme në mbrojtje, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e epërsisë së krijuar nga Hajduku që në minutën e 22-të.

    Paraqitja e tij u vlerësua edhe nga platforma e njohur e statistikave, Sofascore, e cila i dha notën 7.4, duke e renditur mes lojtarëve më të dalluar të takimit.

    Forma e mirë e mbrojtësit kosovar u shpërblye edhe më tej, pasi Raçi u përfshi në formacionin më të mirë të javës në kampionatin kroat.

    Në këtë sfidë, ai kompletoi 89 pasime me saktësi prej 92 për qind, realizoi katër spastrime të topit, regjistroi katër rikuperime dhe fitoi dy duele.

    Për Raçin, kjo ishte paraqitja e tretë këtë sezon me Hajduk Splitin dhe në të tria ndeshjet ai e ka nisur takimin nga minuta e parë.

    Mbrojtësi kosovar po fiton gjithnjë e më shumë besimin te skuadra kroate, teksa paraqitjet e tij po dëshmojnë se është shndërruar në një nga pikat e forta të mbrojtjes së Hajdukut.

  • Diant Ramaj ende nuk ka marr një ftesë nga Kombëtarja Gjermane

    Diant Ramaj ende nuk ka marr një ftesë nga Kombëtarja Gjermane

    Përzgjedhësi i Gjermanisë Jurgen Klopp ka bërë  disa ndryshime në listën e portierëve, sidoqoftë sërish nuk ka vend për numrin 1 të Copenhages, Diant Ramajn.

    Në këtë listë, “BILD” njofton se nuk do të jetë as portieri i Hoffenheimit Baumann, pavarësisht se më herët kishte qenë portieri i parë i Gjermanisë nën drejtimin e ish-trajnerit Julian Nagelsmann.

    Ai e kishte mbajtur për një periudhë të gjatë pozitën e titullarit, përpara se të humbte vendin dhe të kalonte pas Manuel Neuerit pak para Kupës së Botës.

    Sipas gazetës gjermane, Klopp duket se është gati të ndryshojë hierarkinë e portierëve. Marc-Andre ter Stegen i Ajaxit pritet të jetë zgjedhja e parë, ndërsa Jonas Urbig dhe Alexander Nubel janë ndër kandidatët kryesorë për pozitat rezervë.

    Edhe Finn Dahmen i Augsburgut mund të marrë një ftesë surprizuese.

    Klopp tashmë ka qenë në kontakt me trajnerin e Hoffenheimit, Christian Ilzer, i cili konfirmoi se trajneri i ri i Gjermanisë ka nisur të komunikojë me trajnerët e klubeve, teksa po njihet më nga afër me lojtarët dhe ekipet.

    “Ai sigurohet që të ketë një shkëmbim të vërtetë, në mënyrë që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin”.

    “Te Hoffenheimi, ndoshta nuk kemi një numër kaq të madh të kandidatëve të qartë për Kombëtaren, si Stuttgart apo Bayern, për shembull. E megjithatë, ai po kërkon aktivisht kontakt me të gjithë trajnerët e klubeve”.

    Klopp pritet ta bëjë zyrtarisht publike listën e tij të parë të Kombëtares së Gjermanisë të enjten, ku për herë të parë pritet të ftohet shqiptari Brajan Gruda.

  • “Allianz Arena” dhe “Camp Nou” presin finalet e Champions League në 2028 dhe 2029

    “Allianz Arena” dhe “Camp Nou” presin finalet e Champions League në 2028 dhe 2029

    UEFA ka zyrtarizuar stadiumet që do të jenë skenë e dy finaleve të ardhshme të Ligës së Kampionëve. Në vitin 2028, finalja do të zhvillohet në Mynih, ndërsa një vit më vonë spektakli më i madh i futbollit evropian do të zhvendoset në Barcelonë.

    “Munich Football Arena”, e njohur në mbarë botën si “Allianz Arena”, është përzgjedhur për të pritur finalen e vitit 2028.

    Kandidatura e qytetit gjerman ishte e vetme në garën për organizimin e finales, duke i dhënë Mynihut të drejtën për të mirëpritur edhe një herë një prej eventeve më të rëndësishme të futbollit evropian.

    Për vitin 2029, UEFA ka zgjedhur Barcelonën. Finalja do të luhet në “Spotify Camp Nou”, i cili aktualisht po kalon nëpër një proces të gjerë rinovimi. Stadiumi katalanas triumfoi ndaj “Wembley”-t në garën për të siguruar organizimin e finales.

    Pas përfundimit të punimeve, “Camp Nou” pritet të ketë një kapacitet prej mbi 104 mijë tifozësh, çka do ta rikthente atë në mesin e stadiumeve më madhështore të Evropës dhe do ta bënte stadiumin me kapacitetin më të madh në kontinent.

    Vendimi për dy finalet u mor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s gjatë mbledhjes së mbajtur më 15 shtator 2026.

    Kështu, rruga drejt finales së Champions League tashmë është përcaktuar, në vitin 2028, trofeu do të synohet në “Allianz Arena”, ndërsa në vitin 2029, finalja do të rikthehet në “Camp Nou”-n e rinovuar.

  • Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” në Superligë

    Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” në Superligë

    Dy gola, një paraqitje mbresëlënëse dhe një tjetër vlerësim për sulmuesin e FC Prishtinës.

    Assane Diatta ka marrë vëmendjen e radhës në elitën e futbollit kosovar, duke u shpallur “Ylli i Javës” pas përfundimit të xhiros së gjashtë të Albi Mall Superligës.

    Çmimi tradicional, i organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të kampionatit, Albi Mall, i është ndarë kësaj radhe futbollistit të FC Prishtinës, pas një paraqitjeje vendimtare në fitoren 3:0 ndaj FC Feronikelit 74.

    Diatta ishte protagonist i padiskutueshëm i kësaj sfide, duke realizuar dy nga tre golat e Prishtinës dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë 92 minutave në fushë.

    Performanca e tij ndihmoi Prishtinën të arkëtojë tri pikë të rëndësishme, të cilat e ngjitën skuadrën në krye të tabelës së Albi Mall Superligës.

    Me golat, energjinë dhe ndikimin e tij në lojën e skuadrës, Diatta u vlerësua si një nga figurat kryesore të xhiros, duke merituar kështu çmimin “Ylli i Javës”.

    Përzgjedhja e fituesit është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili vlerësoi paraqitjen e sulmuesit të Prishtinës si më të dalluarën e kësaj jave.

  • Meriton Korenica shënon golin e parë me FCSB-në

    Meriton Korenica shënon golin e parë me FCSB-në

    Meriton Korenica ka nisur të lërë gjurmën e tij te FCSB-ja, duke gjetur golin e parë me fanellën e klubit rumun në një mënyrë spektakolare.

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës ishte protagonist në përballjen ndaj Petrolulit, ku shënoi në minutën e 24-t për t’i dhënë FCSB-së epërsinë 2-1.

    Korenica realizoi pas një aksioni individual të jashtëzakonshëm. Ai fitoi topin në mesfushë dhe u nis me shpejtësi drejt portës kundërshtare, duke depërtuar në zonë dhe duke u përballur me portierin.

    Fillimisht, kosovari provoi ta kalonte portierin, por pas tentimit të parë nuk u ndal. Në përpjekjen e dytë arriti ta anashkalojë atë dhe vazhdoi aksionin deri në fund, duke e shtyrë topin drejt rrjetës dhe duke festuar golin e tij të parë me FCSB-në.

    Pavarësisht avantazhit të krijuar, skuadra rumune nuk arriti ta menaxhonte rezultatin deri në fund. Petroluli reagoi dhe takimi përfundoi me shifrat 2-2.

    Megjithatë, për Korenicën ishte një mbrëmje e veçantë, pasi ai jo vetëm që gjeti golin e parë me klubin e ri, por ishte edhe një prej futbollistëve më të dalluar të FCSB-së.

    Korenica iu bashkua FCSB-së gjatë kësaj vere, pas aventurës së tij te CFR Cluj. Transferimi te një prej klubeve më të njohura të futbollit rumun përbën një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e kosovarit.