ATV

Author: N.T.

  • Armand Duka merr një tjetër post prestigjioz në FIFA

    Armand Duka merr një tjetër post prestigjioz në FIFA

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s (Member Associations Committee) për një mandat katërvjeçar.

    Ky komitet ka një rol thelbësor në mbështetjen e federatave anëtare të FIFA-s në zhvillimin e tyre institucional, teknik dhe në zbatimin e politikave të qeverisjes së futbollit në nivel global.

    Emërimi i Dukës në këtë strukturë të rëndësishme vjen si një vlerësim i madh për kontributin e tij shumëvjeçar në drejtimin e futbollit shqiptar dhe për rolin e tij aktiv në arenën ndërkombëtare.

    Kujtojmë se Duka mban gjithashtu pozicionet e Zëvendëspresidentit të UEFA-s, anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe Kryetarit të Komitetit të Medias në UEFA, duke e bërë një nga figurat më me ndikim të futbollit europian në strukturat drejtuese botërore.

  • Broja dhe Ajeti me njëzëri para Serbisë: “Do të hyjmë vetëm për 3 pikët”

    Broja dhe Ajeti me njëzëri para Serbisë: “Do të hyjmë vetëm për 3 pikët”

    Kombëtarja shqiptare është në prag të njërës prej ndeshjeve më të rëndësishme të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë do të përballen me Serbinë të shtunën në mbrëmje, në Leskovac, me fillim nga ora 20:45 — një sfidë e ngarkuar jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe emocional.

    Në konferencat e fundit për shtyp, kanë folur dy prej figurave kryesore të ekipit, Armando Broja dhe Arlind Ajeti, të cilët kanë dërguar mesazhe të qarta për vendosmërinë e skuadrës.

    Armando Broja ka theksuar se skuadra është më e fokusuar se kurrë për të marrë fitoren:
    “Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen dhe të marrim 3 pikët. E di që dua të shënoj gola, por mbi të gjitha dua të ndihmoj ekipin. Jemi shumë të përqendruar dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide.
    Në fushë do të hyjmë vetëm për fitore. Kam besim te shokët e skuadrës, te trajneri dhe te puna që kemi bërë. Do të luftojmë deri në fund — shpresojmë që këtë herë të festojmë ne,” – u shpreh sulmuesi kuqezi.

    Nga ana tjetër, Arlind Ajeti e sheh përballjen me qetësi profesionale, por me ndjenjë të fortë përgjegjësie:
    “Normalisht që emocionet ekzistojnë, por ne mundohemi t’i shohim të gjitha si ndeshje futbolli. Synimi ynë është të jemi profesionistë dhe të marrim tre pikë. Serbia ka lojtarë me cilësi të lartë si Mitrovic dhe Vlahovic, por ne do të jemi të përgatitur për secilin.
    Do të jetë më e vështirë pa tifozët tanë, por do japim maksimumin për të mbajtur portën e paprekur dhe për të mos u dorëzuar deri në fund,” – deklaroi mbrojtësi i Kombëtares.

    Kuqezinjtë janë të vendosur të shkruajnë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.
    Të shtunën në mbrëmje, gjithë sytë do të jenë nga Leskovaci — aty ku Shqipëria do të kërkojë tre pikët e artë që mund të bëjnë diferencën në rrugëtimin drejt Botërorit 2026.

  • Steven Gerrard: “Egoja dhe mungesa e unitetit na kushtuan trofetë me Anglinë”

    Steven Gerrard: “Egoja dhe mungesa e unitetit na kushtuan trofetë me Anglinë”

    Ish-kapiteni legjendar i Liverpoolit dhe Kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, ka reflektuar mbi arsyet pse “brezi i artë” anglez nuk arriti të fitojë asnjë trofe madhor, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që kishte.

    Në një intervistë për podcastin Rio Ferdinand Presents, Gerrard pranoi se rivalitetet mes klubeve të mëdha si Liverpool, Manchester United dhe Chelsea krijuan ndarje të thella në kombëtare dhe penguan krijimin e një grupi të bashkuar.

    “Ne ishim humbës egoistë. Pse nuk u lidhëm kur ishim 20 apo 23 vjeç? A ishte ego apo rivalitet? Ne nuk ishim miq, nuk ishim një ekip i vërtetë,” – u shpreh Gerrard.

    Sipas tij, Anglia kishte mjaftueshëm cilësi për të fituar trofe, por mungesa e unitetit dhe bashkëpunimit mes lojtarëve e bëri këtë të pamundur.

    “Lojtarët ishin aty për të bërë më mirë, por nuk funksionon kur secili mendon për veten,” – shtoi ish-mesfushori.

    Gerrard gjithashtu vlerësoi punën e Gareth Southgate, duke theksuar se trajneri aktual ka arritur të krijojë një atmosferë bashkimi që dikur mungonte:
    “Southgate është nënvlerësuar për mënyrën se si ka ndërtuar një grup të fortë dhe të bashkuar.”

    Sa i përket të ardhmes së tij si trajner, pas eksperiencave me Aston Villan dhe Al Ettifaqun, Gerrard la të hapur mundësinë e një rikthimi te Rangers, duke theksuar se dëshiron të jetë pjesë e një skuadre që garon për trofe:
    “Dua të jem në një ekip që lufton për të fituar. Vetëm atëherë ndiej se jam në vendin e duhur.”

  • Messi me mesazh prekës për Jordi Alba-n: “Do të jetë e çuditshme të mos të shoh më në krahun tim të majtë”

    Messi me mesazh prekës për Jordi Alba-n: “Do të jetë e çuditshme të mos të shoh më në krahun tim të majtë”

    Ylli argjentinas Lionel Messi i ka dedikuar një mesazh emocional mikut të tij të ngushtë dhe ish-bashkëlojtarit Jordi Alba, pas vendimit të këtij të fundit për t’i dhënë fund karrierës si futbollist profesionist.

    Në një postim në rrjetet sociale, Messi shprehu mallin dhe mirënjohjen për vitet e përbashkëta që ndanë në fushë:

    “Do të jetë e çuditshme për mua të shikoj majtas dhe të mos të shoh atje… Do të më mungosh shumë. Është çmenduri sa shumë asistime më ke dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.”

    Messi dhe Alba kanë ndarë një miqësi të fortë dhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ata ndërtuan një partneritet të paharrueshëm te Barcelona, ku fituan gjithçka së bashku, dhe më pas u ribashkuan në Inter Miami, përkrah Sergio Busquets dhe Luis Suárez.

    Jordi Alba, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të gjeneratës së tij, ka lënë pas një karrierë të mbushur me trofe dhe momente të paharrueshme, si me Barcelonën, ashtu edhe me Kombëtaren e Spanjës.

    Tërheqja e tij vjen vetëm pak ditë pas largimit nga futbolli të një tjetër legjende blaugrana, Sergio Busquets, duke shënuar kështu fundin e një epoke të artë për ish-yjet e mëdhenj të Barcelonës.

  • Deco: “Barcelona s’ka nevojë për një ‘numër 9’ klasik – mund të luajmë edhe pa sulmues qendror”

    Deco: “Barcelona s’ka nevojë për një ‘numër 9’ klasik – mund të luajmë edhe pa sulmues qendror”

    Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur për strategjinë e klubit katalanas në merkato, duke theksuar se nuk është e domosdoshme të afrohet një sulmues klasik.

    Në një deklaratë për mediat spanjolle, ai u shpreh se Barça mund të funksionojë edhe pa një “numër 9” tradicional, duke përmendur si shembull suksesin e PSG-së në Ligën e Kampionëve.

    “Nuk ka nevojë të jemi të fiksuar pas transferimit të një sulmuesi. Është e mundur të luash pa një ‘9’ të pastër. PSG fitoi Ligën e Kampionëve pa pasur një sulmues qendror,” – u shpreh Deco.

    Drejtori sportiv shtoi gjithashtu se nuk është koha për të folur për afrime, pasi skuadra aktuale po zhvillon mirë procesin e saj të rindërtimit dhe fokusin e ka tek stabiliteti dhe performanca.

    Deklarata e tij vjen në një periudhë kur në media po përfliten disa emra si objektiva të mundshëm për Barcelonën, mes tyre Alexander Isak, Santiago Giménez dhe Julián Álvarez – por me këto fjalë, Deco duket se e ka qartësuar se merkatoja verore nuk është prioritet i menjëhershëm për klubin katalanas.

  • Nazmi Gripshi i bashkohet Kombëtares, kuqezinjtë vazhdojnë përgatitjet për Serbinë dhe Jordaninë

    Nazmi Gripshi i bashkohet Kombëtares, kuqezinjtë vazhdojnë përgatitjet për Serbinë dhe Jordaninë

    Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e djeshme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e rëndësishme ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

    Sipas njoftimit nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, të gjithë lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Silvinjo dhe morën ngarkesën e plotë stërvitore, ndërsa mbrojtësi Enea Mihaj u bashkua me ekipin, duke kryer një seancë të veçuar.

    Stërvitja nisi me ushtrime në palestër dhe më pas ekipi zhvilloi disa skema taktike në fushë, me trajnerin Silvinjo që testoi situata të ndryshme loje në prag të dy sfidave të radhës.

    Ndërkohë, tekniku brazilian ka vendosur të ftojë në Kombëtare mesfushorin Nazmi Gripshi, i cili iu bashkua ekipit si zëvendësim për Adrion Pajazitin, që mungon për shkak dëmtimi. Gripshi u bashkua me skuadrën gjatë ditës së djeshme dhe prej sot është pjesë e plotë e përgatitjeve kuqezi.

    Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet sot në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa dy futbollistë pritet të dalin para mediave në konferencën për shtyp që do të mbahet në “Air Albania”.

  • Reece James do të rikthehet shpejt te Chelsea pas një dëmtimi të lehtë

    Reece James do të rikthehet shpejt te Chelsea pas një dëmtimi të lehtë

    Chelsea ka marrë frymë lehtësimi pasi kapiteni i ekipit, Reece James, ka shmangur një dëmtim të rëndë dhe pritet të rikthehet pas pushimit ndërkombëtar. Ai u tërhoq nga grumbullimi i Anglisë për ndeshjet miqësore ndaj Uellsit dhe kualifikuesen ndaj Letonisë pas një shqetësimi të vogël që ndodhi gjatë fitores 2-1 ndaj Liverpoolit. 

    Raportet nga klubi dhe mediat e besueshme e përshkruajnë këtë si një masë paraprake për të menaxhuar ngarkesën e lojtarit, veçanërisht pas një periudhe të gjatë rikuperimi nga një operacion i hamstrings në vitin 2023. 

    Chelsea do të ndeshet me Nottingham Forest pas pushimit ndërkombëtar, dhe James pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Enzo Maresca për këtë takim. 

    Në këtë periudhë, Chelsea po përballet me një krizë të madhe dëmtimesh, përfshirë mungesat e lojtarëve të rëndësishëm si Levi Colwill, Benoît Badiashile dhe Josh Acheampong.  Megjithatë, me rikthimin e James, klubi shpreson të stabilizojë mbrojtjen dhe të forcojë konkurrencën për titujt e ardhshëm.

  • Agim Ademi zgjidhet në Komitetin e FIFA-s – Njohje historike për futbollin kosovar

    Agim Ademi zgjidhet në Komitetin e FIFA-s – Njohje historike për futbollin kosovar

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është zgjedhur anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s – një prej organeve më të rëndësishme të organizatës botërore të futbollit.

    Ky emërim përbën një arritje të madhe për futbollin kosovar dhe një njohje ndërkombëtare të kontributit të vazhdueshëm të presidentit Ademi në zhvillimin dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën globale të sportit.

    Komiteti për Marrëdhënie Institucionale luan një rol thelbësor në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të FIFA-s me institucionet më të larta ndërkombëtare, si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kombet e Bashkuara (OKB), UNESCO, UNICEF, si dhe organizata të tjera qeveritare e joqeveritare në mbarë botën.

    Përmes këtij komiteti, FIFA promovon vlera universale të futbollit si përfshirja, barazia, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm përmes sportit.

    Ademi e cilësoi këtë zgjedhje si një nder të madh dhe përgjegjësi të veçantë, duke theksuar se ky është një sukses i përbashkët për gjithë futbollin kosovar:

    “Jam i nderuar që do të kontribuoj në një komitet kaq të rëndësishëm të FIFA-s. Ky është një sukses për gjithë futbollin kosovar dhe dëshmi se puna jonë po vlerësohet në nivelet më të larta ndërkombëtare.”

    Ky rol i ri pritet të forcojë më tej pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi për sportin vendas.

    Kujtojmë se Agim Ademi është gjithashtu anëtar i Komitetit HatTrick të UEFA-s, një tjetër strukturë e rëndësishme e futbollit evropian.

  • Jordi Alba njofton pensionimin nga futbolli në fund të sezonit në MLS

    Jordi Alba njofton pensionimin nga futbolli në fund të sezonit në MLS

    Jordi Alba njofton pensionimin nga futbolli në fund të sezonit në MLS

    Legjenda spanjolle Jordi Alba ka njoftuar zyrtarisht se do të tërhiqet nga futbolli profesionist në përfundim të këtij sezoni në Major League Soccer (MLS) me skuadrën Inter Miami.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi amerikan përmes një njoftimi zyrtar, duke falënderuar mbrojtësin e majtë për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë karrierës së tij. Alba u shpreh se vendimin e mori me “paqë dhe lumturi”, duke theksuar se ndihet krenar për gjithçka ka arritur.

    “Pas shumë vitesh të mrekullueshme, ndjej se ka ardhur momenti i duhur për të mbyllur këtë kapitull. Jam mirënjohës për çdo skuadër, shokë ekipi dhe tifoz që më kanë mbështetur,” deklaroi Alba.

    Mbrojtësi 36-vjeçar iu bashkua Inter Miami në vitin 2023, ku u ribashkua me ish-bashkëlojtarët Lionel Messi dhe Sergio Busquets. Ai ndihmoi klubin të fitojë Leagues Cup dhe të arrijë suksese historike në MLS.

    Gjatë karrierës së tij të pasur, Alba ka fituar:
    • 6 tituj të La Liga-s,
    • 5 Kupa të Mbretit (Copa del Rey),
    • 4 Superkupa të Spanjës,
    • 1 Champions League,
    • 1 Kupë të Botës për Klube,
    • si dhe me Spanjën fitoi Euro 2012 dhe UEFA Nations League.

    Njoftimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi edhe Sergio Busquets paralajmëroi tërheqjen nga futbolli në fund të këtij sezoni, duke shënuar kështu fundin e një epoke për ish-yjet e Barcelonës që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit botëror.

    🗣️ Klubi i Inter Miami publikoi një mesazh prekës në rrjete sociale:

    “Një legjendë e vërtetë e futbollit. Faleminderit, Jordi Alba, për gjithçka që i ke dhënë këtij sporti.”

    Në fund të sezonit, pritet që klubi t’i organizojë një ceremoni lamtumire për nder të tij në “Chase Stadium”.

  • Sergio Busquets njofton pensionimin nga futbolli profesionist pas përfundimit të sezonit 2025 të MLS

    Sergio Busquets njofton pensionimin nga futbolli profesionist pas përfundimit të sezonit 2025 të MLS

    Mesfushori legjendar Sergio Busquets ka konfirmuar se do të pensionohet nga futbolli profesionist pas përfundimit të sezonit aktual të Major League Soccer (MLS) me Inter Miami.

    Busquets, i cili u bashkua me klubin amerikan në korrik 2023 pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme te Barcelona, ka marrë pjesë në një ceremoni nderimi pas fitores 4–1 ndaj New England Revolution më 4 tetor 2025, ku u vlerësua për kontributin e tij dhe lidershipin në fushë.

    Në një postim në Instagram më 26 shtator 2025, Busquets shprehu mirënjohje për karrierën e tij:
    “Ndihem i plotësuar dhe mirënjohës për çdo moment në futboll. Kjo është faza ime e fundit si lojtar profesionist, dhe dua ta përfundoj në mënyrën më të mirë të mundshme.”

    Gjatë sezonit aktual në MLS, mesfushori ka luajtur 45 ndeshje, duke dhënë 10 asiste, dhe synon të mbyllë karrierën me një titull të MLS Cup.

    Pas pensionimit, Busquets ka shprehur interes për një karrierë si trajner, megjithatë ka vendosur të marrë një periudhë pushimi për të kaluar kohë me familjen dhe për të reflektuar mbi të ardhmen profesionale.

    Karriera e Busquets është e mbushur me tituj dhe suksese: 9 herë La Liga, 3 herë Champions League, 7 herë Copa del Rey, 3 herë Club World Cup, 1 Botëror dhe 1 Euro me përfaqësuesen e Spanjës.

    Me këtë pensionim, Busquets lë pas një trashëgimi të pasur si një nga mesfushorët më të mirë të brezit të tij dhe një figurë ikonë për Barcelonën dhe futbollin spanjoll.