ATV

Author: N.T.

  • Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, pranon dhuratë fanellën e Ballkanit në Romë

    Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, pranon dhuratë fanellën e Ballkanit në Romë

    Një moment krenarie për futbollin kosovar ka ndodhur në Romë, gjatë mbledhjes së Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA).

    Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, ka marrë si dhuratë fanellën zyrtare të tre herë kampionit të Kosovës, Ballkanit, nga Sekretari i Përgjithshëm i klubit, Arben Osmani.

    Ky gjest simbolik përfaqëson jo vetëm respektin dhe miqësinë mes klubeve, por edhe prezantimin e denjë të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

    Ballkani, që ka bërë histori me paraqitjet e tij në garat evropiane, tashmë është bërë emër i njohur edhe për drejtuesit e futbollit botëror, ndërsa ky takim me Al-Khelaifin shënon një tjetër hap të rëndësishëm në ndërtimin e imazhit të futbollit kosovar në Evropë.

    Takimi u zhvillua në kryeqytetin italian, Romë, ku u mblodhën drejtuesit e klubeve më të fuqishme të kontinentit për të diskutuar zhvillimin e mëtejshëm të futbollit evropian.

  • Fisnik Asllani e quan Barcelonën “klubin e ëndrrave” – kërkohet nga gjigantët evropianë pas shpërthimit në Bundesliga

    Fisnik Asllani e quan Barcelonën “klubin e ëndrrave” – kërkohet nga gjigantët evropianë pas shpërthimit në Bundesliga

    Sulmuesi i Kosovës dhe ylli i Hoffenheim-it, Fisnik Asllani, po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në Bundesliga dhe tashmë ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

    Sipas raportimeve të Sky Sport, futbollisti 22-vjeçar ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij me Hoffenheimin, gjë që mund ta bëjë të mundur një transferim të madh gjatë verës së ardhshme – madje drejt një klubi që luan në Ligën e Kampionëve.

    Në një intervistë për Sport Bild, Asllani ka treguar hapur ëndrrën e tij më të madhe:

    “Klubi im i ëndrrave ka qenë gjithmonë FC Barcelona. Gjithmonë kam dashur të luaj atje. Dua të luaj në Ligën e Kampionëve një ditë. Është e rëndësishme të kesh ëndrra dhe të punosh drejt tyre.”

    Forma e tij këtë sezon ka qenë mbresëlënëse – 4 gola dhe 1 asistim në gjashtë ndeshje të para – duke e bërë një nga golashënuesit më produktivë të Bundesligës. Kjo ka bërë që interesimi për të të rritet nga klube të Spanjës dhe Anglisë, përfshirë edhe skuadra elitare si Barcelona dhe Arsenali.

    Asllani, i cili sezonin e kaluar shkëlqeu në huazim te SV Elversberg me 29 gola në 37 ndeshje, ka parë vlerën e tij në treg të rritet dhjetëfish, duke arritur në 8 milionë euro, ndërsa pritet të përditësohet në mbi 18 milionë euro në vlerësimin e ardhshëm të Transfermarkt.

    Burime pranë tregut të transferimeve theksojnë se:

    “Ai po e kalon fazën e talenteve dhe po hyn në një nivel të ri. Me këtë ritëm, vlera e tij pritet të dyfishohet. Ka sinjale të qarta që verën e ardhshme mund të jetë pjesë e një klubi të madh evropian.”

    Me këtë formë dhe ambicie, Fisnik Asllani po e forcon gjithnjë e më shumë pozitën e tij si ylli i ardhshëm i futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

  • Zirkzee drejt largimit nga Manchester United – i pakënaqur me minutat nën drejtimin e Amorim

    Zirkzee drejt largimit nga Manchester United – i pakënaqur me minutat nën drejtimin e Amorim

    Joshua Zirkzee po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit nga Manchester United gjatë afatit kalimtar të janarit, pas zhgënjimit me minutazhin e kufizuar që ka marrë këtë sezon nën urdhrat e trajnerit Ruben Amorim.

    Sulmuesi holandez, i cili iu bashkua “Djajve të Kuq” verën e kaluar nga Bologna për 36.8 milionë funte, ende nuk ka arritur të lërë gjurmë në “Old Trafford”. Edhe pse ka regjistruar katër paraqitje në total, Zirkzee ka grumbulluar vetëm 82 minuta lojë, pa arritur të shënojë apo të asistojë.

    Burime nga Anglia bëjnë të ditur se 23-vjeçari është i shqetësuar për rolin e tij aktual dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në mundësinë e tij për të qenë pjesë e Holandës në Kupën e Botës 2026.

    Pikërisht për këtë arsye, ai po mendon seriozisht për një transferim të ri, ndërsa interesimi për të nuk mungon. Klube të mëdha si Juventus, Roma dhe PSV Eindhoven kanë shfaqur gatishmëri për ta afruar sulmuesin që shihet si një talent me potencial të madh.

    Zirkzee, i cili ende nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar këtë sezon, pritet të vendosë për të ardhmen e tij në javët në vijim, me një largim të mundshëm në janar që duket gjithnjë e më i afërt.

  • Wojciech Szczesny rrëfen prapaskenat e papritura: “Nga cigaret te dashuria për familjen”

    Wojciech Szczesny rrëfen prapaskenat e papritura: “Nga cigaret te dashuria për familjen”

    Në një intervistë të sinqertë për “TVP Sport”, portieri i njohur polak Wojciech Szczesny ka ndarë një tregim të rrallë nga karriera e tij — një histori që fillon me cigaret në zhveshtore dhe përfundon me dashurinë për familjen.

    “Ajo cigare në zhveshtore e përshkruan në mënyrë perfekte gjithë historinë time. U largova nga Arsenali për shkak të duhanit, cigaret më kanë shoqëruar për shumë vite. Por në fund, ishte vetë presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, që ma dhuroi një cigare të shkëlqyeshme”, rrëfen Szczesny me humor.

    Ai kujton me nostalgji momentin e festës pas titullit:
    “Hyra në zhveshtore dhe pashë të gjithë bashkëlojtarët e lumtur, duke festuar. Për mua ishte një çast i jashtëzakonshëm gëzimi — një mbyllje e bukur për një karrierë plot emocione.”

    Tashmë 34-vjeç, Szczesny është përkushtuar plotësisht ndaj familjes së tij. Baba i dy fëmijëve, Liam dhe Noelia, ai tregon se ndonëse karriera i ka sjellë lavdi, jeta familjare i ka dhuruar lumturinë më të madhe.

    “Të jesh baba është sfida më e vështirë, por edhe më e bukura. Nuk e di sa mirë po ia dal, ndoshta këtë duhet ta pyesni gruan time dhe fëmijët, por është roli që më jep më së shumti gëzim”, u shpreh ai me buzëqeshje.

    Szczesny po ashtu pranoi se gruaja e tij, Marina, ka qenë arsyeja që e bindi të mos tërhiqej plotësisht nga futbolli:
    “Nuk doja të luaja më, isha gati të përkushtohesha vetëm ndaj familjes. Por Marina këmbënguli… dhe kishte të drejtë. I jam shumë mirënjohës për këtë.”

    Një rrëfim njerëzor e i ngrohtë nga një kampion që, përtej fushës, mbetet një burrë dhe baba me zemër të madhe.

  • Kylian Mbappé – futbollisti me më së shumti renditje në “Top 10” të Topit të Artë, pa e fituar kurrë!

    Kylian Mbappé – futbollisti me më së shumti renditje në “Top 10” të Topit të Artë, pa e fituar kurrë!

    Kylian Mbappé po vazhdon të bëjë histori, edhe pse ende nuk ka arritur ta fitojë Topin e Artë.

    Ylli francez është tani futbollisti me më së shumti renditje në “Top 10” të Ballon d’Or, pa e fituar asnjëherë atë.

    Me plot 8 herë të radhitura në mesin e 10 më të mirëve, Mbappé ka lënë pas legjenda si:
    Thierry Henry – 7 herë
    Andrés Iniesta – 7 herë
    Neymar – 6 herë
    Zlatan Ibrahimović – 6 herë

    Edhe pse vetëm 26-vjeçar, Mbappé ka qenë pjesë e elitës së futbollit botëror për gati një dekadë.

    Ai tashmë mban edhe statusin e një prej lojtarëve më konsistentë të epokës moderne — gjithmonë pranë majës, por ende pa arritur “kurorën e artë”.

  • Nenad Tomović: “Droni ishte i planifikuar nga futbollistët shqiptarë, gjithçka ishte e inskenuar”

    Nenad Tomović: “Droni ishte i planifikuar nga futbollistët shqiptarë, gjithçka ishte e inskenuar”

    Futbollisti serb Nenad Tomović, në një intervistë për “Sportinho”, është rikthyer të komentojë ngjarjen e famshme të 14 tetorit 2014, në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, e cila u ndërpre pas incidentit me dronin që mbante flamurin “Autochthonous”.

    Sipas tij, ngjarja nuk ishte spontane, por e planifikuar nga pala shqiptare. Ish-mbrojtësi i Serbisë pretendon se disa futbollistë shqiptarë e dinin se do të ndodhte një skenë e tillë.

    “Sinqerisht, ishte një provokim i madh ta shihnim atë flamur të valëvitej mbi kokat tona. Stefani reagoi me zgjuarsi dhe e hoqi menjëherë. Nga reagimi i tyre, që vrapuan për ta mbrojtur flamurin, shihet se gjithçka ishte e planifikuar dhe e organizuar. Më pas shpërthyen incidentet, por mendoj se ky ishte qëllimi i tyre. Ajo që planifikuan, në fund e arritën,” – tha 38-vjeçari.

    Tomović foli edhe për ndeshjen e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet të shtunën në Leskovc. Ai beson se Serbia duhet ta fitojë këtë përballje, duke theksuar se skuadra e tij ka më shumë cilësi dhe përvojë.

    “Kudo që të luhet ndeshja – në Beograd, Leskovc apo kudo tjetër – qëllimi është i njëjtë: fitorja. Duhet të jemi të durueshëm dhe të zgjuar, të mos nxitohen për të shënuar me çdo kusht. Serbia ka cilësi më të larta si individualisht ashtu edhe si ekip, prandaj besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje,” – përfundoi ai.

  • KB Prishtina kërkon fitoren e dytë në Ligën ENBL ndaj Brussels Basketball

    KB Prishtina kërkon fitoren e dytë në Ligën ENBL ndaj Brussels Basketball

    Pas një nisjeje të mbarë në edicionin e ri të Ligës ENBL, KB Prishtina do të zhvillojë sonte (e mërkurë) ndeshjen e dytë, këtë herë në transfertë ndaj Brussels Basketball.

    Skuadra bardhekaltër vjen pas fitores bindëse ndaj Gimle Basket, dhe synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm për të konsoliduar pozitat në grup.

    Kjo është sfida e parë për ekipin belg në këtë sezon të ENBL, ndërsa për Prishtinën përfaqëson një test të rëndësishëm për të matur forcën e saj në arenën ndërkombëtare.

    Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të YouTube të ENBL.

    Kryeqytetasit marrin pjesë për herë të dytë në këtë ligë, e cila po fiton gjithnjë e më shumë reputacion në rajon. Përveç Prishtinës, në këtë edicion garon edhe skuadra tjetër kosovare, Peja, duke përfaqësuar me krenari basketbollin e vendit në arenën ndërkombëtare.

  • Gianni Infantino mbërrin në Kosovë, pritet dhe dekorohet nga Presidentja Osmani

    Gianni Infantino mbërrin në Kosovë, pritet dhe dekorohet nga Presidentja Osmani

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbërritur sot në Kosovë në një vizitë zyrtare, ku është pritur me ceremoni madhështore nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe të futbollit kosovar.

    Në aeroportin e Prishtinës, Infantinon e mirëpritën Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, si dhe zyrtarë të Presidencës së Kosovës.

    Gjatë qëndrimit të tij, Infantino u dekorua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të FIFA-s për zhvillimin e futbollit në vend.

    Pritja dhe dekorimi i tij u zhvilluan me nderime dhe respekt të veçantë, duke reflektuar rëndësinë e vizitës së kreut të FIFA-s për futbollin kosovar dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucionit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

    Kjo është herë e dytë që Gianni Infantino viziton Kosovën, dhe gjatë qëndrimit ai pritet të takohet me drejtues të institucioneve sportive dhe shtetërore për të diskutuar projekte të reja për infrastrukturën sportive dhe zhvillimin e talenteve të rinj në futbollin kosovar.

  • Dean Huijsen lë grumbullimin e Spanjës për shkak dëmtimi, rikthehet Aymeric Laporte

    Dean Huijsen lë grumbullimin e Spanjës për shkak dëmtimi, rikthehet Aymeric Laporte

    Kombëtarja e Spanjës ka pësuar një tjetër goditje përpara ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Mbrojtësi i Real Madridit, Dean Huijsen, është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi muskulor, duke mos qenë në gjendje të vazhdojë me ekipin.

    Trajneri Luis de la Fuente ka reaguar menjëherë, duke thirrur në vend të tij Aymeric Laporten, i cili rikthehet në Kombëtare pas gati një viti mungesë, që nga ndeshjet e Nations League në nëntor të vitit 2024.

    Federata Spanjolle e Futbollit ka konfirmuar lajmin me një deklaratë zyrtare:

    “Dean Huijsen largohet nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një dëmtimi muskulor, përpara ndeshjeve kualifikuese ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.

    Mbrojtësi i Real Madridit mbërriti me simptoma lodhjeje dhe pas testeve mjekësore, u konfirmua dëmtimi. Klubi i tij është informuar dhe lojtari do të vazhdojë rikuperimin në Madrid. I urojmë shërim të shpejtë.”

    Huijsen, i cili nuk ishte stërvitur që nga e marta në qendrën stërvitore të Las Rozas, do të ekzaminohet nga stafi mjekësor i Real Madridit sapo të rikthehet në klub për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

    Ndërkohë, Laporte do t’i bashkohet menjëherë grumbullimit të “La Rojas”, duke sjellë përvojë dhe stabilitet në repartin e mbrojtjes për dy ndeshjet e rëndësishme të radhës.

  • Xavi me superlativa për Lamine Yamal: “Një gjeni që mund të hyjë në historinë e futbollit”

    Xavi me superlativa për Lamine Yamal: “Një gjeni që mund të hyjë në historinë e futbollit”

    Ish-trajneri dhe legjenda e Barcelonës, Xavi Hernández, ka vlerësuar me fjalët më të larta talentin e ri të katalanasve, Lamine Yamal, duke e cilësuar si një lojtar të lindur për madhështi.

    Në një intervistë për mediat spanjolle, Xavi theksoi se e ardhmja e 18-vjeçarit varet tërësisht nga dëshira dhe përkushtimi i tij për t’u përmirësuar çdo ditë.

    “Lamine Yamal është një i zgjedhur. Ai mund të jetë një nga gjenitë më të mëdhenj në historinë e futbollit — por kjo varet prej tij, nga ambicia dhe pasioni që do të tregojë”, u shpreh Xavi.

    Trajneri spanjoll kujtoi edhe momentin kur i dha Yamalit mundësinë të debutonte në ekipin e parë të Barcelonës, në moshën vetëm 15-vjeçare, duke pranuar se talenti i tij ishte i dukshëm që në stërvitjet e para.

    “Yamal bënte gjëra që i shihje vetëm te Neymar apo Messi. E pashë menjëherë se ishte ndryshe — nuk kishte frikë, nuk kishte komplekse, dhe ishte gati të bënte diferencën,” – shtoi Xavi me admirim.

    Sot, Lamine Yamal është një nga figurat më premtuese të futbollit evropian dhe një shtyllë e rëndësishme për të ardhmen e Barcelonës, duke treguar pjekuri dhe klas të jashtëzakonshme për moshën e tij të re.