ATV

Author: N.T.

  • Goditje për Anglinë dhe Chelsea-n: Cole Palmer rrezikon mungesë deri në nëntor

    Goditje për Anglinë dhe Chelsea-n: Cole Palmer rrezikon mungesë deri në nëntor

    Sulmuesi anglez i Chelseat, Cole Palmer, pritet të qëndrojë jashtë fushave deri në nëntor për shkak të një lëndimi në ijë, raportoi BBC.

    Sipas raportimeve, stafi mjekësor i klubit londinez ka zhvilluar një takim urgjent për të vlerësuar gjendjen e 22-vjeçarit, i cili ka pasur shqetësime të vazhdueshme në këtë zonë gjatë javëve të fundit. Vendimi përfundimtar është që të mos rrezikohet rikthimi i tij, në mënyrë që të shmanget një dëmtim më serioz.

    Palmer, që ka qenë ndër lojtarët më të spikatur të Chelseat këtë sezon, ka kontribuar me gola dhe asistime vendimtare, duke u bërë një figurë kyçe për trajnerin Enzo Maresca.
    Mungesa e tij vjen në një moment të ndjeshëm për “Blutë”, të cilët po kërkojnë stabilitet në Premier League.

    Në të njëjtën kohë, edhe Kombëtarja e Anglisë mund të ndjejë mungesën e tij, pasi Palmer ishte pjesë e planeve të trajnerit Gareth Southgate për ndeshjet e tetorit.

    Chelsea shpreson ta rikthejë yllin e saj në stërvitje në fillim të nëntorit, në varësi të ecurisë së rikuperimit.

  • Ancelotti “mbreti” i bankinës – trajneri më i paguar i kombëtareve në botë

    Ancelotti “mbreti” i bankinës – trajneri më i paguar i kombëtareve në botë

    Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori, këtë herë jo vetëm për trofetë, por edhe për pagesën rekord që merr si trajner i një kombëtareje. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, tekniku italian që drejton Brazilin është trajneri më i paguar në botë, me një pagë marramendëse prej 9.5 milionë eurosh në vit.

    Ancelotti, i cili mori drejtimin e “Seleçaos” pas një periudhe të artë me Real Madridin, kryeson listën e dhjetë trajnerëve më të paguar në arenën ndërkombëtare. Pas tij vjen Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë, me një pagë prej 5.9 milionë eurosh, ndërsa podiumi plotësohet nga Julian Nagelsmann i Gjermanisë me 4.9 milionë euro.

    Në vendin e katërt ndodhet Fabio Cannavaro, ish-kapiteni kampion bote me Italinë në vitin 2006, i cili tani drejton Uzbekistanin dhe fiton 4 milionë euro në vit – njësoj si Roberto Martinez i Portugalisë.

    Kreun e dhjetësheve më të paguar e plotësojnë Didier Deschamps (Francë – 3.8 milionë euro), Marcelo Bielsa (Uruguai – 3.5 milionë euro), Ronald Koeman (Holandë – 3 milionë euro), Gustavo Alfaro (Paraguai – 2.5 milionë euro) dhe kampioni i botës me Argjentinën, Lionel Scaloni, me 2.3 milionë euro në vit.

    Kjo listë tregon jo vetëm vlerësimin financiar që kombëtaret u japin trajnerëve të mëdhenj, por edhe ndryshimin e madh që ekziston mes futbollit të kombëtareve dhe atij të klubeve.
    Ancelotti, me përvojën dhe sukseset e tij të shumta, shihet si garancia kryesore e Brazilit për të rikthyer lavdinë botërore në Kupën e Botës 2026.

  • Istvan Kovaç caktohet gjyqtar kryesor për ndeshjen Serbi – Shqipëri

    Istvan Kovaç caktohet gjyqtar kryesor për ndeshjen Serbi – Shqipëri

    Arbitri i njohur rumun, Istvan Kovaç, është caktuar nga UEFA si gjyqtari kryesor i ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.

    Sipas njoftimit zyrtar të UEFA-s, Kovaç do të asistojë nga bashkatdhetarët Mihai Marika dhe Ferenc Tunjogi, ndërsa Horatiu Feșnic do të jetë gjyqtar i katërt.
    Në dhomën e VAR-it do të jenë gjermanët Bastian Dankert dhe Pascal Müller, të cilët do të kujdesen për verifikimin e situatave të diskutueshme.

    Ndeshja e Grupit K do të zhvillohet të shtunën, më 11 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit. Takimi pritet të jetë një nga më të nxehtët e javës në këtë fazë kualifikuese, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë sportiv mes dy përfaqësueseve.

    Kovaç, i cili konsiderohet ndër gjyqtarët më të mirë evropianë aktualisht, ka një karrierë mbresëlënëse në arenën ndërkombëtare. Ai arbitroi finalen e fundit të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit në Mynih, si dhe finalen e Ligës së Evropës mes Atalantës dhe Bayer Leverkusenit.
    Në vitin 2022, ai gjykoi edhe finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit, të zhvilluar në Tiranë.

    Pas pesë ndeshjeve të luajtura në Grupin K, Anglia kryeson me 15 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 8 pikë, Serbia me 7 (dhe një ndeshje më pak), Letonia me 4 dhe Andorra që mban vendin e fundit pa pikë.

  • Turneu “PINK-PONG” në Prishtinë: Sport për vetëdijesim kundër kancerit të gjirit

    Turneu “PINK-PONG” në Prishtinë: Sport për vetëdijesim kundër kancerit të gjirit

    Klubi i Pingpongut “Priping”, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, do të organizojë turneun tradicional jo konkurrues “PINK-PONG Breast Cancer Awareness Table Tennis Tournament”, me qëllim ngritjen e vetëdijesimit për kancerin e gjirit.

    Kjo nismë vjen në kuadër të Muajit të Vetëdijesimit ndaj Kancerit të Gjirit, që shënohet në mbarë botën gjatë tetorit. Përmes sportit dhe bashkimit qytetar, organizatorët synojnë të theksojnë rëndësinë e kontrollimeve të hershme dhe parandalimit të kësaj sëmundjeje.

    “Muaji tetor është periudha kur i rikujtojmë vetes rëndësinë e kujdesit për shëndetin. Me anë të sportit të pingpongut, duam të përçojmë mesazhin se kanceri i gjirit mund të luftohet që në hapat e parë përmes zbulimit të hershëm,” – thuhet në njoftimin e klubit KPP Priping.

    Turneu do të mbahet sot (9 tetor) në sallën e pingpongut në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.
    Organizatorët kanë bërë të ditur se do të sigurojnë të gjitha pajisjet e nevojshme për pjesëmarrësit, ndërsa të gjithë qytetarët janë të ftuar të marrin pjesë dhe të mbështesin këtë kauzë humane.

  • Duka para sfidës Serbi–Shqipëri: “Ata kanë emra, ne kemi ekipin dhe karakterin”

    Duka para sfidës Serbi–Shqipëri: “Ata kanë emra, ne kemi ekipin dhe karakterin”

    Në fundjavë, e gjithë vëmendja e rajonit do të jetë e përqendruar në Leskovc, ku të shtunën më 11 tetor do të zhvillohet ndeshja vendimtare e Grupit K për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë.

    Kuqezinjtë aktualisht renditen në vendin e dytë me 8 pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Një fitore në këtë përballje do të ishte një hap madhor për Shqipërinë drejt fazës së “play-off”-it.

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur optimist për këtë sfidë të zjarrtë, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe qetësisë emocionale.

    “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme nga pikëpamja sportive. Nuk mund të injorojmë presionin që sjell atmosfera, por kërkesa jonë ndaj lojtarëve është e qartë: të jenë të përqendruar dhe të tregojnë sportivitet. Ekipi që do të mbetet më i qetë dhe do ta lexojë më mirë ndeshjen, do të dalë fitues,” – tha Duka për kanalin zyrtar të FSHF-së.

    Kreu i FSHF-së shtoi se Serbia nuk është një skuadër e frikshme si grup, ndonëse ka disa individë cilësorë, deklaratë që ka bërë jehonë edhe në mediat e rajonit.

    “Kemi një ekip të fortë dhe të balancuar që di si të përballet me çdo kundërshtar. Serbia ka disa lojtarë me cilësi, por si skuadër nuk janë aq të fortë. Besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë transfertë,” – theksoi ai.

    Në mbyllje, Duka u shpreh se karakteri dhe besimi do të jenë pikat më të forta të kombëtares shqiptare.

    “Shpresoj që presioni të jetë më shumë në anën e Serbisë. Ne do të luajmë me zemër, por edhe me qetësi. Kam besim të madh te djemtë tanë,” – përfundoi ai.

    Sfida Serbi–Shqipëri do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe pritet të jetë një ndër ndeshjet më të tensionuara dhe më të rëndësishme të ciklit kualifikues drejt Kupës së Botës 2026.

  • Ceferin mahnitet nga Nuno Mendes: “Ndoshta lojtari më i mirë në botë aktualisht”

    Ceferin mahnitet nga Nuno Mendes: “Ndoshta lojtari më i mirë në botë aktualisht”

    Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka lavdëruar në superlativ mbrojtësin e majtë të Paris Saint-Germain, Nuno Mendes, duke e quajtur “ndoshta lojtarin më të mirë në botë për momentin”.
    Deklarata e tij u bë gjatë fjalës në ‘Portugal Football Summit’, ku Ceferin theksoi se futbollistët në mbrojtje shpesh nuk marrin vlerësimin që meritojnë, krahasuar me ata që shënojnë gola.

    “Nuno Mendes është fantastik, ndoshta lojtari më i mirë aktualisht, por pozicioni i tij nuk vlerësohet aq sa ai i atyre që shënojnë,” – u shpreh Ceferin.

    Presidenti i UEFA-s përmendi gjithashtu disa prej talenteve më të mëdha të Portugalisë, si Joao Neves, Vitinha dhe Ruben Dias, të cilin e cilësoi si qendërmbrojtësin e tij të preferuar.

    “Janë Joao Neves, Vitinha, qendërmbrojtësi im i preferuar Ruben Dias… por nuk dua të përmend shumë emra, ndoshta po harroj ndonjë,” – shtoi ai me humor.

    Ceferin u ndal edhe te suksesi i jashtëzakonshëm i futbollit portugez, duke theksuar se përveç talentit dhe punës së madhe, Portugalia ka “diçka më shumë” që e bën unike.

    “Ajo që bën Portugalia është mbresëlënëse. Nuk është vetëm talent dhe punë, edhe të tjerët e bëjnë këtë. Ka diçka më shumë – shpresoj ta zbuloj para se të largohem nga presidenca e UEFA-s,” – përfundoi ai.

    Në të njëjtin event, Nuno Mendes, bashkë me bashkëkombasit e tij Gonçalo Ramos dhe Vitinha, u nderuan në ceremoninë e ‘Portugal Football Globes 2025’ për suksesin historik me PSG-në, pas triumfit në Ligën e Kampionëve.

  • Kafeja e mëngjesit: Sa sheqer është i shëndetshëm për t’u shtuar?

    Kafeja e mëngjesit: Sa sheqer është i shëndetshëm për t’u shtuar?

    Të gjithë i drejtohemi kafesë çdo mëngjes, qoftë pas mëngjesit ose pa ngrënë fare. Kafeja është bërë një pjesë thelbësore e rutines sonë, një përbërës i domosdoshëm për një paradite energjike.

    Studimet tregojnë se njerëzit mund të heqin dorë nga alkoli, por shumë pak mund të ndalojnë kafen e mëngjesit. Megjithatë, mënyra se si e pini kafen ka rëndësi për shëndetin, veçanërisht sa i përket sheqerit.

    Disa preferojnë kafen pa shtesa, ndërsa të tjerë nuk mund ta pinë pa pak ëmbëlsi. Por sa sheqer është i sigurt për t’u shtuar? Nutricionistët bien dakord: mos e tepëroni!

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org:
    • Një filxhan i vogël ekspres (30 ml) mund të përmbajë maksimum 3.1 gramë sheqer — më pak se një lugë çaji.
    • Një filxhan turke ka të njëjtën masë të toleruar.
    • Për një kapuçino (25 ml kafe + 85 ml qumësht), sasia e rekomanduar është 7 gramë sheqer, pra pak më pak se dy lugë çaji.

    Studimet tregojnë se një lugë e plotë çaji me sheqer në një filxhan ekspres mund ta rrisë përqindjen e sheqerit më shumë se një gotë me Coca-Cola!

    Sasia ditore e rekomanduar nga OBSH:
    Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron 25 gramë sheqer në ditë, ose rreth 6 lugë çaji, duke përfshirë të gjitha ushqimet dhe pijet e konsumuara gjatë ditës.

    🔹 Këshilla: Nëse doni një mëngjes të shëndetshëm dhe energjik, shtoni sheqer me kujdes në kafen tuaj dhe kujdesuni që sasia totale ditore të mos e kalojë limitin e rekomanduar.

  • Edona James ofendon Brikenda Selmanin: Reagimi i saj i diskutueshëm ndaj Miss Grand Kosovo

    Edona James ofendon Brikenda Selmanin: Reagimi i saj i diskutueshëm ndaj Miss Grand Kosovo

    Edona James, një nga figurat më të njohura të showbiz-it kosovar dhe trans-gruaja e parë që ka marrë vëmendje të gjerë mediatike, ka shkaktuar reagime të shumta pas një videoje të fundit në rrjetet sociale. Në këtë video, ajo ka ironizuar dhe ofenduar modelen Brikenda Selman, e cila po përfaqëson Kosovën në konkursin ndërkombëtar Miss Grand International.

    Në videon e publikuar, Edona thotë me humor dhe një dozë ironie: “Po dashka me apliku edhe unë në Miss Grand Kosova”, duke aluduar për vëmendjen që ka marrë Brikenda. Ajo shton se diskutimet në rrjetet sociale nuk janë për pamjen apo elegancën e Brikendës, por për dyshimet në lidhje me identitetin e saj gjinor. “Po flitet në gjithë botën, por jo si femër e bukur, por a është lindur Brikenda në trupin e gabuar, njerëzit po thonë se nuk ka lindur grua por burrë, është trans”, ka thënë Edona. 

    Ky reagim ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale. Disa e kanë parë si një shaka të zakonshme të Edonës, ndërsa të tjerë e kanë konsideruar si një sulm të panevojshëm dhe të papërshtatshëm ndaj Brikendës. Ky incident ka nxitur diskutime të gjera mbi respektin dhe mbështetjen për individët trans dhe përfaqësimin e tyre në media dhe konkurse ndërkombëtare.

    Brikenda Selman, nga ana tjetër, ka vazhduar të jetë në qendër të vëmendjes me paraqitjet e saj në Miss Grand International, duke u bërë një nga emrat më të përfolur në skenën e bukurisë. Ajo ka marrë mbështetje të gjerë nga ndjekësit dhe ka shprehur krenarinë për përfaqësimin e Kosovës në këtë konkurs prestigjioz.

    Ky incident ka hapur një debat të rëndësishëm mbi etikën në rrjetet sociale dhe mbi rëndësinë e mbështetjes dhe respektit për të gjithë individët, pavarësisht identitetit të tyre gjinor.

  • A e dini se truri i njeriut është më aktiv gjatë natës sesa gjatë ditës?

    A e dini se truri i njeriut është më aktiv gjatë natës sesa gjatë ditës?

    Edhe pse gjatë ditës e përdorim për të menduar, punuar dhe marrë vendime, gjatë natës truri ynë vazhdon të përpunojë informacionin e ditës, të rregullojë emocione dhe të përforcojë kujtimet. Në fakt, ndërsa ne flimë, truri aktivizon zonat që ndihmojnë në kreativitet dhe zgjidhje problemi – prandaj shpesh na vijnë idetë më të mira sapo zgjohemi.

    Por kjo nuk është e gjitha! Gjatë gjumit, truri “pastron” toksinat dhe mbeturinat që grumbullohen gjatë ditës, duke e mbajtur mendjen tonë të shëndetshme dhe trupin në formë. Pra, çdo orë gjumë është si një “shërbim mirëmbajtjeje” për trurin, që ndihmon në fokus, energji dhe performancë ditore.

    Kjo është arsyeja pse ekspertët rekomandojnë të flini të paktën 7-8 orë çdo natë – truri juaj punon pa pushim, edhe kur ju jeni në gjumë!

  • UEFA ndalon gjashtë përballje ndërkombëtare për shkak të tensioneve politike

    UEFA ndalon gjashtë përballje ndërkombëtare për shkak të tensioneve politike

    Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, ka ndaluar zhvillimin e gjashtë ndeshjeve ndërkombëtare për shkak të konflikteve dhe tensioneve të vazhdueshme politike mes disa shteteve. Këto përballje përfshijnë ndeshje si Gjibraltari – Spanja dhe Rusia – Ukraina, që konsiderohen të papërshtatshme për t’u zhvilluar në kushte normale sportive.

    Ndryshe nga futbolli i klubeve, ku ekipet mund të përballen pavarësisht rivaliteteve, në nivel kombëtar UEFA ruan një qasje më të ndjeshme ndaj marrëdhënieve politike ndërmjet shteteve.
    Për këtë arsye, disa ndeshje janë ndaluar përkohësisht ose përfundimisht.

    Aktualisht, UEFA ka bllokuar përballjet:
    • Ukrainë – Rusi
    • Kosovë – Serbi
    • Kosovë – Bosnje e Hercegovinë
    • Kosovë – Rusi
    • Armeni – Azerbajxhan
    • Gjibraltar – Spanjë

    Përjashtim bën një nga rivalitetet më të forta në Evropë, Serbia – Shqipëria, që do të zhvillohet këtë fundjavë si pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës. Kjo përballje, e mbushur me histori dhe emocione, kërkon masa të larta sigurie – mbi 2,000 forca policore janë mobilizuar për të garantuar rendin.

    Rikujtojmë se përplasja e famshme e vitit 2014, kur një dron me flamur nacionalist shqiptar u shfaq mbi fushën në Beograd, shkaktoi tensione të mëdha, përleshje mes lojtarëve dhe tifozëve, si dhe ndërprerjen e ndeshjes. Më pas, UEFA ia dha fitoren 3-0 Shqipërisë.

    Ndërkohë, ndalimi i ndeshjeve të tjera mbetet në fuqi për arsye të qarta politike. Konflikti Rusi – Ukrainë pas pushtimit të vitit 2022 ka thelluar ndarjen mes dy vendeve, ndërsa Armenia dhe Azerbajxhani nuk lejohen të përballen për shkak të konfliktit të pazgjidhur të Nagorno-Karabakut.

    Edhe Gjibraltari dhe Spanja nuk mund të luajnë kundër njëra-tjetrës për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale, pasi Spanja vazhdon të pretendojë sovranitetin mbi ishullin që aktualisht është nën administrimin britanik.

    Kështu, futbolli edhe një herë dëshmon se, ndonëse është sport që bashkon miliona njerëz, politika vazhdon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në fushën e blertë.