ATV

Author: N.T.

  • Infantino premton ndihmë për rindërtimin e futbollit në Gaza: “Futbolli u jep fëmijëve shpresë”

    Infantino premton ndihmë për rindërtimin e futbollit në Gaza: “Futbolli u jep fëmijëve shpresë”

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka premtuar mbështetje konkrete për rindërtimin e infrastrukturës së futbollit në Rripin e Gazës, si pjesë e përpjekjeve për rikthimin e normalitetit pas shkatërrimeve të mëdha nga lufta.

    Në samitin e paqes të mbajtur në Sharm El-Sheikh, ku morën pjesë mbi 20 liderë botërorë, Infantino nënvizoi rolin e sportit si urë për bashkim dhe shpresë në kohë të vështira. Gjatë takimit, ai nënshkroi një dokument që parashikon plane për stabilitet rajonal dhe rindërtim, duke përfshirë edhe futbollin si pjesë të këtij procesi.

    “Është shumë e rëndësishme për FIFA-n të jetë këtu për të ndihmuar dhe për të siguruar që ky proces paqeje të japë fryte,” deklaroi Infantino.

    Kreu i FIFA-s tha se organizata që ai drejton do të angazhohet për rindërtimin e të gjitha objekteve futbollistike të shkatërruara në Gaza, në bashkëpunim me Federatën Palestinene të Futbollit (PFA). Po ashtu, do të krijohen fusha të reja futbolli, “mini-fusha” dhe “Arena FIFA”, dhe do të ofrohen programe për të rinjtë në të gjithë territoret palestineze.

    “Roli i futbollit është të mbështesë, të bashkojë dhe të japë shpresë. Ne do ta rikthejmë futbollin në Gaza, për fëmijët dhe për të ardhmen,” shtoi ai.

    Infantino gjithashtu ftoi partnerët ndërkombëtarë që t’i bashkohen kësaj nisme humanitare dhe sportive, duke theksuar se futbolli mund të jetë një mjet real për pajtimin social dhe ringritjen e komuniteteve të shkatërruara.

    Ky zotim i FIFA-s vjen pas një periudhe të tmerrshme për Gazën, ku sipas raportimeve, mbi 67,000 njerëz kanë humbur jetën nga operacionet ushtarake, ndërsa infrastrukturat sportive janë zhdukur thuajse plotësisht.

  • Victor Osimhen “shpërthen” me hat-trick për Nigerinë – sulmuesi në superformë!

    Victor Osimhen “shpërthen” me hat-trick për Nigerinë – sulmuesi në superformë!

    Sulmuesi i përfaqësueses së Nigerisë, Victor Osimhen, ka bërë një paraqitje spektakolare duke realizuar hat-trick në ndeshjen e fundit të “Super Eagles” ndaj Benin.

    Osimhen, një nga emrat më të përfolur në futbollin evropian, tregoi edhe një herë pse konsiderohet ndër sulmuesit më të frikshëm të momentit. Me tre golat e shënuar, ai udhëhoqi Nigerinë drejt një fitoreje bindëse dhe dëshmoi formën e jashtëzakonshme që po kalon.

    Golat e tij erdhën në mënyrë klinike në min 3, 37 dhe 51 me depërtime të shpejta, lëvizje inteligjente në zonë dhe finalizime të ftohta, që elektrizuan tifozët nigerianë dhe rrjetet sociale.

    Me këtë performancë, Osimhen jo vetëm që konfirmon statusin e tij si lider i Nigerisë, por gjithashtu forcon edhe më shumë pozitat e tij si një nga kandidatët potencialë për çmime individuale ndërkombëtare.

    Për Nigerinë, ky është një sinjal i fortë para sfidave të radhës drejt Kupës së Botës 2026 – dhe Osimhen mbetet karta më e fortë për të realizuar ëndrrën e madhe të një suksesi global.

  • Mirlind Daku titullar ndaj Jordanisë – Kosovari nis nga minuta e parë në “Air Albania”

    Mirlind Daku titullar ndaj Jordanisë – Kosovari nis nga minuta e parë në “Air Albania”

    Sulmuesi me origjinë nga Kosova, Mirlind Daku, do të jetë titullar në ndeshjen miqësore që Shqipëria zhvillon sonte ndaj Jordanisë, në stadiumin “Air Albania” me fillim nga ora 19:00.

    Ky është një moment i rëndësishëm për Dakun, i cili vazhdon të fitojë besimin e trajnerit Sylvinho, pas paraqitjeve të mira në fanellën kuqezi. Sulmuesi nga Gjilani do të udhëheqë repartin ofensiv, i mbështetur nga Arbër Hoxha në krahun e majtë dhe Jasir Asani në të djathtin – një treshe sulmuese që premton rrezik konstant për portën kundërshtare.

    Daku ka treguar shpesh se është një sulmues i papërkulshëm, dhe sonte do të ketë një tjetër mundësi për të lënë gjurmë në sy të trajnerit dhe tifozëve, ndërsa Shqipëria përgatitet për sfidat vendimtare të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

    Formacioni i Shqipërisë për ndeshjen kundër Jordanisë:
    • Portier: Gentian Selmani
    • Mbrojtja: Ivan Balliu, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti (C), Mario Mitaj
    • Mesfusha: Kristjan Asllani, Juljan Shehu, Nedim Bajrami
    • Sulmi: Jasir Asani, Mirlind Daku, Arbër Hoxha

    Ndeshja vjen vetëm pak ditë pas fitores historike 1:0 ndaj Serbisë në Leskovc, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026 – ku Rey Manaj shënoi golin e artë për Shqipërinë.

    Sonte, me Mirlind Dakun në majën e sulmit, Shqipëria synon një tjetër paraqitje pozitive dhe konfirmim të formës së mirë që ka shfaqur në muajt e fundit

  • Tension në Kamerun pas barazimit ndaj Angolës – tifozët shpërthejnë kundër Samuel Eto’o

    Tension në Kamerun pas barazimit ndaj Angolës – tifozët shpërthejnë kundër Samuel Eto’o

    Klima në futbollin kamerunas është përshkruar nga tensione të mëdha pas barazimit 0-0 me Angolën, që i ka kushtuar kombëtares humbjen e një vendi të drejtpërdrejtë për në Kupën e Botës 2026. “Luanët e pathyeshëm” janë detyruar të kalojnë në fazën play-off, duke i lënë vendin e parë në grup Kepit të Gjelbër.

    Situata shpërtheu menjëherë pas ndeshjes në stadiumin e Yaoundé, ku mijëra tifozë shënjestruan me akuza dhe thirrje fyese presidentin e Federatës Kamerunase të Futbollit, Samuel Eto’o. Mediat lokale raportojnë se në tribunat e stadiumit janë dëgjuar thirrje si:

    “Ai është arsyeja pse nuk jemi kualifikuar!”
    “Eto’o e ka shkatërruar futbollin tonë!”

    Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë forcat e sigurisë duke ndërhyrë për të mbajtur rendin, teksa disa dëshmitarë pohojnë se Eto’o ka reaguar me nervozizëm ndaj sharjeve, para se të tërhiqej nga stafi i tij për të shmangur një incident më të madh.

    Në mbrojtje të ish-yllit të Barcelonës ka dalë zyrtari i qeverisë kamerunase, Jean de Dieu Momo, i cili ka deklaruar se sjellja e tifozëve ishte “e tepruar, provokuese dhe e nxitur nga xhelozia”.

    Samuel Eto’o, që dikur konsiderohej si simboli i futbollit kamerunas për sukseset e tij në arenën ndërkombëtare, sot ndodhet nën një presion të madh. Mandati i tij si president i federatës ka qenë i mbushur me tensione, përplasje me trajnerin Marc Brys, dhe polemika të brendshme që kanë lënë gjurmë në performancën e skuadrës kombëtare.

    Barazimi ndaj Angolës dhe dështimi për të siguruar kualifikimin direkt në Botëror, për shumë tifozë dhe analistë, përfaqëson një dështim të madh në epokën Eto’o – dhe për momentin, pozita e tij në krye të FECAFOOT duket më e brishtë se kurrë.

  • Cristiano Ronaldo vetëm një gol larg nga rekordi historik në kualifikueset e Kupës së Botës

    Cristiano Ronaldo vetëm një gol larg nga rekordi historik në kualifikueset e Kupës së Botës

    Legjenda portugeze Cristiano Ronaldo është në prag të një tjetër rekordi madhështor. Sulmuesi 40-vjeçar është vetëm një gol larg për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kualifikueset e Kupës së Botës.
    Me golat e fundit të shënuar me fanellën e Portugalisë, Ronaldo e ka çuar numrin e tij në kualifikueset botërore në 41, duke barazuar rekordin aktual. Tani, me vetëm një gol të ri, ai do të shkruajë emrin në historinë e FIFA-s si golashënuesi absolut në këtë kompeticion.

    Ronaldo tashmë është:
    • Golashënuesi më i mirë në histori të ekipeve kombëtare,
    • Golashënuesi më i mirë në historinë e Europianëve,
    • Golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve,
    • Dhe tani, pranë një tjetër rekordi botëror.

    Portugalia do të zhvillojë ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikueseve në ditët në vijim dhe të gjitha sytë do të jenë nga Ronaldo, që kërkon të vendosë edhe një tjetër vulë në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

  • Japonia përmbys Brazilin dhe shkruan histori në Tokio

    Japonia përmbys Brazilin dhe shkruan histori në Tokio

    Kombëtarja e Japonisë ka arritur një fitore historike ndaj Brazilit, duke triumfuar me rezultat 3:2 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin kombëtar të Tokios.

    Pjesa e parë foli për skuadrën e Carlo Ancelottit, e cila dominoi dhe shënoi dy herë. Paulo Henrique dhe Gabriel Martinelli realizuan për Brazilin, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 0:2.

    Por pjesa e dytë solli një rikthim të madh për Japoninë. Në minutën e 52-të, Takumi Minamino shkurtoi diferencën me një gol të bukur, ndërsa në të 61-tën Nakamura barazoi rezultatin. Përmbysja u vulos në minutën e 71-të nga Ueda, i cili realizoi golin e tretë dhe të fitores për “Samurajët Blu”.

    Kjo ishte fitorja e parë ndonjëherë e Japonisë ndaj Brazilit, pas 14 përballjesh të mëparshme pa sukses. Ndeshja konsiderohet një moment historik për futbollin japonez, që po tregon rritje të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.

    Për Brazilin, humbja vjen si një goditje në prag të përgatitjeve për sfidat zyrtare, ndërsa për Japoninë, kjo fitore do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve vendas.

  • KB Peja debuton në Kupën Evropiane, përballet sonte me Rigas Zelli në Prishtinë

    KB Peja debuton në Kupën Evropiane, përballet sonte me Rigas Zelli në Prishtinë

    KB Peja sonte në orën 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të zhvillojë ndeshjen e parë në Kupën Evropiane ENBL, ku do të përballet me skuadrën letonase, Rigas Zelli.

    Pejanët janë të përgatitur maksimalisht për këtë përballje dhe synojnë fitore në debutimin e tyre në garën prestigjioze europiane. Trajneri Greg Gibson ka në dispozicion gjithë basketbollistët, përveç Shendrit Llapit, i cili mungon për shkak të një lëndimi.

    Biletat për ndeshjen mund të blihen deri në orën 15:00 në FanShopin zyrtar të KB Peja në Pejë, si dhe para hyrjes në palestrën në Prishtinë, 45 minuta para fillimit të ndeshjes.

    Skuadra ka zhvilluar stërvitje intensive dhe është e gatshme për të vazhduar formën e mirë të sezonit, duke synuar një fillim të suksesshëm në këtë kompeticion.

  • Vuçiç pranon xhelozinë për futbollistët shqiptarë: “Ne nuk kemi lojtarë si ata”

    Vuçiç pranon xhelozinë për futbollistët shqiptarë: “Ne nuk kemi lojtarë si ata”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë komente të hapura për futbollistët shqiptarë, duke shprehur një lloj xhelozie për nivelin e tyre dhe duke vënë në pah mungesën e talenteve të ngjashme në skuadrën serbe.

    Në një intervistë të fundit, Vuçiç tha:
    “Jam xheloz me futbollistët shqiptarë. Ne nuk kemi lojtarë që luajnë aty rregullisht. Kemi vetëm Stankoviqin, djalin e Dejanit, se këtij të birit nuk ia di emrin. Kurse shqiptarët kanë lojtarë që luajnë te Lazio (Hysaj), kanë lojtarë që luajnë te Atalanta (Gjimshiti) dhe janë lojtarë që kanë peshë aty. Ne s’kemi për momentin.”

    Këto komente u bënë pas humbjes së Serbisë ndaj Shqipërisë dhe janë pjesë e analizës së Vuçiçit për gjendjen e futbollit në vendin e tij. Ai theksoi se për të arritur sukses, Serbia ka nevojë për lojtarë që luajnë rregullisht në nivele të larta, si në Ligën e Kampionëve, gjë që aktualisht mungon.

    Deklaratat e Vuçiçit kanë shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik dhe mediat, duke nxitur debat për zhvillimin e futbollit në Ballkan dhe konkurrencën sportive ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

  • Futbollistët kosovarë shkëlqejnë në Bundesliga, rritje e ndjeshme e vlerave te Hoffenheim

    Futbollistët kosovarë shkëlqejnë në Bundesliga, rritje e ndjeshme e vlerave te Hoffenheim

    Futbollistët kosovarë po vazhdojnë të shkëlqejnë në kampionatet kryesore evropiane, ndër ta treshja e Hoffenheimit – Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari – që po tërheq vëmendjen e shumëklubave me paraqitjet e tyre.

    Sipas përditësimeve më të fundit të platformës Transfermarkt, dy nga këta lojtarë kanë përjetuar një rritje të konsiderueshme në vlerën e tyre në treg.

    Sulmuesi 23-vjeçar, Fisnik Asllani, ka parë vlerën e tij të rritet nga 8 në 18 milionë euro, falë paraqitjeve të jashtëzakonshme në Bundesliga dhe kontributit të tij në fazën ofensive të skuadrës. Ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar dy asistime në shtatë ndeshje, duke u bërë futbollisti më i vlefshëm i Hoffenheimit.

    Ndërkohë, mesfushori energjik dhe me teknikë të rafinuar, Leon Avdullahu, ka përfituar gjithashtu nga performancat e tij duke e rritur vlerën nga 10 në 12 milionë euro, duke u konsideruar një nga talentet më premtuese të klubit gjerman.

    Sa i përket mbrojtësit të ri, Albian Hajdari, i cili u bashkua së fundmi me Hoffenheimin, vlera e tij mbetet e pandryshuar në 12 milionë euro. Megjithatë, pritshmëritë për rritje janë të mëdha, nëse ai vazhdon me paraqitje të mira në Bundesliga.

    Kjo rritje e vlerave reflekton suksesin në rritje të futbollistëve nga Kosova në elitën e futbollit gjerman dhe pozicionimin gjithnjë e më të fortë të Hoffenheimit si një platformë zhvillimi për talentet dardane.

  • Zyrtare: Robert Lewandowski i dëmtuar, do të mungojë në El Clásico

    Zyrtare: Robert Lewandowski i dëmtuar, do të mungojë në El Clásico

    FC Barcelona ka marrë një goditje të rëndë, pasi sulmuesi kryesor Robert Lewandowski është dëmtuar gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e Polonisë. Ai ka pësuar një dëmtim muskulor në bicepsin femoral të kofshës së majtë, që do ta mbajë jashtë fushës për rreth katër javë.

    Lewandowski iu nënshtrua testeve mjekësore këtë të martë, pas ndeshjes së kualifikimeve për Botërorin kundër Lituanisë, ku luajti 90 minuta dhe shënoi një gol. Për këtë sezon, ai ka luajtur 431 minuta dhe ka realizuar katër gola për Barcelonën.

    Kjo do të thotë se ai do të mungojë në El Clásico, që do të zhvillohet më 26 tetor. Përveç Lewandowskit, Barcelona tashmë ka mungesa të tjera si ajo e Joan García, ndërsa situata e Raphinha dhe Dani Olmo mbetet në dyshim për shkak të dëmtimeve.

    Klubi dhe trajneri Hansi Flick do të duhet të gjejnë alternativa për sulmin në këtë përballje të rëndësishme kundër Real Madridit.