ATV

Author: K.B.

  • Arrestohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim në prokurim publik

    Arrestohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim në prokurim publik

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë i dyshuari B.Sh, që po hetohet për keqpërdorim në prokurim publik.

    Sipas njoftimit, i njëjti dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    B.Sh., është arrestuar në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të prokurimit.

  • Rritje muaj për muaj, veç gjatë dhjetorit Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 380 mijë udhëtarë

    Rritje muaj për muaj, veç gjatë dhjetorit Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 380 mijë udhëtarë

    Secilin muaj të vitit 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës e ka mbyllur me rritje të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve. Njëjtë ka qenë edhe gjatë dhjetorit, ku numri i udhëtarëve është rritur për mbi 20 mijë. Por, si kanë qenë shifrat që nga fillimi i vitit e deri në fund?

    Mbi 4.6 milionë udhëtarë kanë shkelur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë vitit të kaluar.

    Vetëm gjatë dhjetorit, në kohë të festave e vjet edhe zgjedhjeve, ky aeroport ka regjistruar mbi 380 mijë pasagjerë.

    Sipas statistikave që ka ofruar ANP’ja për Reporteri.net, numri i udhëtarëve gjatë muajit të fundit të vitit 2025, ka qenë 383 mijë e 827 apo mbi 20 mijë më shumë se në dhjetor 2024.

    Rritje ka shënuar edhe numri i fluturimeve, ku ka pasur 2 mijë e 502 fluturime.

    Me trend të tillë pozitiv, aeroporti ka operuar përgjatë gjithë vitit.

    Gjatë nëntorit, numri i udhëtarëve ka qenë 336 mijë e 964, një rritje prej 8.09% krahasuar me një vit më parë.

    Në tetor, numri ishte akoma më i lartë ku kishte arritur në 386 mijë e 957 pasagjerë.

    Por, muajt më të suksesshëm kanë qenë gushti dhe korriku, kur edhe është koha e pushimeve të mërgimtarëve.

    Gjatë gushtit, Aeroporti shënoi rekord historik, duke arritur shifrën e mbi 500 mijë udhëtarëve për një muaj.

    Ndërkohë, në korrik ka regjistruar 458 mijë e 348 udhëtarë dhe 3 mijë e 298 fluturime.

    Sukeset e kanë përcjellë aeroportin edhe në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, ku krahasuar me muajt e vitit 2024, rritja ka qenë çdo herë mbi 11%.

    Në qershor, numri i udhëtarëve ka qenë 392 mijë e 505, në maj 336 mijë e 850, në prill 399 mijë e 348, në mars 320 mijë e 183, në shkurt 307 mijë e 418 dhe në janar 2025, kanë qenë 343 mijë e 799 udhëtarë.

    Vjet janë bërë edhe një numër i madh investimesh në përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët.

    Tash e një vit janë funksionale pajisjet e vetë-regjistrimit (self check-in), të cilat u mundësojnë udhëtarëve që procesin e regjistrimit për fluturim ta përfundojnë brenda pak minutave.

    Është shtuar edhe një parking i ri me sipërfaqe mbi 17 mijë e 200 metra katror, e që ka kapacitet për më shumë se 750 automjete.

    Tek bagazhet, është shtuar edhe një rrip i ri për të reduktuar kohën e pritjes së udhëtarëve pas mbërritjes, si dhe dyert e ndara për nisje dhe mbërritje, për më shumë efikasitet gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh.

    Ndryshe, numri i fluturimeve që realizohen nga ky aeroport shkon deri në 100 brenda një dite. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar mbi 30 mijë fluturime.

  • Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të pandehurit, njoftoi zëdhënësja e këtij institucioni, Arbnora Luta për Tëvë1.

    Sipas Lutës, Peci po merret në pyetje për ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë gjatë kohës kur ai udhëhiqte këtë dikaster qeveritar.

    “Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, deklaroi Luta.

    Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim dhe Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje të tjera mbi hetimin.

  • Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

    Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

    Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 26 janar 2026, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT Sh.A., kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Kërkesa e KOSTT-it ishte parashtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, të datës 8 nëntor 2024, lidhur me anulimin e aktit administrativ V_1739_2023 të ZRRE-së, të datës 5 maj 2023.

    Gjykata Supreme vlerësoi se aktgjykimet e instancave më të ulëta janë marrë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi, duke theksuar se arsyetimi i Gjykatës Komerciale ka qenë i qartë, i plotë dhe i bazuar në analizë të drejtë të fakteve dhe legjislacionit përkatës.

    Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme konstatoi se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT-it, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore.

    Sipas gjykatës, nga provat e administruara rezulton se ZRRE ka vepruar brenda përgjegjësive të saj ligjore për të siguruar funksionimin efikas të tregut të energjisë elektrike, përfshirë zhvillimin e hetimeve lidhur me shkeljet e mundshme të kryera nga KOSTT në proceset e blerjes së energjisë elektrike, pagesave dhe nominimeve.

    Gjykata Supreme vlerësoi se me rastin e shqiptimit të gjobës ndaj KOSTT-it, në vlerë prej 439,405 euro, janë zbatuar drejtë dispozitat procedurale dhe materiale, andaj kërkesëpadia e paditësit u refuzua në tërësi si e pabazuar.

  • Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për Ilir Metën

    Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për Ilir Metën

    Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ilir Metën.

    Gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gylsen Zhllima, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, raporton Euronewsal, transmeton Klankosova.tv.

    “Me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gylsen Zhllima, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ankimi kishte të bënte me kundërshtimin e vendimit nr. 40/863, datë 05.01.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë. Ndaj vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë”, thuhet në njoftimi ne Apelit të GJKKO.

    Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kreu i PL u hetua nga SPAK për tre çështje: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror. Dosja e tij është dërguar për gjykim, ndërsa Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

  • Paralajmërimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike, Hoti: Fatura më të larta dhe standard më i ulët jetese

    Paralajmërimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike, Hoti: Fatura më të larta dhe standard më i ulët jetese

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike në 23%.

    Hoti ka thënë se katër herë në katër vite është shtrajtuar energjia elektrike.

    Ai u shpreh se bilanci i qeverisjes është fatura më të larta, standard më të ulët të jeteses dhe zero llogaridhënie.

    “4 herë në 4 vite u shtrenjtua energjia elektrike. 2 projekte madhore për prodhim të energjisë u anuluan: Kosova e Re dhe projekti i gazit. Dhe tallja me qytetarët vazhdon – se nuk kanë ditur sa kanë paguar për energji, se po i mbajnë shtëpitë shumë të nxehta e kështu me radhë. Mijëra familje blejnë dru me çmim dyfish më të shtrenjtë, sepse nuk mund të instalojnë ngrohjen me energji elektrike. Bilanci i qeverisjes është ky: fatura më të larta, standard më i ulët jetese, zero llogaridhënie”, ka shkruar Hoti.

  • Arben Vitia intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Arben Vitia intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pohuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale.

    Në një prononcim për media, Vitia tha se për momentin nuk mund të japë detaje lidhur me këtë çështje, por theksoi se shumë shpejt gjithçka do të sqarohet si nga Prokuroria Speciale, ashtu edhe nga ana e tij.

    “Nuk muj të flas njëherë, por besoj se shumë shpejt kjo çështje do të sqarohet edhe nga Prokuroria Speciale, edhe nga ana ime”, tha Vitia.

  • Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” në Podujevë, mbështeten nga Bulliqi për marshin e 17 shkurtit

    Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” në Podujevë, mbështeten nga Bulliqi për marshin e 17 shkurtit

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, po qëndrojnë sot në Podujevë, ku janë pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

    Siç bëhet e ditur në një njoftim, Bulliqi iu ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

    Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kreun e Podujevës me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.

    “Marshi “Drejtësi, jo politikë” është një mesazh i fuqishëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha Hoxha.

    Kryetari i Podujevës, nga ana tjetër u zotua se kjo komunë dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për pjesëmarrje masive në këtë Marsh.

    “Angazhimi ynë si komunë është i qartë. Ne do ta përkrahim këtë iniciativë, sepse besojmë se vetëm me solidaritet dhe pjesëmarrje masive mund të mbrojmë idealet që na kanë sjellë lirinë”, është shprehur Bulliqi.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Fillojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Pozhar të Deçanit

    Fillojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Pozhar të Deçanit

    Kanë filluar punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në fshatin Pozhar, një projekt i komunës së Deçanit për ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerave të luftës çlirimtare.

    Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka theksuar rëndësinë e këtij investimi: “Ky lapidar do të jetë simbol i përhershëm i sakrificës sublime të dëshmorëve tanë, që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e vendit”.

    “Përmes këtij investimi, ne jo vetëm nderojmë të kaluarën, por edhe edukojmë brezat e rinj me vlerat e lirisë, guximit dhe atdhedashurisë”.

    Ai gjithashtu shtoi se: “Komuna mbetet e përkushtuar që kujtesa për dëshmorët të ruhet dhe të respektohet me dinjitetin që ata meritojnë”.

    Punimet për ndërtimin e lapidarit janë pjesë e angazhimit institucional për të nderuar dëshmorët dhe për të afirmuar historinë dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit.

  • Putin pranon ndalimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt

    Putin pranon ndalimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt

    Kremlini njofton se presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar të ndalojë sulmet ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt.

    Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se “mund të them se presidenti Trump i kërkoi personalisht presidentit Putin të ndalojë sulmet ndaj Kievit për një javë, për të krijuar kushte të favorshme për negociata. Kjo është çfarë mund të them për këtë çështje”.

    Kur u pyet nëse Putin kishte pranuar këtë propozim, Peskov shtoi se “Po, sigurisht. Ishte një kërkesë personale nga presidenti Trump”, raporton skynews.

    Sipas Trump, gjatë një takimi të kabinetit, ai i kishte kërkuar Putinit të ndalojë sulmet që ndërpresin energjinë elektrike dhe ngrohjen në Ukrainë, ku temperaturat mund të bien deri në -30°C.

    Presidenti amerikan tha se Putin “kishte pranuar të bëjë këtë”.

    Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk ka asgjë të miratuar zyrtarisht.