ATV

Author: K.B.

  • Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru

    Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru

    Të ashtuquajturit “bufë nate” mund të përballen me një rrezik më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru, sipas një studimi të ri të publikuar të mërkurën.

    Studiuesit zbuluan se njerëzit që rrinin zgjuar vonë gjatë natës kishin rezultate më të dobëta të shëndetit kardiovaskular dhe një rrezik 16% më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru, krahasuar me ata që njihen si “zogj mëngjesi”.

    Studimi, botuar në Journal of the American Heart Association, analizoi të dhëna nga më shumë se 320,000 të rritur britanikë, të moshës 39 deri në 74 vjeç, duke kombinuar informacione nga anketa dhe matje biometrike.

    Ekspertët shpjegojnë se rreziku më i lartë lidhet pjesërisht me sjelljet e caktuara të stilit të jetës dhe faktorë të tjerë shëndetësorë, duke theksuar rëndësinë e rutinave të shëndetshme dhe orarit të rregullt të gjumit për mbrojtjen e zemrës dhe trurit.

  • Misioni i FMN-së do të zhvillojë vizitë në Kosovë

    Misioni i FMN-së do të zhvillojë vizitë në Kosovë

    Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të zhvillojnë vizitë në Kosovë nga 3- 13 shkurt.

    Qëllimi i vizitës sipas njoftimit është zhvillimi i konsultave vjetore dhe vlerësim të të zhvillimeve të fundit makroekonomike.

    “Një mision i FMN-së, i udhëhequr nga David Amaglobeli, do të vizitojë Kosovën gjatë periudhës 3–13 shkurt 2026, për të zhvilluar konsultimin vjetor sipas Nenit IV me Republikën e Kosovës.¹ Qëllimi i këtij misioni mbikëqyrës është të bëjë një vlerësim të zhvillimeve të fundit makroekonomike, të analizojë perspektivën dhe rreziqet, si dhe të diskutojë prioritetet e politikave ekonomike dhe reformave me autoritetet dhe palët e tjera kyçe të interesit. Misioni planifikon të publikojë një komunikatë përfundimtare për shtyp dhe të mbajë një konferencë për media”, thuhet në njoftim.

  • Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari Idrizi në Vushtrri, marrin mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari Idrizi në Vushtrri, marrin mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe kabineti i tij, të cilët u kanë ofruar përkrahje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Hoxha dhe Tasholli e kanë falënderuar kryetarin Idrizi dhe Komunën e Vushtrrisë për mbështetjen .

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, tha Hoxha.

    “Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, shtoi Tasholli.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se qëndron në krah të kësaj nisme qytetare, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe respektimit të parimeve të drejtësisë.

    “Drejtësia duhet të funksionojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për secilin. Kjo është një kauzë që e meriton përkrahjen e secilit qytetar të Kosovës”, deklaroi Idrizi.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Ndërmarrja “Trepça” funksionalizon kanalin për sinjalizuesit me qëllim të luftimit të korrupsionit

    Ndërmarrja “Trepça” funksionalizon kanalin për sinjalizuesit me qëllim të luftimit të korrupsionit

    Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se ka funksionalizuar kanalin zyrtar për sinjalizim.

    Vendimi është marrë nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes me qëllim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe në bazë të Vendimit zyrtar të Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A., është funksionalizuar kanali zyrtar për sinjalizim: [email protected]. Kjo adresë elektronike shërben për pranimin e sinjalizimeve që lidhen me: dyshime për korrupsion, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje ligjore dhe etike, veprime apo mosveprime që cenojnë interesin publik dhe integritetin institucional”, thuhet në njoftim.

  • Fenomeni i rrallë në Rusi, 4 hëna u shfaqën gjatë natës në qiellin e Shën Petersburgut

    Fenomeni i rrallë në Rusi, 4 hëna u shfaqën gjatë natës në qiellin e Shën Petersburgut

    Një fenomen i rrallë qiellor ka ndodhur mbi Shën Petersburg, Rusi. Sipas pamjeve të publikuara në media sociale katër hëna u shfaqën në qielli gjatë natës. Megjithatë, pamja magjepsëse i la shumë përdorues të hutuar në mediat sociale.

    “Katër hëna shfaqen mbi Shën Petersburgun e Rusisë”, njoftoi media ruse RT në X, dhe gjithashtu ndau një video që tregon qartë jo një, por katër hëna që shkëlqejnë fort në qiell.

    Në një postim tjetër nga Nexta TV, tha se një fenomen i rrallë, paraselena, u vu re gjatë natës mbi Moskë dhe rajonin përreth.

    Paraselenia është një fenomen që krijon iluzionin e shumë hënave së bashku me Hënën kryesore. Hënat “ekstra” shfaqen si njolla të ndritshme në të dyja anët e hënës së vërtetë.

    Siç shpjegohet, është një iluzion optik i ngjashëm me hënën, i cili shkaktohet nga drita e hënës që kalon përmes kristaleve të akullit në atmosferën e sipërme.

  • Cakolli: Deputetët që iu dolën më shumë vota duhet të mos e pranojnë mandatin

    Cakolli: Deputetët që iu dolën më shumë vota duhet të mos e pranojnë mandatin

    Me përfundimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit dhe rinumërimin e votave të kandidatëve për deputetë dolën në pahë shumë parregullsi ku shumë kandidatëve iu shtuan vota, e disa të tjervë ju hoqën ato.

    Ndonëse asnjë deputet që doli me më shumë vota nuk dha dorëheqje, anëtarët e Shoqërisë Civile vlerësojnë se ata duhet të largohen vetë nga Kuvendi.

    Eugen Cakolli, në një prononcim për Gazeta Metro, tha se largimin e tyre mund ta bëjnë edhe vetë partitë përkatëse.

    “Dhe unë besoj që, në fakt, të paktën për nga prizmi moral, meqenëse ligjërisht, për sa kohë që të njëjtit nuk kanë vendim gjyqësor që tregon se kanë qenë të përfshirë në keqpërdorim të votave, nuk është se mund t’u merret mandati, por nga aspekti moral do duhej që ose të largohen vetë kandidatët në fjalë, sidomos disa prej tyre, të cilët dallimin në vota e kanë me mijëra sosh, deri sa të ketë sqarim. Ose tjetra, në rast se partitë do të ishin me të vërtetë të interesuara për parimet e integritetit zgjedhor, që të njëjtëve t’ua kërkonin ose t’i largonin të paktën nga strukturat, meqenëse unë besoj që nuk i kontribuon as Kuvendit dhe, në fakt, e minon vetë besimin e publikut në rolin përfaqësues të Kuvendit, nëse kemi të zgjedhur deputetë të cilët kanë ardhur aty me një pjesë të votave, të cilat ose kanë rezultuar ose janë në fakt të keqpërdorura. Prandaj, unë besoj që në këtë prizëm do të duhej që kandidatët, si zgjidhja më e mirë, të largohen vetë, në mënyrë që të mos ketë nevojë për përjashtime apo të ngjashme”, tha Cakolli

    Deputetët që siguruan ulëse, pavarësisht manipulimit me vota, mandatin nuk mund t’ua marrë as ligji, pasi proceset gjyqësore zgjasin tepër shumë.

    “Në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, në rast se deputetë të caktuar do ta marrin mandatin, pavarësisht dyshimeve, nevojitet që për ta të ketë dënim të formës së prerë nga ana e gjykatave, përkatësisht të paktën nga apeli, me të paktën një vit burgim efektiv, në mënyrë që atyre t’u pushojë automatikisht mandati. Por, duke e ditur kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore në Kosovë, nuk pres në fakt që aktgjykime të tilla të marrin formë të prerë brenda një periudhe të shpejtë, meqenëse zakonisht marrin vite të tëra”, tha ndër të tjera Cakolli.

    Ndërkaq, edhe prokuroritë tashmë kanë filluar hetimet për manipulimet me vota, ku gjatë hetimeve janë ndaluar dhe arrestuar disa dhjetëra komisionerë dhe kryesues të qendrave të numërimit në disa komuna. Në Prizren janë ndaluar mbi 100 persona, prej të cilëve 23 janë dërguar në paraburgim të mëtejshëm. Në Mitrovicë, 34 persona janë ndaluar nën dyshimet për manipulim, ndërsa për 10 të tjerë është kërkuar paraburgim 30-ditor. Në Malishevë, 15 kryetarë të komisioneve zgjedhore janë vendosur në paraburgim dhe dhjetëra të tjerë janë marrë në pyetje. Hetimet vazhdojnë, ndërsa numri i të ndaluarve mund të rritet.

  • Haradinaj ngushëllon shtetin turk për aksidentin rrugor ku vdiqën 16 persona

    Haradinaj ngushëllon shtetin turk për aksidentin rrugor ku vdiqën 16 persona

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllimet e tij për 16 viktimat si pasojë e dy aksidenteve të rënda rrugore në Turqi.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj iu uroi shërim sa më të shpejtë personave që mbetën të lënduar,

    Ai shtoi se Kosova është pranë popullit turk në këto momente të vështira.

    “Shteti mik turk u trondit nga dy aksidente të rënda rrugore, që morën jetën e 16 personave dhe lanë dhjetëra të tjerë të lënduar. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën më të dashurit e tyre në këto tragjedi. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar ai.

  • Detaje të rënda për dhunimin e 13 vjeçares nga 55 vjeçari në Istog

    Detaje të rënda për dhunimin e 13 vjeçares nga 55 vjeçari në Istog

    Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Tomo Prekaj i akuzuar për dhunë seksuale ndaj një të miture.

    Në aktvendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi thuhet se i pandehuri e ka detyruar të miturën 13 vjeçare të shkojë me të në motel dhe të kryej akt seksual.

    E njëjtë gjë kishte ndodhur dy herë. Rasti i parë në nëntor të vitit të kaluar dhe i fundit në janar të këtij viti.

    Fillimisht ai e kishte joshur atë duke i dhënë para lëmoshë .

    “Në fund të muajit nëntor të vitit 2025 në kohë të pacaktuar në fshatin Dubravë të Istogut në vilat e motelit “La Isla” I pandehuri Tomo Prekaj e detyron të kryej seks oral viktimën fëmijë në këmbim të pagesës prej 15 euro për këtë shërbim në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht e takon viktimën te ETC ekspres në Istog e cila ishe duke kërkuar lëmoshë si dhe e bindë të njëjtën duke shfrytëzuar dhe ditur moshën e saj 13 vjeçare dhe gjendjen e dobët financiare që të shkoj me të njëjtin në vilën e lartcekur ku fillimisht e merr me veturën e tij Pick up e bardhë dhe më pas hyjnë në villë se bashku ku I pandehuri kërkon nga viktima të pastrohet dhe më pas fillojnë prekjet dhe ledhatimet ku dhe kryejnë seks oral ndaj tij. Fëmija kishte filluar aktin seskual oral i cili kishte zgjatur rreth një orë ku i dyshuari në këtë rast kishe arritur të ejakuloj në pëshqir”, thuhet në aktvendim

    Edhe herën e dytë i pandehuri Tomo Prekaj e kishte detyruar viktimën të kryej akt seksual derisa në kohën kur ishte paraqitur Policia e Kosovës.

    “Më datë 29.01.2026 në orën 14:30 minuta në fshatin Dubravë të Istogur në ambientet e motelit “La Isla” në vazhdimësi i pandehuri Tomo Prekaj e detyron viktimën e mitur të kryej akt seksual (seks oral) në këmbim të pagesës prej 15 euro për këtë shërbim në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht e takon viktimën te tregu duke kërkuar lëmoshë e të njëjtës dhe i jep 2 euro lëmoshë, si dhe e binë të njëjtën duke shfrytëzuar dhe ditur moshën e saj. Së bashku me veturë shkojnë në vendin e lartcekur për të kryer seks oral. Ai ishte pastruar dhe me pas kishte filluar prekjet dhe ledhatimet pastaj edhe I kishte kërkuar viktimës/fëmijë që ajo të kryente seksin oral ndaj tij, viktima kishte filluar aktin seksual oral i cili kishte zgjatur rreth 10 minuta ku i dyshuari me këtë rast nuk kishte arritur të ejakuloj për shkak se në vendin e ngjarjes kishe ardhur policia dhe e kishte arrstuar të pandehurin”, thuhet tutje në aktvendim.

    Për shkak të këtyre veprave dhe rrezikut se personi në fjalë mund të arratiset, t’i përsërisë ose të kryejë ndonjë vepër të re, gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë e nevojshme për zhvillimin normal dhe të papenguar të procedurës penale.

  • Kryeprokurori dhe dy drejtues të lartë nisin vizitën zyrtare në Washington

    Kryeprokurori dhe dy drejtues të lartë nisin vizitën zyrtare në Washington

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi dhe prokurori special, Naim Abazi, me ftesë të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nisin vizitën zyrtare në Washington, ku do të marrin pjesë në aktivitete zyrtare dhe do të zhvillojnë takime të rëndësishme.

    Gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, e cila mbledh përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme.

    Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, në funksion të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave përkatëse, si dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

  • Bali Muharremaj prezanton kabinetin qeverisës

    Bali Muharremaj prezanton kabinetin qeverisës

    Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka finalizuar përbërjen e kabinetit drejtues për mandatin e tij të tretë qeverisës.

    Kabineti i ri synon rritjen e efikasitetit institucional, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes një qeverisjeje profesionale, transparente dhe të përgjegjshme.

    Përbërja e kabinetit të ri:

    Arta Gashi – Nënkryetare e komunës

    Kymete Bajraktari – Drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

    Gent Gashi – Drejtor i Inspeksionit

    Erza Ramadani – Drejtoreshë e Ekonomisë, Buxhetit dhe Financave

    Liridon Jollxhiu – Drejtor i Administratës

    Armend Krasniqi – Drejtor i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë

    Remzi Bajselmani – Drejtor i Arsimit,

    Amir Hoxha – Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave

    Donjete Kabashi – Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës

    Mensur Selimaj – Drejtor për Shërbime Pronësore, Gjeodezi dhe Kadastër

    Visar Kuqi – Drejtor i Urbanizmit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit