ATV

Author: K.B.

  • Batutat në “Grammy’s”, Trump kërcënon me gjyq prezantuesin

    Batutat në “Grammy’s”, Trump kërcënon me gjyq prezantuesin

    Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër folësit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, ku disa artistë u shprehen kundër politikave të autoriteteve për goditjet ndaj emigracionit.

    Trump gjithashtu kërcënoi se do të padisë prezantuesin e Grammys Trevorit Noah, për një shaka që ai bëri mbi lidhjet e supozuara të presidentit me biznesmenin pedofil Jeffrey Epstein.

    Noah e talli disa herë Trumpin gjatë gjithë ceremonisë dhe përpara se të shpallej fituesi i “Këngës së vitit”, ai tha: “Eshtë një Grammy që çdo artist e dëshiron pothuajse aq sa Trump dëshiron Groenlandën, gjë që bën sens sepse ishulli i Epsteinit është zhdukur, ai ka nevojë për një të ri për të kaluar kohë me Bill Clintonin”.

    Në një postim në rrjetin social Truth Social, pas ceremonisë Trump shkroi: “Çmimet ‘Grammy’ janë MË TË KËQIJAT.” “CBS është me fat që nuk e ka më këtë ceremoni mbeturinë që ndot valët e transmetimit”, shtoi ai, duke iu referuar faktit se Disney do të marrë të drejtat e transmetimit të ceremonisë duke filluar nga viti i ardhshëm.

    Më pas, presidenti reagoi ndaj një shakaje të Noah, që nënkuptonte se ai kishte kaluar kohë në ishullin e Epstein-it, duke shkruar: “Noah tha, GABIMISHT për mua, se Donald Trump dhe Bill Clinton kanë kaluar kohë në ishullin e Epstein-it. GABIM!!!” “Nuk mund të flas për Bill-in, por unë nuk kam qenë kurrë në ishullin e Epstein-it, as diku afër dhe kjo deklaratë e rreme dhe shpifje sonte, nuk jam akuzuar kurrë se kam qenë atje, madje as nga mediat e rreme”, shtoi Trump.

    Presidenti amerikan më pas e paralajmëroi Noah-un, duke thënë se ai “më mirë t’i ketë faktet e sakta, dhe gati,” teksa shtoi: “Do dërgoj avokatët e mi për ta paditur këtë prezantues të mjerë, patetik dhe pa talent”, shkroi Trump në rrjetin social. “Përgatitu, Noah, do të argëtohem pak me ty”!

  • Disa zona të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës pritet të mbesin pa ujë

    Disa zona të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës pritet të mbesin pa ujë

    KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga kompania KEDS në njësitë operative të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës, mund të paraqiten probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

    Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” bëhet e ditur se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas rikthimit të rregullt të energjisë elektrike, duke siguruar normalizimin e shërbimit.

    “Konsumatorëve u kërkojmë mirëkuptim për këtë situatë dhe i falënderojmë për bashkëpunimin,” thuhet në njoftim.

  • Atifete Jahjaga: Raportimet për “lidhjen time” me dosjen “Epstein”janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta

    Atifete Jahjaga: Raportimet për “lidhjen time” me dosjen “Epstein”janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifeta Jahjaga ka reaguar për herë të parë për raportimet në lidhje me dosjen “Epstein”.

    Jahjaga, përmes një postimi në facebook është shprehur se raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.

    “Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

    Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar”, ka shkruar Jahjaga.

    Jahjaga ka shtuar se në këtë email te palëve të treta, permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili.

    “Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet”, ka shkruar Jahjaga.

    Ndërsa ka kërkuar që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.

  • Kompania “Pastrimi” publikon pamje të qytetarëve që hedhin mbeturina inerte: Veprim i papranueshëm

    Kompania “Pastrimi” publikon pamje të qytetarëve që hedhin mbeturina inerte: Veprim i papranueshëm

    Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas një videoje të publikuar, ku shihen dy persona duke hedhur mbeturina në mënyrë të parregullt.

    Përmes një postimi në Facebook, kompania e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe ka bërë të ditur se rasti është adresuar te institucionet përkatëse.

    “Ne kemi kontaktuar me institucionet përkatëse. Ky veprim është i papranueshëm. Besojmë në institucionet tona se do merren me rastin shpejt. Ju nuk mund të hidhni në këtë mënyrë mbeturinat inerte. Jo afër kontejnerëve tanë sepse pamundësoni punën e ekipeve tona”, thuhet në reagim.

    Nga “Pastrimi” theksojnë se, sipas rregullores për menaxhimin e mbeturinave, mbeturinat inerte duhet të hidhen vetëm në orarin e caktuar dhe në lokacionet e përcaktuara nga Komuna e Prishtinës.

    “Në bazë të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, ju duhet të hedhni këto mbeturina vetëm në orarin e caktuar, në lokacionin që Komuna e Prishtinës e cakton ashtu si orarin. Mos i hedhni në këtë mënyrë mbeturinat!”, shkruhet në reagim.

  • FSK realizon kursin “Combat Life Saver” për kujdes mjekësor në fushëbetejë

    FSK realizon kursin “Combat Life Saver” për kujdes mjekësor në fushëbetejë

    Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë, në kuadër të Komandës së Logjistikës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është realizuar kursi “Combat Life Saver”.

    Ky kurs, siç thuhet përmes një postimi në Facebook, ka për qëllim përgatitjen e personelit ushtarak me njohuri dhe shkathtësi bazike dhe të avancuara mjekësore, për të ofruar kujdes urgjent dhe efektiv në fushëbetejë, bazuar në standardet e NATO-s.

    “Ky trajnim synon rritjen e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor”, shkruhet mes tjerash në postimin e FSK-së.

  • Nga ATK thonë se regjistrimi i aktivitetit ekonomik është obligim ligjor – do të shtojnë inspektimet në terren

    Nga ATK thonë se regjistrimi i aktivitetit ekonomik është obligim ligjor – do të shtojnë inspektimet në terren

    Administrata Tatimore e Kosovës ka rikujtuar edhe një herë për të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK do të shtojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “ATK u bën thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përpara se të identifikohen nga inspektorët tatimorë”, thuhet në njoftim.

    Nga ATK po ashtu thonë se në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, ATK, në përputhje me Ligjin në fuqi, do të ndërmarrë pa përjashtim këto veprime: “Regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me Numër Fiskal; Aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara”.

    Tutje bëhet e ditur se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në një konkurrencë të drejtë në treg.

    “Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mos-përditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.

    Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë”, thuhet në njoftim.

  • “Më intrigon, je kaq i ëmbël”, princeshës norvegjeze i dalin email-et me Epsteinin

    “Më intrigon, je kaq i ëmbël”, princeshës norvegjeze i dalin email-et me Epsteinin

    Princesha e Norvegjisë, Mette-Marit, është përfshirë në një skandal të ri pas publikimit të dokumenteve të sapo-hapura të lidhura me të dënuarin për abuzim seksual me fëmijë, të ndjerin Jeffrey Epstein.

    Dokumentet, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, përmbajnë afërsisht 1 mijë referenca për princeshën dhe shumë emaile të shkëmbyera midis tyre, që tregojnë se ata ishin në kontakt nga viti 2011 deri në 2014.

    Mette-Marit u martua me mbretin e ardhshëm të Norvegjisë në vitin 2001. Publikimi vjen në një moment delikat për familjen mbretërore, pasi gjyqi i djalit të saj, Marius Borg Høiby, për përdhunim pritet të nisë këtë javë në Oslo. Ai përballet me 38 akuza, përfshirë përdhunimin e dyshuar të katër grave, sulm dhe shkelje të ligjit për drogën.

    Në një deklaratë për media, princesha Mette-Marit pranoi se kishte treguar gjykim të dobët dhe u shpreh e penduar për kontaktet me Epstein. Ajo tha se ndihej përgjegjëse për moskontrollimin më të kujdesshëm të sfondit të tij dhe për faktin që nuk e kishte kuptuar shpejt se çfarë njeriu ishte ai.

    Dokumentet tregojnë se princesha dhe Epstein kishin shkëmbyer mesazhe miqësore dhe të ngrohta, ndërsa ajo kishte qëndruar disa ditë në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida.

    Mesazhet mes princeshës novegjeze dhe Epstein

    Në një mesazh, princesha i shkruante Epstein-it se “më intrigon”, ndërsa në të tjerë e quante “zemërbutë” dhe “kaq i ëmbël”. Në vitin 2012, ajo i shkroi se ai ishte “shumë simpatik” dhe e pyeti nëse ishte “e papërshtatshme që një nënë të sugjeronte dy gra të zhveshura që mbanin një dërrasë sërfi për sfondin e dhomës së djalit të saj 15-vjeçar”.

    Në emailet e tjera, siç shkruan The Guardian, ajo e falenderonte Epstein për lulet që ai i kishte dërguar kur ndjehej keq dhe pusullën e mbyllte me fjalët “Me dashuri, Mm”.

    hpesh diskutohej mundësia për takime personale, përfshirë një vizitë katërditore në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida, në vitin 2013, kur Epstein nuk ndodhej aty.

    Pallati mbretëror tha se Mette-Marit kishte ndërprerë çdo kontakt me Epstein në vitin 2014, pasi kishte kuptuar se ai mund të përdorte marrëdhënien me princeshën me persona të tjerë.

    Mette-Marit, 52 vjeç, shprehu solidaritet të thellë me viktimat e Epstein-it dhe theksoi se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Pallati norvegjez ka njoftuar se gjyqi i djalit të saj është çështje e gjykatave dhe nuk do të ketë komente të tjera nga familja mbretërore.

  • Dosjet Epstein: Emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë në dokumente

    Dosjet Epstein: Emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë në dokumente

    Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

    Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

    Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

  • Përfundon afati, PZAP pranon 7 ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit

    Përfundon afati, PZAP pranon 7 ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit

    Në ora 11:00 ka përfunduar afati për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Nga ky institucion kanë thënë për Gazetën Express se kanë pranuar 7 ankesa në lidhje me shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ.

    PZAP shton se për këto ankesa ka 96 orë kohë të vendosë.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar shtatë (7) ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për të gjitha ankesat e pranuara, PZAP do të vendosë brenda afatit ligjor prej nëntëdhjetë e gjashtë (96) orësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë.”

  • Ish-ushtari i UÇK-së përballet me një sëmundje të rëndë, familja kërkon ndihmë

    Ish-ushtari i UÇK-së përballet me një sëmundje të rëndë, familja kërkon ndihmë

    Familja Rexha ka bërë apel për ndihmë financiare për babain e tyre, Liridon Rexha, i cili po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e një tumori të avancuar në veshkë.

    Sipas familjarëve, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti duhet të trajtohet jashtë vendit, ndërsa trajtimi mjekësor është bërë më kompleks dhe me kosto shumë të larta.

    Sipas familjes, Liridon Rexha ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga mosha 16-vjeçare, ndërsa më pas ka shërbyer për vite me radhë si zjarrfikës, duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të komunitetit.

    Megjithëse një pjesë e shpenzimeve është paraparë të mbulohet nga mbështetja e Qeverisë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për trajtimin e plotë. Familja bën të ditur se kostoja e përgjithshme e trajtimit mjekësor pritet të tejkalojë shumën prej 100 mijë eurosh.

    Përballë kësaj situate, familjarët u bëjnë thirrje qytetarëve, miqve dhe dashamirëve që, sipas mundësive, të kontribuojnë financiarisht për të ndihmuar në sigurimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe për t’i dhënë Liridon Rexhës një shans për shërim.