ATV

Author: K.B.

  • Arsyeja pse zgjoheni natën mund të jetë më interesante se mendoni

    Arsyeja pse zgjoheni natën mund të jetë më interesante se mendoni

    Para shumë shekujsh, njerëzit flinin në dy periudha të ndara gjatë natës, dhe sipas studiuesve, trupi ynë ende e kujton këtë ritëm të lashtë.

    Njerëzit shkonin në shtrat menjëherë pas perëndimit të diellit, zgjoheshin rreth mesnatës dhe më pas flinin sërish deri në agim, sipas burimeve historike nga Evropa, Azia dhe Afrika.

    Kjo ndërprerje e natës nuk shihej si pengesë, por përfaqësonte një pushim natyror që ndryshonte perceptimin e kohës. Edhe netët dimërore ishin “të ndara”, gjë që i bënte më të përballueshme.

    Gjatë atij intervali “të qetë”, shumë njerëz kryenin punë të thjeshta, si ndezja e zjarrit apo kontrollimi i bagëtive.

    Disa e shfrytëzonin kohën për lutje, reflektim ose shoqërim me familjen, ndërsa në shumë shkrime përmendet se atëherë njerëzit lexonin, shkruanin ose kalonin kohë me partnerin.

    Ky model i gjumit ishte i zakonshëm për shekuj me radhë, derisa ndryshimet e sjella nga revolucioni industrial e zëvendësuan.

    Shfaqja e ndriçimit artificial ndryshoi marrëdhënien e njeriut me natën.

    Fillimisht me llambat me vaj, më pas me ato me gaz e më vonë me dritat elektrike, koha e zgjimit u zgjat, ndërsa drita e fortë në mbrëmje ndikoi në ritmin biologjik.

    Kjo dritë pengonte sekretimin e melatoninës dhe e shtynte fillimin e gjumit më vonë.

    Deri në fillim të shekullit XX, ritmi i ri i jetës – i përshtatur me turnet e fabrikave dhe zakonet shoqërore – e imponoi gjumin e gjatë, të pandërprerë.

    Megjithatë, shkencëtarët kanë vënë re se kur njerëzit, në eksperimente moderne, kthehen në kushte pa dritë artificiale dhe pa orë, ata shpesh rikthehen spontanisht në gjumin me dy faza.

    E njëjta gjë vërehet edhe në komunitete që ende jetojnë pa energji elektrike, si popullatat bujqësore në Madagaskar, ku shumë njerëz zgjohen natyrshëm rreth mesnatës.

    Studimet tregojnë gjithashtu se drita ndikon në perceptimin e kohës: në dhoma më të errëta, njerëzit shpesh mendojnë se ka kaluar më shumë kohë sesa në ato të ndriçuara, dhe kur janë në humor të keq, ky efekt bëhet edhe më i theksuar, shkruan Science Alert.

    Kalimi në fazën e dytë

    Zgjimet gjatë natës, pra, nuk janë shenjë se diçka nuk është në rregull.

    Ndërprerjet e shkurtra të gjumit janë të zakonshme dhe ndodhin gjatë kalimit nga një fazë gjumi në tjetrën – por problemi shpesh qëndron në mënyrën se si reagojmë.

    Kur zgjohemi në orën tre të mëngjesit dhe shohim orën, duket sikur koha qëndron në vend.

    Ankthi dhe qetësia e thellë e natës e shtojnë ndjesinë se koha s’po kalon, ndaj disa minuta mund të duken si përjetësi.

    Pikërisht për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që, nëse nuk mund të flini më shumë se njëzet minuta, të ngriheni, të ulni ndriçimin, të lexoni diçka qetësuese dhe të ktheheni në shtrat sapo të ndjeni përgjumje.

    Po ashtu, sugjerohet ta mbuloni orën, pasi vështrimi i saj i vazhdueshëm vetëm sa e shton ankthin.

    Pranimi i faktit që zgjimet e shkurtra janë pjesë e ritmit natyror mund të zvogëlojë stresin dhe t’ju ndihmojë të riflini më lehtë.

  • Porositi vrasje për gjakmarrje, 34-vjeçari dënohet me 25 vite burg

    Porositi vrasje për gjakmarrje, 34-vjeçari dënohet me 25 vite burg

    Gjykata e Fierit ka dënuar me 25 vite burg një 34-vjeçar, i cili akuzohet se ka porositur një vrasje të mbetur në tentativë për motive gjakmarrjeje.

    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Fier ekzekutuan vendimin e gjykatës ndaj shtetasit L. H., 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë, i shpallur fajtor për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë.

    Sipas hetimeve, L. H. ndodhej më parë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se në vitin 2023 kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H.

    Hetimi ka zbuluar se ai kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç, i cili aktualisht është i dënuar, për të kryer atentatin. M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me synim vrasjen e M. H.

    Si pasojë e të shtënave me armë, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila ndodhej në të njëjtin automjet me M. H.

  • Trump tjetër paralajmërim për Iranin: “Gjëra të këqija” do të ndodhin nëse s’arrihet një marrëveshje me SHBA

    Trump tjetër paralajmërim për Iranin: “Gjëra të këqija” do të ndodhin nëse s’arrihet një marrëveshje me SHBA

    Presidenti Donald Trump paralajmëroi të hënën se “gjëra të këqija” do të ndodhin nëse Irani nuk arrin të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

    “Tani për tani po flasim me ta, po flasim me Iranin dhe nëse mund të gjejmë një zgjidhje, kjo do të ishte shumë mirë. Dhe nëse nuk mundemi, ndoshta do të ndodhin gjëra të këqija”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, shkruajnë mediat e huaja.

    Me tensionet në rritje, Trump refuzoi të diskutonte ndonjë veprim të mundshëm ushtarak kundër Iranit, por përsëriti se “forca e jashtëzakonshme”, përfshirë një aeroplanmbajtëse që ai ka dërguar në Lindjen e Mesme, do të mbërrijë së shpejti në rajon.

    Trump ka mbajtur qëndrimin se shpreson që Uashingtoni do të “gjejë një zgjidhje” me Iranin, por gjithashtu paralajmëroi të hënën se “gjëra të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet një marrëveshje.

    Trump kishte paralajmëruar se “koha po mbaron” që Irani të arrijë një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, të cilin Perëndimi beson se synon të bëjë një bombë atomike, një pretendim që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.

    Në një intervistë me CNN të dielën, Abbas Araghchi, ministër i Punëve të Jashtme të Iranit tha: “Presidenti Trump tha jo armë bërthamore dhe ne pajtohemi plotësisht. Ne pajtohemi plotësisht me këtë. Kjo mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë”, duke shtuar se, “në këmbim, ne presim heqjen e sanksioneve”.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, theksoi më herët të hënën se Teherani po punonte për një metodë dhe kornizë për negociata që do të ishin gati në ditët në vijim, me mesazhe midis dy palëve të transmetuara përmes aktorëve rajonalë.
    Turqia ka udhëhequr një përpjekje diplomatike për të ulur tensionet, me Araghchi që vizitoi Stambollin javën e kaluar dhe foli me homologë të tjerë rajonalë, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Jordaninë.

    E diplomati më i lartë i Jordanisë, Ayman Safadi, e siguroi Araghchi të hënën se mbretëria “nuk do të jetë një fushë beteje në asnjë konflikt rajonal ose një platformë nisjeje për ndonjë veprim ushtarak kundër Iranit”.

    Në anën tjetër, autoritetet iraniane, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei, kanë paralajmëruar se çdo sulm i SHBA-së do të shkaktonte një “luftë rajonale”.

  • Deputetja Ymeri: Kosova gjatë vitit 2025 importoi rrymë nga Serbia mbi 3.2 milionë euro

    Deputetja Ymeri: Kosova gjatë vitit 2025 importoi rrymë nga Serbia mbi 3.2 milionë euro

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri tha sot se Kosova gjatë vitit 2025 ka importuar mesatarisht çdo ditë 8.860 euro për rrymë nga Serbia.

    Ymeri kështu u shpreh përmes një postimi në Facebook.

    “Për një vit, 2025, Kosova ka importuar rrymë nga Serbia 3,234,127.98 euro ose mbi 3.2 milionë euro. (Dogana e Kosovës).

    Mesatarisht çdo ditë, 8,860 euro para për rrymë për Serbinë.

    Tash këta filmat me konferenca e zvarritje të proceseve se kinse Kuti e paria e tij po e mbron Kosovën nga Serbia i rikujtoni vet, në ndërkohë që ne i paguanim Serbisë para për rrymë, e për çfarë jo tjetër”, shkruan Ymeri.

  • Dokumentet e reja të FBI-së: Jeffrey Epstein përshkruhej si “menaxher i pasurisë” së Vladimir Putinit

    Dokumentet e reja të FBI-së: Jeffrey Epstein përshkruhej si “menaxher i pasurisë” së Vladimir Putinit

    Dokumente të sapo publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbulojnë se financieri amerikan i ndjerë dhe i dënuar për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein, në dosjet e FBI-së përshkruhej si “menaxher i pasurisë” së presidentit rus Vladimir Putin.

    Sipas këtyre dokumenteve, Epstein kishte tentuar në disa raste të organizonte takime me Putinin, megjithëse nuk ka konfirmim nëse ndonjë prej tyre është realizuar ndonjëherë.

    Materialet e publikuara përfshijnë mbi 3 milionë faqe dokumentesh, rreth 180 mijë fotografi, 2 mijë video si dhe qindra letra dhe e-mailë personalë të Epstein. Ministria e Drejtësisë amerikane bëri të ditur se publikimi është pjesë e një hetimi afatgjatë mbi aktivitetet kriminale të Epstein.

    Media e pavarur ruse Agentstvo, e cila ka shqyrtuar dokumentet, raporton se emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1.000 herë, ndërsa Rusia afro 5.900 herë.

    Përpjekje të shumta për takime me Putinin
    Korrespondenca elektronike tregon se Epstein ka eksploruar vazhdimisht mundësinë e një takimi me presidentin rus. Në një e-mail të tetorit 2010 ai pyeste: “A ka qenë Putini në jahtin tënd?” ndërsa gjatë aplikimit për vizë ruse shkruante: “A më duhet vizë? Kam një mik të Putinit, a duhet ta pyes?”

    Në vitet pasuese, Epstein përmend disa herë takime të mundshme me Putinin, përfshirë edhe një të planifikuar në vitin 2014, i cili duket se u anulua pas rrëzimit të avionit të Malaysia Airlines mbi Ukrainë, ku humbën jetën 298 persona.

    Lidhje me zyrtarë rusë dhe shërbimet sekrete
    Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Epstein ka komunikuar me Sergei Belyakov, ish-zëvendësministër rus i zhvillimit ekonomik dhe ish-anëtar i shërbimit sekret rus FSB. Në një e-mail të vitit 2015, Epstein përmend “miqtë e tij në FSB” dhe diskuton raste shantazhi që lidhen me biznesmenë të fuqishëm në SHBA.

    Autoritetet amerikane dyshojnë se Epstein kishte lidhje afatgjata me krimin e organizuar rus, gjë që, sipas tyre, mund të shpjegojë lehtësinë me të cilën ai sillte vajza nga Rusia.

    Ofertë për Kremlinin dhe interes për Trumpin
    Dokumente të tjera tregojnë se Epstein pretendonte se mund t’i ofronte Kremlinit informacione të vlefshme për Donald Trumpin, përpara samitit Trump–Putin në Helsinki në vitin 2018. Ai komunikonte me ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, duke sugjeruar se mund të ndihmonte në kuptimin e qëndrimeve të presidentit amerikan.

    Dyshime për lidhje me Mossadin

    Një raport i FBI-së përmend dyshime se Epstein mund të ketë qenë i lidhur me shërbimin sekret izraelit Mossad. Një burim i FBI-së ka deklaruar se Epstein kishte marrëdhënie të afërta me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe se ishte trajnuar për aktivitete spiunazhi.

    Në një e-mail drejtuar Barakut në vitin 2013, Epstein përmend riorganizime në rrethin e ngushtë të Putinit, duke sugjeruar se kishte informacione të ndjeshme.

    Raporti i FBI-së: “Menaxher i pasurisë” së Putinit
    Në një raport të FBI-së të datës 27 nëntor 2017, bazuar në një burim konfidencial, thuhet se Epstein ishte “menaxher i pasurisë së presidentit Vladimir Putin” dhe se kishte ofruar shërbime të ngjashme edhe për ish-presidentin e Zimbabvesë, Robert Mugabe.

    Epstein u gjet i vdekur në një burg të Nju Jorkut në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza federale për trafikim njerëzor me qëllim shfrytëzimi seksual. Rasti vazhdon të ngjallë interes të madh publik, veçanërisht për shkak të dyshimeve për një rrjet të gjerë abuzimi që përfshinte figura të fuqishme politike dhe ekonomike në nivel global.

  • Përdoruesit e Chrome dhe Safari në alarm të kuq – mos klikoni këto lidhje

    Përdoruesit e Chrome dhe Safari në alarm të kuq – mos klikoni këto lidhje

    Hakerët po përdorin një mënyrë të re dhe të sofistikuar për të vjedhur të dhëna nga përdoruesit e internetit.

    Hera tjetër që do të klikoni një lidhje në internet, kini kujdes. Duket se hakerët kanë gjetur një mënyrë të zgjuar për të mashtruar përdoruesit e Google Chrome, Safari, Edge dhe Firefox – dhe nuk është e vështirë të kuptosh pse disa bien pre e këtij truku.

    Truku, i identifikuar nga ekipi i Cyber Security News, zëvendëson fshehurazi disa karaktere në URL-të e faqeve për t’i bërë të duken si faqet zyrtare. Ky mashtrim quhet typosquatting dhe është shumë efektiv.

    Për shembull, faqja zyrtare e hoteleve Marriott duhet të shkruhet marriott.com. Megjithatë, kriminelët kibernetikë e kanë klonuar duke zëvendësuar “m” me kombinimin “rn”, duke krijuar URL-në rnarriottinternational.com. Kur shikohet shpejt, karakteret “rn” bashkohen dhe duket sikur gjithçka është normale.

    Edhe Microsoft ka qenë objekt i një haku të ngjashëm, si dhe janë krijuar faqe të tjera që ndryshojnë fshehurazi karakteret.

    Disa shembuj për t’u vëzhguar:

    rnarriottinternational.com (m zëvendësuar me rn)

    rnarriotthotels.com (m zëvendësuar me rn)

    rnicrosoft.com (m zëvendësuar me rn)

    micros0ft.com (o zëvendësuar me 0)

    microsoft-support.com (shtuar një vizë)

    Si shpjegon Cyber Security News: “Sulmuesit regjistrojnë domenë që zëvendësojnë shkronjën “m” me kombinimin “rn”, duke krijuar faqe të rreme që duken pothuajse identike me ato reale. Kjo teknikë, e njohur si typosquatting ose sulm homoglyph, shfrytëzon mënyrën se si fontet moderne shfaqin tekstin.”

    Si të mbroheni:

    Kontrolloni gjithmonë URL-në e plotë dhe sigurohuni që është e saktë.

    Lëvizni kursorin mbi lidhje përpara se të klikoni – kjo tregon destinacionin e plotë.

    Nëse dëshironi siguri të plotë, shkruani adresën e faqes manualisht.

    Mos klikoni në email-e urgjente që kërkojnë rikuperim të llogarisë ose rezervim hoteli, pa konfirmuar destinacionin.

    Përdorni një menaxher fjalëkalimesh, që mund t’ju ndihmojë të dalloni faqet e rreme.

    Ky mashtrim është një kujtesë se edhe faqet më të njohura mund të jenë të rreme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga përdoruesit e internetit.

  • 50 gola të Muriqit me Mallorcan, sulmuesi kosovar synon rekordin e Eto’o

    50 gola të Muriqit me Mallorcan, sulmuesi kosovar synon rekordin e Eto’o

    Vedat Muriqi nuk ka të ndalur këtë edicion. Tashmë i ka 15 gola në 21 paraqitje kampionale të këtij edicioni në La Liga. Këtë shifër të golave e kishte në Spanjë vetëm edhe në edicionin 2022/2023, por në 35 ndeshje. Me ecurinë aktuale, 31-vjeçari do të thyej rekorde të shumta personale dhe të Mallorcas.

    Ylli i Kosovës të hënën mbrëma udhëhoqi Mallorcan në fitoren 4:1 ndaj Sevillas. Ishte një fitore me vlerë shumë të madhe. Ai realizoi nga penalltia në minutën e 26-të për 1:0. Ndërkohë bëri goditjen te goli për 3:1 dhe topi po shkonte në rrjetë. Por rrugës topi “u fërkua” në shpinën e Sergi Darder dhe u devijua pak. Dhe goli iu evidentua Darderit, ndërsa Muriqit “vetëm” asistim.

    Kontributi i Muriqit megjithatë shkoi shumë përtej golit e asistimit. Ai nuk është ndalur duke vrapuar, ka ndihmuar skuadrën edhe në anën defenzive. Dhe në fund erdhi fitorja shumë e vlerësuar.

    “Ishte ndeshje vitale për ne. Është dashur të fitojmë dhe shfaqëm intensitet që nga minuta e parë. Arritëm një fitore shumë të rëndësishme dhe bindëse. Shpresojmë për të tjera”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes.

    Ai ka 50 gola tashmë për Mallorcan. Në La Liga i ka 49. Tani është vetëm pesë gola larg rekordit të Mallorcas për më së shumti gola në elitën spanjolle, që e mban Samuel Eto’o. Ky rekord pritet të bie këtë edicion.

    Nëse llogariten të gjitha garat, para Muriqit janë Eto’o me 70 gola dhe Abdon Prats me 59. Por as këto shifra nuk janë të paarritshme për “Piratin”.

    Për Muriqin megjithatë më të rëndësishme janë fitoret e skuadrës që po lufton për mbetje në elitën e Spanjës.

    “Që nga fillimi kemi bërë presion lartë dhe jemi mbrojtur shumë mirë. Dua të uroj David Lopezin, që bëri punë fantastike. Është dukur që e ka veshur fanellën e Mallorcas për dhjetë vjet”.

    Muriqi është pyetur edhe për golin e “mohuar”.

    “Një asistim i bukur për Sergin, po. E kam ditur që do të jetë goli i tij. Do të më ndodhë edhe mua një ditë. Jam i gëzuar për të gjithë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe mos të bëhemi të vetëkënaqur”, ka thënë Muriqi.

    Në La Liga vetëm Kylian Mbappe ka më shumë gola se ai – 22. Ferran Torres është i treti me 12.

    “Gjithnjë shpresoj për më shumë gola. Shpresoj se mund ta ndihmoj Mallorcan me më shumë gola”, ka thënë i pandalshmi Muriqi.

    Në pjesë të madhe falë golave dhe kontributit të tij, Mallorca është në vendin e 14-të me 24 pikë, sa i kanë edhe Elche e Sevilla.

    Të tjerë gola priten nga Muriqi për stabilizim të skuadrës në mesin e tabelës.

  • Mjekja paralajmëron: Pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar kurrë

    Mjekja paralajmëron: Pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar kurrë

    Dhimbjet e kokës, gjoksit apo shpinës janë probleme të zakonshme dhe, në shumicën e rasteve, nuk përbëjnë asgjë serioze. Megjithatë, sipas mjekëve, në disa raste këto dhimbje mund të jenë shenjë e një gjendjeje urgjente dhe potencialisht kërcënuese për jetën.

    Sipas doktoreshës Ellie Cannon, mjeke familjare me bazë në Londër, është thelbësore që pacientët të dinë kur një dhimbje mund të neglizhohet dhe kur kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

    “Shumica e dhimbjeve nuk janë shqetësuese dhe shpesh nuk kërkojnë trajtim,” shpjegon ajo. “Por në raste të rralla, ato mund të tregojnë diçka serioze. Prandaj është e rëndësishme të dimë shenjat paralajmëruese.”

    Ja pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar.

    1. Dhimbja e gjoksit

    Dhimbja në gjoks shpesh shkaktohet nga urthi ose probleme të tretjes. Megjithatë, ekspertët theksojnë se dhimbja e papritur dhe e vazhdueshme në gjoks kërkon gjithmonë ndihmë urgjente mjekësore.

    Sipas shërbimit shëndetësor britanik (NHS), dhimbja që zgjat më shumë se 15 minuta dhe përhapet drejt nofullës ose krahut të majtë mund të jetë shenjë e infarktit të zemrës. Disa pacientë përjetojnë gjithashtu ndjesi të forta urthi.

    Dhimbja e mprehtë në gjoks që përkeqësohet gjatë frymëmarrjes ose kollitjes mund të tregojë emboli pulmonare, një gjendje ku një mpiksje gjaku bllokon enët e mushkërive. Kjo shpesh shoqërohet me gulçim ose kollitje me gjak.

    “Shumë njerëz pësojnë infarkt pa e kuptuar menjëherë,” thotë Dr. Cannon. “Embolitë janë më të rralla, por kërkojnë trajtim të menjëhershëm.”

    2. Dhimbja e barkut

    Disa dhimbje në zonën e barkut – midis gjoksit dhe legenit – mund të jenë shumë të rrezikshme.

    Dhimbja e papritur në pjesën e sipërme të djathtë të barkut që përhapet drejt shpatullës mund të jetë shenjë e inflamacionit të tëmthit. Nëse nuk trajtohet, kjo gjendje mund të çojë në infeksion serioz.

    Dhimbjet krampore që vijnë me valë mund të tregojnë bllokim të zorrëve, veçanërisht nëse shoqërohen me të vjella ose kapsllëk të rëndë. Në këto raste shpesh nevojitet ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

    Te gratë e reja, dhimbja e fortë në pjesën e poshtme të barkut mund të jetë shenjë e shtatzënisë jashtë mitre, një gjendje shumë e rrezikshme që mund të shkaktojë gjakderdhje të brendshme.

    Te meshkujt, dhimbja e papritur në fund të barkut mund të lidhet me përdredhjen e testikujve, një emergjencë që kërkon operacion të menjëhershëm për të shmangur humbjen e testikulit.

    “Nëse dhimbja e barkut është e shkaktuar nga diçka serioze, zakonisht është e padurueshme,” shpjegon Dr. Cannon.

    3. Dhimbja e shpinës

    Dhimbja e shpinës prek rreth një të tretën e të rriturve çdo vit dhe zakonisht nuk është e rrezikshme. Megjithatë, nëse shoqërohet me disa simptoma specifike, mund të tregojë një problem serioz.

    Dhimbja e shpinës e shoqëruar me mpirje rreth organeve gjenitale, probleme të reja me urinimin ose jashtëqitjen, apo dhimbje në të dyja këmbët, mund të jetë shenjë e sindromës cauda equina – një gjendje ku nervat në fund të shtyllës kurrizore shtypen.

    Pa trajtim kirurgjikal urgjent, kjo mund të çojë në paralizë dhe probleme seksuale.

    Ndërkohë, një dhimbje e papritur dhe shumë e fortë, që përshkruhet si “shqyerje” në shpinë ose mes shpatullave, mund të tregojë diseksion të aortës, një gjendje kërcënuese për jetën.

    4. Dhimbja e kokës

    Dhimbja e kokës është shumë e zakonshme dhe shpesh lidhet me dehidratimin, virozat ose lodhjen. Migrena prek rreth 15 për qind të popullsisë.

    Por, sipas mjekëve, një dhimbje koke e papritur dhe jashtëzakonisht e fortë – e njohur si “dhimbje rrufeje” – mund të tregojë gjakderdhje në tru.

    Dhimbja e kokës e shoqëruar me dobësi në fytyrë, mpirje të krahut ose vështirësi në të folur mund të jetë shenjë e goditjes në tru dhe kërkon transport urgjent në spital.

    Dhimbja e kokës me temperaturë, të vjella dhe ndjeshmëri ndaj dritës mund të tregojë meningjit.

    “Këto dhimbje nuk duhen neglizhuar kurrë,” thekson Dr. Cannon.

    5. Dhimbja e pulpës së këmbës

    Shkaku më i zakonshëm i dhimbjes së pulpës është dëmtimi i muskujve, shpesh pas aktivitetit fizik. Por nëse këmba është e ënjtur ose e ngrohtë, kjo mund të tregojë trombozë të venave të thella – formim mpiksjeje gjaku në këmbë.

    Kjo gjendje është e rrezikshme sepse mpiksja mund të shkëputet dhe të arrijë në mushkëri.

    Tromboza është më e shpeshtë te personat mbi 50 vjeç, por mund të ndodhë edhe te të rinjtë, sidomos pas qëndrimit të gjatë pa lëvizur, ndërhyrjeve kirurgjikale ose te pacientët me kancer.

    “Shumë njerëz nuk i njohin shenjat e trombozës,” paralajmëron Dr. Cannon. “Ndryshimet fizike në pulpën e këmbës mund të sinjalizojnë diçka shumë serioze.”

  • Raportohet e zhdukur një femër në Ferizaj, nga 30 janari nuk dihet vendndodhja e saj

    Raportohet e zhdukur një femër në Ferizaj, nga 30 janari nuk dihet vendndodhja e saj

    Një femër është raportuar e zhdukur në Ferizaj.

    Ajo sipas raportimit është larguar nga shtëpia që nga data 30 janar dhe nuk dihet për vendodhjen e saj.

    “Ferizaj / 30.01.2026 – 17:00. Me 02.02.2026 është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe dihet për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, ka njoftuar PK.

  • Shtatë raste të dhunës në familje në 24-të orët e fundit

    Shtatë raste të dhunës në familje në 24-të orët e fundit

    Gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë sipas raportit policor janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.Sipas raportit rastet kanë ndodhur në Graqanicë, Ferizaj, Pejë(2 raste), Deçan dhe dy raste nga Mitrovica.
    Raporti:Graqanicë/ 02.02.2026 – 19:00. Është raportuar për përleshje fizike dhe verbale mes dy të dyshuarve, një femre dhe një mashkulli kosovarë. Palët janë shoqëruar për intervistim dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ferizaj / 02.02.2026 – 21:30. Është raportuar për një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar paraprakisht kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse dy të dyshuar tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

    Pejë/ 02.02.2026 – 10:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
    Pejë/ 01.02.2026 – 15:41. Me 02.02.2026 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike duke e kanosur viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori , rasti nën hetime.

    Deçan / 02.02.2026 – 23:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për kryerje të veprës së lartcekur. Pas intervistimit, të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë / 02.02.2026 – 16:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Mitrovicë Veri / 02.02.2026 – 13:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shqetësuar viktimën femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.