ATV

Author: K.B.

  • Vetura del nga rruga – një person i lënduar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, bllokohet qarkullimi

    Vetura del nga rruga – një person i lënduar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, bllokohet qarkullimi

    Një person është lënduar në një aksident trafiku në në rajonin e Kaçanikut, te semafori i parë në drejtim të Hani i Elezit.

    Rreth orës 11:20, Policia ka bërë të ditur se si pasojë e këtij aksidenti ku një veturë ka dalë jashtë rrugës, për momentin rruga në dy korositë është e bllokuar.

    “Sot, më 03.02.2026, rreth orës 11:20, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rajonin e Kaçanikut, te semafori i parë në drejtim të Hani i Elezit. Për momentin, rruga është e mbyllur në të dy korsitë, pasi një veturë ka dalë jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë poshtë saj. Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet relevante, përfshirë Policinë, zjarrfikësit, emergjencën mjekësore si dhe njësitin e trafikut rajonal Ferizaj, të cilët janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka njoftuar për teve1.info zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    I lënduari është duruar në Emergjencën e qytetit të Ferizajt.

  • Osmani përkujton masakrën në Mitrovicë: Krimi nuk harrohet, drejtësia mbetet kërkesë

    Osmani përkujton masakrën në Mitrovicë: Krimi nuk harrohet, drejtësia mbetet kërkesë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë.

    E para e vendit ka thënë se Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj krimit i cili sipas saj nuk do të harrohet asnjëherë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme.

    Ajo ka kujtuar 10 civilët e pafajshëm të cilët u vranë nga bandat serbe dhe 25 të plagosurit e tjerë.

    “Në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtojmë me dhimbje dhe respekt të thellë një nga plagët më të rënda të pasluftës. Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 564 familje me gjithsej 11 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”, ka shkruar presidentja.

  • Osmani udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, merr pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes

    Osmani udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, merr pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes.

    Në komunikatën e presidencës, thuhet edhe se, Osmani në këtë Samit është ftuar nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe se në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga bota.

    ”Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në komunikatë, përcjell Gazeta Express.

    Komunikata:

    Me ftesë të Presidentit të Emirateve, Presidentja Osmani udhëtoi zyrtarisht për në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.

    Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët Presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.

    Gjatë vizitës, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore. Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.

    Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Startup-i kidsday siguron investim nga gjiganti i Silicon Valley, Plug and Play

    Startup-i kidsday siguron investim nga gjiganti i Silicon Valley, Plug and Play

    Nga Prishtina drejt tregjeve globale, një platformë digjitale e zhvilluar në Kosovë po shndërrohet në një histori suksesi ndërkombëtar në fushën e edukimit të hershëm. Kidsday, startup-i inovativ me rrënjë në zemër të Kosovës, po përdoret sot për të përmirësuar edukimin dhe kujdesin për fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kanada, Australi dhe shumë vende të tjera në botë, duke dëshmuar se teknologjia dhe vizioni nga rajoni mund të kenë ndikim global.

    Sot, Kidsday po sjell një ndryshim të thellë në mënyrën se si funksionojnë institucionet e edukimit të hershëm, duke i bërë ato më të organizuara, më transparente dhe më të përqendruara në zhvillimin individual të secilit fëmijë.

    Platforma u krijua me një mision të qartë: të fuqizojë edukatorët dhe prindërit me mjete digjitale që mundësojnë ndjekjen e progresit, komunikimin në kohë reale dhe personalizimin e procesit mësimor.

    Në vend të shënimeve në letër dhe raporteve të shpërndara, Kidsday ofron një përvojë digjitale tërësisht të integruar, duke u mundësuar qendrave edukative të dërgojnë raporte ditore për gjumin, ushqimin, emocionet dhe aktivitetet e fëmijëve, të krijojnë plane mësimore të personalizuara sipas grupmoshave, të komunikojnë drejtpërdrejt me prindërit përmes aplikacionit mobil, si dhe të automatizojnë faturimin, proceset administrative, regjistrimin dhe dorëzimin e fëmijëve.

    Një nga elementet kyçe që e dallon Kidsday është përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI) për të mbështetur vendimmarrjen e edukatorëve dhe për të krijuar plane individuale zhvillimi për secilin fëmijë. Në thelb, Kidsday funksionon si një platformë e fuqizuar nga AI për menaxhimin e çerdheve, kopshteve dhe institucioneve parashkollore, duke ndihmuar edukatorët dhe administratorët të thjeshtojnë operacionet, të forcojnë komunikimin me prindërit dhe të mbështesin zhvillimin e personalizuar të fëmijëve përmes mjeteve intuitive.

    Ndërkohë, Plug and Play, investitori dhe partneri strategjik i këtij rrugëtimi, është një nga platformat më të mëdha globale të inovacionit me seli në Silicon Valley. Ajo lidh startup-et më premtuese me korporata dhe investitorë liderë për të nxitur zhvillimin teknologjik në mbarë botën. Me një rrjet prej mbi 50,000 startup-eve dhe 500+ korporatave partnere, Plug and Play vepron në më shumë se 20 industri të ndryshme.

    Për më shumë informata rreth platformës, vizitoni: www.kidsday.com.

  • Lajçak pasi i dolën mesazhet në dosjen Epstein: U ndjeva si idiot

    Lajçak pasi i dolën mesazhet në dosjen Epstein: U ndjeva si idiot

    Miroslav Lajçak dha një intervistë për transmetuesin publik Rádio Slovensko pasi emri i tij u shfaq në publikimin e fundit të dosjeve të Jeffrey Epstein të premten, ndërsa të nesërmen dha dorëheqje si këshilltar i kryeministrit Robert Fico.

    Deri tani ai kishte shmangur të fliste me mediat, duke u mbështetur vetëm në deklarata me shkrim. Në transmetim, ai kryesisht i qëndroi linjës së paraqitur në reagimin e tij të së shtunës.

    “Nuk i mbaj mend sinqerisht ato mesazhe,” i tha diplomati sllovak radios, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza. “Nuk mund t’i konfirmoj, por as t’i mohoj.”

    Pasi i lexoi sërish mesazhet, ai shtoi se ishte ndier “si idiot”.

    “Por kjo nuk më përjashton nga përgjegjësia,” tha ai. “Kam treguar gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse ego mashkullore në veprim — muhabet i vetëkënaqur mashkullor.”

    Lajçak shpjegoi se kishte mbërritur në New York në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe se ishte prezantuar me Epstein nga një diplomat i lartë i huaj. Sipas tij, Epstein ishte gjerësisht i njohur dhe takonte figura të shumta biznesi dhe politike nga SHBA-ja dhe jashtë saj.

    Lajçak tha se nuk shihte arsye për të mos e takuar, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij. “Pse të mos e pranoja unë, një djalë nga Sllovakia?” tha ai. “Ishte një kontakt i vlefshëm.”

    Ai tha se më vonë ishte bërë i vetëdijshëm për dënimin e Epsteinit në vitin 2008 për një vepër seksuale, por theksoi se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të edhe pas kësaj. Kjo, sipas tij, e bëri të besonte se nuk kishte problem të vepronte njësoj.

    “Marrëdhënia ime me të ishte me fjalë, jo me veprime. Sot po paguaj çmimin për komunikimin me të dhe njohjen e tij,” tha Lajçak, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein-it në vitin 2019.

    Ai konfirmoi gjithashtu se kishte vizituar banesën e Epsteinit, por tha se aty ishin të pranishëm edhe figura të tjera biznesi dhe politike. “Nuk kishte vajza,” këmbënguli ai. “Kjo pjesë e jetës së Epsteinit ishte jashtë dijes sime. Ai nuk fliste për të, dhe unë nuk pyesja.” Ai shtoi: “Ndërgjegjja ime është e pastër.”

    Lajçak mohoi gjithashtu se ish-strategu kryesor i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon, i cili kërkonte të bashkonte populistët evropianë në vitin 2018, ishte takuar me Robert Ficon, pavarësisht mesazheve të publikuara që sugjeronin një takim të mundshëm. Kryeministri sllovak nuk ka konfirmuar nëse një takim i tillë ka ndodhur ndonjëherë.

    “Nuk e dua Lavrovin,” tha Lajçak, duke pranuar se ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov kishin qenë dikur modele profesionale për të. “E ndryshova mendimin për Lavrovin kur ai u bë fytyra dhe zëri i agresorit në Ukrainë.” Në një nga mesazhet, Lajçak kishte shkruar se e donte Lavrovin.

  • Kosovarët investuan rreth 330 milionë euro vitin e kaluar jashtë vendit, kryesisht në Shqipëri

    Kosovarët investuan rreth 330 milionë euro vitin e kaluar jashtë vendit, kryesisht në Shqipëri

    Kosovarët kanë investuar hiç më pak se 327.7 milionë euro jashtë vendit vetëm gjatë periudhës njëmbëdhjetë mujore (janar-nëntor 2025), raporton FrontOnline.

    Sipas BQK-së, investimet direkte jashtë Kosovës janë rritur për 66.6% gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2025, në krahasim me periudhë e njëjtë të vitit paraprak.

    Përndryshe, bizneset kosovare janë radhitur në krye të listës së investitorëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit 2025.

    Derisa investimet direkte jashtë Kosovës janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, investimet direkte në Kosovë kanë shënuar një rritje më të ulët.

    Sipas BQK-së, investimet direkte në Kosovë deri në fund të nëntorit 2025 ishin 934.3 milionë euro që paraqet një rritje prej 28.29%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

  • Kuvendi i Prishtinës të premten mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për buxhetin për vitin 2026

    Kuvendi i Prishtinës të premten mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për buxhetin për vitin 2026

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupia, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të premten, ku në rend të ditës është miratimi i buxhetit për vitin 2026.

    Seanca është thirrur për në orën 10:00.

    Seanca është thirrur në kohën kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk e ka prezantuar ende kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, megjithëse kanë më shumë se dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.

  • Vendimi për Listën Serbe, BE-ja bën thirrje për “depolitizim të KQZ-së”

    Vendimi për Listën Serbe, BE-ja bën thirrje për “depolitizim të KQZ-së”

    Bashkimi Evropian shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

    “BE përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së, dhe u bën thirrje të gjitha partive që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në reagimin e Zyrës së Shtypit të BE-së.

    Më tej theksohet se është e rëndësishme që të gjithë deputetët e zgjedhur të jenë në gjendje të sigurojnë ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës.

    Bashkimi Evropian rikujton gjithashtu se legjislatura e ardhshme e Kosovës duhet të përshpejtojë reformat e orientuara drejt BE-së dhe të ratifikojë marrëveshjet e pezulluara që lidhen me Planin e Rritjes, në dobi të popullsisë së Kosovës.

    Kosova pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Megjithatë, për nisjen e pagesave të kësteve të para nga kjo pako financiare, nevojitet miratimi i marrëveshjeve përkatëse në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk ishte e mundur gjatë vitit të kaluar për shkak të ngërçit politik./rtk

  • “Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë”, fjalimi i Osmanit për synimin e Kosovës

    “Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë”, fjalimi i Osmanit për synimin e Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani ka rikthyer një fjalim të sajin në rrjetet sociale në të cilin thotë se se aleanca euroatlantike është zgjidhja e Kosovës.

    Ajo mes tjerash tha se bashkërreshtimi me aleancën euroatlantike nuk ka qenë kurrë dilemë.

    “Për Kosovën, bashkërreshtimi me aleancën euroatlantike nuk ka qenë kurrë as dilemë, as kalkulim, e as oportunizëm.

    Ka qenë bindje, ka qenë parim, ka qenë vetëidentifikim. Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë. Gjithmonë”, shkruan Osmani në një postim në Facebook.

  • Rreth 2 mijë e 200 gjoba trafiku për 24-orë, policia njofton për mbi 50 aksidente

    Rreth 2 mijë e 200 gjoba trafiku për 24-orë, policia njofton për mbi 50 aksidente

    Policia e Kosovës, nëpërmjet raportit të saj 24-orësh ka njoftuar se janë shqiptuar 2 mijë e 181 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, njofton policia, kanë ndodhur edhe 55 aksidente.

    Nga raporti bëhet e ditur edhe se janë arrestuar 27 persona, ku 9 janë dërguar në mbajtje.