ATV

Author: K.B.

  • Musk arrin rekordin historik – pasuri neto mbi 800 miliardë dollarë

    Musk arrin rekordin historik – pasuri neto mbi 800 miliardë dollarë

    Elon Musk u bë personi i parë në histori me pasuri neto që tejkalon 800 miliardë dollarë.

    Ky është një moment historik jo vetëm për miliarderin, por edhe për historinë e pasurisë dhe teknologjisë, duke e vendosur atë në një nivel krejtësisht të ri në botën e miliarderëve.

    Ky rekord erdhi pas një lëvizjeje të rëndësishme biznesi: SpaceX, kompania hapësinore e Musk, bleu xAI, që përfshin edhe X (ish-Twitter).

    Vlerësimi i kompanisë së kombinuar pas kësaj marrëveshjeje arriti rreth 1.25 trilion dollarë, një shifër astronomike që tregon ndikimin e jashtëzakonshëm të këtyre kompanive teknologjike në ekonominë globale, shkruan forbes.

    Vetëm kjo marrëveshje i shtoi rreth 84 miliardë dollarë pasurisë së Musk, duke e shtyrë atë përtej pragut historik të 850 miliardë dollarëve.

    Për ta vendosur këtë në perspektivë, personi i dytë më i pasur në botë, Larry Page, themeluesi i Google, ka një pasuri neto rreth 280 miliardë dollarë – që do të thotë se Musk ka mbi 570 miliardë dollarë më shumë se ai.

    Kjo diferencë masive tregon jo vetëm fuqinë financiare të Muskut, por edhe ndikimin e jashtëzakonshëm në industrinë e teknologjisë dhe hapësirës, duke i dhënë atij një rol që pak njerëz në histori e kanë arritur.

  • Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës

    Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës

    Muri ilegal në veri të Mitrovicës afër Urës së Ibrit është rrënuar përfundimisht më 5 shkurt 2017.

    Dy ekskavatorëve iu kanë dashur vetëm një orë për ta rrënuar murin e ndërtuar në Mitrovicën e veriut.

    E para që doli për t’i vëzhguar punimet ishte shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostollova, e cila tha se ky është një moment i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, derisa ka pati deklaruar se “së shpejti do të formohet edhe Asociacioni i Komunave Serbe”.

    Muri ndarës qëndroi në këtë pjesë të qytetit për dy muaj radhazi.

  • Tragjedi në një familje shqiptare në Itali, vdesin të katër anëtarët nga rrjedhja e gazit

    Tragjedi në një familje shqiptare në Itali, vdesin të katër anëtarët nga rrjedhja e gazit

    Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një familje shqiptare në Itali, ku të katër anëtarët kanë vdekur për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni, e shkaktuar me shumë gjasa nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre në zonën e Piana di Lucca , raporton “Corriere Della Sera”.

    Në gjendje kritike, ndodhet një person i pestë. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit, i cili kishte shkuar në banesë pasi familjarët nuk i përgjigjeshin telefonatave.

    Viktimat janë babai 48-vjeç, bashkëshortja e tij 43-vjeçe dhe dy fëmijët, 22 dhe 15 vjeç.

    Edhe dy karabinierë, që mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.

    Tragjedia ndodhi rreth orës së darkës, teksa në momentin e hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar. Karabinierët i njoftoi vëllai i kryefamiljarit. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët e Arma dei Carabinieri trokitën disa herë, por nuk morën asnjë përgjigje.

    Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë.

    Personi i pestë i familjes, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia para se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanellos. Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për një tragjedi që prek të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Luccës.

  • Arrestimet për korrupsion, ish-ministrit dhe gjashtë të tjerëve paraburgimi iu zëvendësohet me arrest shtëpiak

    Arrestimet për korrupsion, ish-ministrit dhe gjashtë të tjerëve paraburgimi iu zëvendësohet me arrest shtëpiak

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ua zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq. Ata dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.

    Sipas vendimit të publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, masa e paraburgimit të dyshuarve iu llogaritet nga 2 shkurti 2026 deri më 18 mars 2026.

    Në vendimin e marrë më 2 shkurt 2026, thuhet se të pandehurit detyrohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre apo vendbanimin e tyre dhe nuk kanë të drejtë të largohen, përveç në rastet kur kjo është e nevojshme për përmbushjen e nevojave jetësore apo për shkaqe shëndetësore, dhe vetëm me leje paraprake të gjykatës- gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Po ashtu, të pandehurit njoftohen se në rast të mosrespektimit të masës së caktuar me këtë vendim, ndaj tyre do të caktohet paraburgimi.

    Obligohet Policia e Kosovës- stacionet përkatëse policore që të mbikëqyrin zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit ta njoftojnë gjykatën.

    Sipas Apelit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm, janë dhënë mjaftueshëm sqarime nga shkalla e parë.

    Gjykata ka gjetur se përveç dyshimit të bazuar, te të akuzuarit ekziston rreziku që të ndikojnë në provat që ende nuk janë siguruar. Prandaj, Apeli është pajtuar edhe me këtë gjetje të shkallës së parë.

    Ndërkaq, dy kushtet e tjera që shkalla e parë i ka konsideruar se plotësohen në rastin konkret- atë të rrezikut të ikjes dhe përsëritja e veprave, sipas Apelit, nuk qëndrojnë. Kjo për faktin se nuk ekziston asnjë dëshmi konkrete apo fakt që do të bënte të kuptohej se në rastin konkret plotësohe dy kushtet në fjalë për caktim të masës së paraburgimit.

    Tutje, sipas vendimit të Apelit, adresat e vendbanimit të të pandehurve janë të ditura dhe se ata janë shtetas të Kosovës, si dhe Prokuroria nuk ka ofruar provë konkret që dëshmon rrezikun e ikjes. Ndërkaq, për dy të pandehurit me nacionalitet serb, sipas Apelit, ata jetojnë në Kosovë dhe kanë adresat e tyre të vendbanimit dhe vetëm fakti se janë edhe shtetas të Serbisë nuk e provon rrezikun e arratisjes.

    Lidhur me kushtin tjetër- atë të përsëritjes së veprave penale, shkalla e dytë vlerëson se të dyshuarit nuk kanë të kaluar kriminale dhe se ata nuk njihen si përsëritës të veprave.

    Prandaj sipas vendimit të Apelit, që është marrë nga gjykatësit Avni Mehmeti- kryetar i Kolegjit, Afërdita Bytyqi dhe Mentor Bajraktari- anëtarë, masa e arrestit shtëpiak është masa adekuate që duhet t’iu caktohet të dyshuarve

    Aksioni ishte zhvilluar më 18 dhjetor.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklarohet se të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

    Sveçla kishte thënë se grupi dyshohet se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Të enjten, në orët e para të 24-orëshit, parashikohen reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të paraqiten në formë rrebesheve afatshkurtra. Gjatë ditës priten vranësira dhe intervale me diell, ndërsa nuk do të mungojnë reshjet e izoluara lokale, të cilat më vonë mund të intensifikohen paksa.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të jetë majft e fuqishme në rajonin e Prishtinës, me shpejtësi prej 20-60 km/h. Në mëngjes bie intensiteti në shkallë vendi.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 4 deri në 7°C dhe ato maksimale prej 10 deri në 13°C./MeteoKosova

  • Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjete, MPB informon 38 komunat e Kosovës

    Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjete, MPB informon 38 komunat e Kosovës

    Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur sot në Prishtinë një sesion informues me përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

    Sipas njoftimit të MPB-së, takimi kishte për qëllim informimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe diskutimin e çështjeve praktike që ndërlidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.

    Gjatë sesionit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi se përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe proceset e tjera integruese. Ajo vlerësoi se zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

    Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat për zbatimin korrekt të obligimeve ligjore që burojnë nga këto dy ligje. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe adresim të sfidave që mund të paraqiten gjatë punës në terren.

    Nga MPB u bë e ditur se ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive, përmes së cilës synohet përfshirja e të gjithë akterëve relevantë dhe sigurimi që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët, përmes formave të ndryshme të komunikimit.

    Fushata informuese, sipas njoftimit, do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.

  • Louis Vuitton ndërtoi “një kamion të vogël që kushton më shumë se shtëpia juaj”

    Louis Vuitton ndërtoi “një kamion të vogël që kushton më shumë se shtëpia juaj”

    Louis Vuitton ka prezantuar një nga objektet më luksoze dhe më të pazakonta ndonjëherë: një orë tavoline mekanike në formën e një kamioni të vogël të së kaluarës, e quajtur “Camionnette”.

    E frymëzuar nga furgonët e viteve 1920 që transportonin valixhet ikonike të markës, ora është ndërtuar në bashkëpunim me orëpunuesin zviceran L’Epée 1839.

    Edicioni i limituar, vetëm 15 copë në botë, kushton plot 650 mijë euro dhe është i veshur me ar dhe diamante.

    Në qendër të saj spikat një diamant LV Monogram prej 0.51 karatësh, ndërsa mekanizmi manual ofron një rezervë energjie prej tetë ditësh.

    Çelësi për kurdisje ruhet në një mini-valixhe Louis Vuitton, e vendosur në pjesën e pasme të “kamionit”.

    Për ata me buxhet më “modest”, ekziston edhe një version standard prej 68 mijë eurosh, pa diamante, por me të njëjtin dizajn dhe mekanizëm mekanik.

  • Armë nga Kosova drejt Shqipërisë, caktohet masa e paraburgimit ndaj 4 të dyshuarve

    Armë nga Kosova drejt Shqipërisë, caktohet masa e paraburgimit ndaj 4 të dyshuarve

    Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 4 personave të arrestuar të shtunën nga operacioni “Lockdown”, të dyshuar për trafikimin e armëve nga Kosova dhe tregtimin e tyre në Shqipëri.

    Në qeli u lanë Gloris Nezaj, Renato Rumi, Klevin Caushi e Ardjan Caushi.

    Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë, raporton A2.

    Në operacion u sekuestruan edhe 8 armë zjarri, municion, radio policie, jelek multifunksional dhe celularë.

  • Japonezët gjejnë thesar të vërtetë në një thellësi prej 6,000 metrash, mostra të mineraleve të rralla

    Japonezët gjejnë thesar të vërtetë në një thellësi prej 6,000 metrash, mostra të mineraleve të rralla

    Sedimentet që përmbajnë minerale të rralla u nxorën nga thellësitë e oqeanit prej 6,000 metrash në një mision testimi japonez, tha qeveria më 2 shkurt, ndërsa kërkon të frenojë varësinë nga Kina për mineralet e vlefshme, shkruan Le Monde.

    Japonia thotë se misioni ishte përpjekja e parë në botë për të nxjerrë minerale të rralla në det të thellë në një thellësi të tillë.

    “Detajet do të analizohen, duke përfshirë saktësisht se sa shumë minerale të rralla përmbahen” në mostër, tha zëdhënësi i qeverisë Kei Sato, duke e quajtur atë “një arritje domethënëse si në aspektin e sigurisë ekonomike ashtu edhe të zhvillimit gjithëpërfshirës detar”.

    Mostra u mblodh nga një anije shpimi shkencore në det të thellë e quajtur Chikyu që u nis muajin e kaluar për në ishullin e largët Minami Torishima në Paqësor, ku besohet se ujërat përreth përmbajnë një thesar të pasur me minerale të vlefshme.

    Kjo vjen ndërsa Kina – deri tani furnizuesi më i madh në botë i mineraleve të rralla – rrit presionin mbi fqinjin e saj pasi kryeministri Sanae Takaichi sugjeroi në nëntor se Tokio mund të reagojë ushtarakisht ndaj një sulmi ndaj Tajvanit, të cilin Pekini është zotuar ta marrë kontrollin me forcë nëse është e nevojshme.

    Pekini ka bllokuar eksportet në Japoni të artikujve “me përdorim të dyfishtë” me përdorime të mundshme ushtarake, duke nxitur shqetësimet në Japoni se Pekini mund të mbyt furnizimet me metale të rralla, disa prej të cilave përfshihen në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë të Kinës.

    Metalet e rralla – 17 metale të vështira për t’u nxjerrë nga korja e Tokës – përdoren në gjithçka, nga automjetet elektrike te disqet e forta, turbinat me erë dhe raketat.

    Zona përreth Minami Torishima, e cila ndodhet në ujërat ekonomike të Japonisë, vlerësohet të përmbajë më shumë se 16 milionë ton metale të rralla, të cilat gazeta e përditshme e biznesit Nikkei thotë se janë rezerva e tretë më e madhe në nivel global.

    Këto depozita të pasura përmbajnë rreth 730 vjet disprosium, i përdorur në magnete me forcë të lartë në telefona dhe makina elektrike, dhe 780 vjet itrium, i përdorur në laserë, tha Nikkei.

  • Arabia Saudite do të lëshojë pasaporta për devetë

    Arabia Saudite do të lëshojë pasaporta për devetë

    Arabia Saudite ka njoftuar planet për të lëshuar pasaporta për miliona deve të mbretërisë, për të ndihmuar në menaxhimin më të mirë të kopeve të çmuara të vendit.

    Ministria e mjedisit, ujit dhe bujqësisë premtoi se iniciativa do të rriste “produktivitetin dhe efikasitetin në sektor dhe do të ndërtonte një bazë të dhënash referimi të besueshme për devetë”.

    Një postim në mediat sociale nga ministria të martën përfshinte një fotografi të dokumentit: një pasaportë jeshile e vulosur me stemën e vendit dhe një imazh të artë të një deveje.

    Pasaporta do të “kontribuojë në organizimin e operacioneve të shitjeve dhe tregtimit duke rregulluar tregtinë dhe transportin, duke siguruar dokumentacionin zyrtar, duke mbrojtur të drejtat e pronarëve dhe duke lehtësuar vërtetimin e pronësisë”, sipas transmetuesit të mbështetur nga shteti Al Ekhbariya.

    Në vitin 2024, qeveria vlerësoi se kishte rreth 2.2 milionë deve në mbretëri.

    Devetë kanë qenë prej kohësh një mënyrë jetësore transporti në Arabi, duke u dhënë status pronarëve të tyre dhe duke nxitur rritjen e një industrie fitimprurëse mbarështimi.

    Mbretëria gjithashtu organizon “konkurse bukurie për deve” në festivalet vjetore, ku entuziastët sauditë shpenzojnë qindra mijëra dollarë për konkurrentët e kafshëve.

    Devetë kanë qenë thelbësore për jetën në gadishullin arab për mijëra vite, me një hulumtim të botuar në vitin 2021 që sugjeron se gdhendjet në madhësi reale të deveve dhe kuajve të gdhendura në shkëmbinj në Arabinë Saudite mund të jenë rreth 7,000 vjeçe.