ATV

Author: K.B.

  • Gjendet i vdekur një i moshuar në Rahovec, nisin hetimet

    Gjendet i vdekur një i moshuar në Rahovec, nisin hetimet

    Një 86-vjeçar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Rahovec, mëngjesin e djeshëm.

    Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Ai tha se lidhur me rastin kanë nisur hetimet dhe se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “Më datën 04.02.2026, rreth orës 08:35, është raportuar se një mashkull kosovar, i lindur në vitin 1940, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Rahovec. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion si dhe është iniciuar rast “Hetim i vdekjes””, ka deklaruar Elezaj

  • Në Leposaviq raportohet një rast i mashtrimit, Policia apelon te qytetarët që të kenë kujdes

    Në Leposaviq raportohet një rast i mashtrimit, Policia apelon te qytetarët që të kenë kujdes

    Më datë 04.02.2026, rreth orës 17:15, në Stacionin Policor Leposaviq është raportuar një rast i mashtrimit. Sipas hetimeve fillestare, rasti ka ndodhur më 03.02.2026, ku ankuesi dyshohet se është mashtruar nga i dyshuari (shoku i tij), i cili me pretekst të rremë ka arritur të sigurojë kartelën bankare të ankuesit, duke pretenduar se babai i tij do t’ia kryente një obligim kreditor që kishte ndaj bankës. Më pas, pa dijeninë dhe pëlqimin e ankuesit, i dyshuari ka tërhequr nga llogaria bankare shumën prej 600 euro.

    Në lidhje me rastin, në stacionin policor është intervistuar i dyshuari D.S.,(2003). Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit është liruar, ndërsa i njëjti do të hetohet për veprën penale “Mashtrim”.

    Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve, duke qenë të kujdesshëm në dhënien e të dhënave personale dhe bankare. Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes:

    📞 192 – numri emergjent

    📞 0800 19 999 – linjë pa pagesë

    📞 038/504 504 4800 – linjë pa pagesë

    📞 038/504 504 4801 – linjë pa pagesë

    📞 045/960-572

    📱 Aplikacioni “Lajmëro Policinë”

  • Organizatorët e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk është protestë partiake

    Organizatorët e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk është protestë partiake

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike e cila do të fillojë nesër në ora 13:00 para KEDS, e për ta përfunduar atë para Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online lidhur me këtë protestë, aktivistja Qëndresa Hyseni ka bërë të ditur se protesta do të zgjasë dy orë dhe ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kundërshtimit të shtrenjtimit të rrymës.

    “Po, protesta do të mbahet të premten prej orës 13:00. Fillon te ndërtesa e KEDS-it dhe vazhdon deri te Qeveria. Sa i përket përkrahjes, për secilin qytetar e qytetare është shumë e rëndësishme që faturat e rrymës mos me u rritë, kështu që kushdo që e sheh të arsyeshme edhe esenciale mos rritjen e faturave të rrymës edhe çmimit të rrymës, ish dash me u bashku në protestë,” ka deklaruar Hyseni.

    Ajo ka theksuar se kundërshtimi qytetar ndaj këtij vendimi është i domosdoshëm, pasi rritja e çmimit të energjisë ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

    “Për ne është shumë e rëndësishme që mos me u ndalë si qytetare dhe qytetarë me kërku që mos me u marrë vendimi për shtrenjtim të rrymës, për shkak se kjo automatikisht ndikon në cilësinë e jetës edhe koston e jetës që ka me u rritë nëse rritet 20% fatura e rrymës,” ka thënë ajo.

    Sipas Hysenit, protesta e së premtes është vetëm fillimi i veprimeve të tjera qytetare.

    “Kjo protestë ka me qenë si nisje e aksioneve të tjera deri në realizim të kërkesave tona edhe pezullim të vendimit. Protesta është për të gjithë qytetarët edhe qytetaret, edhe secili ka të drejtën me protestu në mënyrën qysh e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme,” ka theksuar Hyseni.

    Ajo ka sqaruar gjithashtu se protesta nuk ka karakter partiak dhe organizohet nga shoqëria civile.

    “Protesta është e organizuar prej një grupi të aktivistëve e aktivisteve të shoqërisë civile. Nuk është protestë partiake, kështu që nuk presim e as nuk bashkëpunojmë me akterë të partive politike,” është shprehur ajo.

    Hyseni ka folur edhe për pritjet sa i përket pjesëmarrjes qytetare në protestë.

    “Duke e pa reagimin qytetar, konsiderohet që ka me qenë një numër i mjaftueshëm, po kjo le të mbetet të shihet të premten kur bashkohen krejt njerëzit që kishin dash me protestu kundër shtrenjtimit të rrymës. Protesta do të zgjasë prej orës 13:00 deri në orën 15:00,” ka deklaruar Hyseni.

  • Dogana sekuestron barna të kontrabanduara në Ferizaj, vlera rreth 30 mijë euro

    Dogana sekuestron barna të kontrabanduara në Ferizaj, vlera rreth 30 mijë euro

    Dogana e Kosovës ka vazhduar me kontrollet e saj kundër kontrabandës me mallra.

    Së fundmi njësit e antikontrabandës zhvilluan një aksion në Ferizaj ku në një barnatore kanë sekuestruar barna në vlerë 30 mijë euro.

    “Gjatë një operacioni kundër kontrabandës, njësit e antikontrabandes kanë konfiskuar një sasi barnash të dyshuara si të kontrabanduara dhe kanë zbuluar një hapësirë të fshehtë (bunker) të përshtatur për fshehjen e tyre”, ka njoftuar Dogana.

  • Eksportet turke të automjeteve shënojnë performancën më të mirë të janarit me mbi 3 miliardë dollarë

    Eksportet turke të automjeteve shënojnë performancën më të mirë të janarit me mbi 3 miliardë dollarë

    Eksportet e industrisë automobilistike të Turqisë kapërcyen 3 miliardë dollarë (rreth 2.59 miliardë euro) muajin e kaluar.

    Me këtë edhe është regjistruar performanca më e lartë ndonjëherë për muajin janar, sipas një raporti të publikuar të mërkurën, bazuar në të dhënat e Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), shkruajnë mediat turke, përcjell Telegrafi.

    Sipas tyre, sektori automobilistik turk e nisi fuqishëm vitin 2026, me eksporte që arritën në 3.06 miliardë dollarë (afërsisht 2.59 miliardë euro) gjatë muajit janar.

    Dhe kjo rritje i është atribuar rimëkëmbjes graduale të kërkesës globale dhe shtimit të porosive nga Evropa.

    Të dhënat tregojnë se industria automobilistike turke eksportoi mallra në vlerë 41.5 miliardë dollarë (rreth 35.1 miliardë euro) gjatë vitit 2025, duke mbetur edhe një herë grupi kryesor eksportues i vendit.

    Në janar 2026, eksportet e automjeteve u rritën me 2.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa pesha e sektorit në totalin e eksporteve arriti në 17.4 për qind.

    Gjermania kryesoi listën e vendeve me vëllimin më të lartë të eksporteve të industrisë automobilistike turke në janar 2026, me 490 milionë dollarë (rreth 414.5 milionë euro), e ndjekur nga Franca me 311 milionë dollarë (263 milionë euro), Spanja me 291.7 milionë dollarë (246.6 milionë euro), Mbretëria e Bashkuar me 283.3 milionë dollarë (239.6 milionë euro) dhe Italia me 267.9 milionë dollarë (226.7 milionë euro).

    Rritjen më të madhe të eksporteve ndër destinacionet e huaja e regjistroi Polonia, me një shtesë prej 58.7 milionë dollarësh (49.7 milionë euro), e ndjekur nga Italia me 36.5 milionë dollarë (30.9 milionë euro), Spanja me 36.2 milionë dollarë (30.6 milionë euro), Gjermania me 28.2 milionë dollarë (23.9 milionë euro) dhe Austria me 19.3 milionë dollarë (16.3 milionë euro).

  • Përfundon restaurimi i ish Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë

    Përfundon restaurimi i ish Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë

    Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka përfunduar restaurimi i shkollës së vjetër të muzikës, e njohur si ish Mejtepi Ruzhdije, projekt i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Çeku ka bërë të ditur se paralelisht po ecin drejt përfundimit edhe punimet në objekte të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

    “Ka përfunduar restaurimi i shkollës së vjetër të muzikës – ish Mejtepi Ruzhdije, projekt i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës”, ka deklaruar Çeku.

    Ai ka shtuar se punimet po vazhdojnë edhe në monumente të tjera me vlerë historike.

    “Ndërkohë, drejt përfundimit po shkojnë punimet në kullën e Sylejman Vokshit, ndërsa në kullën e Tohsun Beut ka përfunduar faza e parë”, ka theksuar ministri në detyrë.

    Sipas Çekut, këto projekte janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm institucional për trashëgiminë kulturore të vendit.

    “Angazhim i vazhdueshëm për ruajtjen, mbrojtjen dhe rikthimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

  • Sot në Prishtinë mbahet ‘Dita e Biznesit Francez në Kosovë’

    Sot në Prishtinë mbahet ‘Dita e Biznesit Francez në Kosovë’

    Këshilli i Investitorëve Evropian, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, sot (e enjte) do të organizojë French Business Day in Kosovo (Dita e Biznesit Francez në Kosovë), edicionin e parë të një forumi të nivelit të lartë kushtuar fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të mundësive të investimit midis Kosovës dhe Francës.

    Kjo ngjarje është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Këshillit të Investitorëve Evropian dhe Ambasadës së Francës në Kosovë dhe synon të shërbejë si një platformë e vazhdueshme për dialog dhe bashkëpunim ekonomik.

    Forumi do të hapet me fjalë hyrëse nga Emrush Ujkani, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, dhe Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Kosovë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve qeveritare.

    Gjatë ditës do të zhvillohen panele tematike që analizojnë potencialin e sektorit financiar në Kosovë për mbështetjen e investimeve, tranzicionin energjetik dhe agjendën e gjelbër, partneritetet publiko-private në sektorë strategjikë, si dhe zhvillimin e ekosistemit të teknologjisë dhe inovacionit. Në diskutime do të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Banka Qendrore e Kosovës, Banka Botërore, BERZH-i, AFD – Agjencia Franceze për Zhvillim, si dhe investitorë dhe kompani franceze, ndërkombëtare dhe vendore.

    Ngjarja do të përmbyllet me sesione të dedikuara rrjetëzimi, si mundësi konkrete për bashkëpunim ndërmjet institucioneve, investitorëve dhe bizneseve aktive nga Kosova, Franca dhe rajoni.

    “French Business Day in Kosovo (Dita e Biznesit Francez në Kosovë) synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës”, njofton Ambasada e Francës në Kosovë.

  • MPB lanson linjën pa pagesë për informim rreth zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete

    MPB lanson linjën pa pagesë për informim rreth zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete

    Ministria e Punëve të Brendshme nga sot ka vënë në dispozicion linjën telefonike pa pagesë – 0800, në kuadër të periudhës informuese rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete shkruan Reporteri.net.

    Numri i kësaj linje është: 0800 46 757. Duke telefonuar në këtë numër, pa kosto të shërbimit telefonik, palët e interesuara mund të informohen lidhur me përcaktimet e Ligjit për të huajt dhe Ligjit për Automjete.

    “Kjo linjë pa pagesë do të ju ofrojë informacionet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze”, thuhet në njoftim.

    MPB ka thënë se përmes kësaj linje do të ofrohen informacionet e nevojshme me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Republikën e Kosovës, dhe për qarkullimin e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj.

    “Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi”, theksohet në njoftim.

  • PDK zhvillon sot aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë

    PDK zhvillon sot aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të zhvillojë sot një aksion simbolik para ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, shkruan Reporteri.net.

    Sipas njoftimit, ky aksion do të mbahet në orën 14:00.

    Ndryshe, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar dje se Kosova do të përballet me sfida në furnizimin me energji elektrike edhe këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm, për shkak të ndaljes së blloqeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si rezultat i investimeve në modernizim dhe rehabilitim të termocentraleve.

    Deklarata e saj erdhi pasi kompania KESCO ka paraqitur kërkesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 21 për qind. Pikërisht atë ditë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qytetarët në vend i mbajnë dhomat më të ngrohta sesa normalja

    Rizvanolli ka theksuar se ende nuk ka një vendim për rritjen e tarifave, por ka shtuar se disa zhvillime objektive në sektorin e energjisë mund të kenë ndikim në këtë drejtim.

    “Kjo është një sakrificë e domosdoshme për ne dhe për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Rizvanolli.

  • Prokuroria e Pejës paralajmëron intervistimin e mbi 200 komisionerëve për manipulim me vota, procesi vazhdon sot

    Prokuroria e Pejës paralajmëron intervistimin e mbi 200 komisionerëve për manipulim me vota, procesi vazhdon sot

    Prokuroria Themelore e Pejës ka deklaruar se do të intervistojë mbi 200 komisionerë nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore të 28 dhjetorit.

    Ditën e djeshme janë intervistuar rreth 30 persona lidhur me dyshimet për manipulim me vota në Deçan dhe Junik, teksa për sot është paralajmëruar intervistimi i të tjerëve. Më pas do të vazhdohet me kryesuesit.

    Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka deklaruar se të gjithë po intervistohen në cilësinë e të dyshuarve.

    “Janë intervistuar deri me tani rreth 30 persona, kryesisht nga komuna e Deçanit dhe Junikut të cilët kanë qenë komisonerë, në cilësinë e personave të dyshuar ndërkaq do të procedohen tutje edhe komisonerë të tjerë nga këto dy komuna për ditën e nesërme, për të pasuar me pas për intervistimin e kryesuesve. Ne kemi kompetencë territoriale në pesë komuna dhe në të gjitha këto kemi grumbulluar prova të cilat dyshohet për manipulim të votave edhe jemi duke ndërmarrë veprime hetimore. Fillimisht intervistohen komisonerët si persona të dyshuar, janë diku mbi 200 komisionerë që do të intervistohen me autorizimin e prokurorit të shtetit nga hetuesit e hetimeve rajonale te drejtorisë së policisë në Pejë”, ka deklaruar ai.

    Ai deklaroi po grumbullohen edhe prova materiale, dhe pas intervistimit të komisionerëve dhe kryesuesve do të merren masat ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale.

    I pyetur nëse do të përfshihet edhe komuna e Pejës, zëdhënësi u shpreh se Prokuroria në Pejë po ndërmerr veprime hetimore, duke shtuar se puna më voluminoze do të jetë pikërisht në këtë komunë.

    Sa u përket kandidatëve për deputetë, Nikçi tha se “çdo provë që na çon drejt personae që kanë përgjegjësi penale, do të merren masa ligjore”.

    Ndryshe, deri tash, nëpër aksione nëpër rajone të vendit janë arrestuar qindar persona nën këto dyshime.

    Mospërputhja në vota u evidentua pas procesit të rinumërimit, ku pati kandidatë që dolën rreth 7 mijë vota diferencë.