ATV

Author: K.B.

  • Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

    Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

    Në Departamentin e Posaçëm për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës është hapur një lëndë për rastin “snajperistë të fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë më 10 shkurt.

    Sipas Prokurorisë, me urdhër të prokurorit janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve italiane dhe ka kontaktuar Mekanizmin Rezidual Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, me qëllim të verifikimit të informatave.

    Hetimet u nxitën pasi mediat italiane, në fillim të nëntorit 2025, raportuan se Prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim mbi bazën e kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni. Ai pretendon se gjatë luftës në Bosnje, individë të huaj paguanin për të ardhur në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe për të qëlluar civilët e Sarajevës me snajper.

    Gavazzeni ka paralajmëruar gjithashtu botimin e një libri mbi “safari snajperësh”, duke u frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i autorit slloven Miran Zhupaniq.

    Në fund të janarit, Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka dhënë pëlqimin që qyteti t’i bashkohet procedurës gjyqësore të nisur në Milano kundër të dyshuarve.

    Aktualisht, nën hetim është një shtetas italian 80-vjeçar, ish-shofer kamioni nga provinca Pordenone, i cili është marrë në pyetje më 9 shkurt. Prokurorët italianë e dyshojnë atë se, së bashku me persona ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në një plan kriminal të veprimtarisë snajperiste kundër civilëve të Sarajevës në periudhën 1992–1995.

    Sipas mediave, bëhet fjalë për një person me bindje ekstreme të djathta, i cili është deklaruar hapur si fashist.

    Gjatë afro katër viteve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë ka humbur jetën nga një plumb snajperi, ndërsa mbi 14 mijë fëmijë janë plagosur.

    Megjithatë, deri më sot, asnjë snajperist individual nuk është ndjekur penalisht as nga gjykatat vendore dhe as nga ato ndërkombëtare.

    Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në vendimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata snajperiste kishte për qëllim terrorizimin e civilëve të Sarajevës.

  • ZPS-ja përfundon deklaratën përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët, kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës

    ZPS-ja përfundon deklaratën përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët, kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur sot deklaratën e saj përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Në paraqitjen e saj përmbyllëse, ZPS-ja i kërkoi Trupit Gjykues që t’i shpallë fajtorë të katër të akuzuarit për të gjitha pikat e Aktakuzës, duke argumentuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor vërtetojnë përgjegjësinë e tyre penale për krimet e pretenduara.

    Prokuroria kërkoi që secili prej të akuzuarve të dënohet me nga 45 vjet burgim.

    Pas përfundimit të deklaratës së Prokurorisë, fjala i kaloi Mbrojtësit të Viktimave, i cili ka nisur paraqitjen e deklaratës së tij përmbyllëse, duke përfaqësuar interesat dhe kërkesat e viktimave të përfshira në këtë proces.

    Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me deklaratat përfundimtare të palëve mbrojtëse në ditët në vijim, përpara se Trupi Gjykues të tërhiqet për vendimmarrje.

  • Mirë se vjen bashkëluftëtar/ OVL-UÇK reagon për lirimin e Shalës nga Haga

    Mirë se vjen bashkëluftëtar/ OVL-UÇK reagon për lirimin e Shalës nga Haga

    Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë uruar mirëseardhje ish-komandantit Haxhi Shala i cili tashmë është liruar nga Gjykata e Hagës.

    “Mirë se vjen, bashkëluftëtar! Të urojmë shëndet dhe gjitha të mirat në jetë pranë familjes dhe njerëzve të tu”, shkruhet në reagim.

  • Konjufca: Do të jem në Hagë në ditën përfundimtare, do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës

    Konjufca: Do të jem në Hagë në ditën përfundimtare, do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës

    Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se do të jetë i pranishëm në seancën kur do të jepet verdikti për ish-krerët e UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

    “Prapë do të shkoj në Hagë. Po, pra do të jem aty në ditën përfundimtare. Kam aplikuar për me qenë atje dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në atë proces”, iu tha Konjufca gazetarëve sot.

    Ai u shfaq kritik për akuzat që rëndojnë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    “Unë pres që këto akuza të dështojnë. Janë të paqëndrueshme, shpifje, gënjeshtra që e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare”.

    Konjufca tha se beson se të akuzuarit në Hagë do të dalin të pafajshëm.

  • AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga rajoni Maramures i Rumanisë

    AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga rajoni Maramures i Rumanisë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, bazuar në raportet zyrtare të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 09.02.2026, njofton se në një fermë familjare në rajonin Maramureș, në Republikën e Rumanisë, është konfirmuar prania e sëmundjes së tërbimit (rabies) te kafshët shtëpiake.

    Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë.

    Kjo masë hyn në fuqi menjëherë.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri. AUV mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar”, thuhet në njoftim.

  • Nënat që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni ose ankthi

    Nënat që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni ose ankthi

    Nënat që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni ose ankthi më vonë në jetë, sipas një studimi të ri.

    Hulumtimi sugjeron se ushqyerja me gji mund të ulë rrezikun e problemeve të shëndetit mendor te nënat deri në 10 vite pas shtatzënisë. Studime të mëparshme kishin treguar se ushqyerja me gji ul rrezikun e depresionit dhe ankthit pas lindjes, por deri tani nuk ishte e qartë nëse ky efekt zgjaste edhe në afat të gjatë.

    Studimi i ri, i botuar në revistën BMJ Open, ndoqi zakonet e ushqyerjes me gji dhe shëndetin e 168 nënave që lindnin për herë të dytë në Irlandë. Gratë u përfshinë që në fillim të shtatzënisë dhe u kontrolluan bashkë me fëmijët e tyre pas tre dhe gjashtë muajsh, si dhe pas dy, pesë dhe 10 vitesh nga lindja. Në kontrollin e fundit, mosha mesatare e nënave ishte 42 vjeçe.

    Në çdo kontroll, nënat plotësuan pyetësorë të detajuar për shëndetin, përfshirë nëse ishin diagnostikuar ose trajtuar për depresion apo ankth. Ato dhanë gjithashtu informacion për faktorë të tjerë ndikues, si dieta dhe aktiviteti fizik.

    Rreth 73% e pjesëmarrëseve raportuan se kishin ushqyer me gji të paktën një herë. Mesatarisht, ushqyerja ekskluzive me gji zgjati 5.5 javë, ndërsa ushqyerja me gji në total rreth 30.5 javë. Mbi një e treta e grave (37.5%) kishin ushqyer me gji për një periudhë totale prej të paktën 12 muajsh gjatë jetës së tyre.

    Pas 10 vitesh, 13% e grave raportuan se vuanin nga depresioni ose ankthi, ndërsa 21% kishin përjetuar këto probleme në ndonjë moment gjatë periudhës së studimit. Analiza tregoi se gratë me depresion ose ankth kishin më pak gjasa të kishin ushqyer me gji dhe për periudha më të shkurtra.

    Çdo javë ushqyerjeje ekskluzive me gji lidhej me një ulje prej 2% të gjasës për depresion dhe ankth, edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si konsumi i alkoolit.

    Studiuesit theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkak-pasojë, por nënvizojnë se ushqyerja me gji mund të ketë një efekt mbrojtës afatgjatë në shëndetin mendor të nënave, duke forcuar argumentet për promovimin e saj nga politikat publike. / TalkerNews

  • Teuta Selimi çudit me fjalët: Shëroje shpirtin tënd, para meje ke humbur

    Teuta Selimi çudit me fjalët: Shëroje shpirtin tënd, para meje ke humbur

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Teuta Selimi, ka surprizuar ndjekësit në Instagram me një mesazh të fuqishëm.

    Në postim, ajo shprehu qartë mosdurimin ndaj personave që e kanë zhgënjyer.

    Kritikat nuk munguan, duke i quajtur disa njerëz të tillë ata që “vetëm marrin frymë”.

    Megjithatë, në mesazhin e gjatë, Teuta nuk harroi të tregonte ndjesinë e saj dhe shtoi një dozë ironie, duke treguar se qëndron e vendosur në vendimet dhe beson fort te intuita dhe përvojat personale, duke premtuar se nuk do të kthehet pas.

    Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

    “Ndoshta e kam mirë, ndoshta keq, por Zoti më vraftë nëse kthehem kundër intuitës që ndjej.

    Diçka që ke parë ose diçka që ke dëgjuar me veshët e tu, veç harroje.

    Bëja bardhë vetes se ke ndoshta nevojë me gjet justifikim.

    Por para kujt?

    Shëroje shpirtin tënd, para njerëzve të dobët si ti, para meje ke humbur.

    S’jam fitimtare unë, aq edhe më pak.Por ti…s’ja vlen as me u shty me ty.Që…disa njerëz veç marrin frymë.

    Një herë më ka pas thënë një shok që ka njerëz që vetëm zgjohen dhe vishen e dalin, aq kot që janë.

    Ti qenke një ndër ta.Beso më vjen keq edhe për ndjekësit e mi që humbin kohë me lexu, por taksirat”.

  • 14 persona intervistohen në Gjilan nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të votimit

    14 persona intervistohen në Gjilan nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të votimit

    14 persona janë intervistuar deri më tani në Gjilan nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i cili tha se Policia Rajonale e Hetimeve me koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë edhe intervistimin e personave të tjerë.

    “Hetimet po vazhdojnë, deri më tani janë intervistuar 14 persona dhe varësisht nga të gjeturat, Policia Rajonale e Hetimeve me koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë edhe intervistimin e personave të tjerë, këta persona dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit”, ka deklaruar Hashani./teve1.info/

  • Bashkim Ramosaj emëron anëtarët e Kabinetit Qeverisës të Komunës së Deçanit

    Bashkim Ramosaj emëron anëtarët e Kabinetit Qeverisës të Komunës së Deçanit

    Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se sot ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të Kabinetit Qeverisës të komunës për mandatin qeverisës 2025–2029.

    Ramosaj ka bërë të ditur përbërjen e kabinetit, duke përfshirë:

    Sami Cacaj – Nënkryetar i Komunës

    Manjolla Shala – Shefe e Kabinetit të Kryetarit

    Jashar Dobraj – Drejtor i Drejtorisë së Administratës

    Arbër Nuraj – Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit Hapësinor dhe Mbrojtjes së Mjedisit

    Dafina Cacaj – Drejtoreshë për Buxhet dhe Financa

    Agnesa Vokshi – Drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

    Besnik Hulaj – Drejtor i Drejtorisë së Arsimit

    Rifat Stojkaj – Drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

    Izet Zenuni – Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike

    Ibrahim Selmonaj – Drejtor i Drejtorisë për Inspekcione

    Isuf Demhasaj – Drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik

    Laureta Zejnaj – Drejtoreshë për Gjeodezi dhe Kadastër

    Leonora Ukëhajdaraj – Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport

    Kryetari Ramosaj u shpreh: “Na priftë e mbara!”

    Ky kabinet pritet të drejtojë Komunën e Deçanit gjatë mandatit 2025–2029, duke u fokusuar në konsolidimin e qeverisjes lokale dhe zhvillimin institucional të komunës.

  • BIK përkrahë marshin protestues “Liria ka emër”

    BIK përkrahë marshin protestues “Liria ka emër”

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë.

    Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë.

    Kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.

    Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë.

    Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë.