ATV

Author: K.B.

  • Vrasja e Liridonës, Naim Murseli del sërish para gjykatës

    Vrasja e Liridonës, Naim Murseli del sërish para gjykatës

    Naim Murseli do të dalë sërish para Gjykatës Themelore në Prishtinë, si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

    Në seancën e kaluar u dëgjua dëshmia e Murselit, që iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij.

    Përballë trupit gjykues, Murseli përshkroi natën kritike të 29 nëntorit të 2023-tës, duke mohuar se ka planifikuar vrasjen.

    Deklarata e tij zgjati gati një orë, teksa prokurorja e rastit deklaroi se do t’i nevojiteshin më shumë se dy orë për ta marrë në pyetje Murselin.

    Në seancën e kaluar trupi gjykues po ashtu liroi fizikisht nga seanca dy të pandehurit e tjerë, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën. Mbetet të shihet nëse njëjtë do të veprohet edhe sot.

    Seanca do të vijojë sot në orën 09:30.

  • Federata e Sportit Shkollor: Nuk ka rrezik për nxënësit pas tërmetit në Brezovicë

    Federata e Sportit Shkollor: Nuk ka rrezik për nxënësit pas tërmetit në Brezovicë

    Federata e Sportit Shkollor të Kosovës ka njoftuar se të gjithë nxënësit pjesëmarrës në programin “Drejt Malit”, të akomoduar në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore pas lëkundjeve sizmike të ndodhura sonte në Kosovë dhe rajon.

    Sipas Federatës, ekipi i programit është vazhdimisht pranë nxënësve, në bashkëpunim me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe strukturat përgjegjëse të qendrës së skijimit. Janë kryer verifikimet e nevojshme në hapësirat e akomodimit dhe të aktiviteteve, pa u evidentuar ndonjë rrezik apo incident.

    Federata bën të ditur se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se është në koordinim të plotë me institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë maksimale të nxënësve dhe stafit.

  • Komuna e Prizrenit apelon për qetësi dhe vigjilencë pas tërmetit

    Komuna e Prizrenit apelon për qetësi dhe vigjilencë pas tërmetit

    Pas tërmetit që ka pasur epiqendrën në territorin e Komunës së Prizrenit, Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë ka njoftuar se deri më tani nuk është raportuar asnjë incident apo dëme materiale.

    Sipas njoftimit të komunës, gjendja aktuale është e qetë dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet komunale, në bashkëpunim me institucionet relevante të sigurisë dhe emergjencës.

    Nga Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë u është bërë thirrje qytetarëve që të mos bëjnë panik, të ruajnë qetësinë dhe të qëndrojnë vigjilentë, duke theksuar se të gjitha ekipet përkatëse janë në gjendje të plotë gatishmërie për të reaguar në rast nevoje.

    Komuna rikujton qytetarët se për çdo rast emergjent mund të kontaktojnë këta numra:

    112 – Qendra e Thirrjeve Emergjente
    192 – Policia e Kosovës
    193 – Shërbimi i Zjarrfikësve
    194 – Emergjenca Mjekësore

  • Mbrojtja e Thaçit sot i thotë fjalët përfundimtare në Hagë

    Mbrojtja e Thaçit sot i thotë fjalët përfundimtare në Hagë

    Do të vazhdojë edhe sot seanca në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

    Ditën e sotme, fjalët përfundimtare do t’i thotë mbrojtja e Hashim Thaçit.

    Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se sot në orën 09:00 do të nis deklaratën përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Gjatë ditës së djeshme, në përmbylljen e deklaratave, Prokuroria folin për rolin e të akuzuarve dhe tha se Thaçi kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët, duke kërkuar që të merren me rezerva pretendimet e mbrojtjes për rolin e të akuzuarve në UÇK.

    Mbrojtësi i viktimave, ndërkaq, tha se pret që në vendimin për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave. Gjatë deklaratës u tha se viktimat pësuan dëme fizike që u tejkaluan, por “dëmi psikologjik ua ndryshoi jetën”.

  • Sot seanca për konstituimin e Kuvendit: Nis në orën 17:00, pritet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve

    Sot seanca për konstituimin e Kuvendit: Nis në orën 17:00, pritet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve

    Sot, në orën 17:00, mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit, e cila do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP, do të shërbejë si ndihmëse e tij.

    Kryetari i mëparshëm i Kuvendit, Dimal Basha, ka mbajtur një mbledhje përgatitore me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare, ku janë dakorduar detajet organizative të seancës.

    Sipas praktikave dhe Rregullores së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve, do të ulet në ulëset qendrore të sallës plenare. Partia Demokratike e Kosovës do të pozicionohet në anën e djathtë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në anën e majtë. Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe ata nga komunitetet serbe dhe joserbe, do të ulen në ulëset e tjera të sallës.

    Sipas agjendës së prezantuar, pika e parë e rendit të ditës është formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, pas së cilës do të bëhet betimi i tyre.

    Më pas, seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Me vendim të përbashkët, votimi i pesë nënkryetarëve do të bëhet në një pako, sipas propozimit të përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë.

    Ndërkohë, është kërkuar nga partitë politike që të dorëzojnë sa më shpejt emrat e grupeve parlamentare, në mënyrë që të nisë procedura për themelimin e trupave punues të Kuvendit.

  • Vranësira e intervale me diell sot

    Vranësira e intervale me diell sot

    Kryesisht me vransira parashihet moti ditën e mërkurë në vend, e kohëpaskohe nuk do të mungojnë intervale me diell.

    Vende-vende me dendësim të vransirave, paraqiten kushte për ndonjë rigë shiu. Temperaturat minimale zbresin në 2C e 4C, ndërsa maksimalet gjatë ditës shkojnë deri në 10C e 12C. Frynë erë jugore e juglindore, e lehtë dhe mesatare, 5-10m/s.

    Intervale më të shpesha me diell po parashihen ditën e enjtë, kur temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 12C e 14C. Vransirat shtohen pasdite duke shkuar në mbrëmje, kur fillojnë të reshurat e shiut, që vazhdojnë përgjatë ditës së premtë.

    Temperaturat pësojnë një rënie në 7C e 9C. Të shtunën pas intervaleve me diell paradite, vransirat shtohen orëve të pasdites.
    Gjatë mbrëmjes, sërish reshjet e shiut përfshinë vendin, me intenzitet edhe mesatarë me kalimin në ditën e diel.

    Reshje shiu kohëpaskohe vazhdojnë ditën e diel. Temperaturat maksimale shënojnë një rritje deri në 10C e 11C. Minimalet gjatë kësaj periudhe luhaten ndërmjet 2C e 5C.

    Ditën e premtë frynë erë verlindore, e lehtë dhe mesatare, 3-7m/s. Përgjatë fundjave parashihet të fryjë erë më e theksuar juglindore, me hove deri në 15m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • Lirohen me kusht Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu

    Lirohen me kusht Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu

    Dhomat e Specializuara në Hagë kanë lëshuar komunikatë ku njoftojnë se Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu lirohen me kusht.

    Komunikata e plotë:

    Sot më, 10.02.2026, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht në Kosovë, në vijim të rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm i ngarkuar me gjykimin e çështjes Prokurorja e Specializuar k. Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit (“Çështja gjyqësore 12”).

    Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të z. Smakaj dhe z. Fazliu në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë

    se lirohen, si z. Smakaj ashtu edhe z. Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

    Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë.

    Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe

    se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet.

    Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen.

    Z. Smakaj dhe z. Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh.

    Versionet e redaktuara publike të vendimeve për z. Smakaj dhe për z. Fazliu gjenden në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara.

    Në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe me Kushtetutën e Kosovës, të akuzuarit mund të mbahen në paraburgim para shpalljes së fajësisë vetëm kur gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që përligjin paraburgimin. Për çdo person të paraburgosur, gjykatësit rivlerësojnë çdo dy muaj nëse këto rreziqe ende ekzistojnë, nëse ato mund të trajtohen nëpërmjet masave alternative, dhe nëse vazhdimi i paraburgimit është ende i domosdoshëm dhe proporcional.

  • Marshi i 17 shkurtit merr përkrahje edhe nga Gjilani

    Marshi i 17 shkurtit merr përkrahje edhe nga Gjilani

    Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha ka qëndruar sot në Komunën e Gjilanit, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të ndara me përfaqësues të disa kategorive në këtë komunë, të cilët i kanë shprehur mbështetjen për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Së pari, ajo është pritur në një takim të përbashkët nga ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, përfaqësuesit e OVL e UCK-së në Gjilan, Xhevdet Mehmeti dhe Agim Mehmeti, si dhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Gjilanit, Selajdin Abdullahu.

    Tutje, Hoxha ka zhvilluar takime në Handikos, ku është pritur nga Fatmir Shurdhani, në Qendrën për Punë Sociale, ku është pritur nga Mursel Zymberaj dhe stafi i këtij institucioni, si dhe në Brigadën e Zjarrfikësve, të cilët shprehën gatishmërinë t’i bashkangjiten Marshit.

    Hoxha është mirëpritur edhe sot nga kryesitë e Klubeve të Futbollit në Gjilan “KF Drita” dhe “KF Gjilani”.

    Në secilin takim, Hoxha u shpreh mirënjohëse për përkrahjen e parezervë nga këto kategori, duke theksuar se ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.

    Mbështetja nga të gjitha kategoritë e shoqërisë i jep Marshit “Drejtësi, jo politikë” një dimension të gjerë shoqëror dhe kulturor, duke reflektuar ndjeshmërinë e opinionit publik.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”

  • “Të mos komunikojë me dëshmitarë e të mos japë deklarata publike”, këto janë kushtet me të cilat u lirua Haxhi Shala

    “Të mos komunikojë me dëshmitarë e të mos japë deklarata publike”, këto janë kushtet me të cilat u lirua Haxhi Shala

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala është liruar me kusht kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.

    Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur nga 3 vitet e dënimit të tij, bëhet e ditur në vendim.

    “Mes të tjerash, Kryetarja Trendafilova mori parasysh se z. Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme
    rehabilitimi”, thekson njoftimi.

    Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor.

    Lirimi i Shalës është bërë me kushtet në vijim:

    Të garantojë se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë të dhënë në Parashtrimet e Shalës; të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për çdo ndërrim të vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja; të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja; Administratores t’i dorëzohen pasaporta ose dokumente udhëtimi aktuale dhe të ardhshme të z Shala; të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja; të mos kontaktojë apo komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së; të mos japë deklarata publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS-në; të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me mediat, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit, posaçërisht në posaçërisht në lidhje me komunikimet me mediat; të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara; dhe të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS-së.

  • Haliti: Kërkojmë të dimë kandidatin për kryeparlamentar para se të votojmë

    Haliti: Kërkojmë të dimë kandidatin për kryeparlamentar para se të votojmë

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në një intervistë për RTV21 tha se fillimisht do të shohin se kush do të jetë kandidati i LVV-së për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do të votojnë për apo kundër. Sipas tij, LVV-ja nuk duhet të ndjekë praktikat e seancave të kaluara konstituive për mos transparencë.

    “Do të shohim së pari se kush do të jetë kandidati për kryeparlamentar. Uroj që të mos bëhet përsëritje e gabimeve të seancës konstituive të kaluar. Në përputhje me emrin e kandidatit dhe me vendimin që do ta marrim nesër në mbledhjen e grupit parlamentar, do të veprojmë nëse do të votojmë apo jo. Unë nuk kam informacion se kush do të jetë kandidat.”, tha Haliti.