ATV

Author: K.B.

  • Getinjo ndan foto krah një vajzë misterioze

    Getinjo ndan foto krah një vajzë misterioze

    Getinjo sapo ‘theu’ qetësinë e tij sa i përket jetës private!

    Reperi ka publikuar një foto mjaft të afërt me një vajzë misterioze, duke na lënë të kuptojmë se nuk është më vetëm.

    Pas një kohe të gjatë ku fokusi i tij ishte vetëm muzika, ky postim me “zemra” në pasqyrë duket si një konfirmim i pastër se dikush e ka bërë për vete artistin.

    Edhe pse identiteti i vajzës mbetet ende një enigmë (pasi Getinjo po e mban mirë sekretin), fansat kanë nisur menjëherë aludimet. Kush mund të jetë bukuroshja që i ka rrëmbyer zemrën?

  • Konkurs i pazakontë në Kroaci: Lëre duhanin dhe fito 400 euro

    Konkurs i pazakontë në Kroaci: Lëre duhanin dhe fito 400 euro

    Për t’i inkurajuar ata që të përqafojnë një stil jetese të shëndetshëm dhe të lënë duhanin, Instituti i Shëndetit Publik i Qarkut Pozhega-Slavonia në Kroaci, i ftoi duhanpirësit të aplikonin për konkursin “Lëreni Duhanin, Fitoni Para!”, në të cilin fituesi do të fitojë një kupon dhurate me vlerë 400 euro.

    Aplikimet janë të hapura nga e hëna, 9 shkurt deri më 18 shkurt, dhe përveç çmimit kryesor, do të jepen edhe nëntë çmime të tjera në formën e kuponave dhuratë me vlerë nga njëqind euro secili.

    Të gjithë duhanpirësit e rritur që banojnë në qark, të cilët janë të gatshëm të përpiqen të lënë duhanin dhe të abstenojnë për 30 ditë, duke filluar me ditën e parë më 18 shkurt dhe duke përfunduar me 19 mars të këtij viti, mund të aplikojnë.

    Kushti për pjesëmarrje në konkurs është që kandidati të jetë duhanpirës i përditshëm dhe/ose konsumator i produkteve të duhanit dhe/ose nikotinës, me “përvojë” prej të paktën një viti.

    Fituesit e konkursit do të përcaktohen duke hedhur short midis të gjithë kandidatëve të regjistruar që plotësojnë kërkesat dhe do të heqin dorë nga duhani dhe nikotina për një periudhë prej një muaji.

    Shorti publik dhe ndarja e të gjitha çmimeve është planifikuar për 19 mars.

    Pothuajse 38 përqind e të rriturve në Kroaci pinë duhan dhe 44 përqind e studentëve kanë konsumuar cigare elektronike, duke e bërë Kroacinë ndër vendet me konsumin më të lartë të duhanit në BE.

    Përqindja e duhanpirësve në grupmoshën 25 deri në 34 vjeç tejkalon 40 përqind, njoftojnë mediat në Kroaci.

  • Vuçiq kërkoi draftet “Serbia 2030” dhe “2035”, dyshohet se të gjitha janë bërë me ChatGPT

    Vuçiq kërkoi draftet “Serbia 2030” dhe “2035”, dyshohet se të gjitha janë bërë me ChatGPT

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar nga qeveria draftet e planeve “Serbia 2030” dhe “Serbia 2035”, por sipas mediave në Beograd, propozimet që ka marrë dyshohet se janë hartuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, ChatGPT, gjë që e ka nervozuar atë, ka raportuar “021.rs”.

    Sipas gazetës “Novosti”, Vuçiq pritet që sot të thërrasë kryeministrin Gjuro Macut dhe ministrat, duke u vendosur atyre afat që deri më 21 shkurt, kur ai të kthehet nga vizita në Indi, t’i paraqesin një propozim të ri programor.

    Megjithëse lajmi është publikuar nga tabloide pranë qeverisë, deri tani as Vuçiq dhe as përfaqësues të qeverisë serbe nuk kanë reaguar zyrtarisht.

  • Koci në Beograd: Mit’hat Lozhani po trajtohet papërshtatshëm dhe po merret vazhdimisht në pyetje

    Koci në Beograd: Mit’hat Lozhani po trajtohet papërshtatshëm dhe po merret vazhdimisht në pyetje

    Avokati kosovar Arianit Koci ka deklaruar se ndodhet në Beograd, në cilësinë e mbrojtësit ligjor të Mit’hat Lozhanit, i arrestuar nga policia serbe, duke theksuar se rasti kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe ndërkombëtar.

    Koci bëri të ditur se janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion ndaj Lozhanit brenda paraburgimit. Sipas tij, këto pretendime duhet të verifikohen urgjentisht.

    Ai ka kërkuar ekzaminim mjekësor të pavarur për të ndaluarin, dokumentim zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm, sqarim lidhur me mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje, si dhe masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike të tij. Po ashtu, Koci ka theksuar nevojën për veçim nga të burgosurit e tjerë nëse ekziston rrezik për sigurinë e Lozhanit.

    “Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij. Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues”, ka theksuar Koci, duke kërkuar transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar të rastit.

    Ai ka rikujtuar se Mit’hat Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se kjo duhet të respektohet në çdo fazë të procedurës, duke shtuar se një proces i drejtë dhe transparent do të zbardhë të vërtetën për rastin.

    Koci u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje si urgjente, duke theksuar se siguria e shtetasve të Kosovës jashtë vendit është detyrim kushtetues.

    Në fund, ai ka apeluar ndaj qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së apo të strukturave të sigurisë, që të shmangin transitin nëpër Serbi derisa të ketë, sipas tij, siguri juridike dhe fizike.

  • QSU-ja e FSK-së realizon një ushtrim fushor 36-orësh

    QSU-ja e FSK-së realizon një ushtrim fushor 36-orësh

    Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës realizoi me sukses një ushtrim 36-orësh fushor, gjatë të cilit kadetët zhvilluan një trajnim praktik në operacione mbrojtëse.

    Gjatë ushtrimit, kadetët u angazhuan në një sërë detyrash operative, përfshirë fortifikimin e pozicioneve mbrojtëse, operacione zbulimi dhe mbrojtjen e zonës.

    Pjesë e këtij ushtrimi ishin edhe tre kadetë nga kolegji mbretëror “Saint-Jean” i Kanadasë, të cilët po vijojnë studimet në QSU për një semestër.

    “Ky aktivitet shërbeu për rritjen e gatishmërisë profesionale dhe përmirësimin e aftësive taktike të kadetëve, duke dëshmuar përkushtimin e QSU-së në përgatitjen cilësore të kuadrove të ardhshme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Bie rrjeti social – Facebook përjeton problem teknik

    Bie rrjeti social – Facebook përjeton problem teknik

    Përdoruesit e Facebook nga e gjithë bota kanë hasur kohët e fundit në një mesazh të papritur gjatë përdorimit të rrjetit social.

    “Ndodhi një gabim. Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të një problemi teknik për të cilin po punojmë. Provo ta ringarkosh këtë faqe”, shkruan në njoftimin e rrjetit social.

    Ky problem duket se ndikon kryesisht në rifreskimin e faqeve dhe ngarkimin e postimeve të reja, duke penguar përkohësisht përdoruesit të shikojnë përmbajtjen e tyre ose të postojnë.

    Disa përdorues raportojnë se mesazhi shfaqet në mënyrë të përsëritur, ndërsa të tjerë mund të rifreskojnë faqen pa probleme.

    Facebook njoftoi se ekipi teknik po punon intensivisht për të identifikuar dhe zgjidhur defektin.

    Ndërkohë, përdoruesit këshillohen të presin disa minuta dhe të rifreskojnë faqen, ose të përdorin aplikacionin në pajisje të tjera si zgjidhje të përkohshme.

    Ekspertët e sigurisë dhe teknologjisë thonë se gabime të tilla janë të zakonshme në platforma me trafik të lartë dhe zakonisht zgjidhen shpejt. Megjithatë, përdoruesit inkurajohen të jenë të kujdesshëm dhe të mos bëjnë postime të rëndësishme deri sa problemi të normalizohet.

  • Mishetiq u rikujton gjykatësve çfarë thanë dëshmitarët

    Mishetiq u rikujton gjykatësve çfarë thanë dëshmitarët

    Sot nisi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

    Ish-presidentin Thaçi e përfaqëson avokati Lluka Mishetiq.

    Mishetiq po përmend tani çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të Thaçit.

    “Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.

    Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.

    Avokati e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.

    “Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Mishetiq gjyqtarëve./REL/

  • Nis takimi trelateral i mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Nis takimi trelateral i mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Ka nisur takimi trelateral mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, me fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete.

    Kështu është bërë e ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Arben Kingji.

    Ai shtoi se qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trelaterale të mbrojtjes mes vendeve.

    “Ka nisur takimi trilateral së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete. Qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes mes vendeve tona”, ka shkruar ai.

  • Çfarë dihet deri më tani për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanada

    Çfarë dihet deri më tani për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanada

    Nëntë persona janë vrarë dhe të paktën 25 janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë dhe një shtëpi aty pranë në “komunitetin e vogël e të lidhur ngushtë” të Tumbler Ridge, British Columbia.

    Nga nëntë personat e vrarë në sulme, gjashtë u gjetën të vdekur në shkollën e mesme Tumbler Ridge, ndërsa i shtati vdiq gjatë rrugës për në spital. Dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në një banesë aty pranë, transmeton Telegrafi

    Sulmuesi i dyshuar u gjet gjithashtu i vdekur në shkollë me një lëndim të vetëshkaktuar – autoritetet kanë thënë se e dinë identitetin e sulmueses, por nuk e kanë zbuluar emrin.

    Një alarm për strehim në vend i dërguar në telefonat në zonë e përshkroi sulmuesen e dyshuar si një “femër me fustan me flokë ngjyrë kafe”.

    Të paktën dy persona të tjerë u dërguan në spital me lëndime serioze ose kërcënuese për jetën pas sulmit, dhe deri në 25 persona po trajtoheshin për lëndime jo kërcënuese për jetën, tha policia

    Një bllokim në shkollën e mesme dhe shkollën fillore aty pranë është hequr, por të dyja do të mbeten të mbyllura për pjesën e mbetur të javës

    Identiteti i të dyshuaret: Policia ende nuk ka ndarë detaje të të dyshuarës dhe thotë se ende nuk e di lidhjen e saj me shkollën.

    Çdo lidhje midis sulmeve: Policia beson se mund të ketë një lidhje midis sulmeve në shkollë dhe banesës aty pranë “, por nuk është në gjendje ta japë këtë përfundimisht”.

    Identitetet ose moshat e viktimave: Detajet e viktimave nuk janë publikuar ende

    Nëse numri i viktimave mund të rritet: Ende nuk ka përditësime nga autoritetet, por ata më parë thanë se po vazhdonin të kontrollonin banesat aty pranë pas të shtënave, është e paqartë nëse ky kërkim ka përfunduar.

  • Gjykata dënon me 25 vjet burg Besnik Salihun për rastin e vrasjes në Dumnicë

    Gjykata dënon me 25 vjet burg Besnik Salihun për rastin e vrasjes në Dumnicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 25 vjet burgim Besnik Salihun për vrasjen në Dunicë të Podujevës tri vjet më parë, ndërsa vëllai i tij Ilaz Salihu është liruar nga akuza.

    Salihu është shpallur fajtor se më 26 mars të vitit 2023 vrau me armë zjarri, duke e qëlluar dy herë në kokë, S.S.

    Salihu u dënua me 24 vjet burgim për vrasje dhe një vit e 6 muaj për “armëmbajtje pa leje”. Gjykata shpalli një dënim unik prej 25 vjetëve burgim.

    “Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S., një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore. Për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari Besnik u largua nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktakuzë.

    Në aktakuzë u tha se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale. Por, Ilaz Salihu u lirua nga akuzat.
    Palët kanë 30 ditë afat për ankesë.