ATV

Author: K.B.

  • Asamblistët e PDK-së në Prishtinë kërkojnë që ora e parë e 16 Shkurtit t’i kushtohet rolit të UÇK-së

    Asamblistët e PDK-së në Prishtinë kërkojnë që ora e parë e 16 Shkurtit t’i kushtohet rolit të UÇK-së

    Asambleistët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kryeqytet i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që në të gjitha shkollat e Prishtinës, ora e parë mësimore e datës 16 Shkurt t’i kushtohet rolit dhe sakrificës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

    Kërkesa është bërë publike nga Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK-së në Prishtinë, i cili ka theksuar se në prag të Ditës së Pavarësisë është detyrë institucionale dhe morale që nxënësit të njihen me sakrificën mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.

    Sipas tij, një praktikë e tillë ka ekzistuar edhe gjatë qeverisjes së mëhershme të PDK-së në kryeqytet, kur përmes Drejtorisë së Arsimit organizoheshin ligjërata me ish-ushtarë dhe invalidë të UÇK-së, me qëllim që historia të transmetohej drejtpërdrejt te brezat e rinj.

    Retkoceri ka theksuar se kjo iniciativë merr peshë të veçantë edhe në prag të marshit qytetar “Drejtësi, jo Politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    “Ashtu si gjatë qeverisjes sonë, edhe sot besojmë se historia duhet të flasë drejtpërdrejt para brezave të rinj. Historia nuk mund të zhbëhet. Liria ka themel sakrificën e UÇK-së,” thuhet në reagimin e tij.

    Asambleistët e PDK-së presin reflektim institucional nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë kërkesë.

  • Hoxha pritet nga Imzot Dodë Gjergji në Katedrale – Ipeshkvia e Kosovës mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Hoxha pritet nga Imzot Dodë Gjergji në Katedrale – Ipeshkvia e Kosovës mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha është pritur në takim nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, e cila përfshin Kishën Katolike në Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, i cili i ka shprehur përkrahjen e komunitetit katolik për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Në këtë takim, Hoxha tha se mbështetja që po merr Marshi edhe nga bashkësitë fetare shtë dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore.

    “Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, tha Hoxha.

    Ndërkaq, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji tha se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e drejtë dhe në shërbim të së vërtetës.

    “Komuniteti katolik në Kosovë e mbështet këtë marsh si një angazhim qytetar për drejtësi të paanshme dhe për ruajtjen e vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar liria e vendit tonë”, shtoi ai.

    Platforma “Liria ka Emër” fton të gjithë qytetarët, organizatat, grupet shoqërore dhe komunitetet në mbarë vendin që t’i bashkohen marshit më 17 shkurt, për të dëshmuar unitet dhe për të kërkuar drejtësi të paanshme.

    Më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, mblidhemi në Prishtinë për një mesazh të qartë: Drejtësi, jo politikë!

  • Kupa e Kosovës në Basketboll, sot akti i dytë i gjysmëfinaleve

    Kupa e Kosovës në Basketboll, sot akti i dytë i gjysmëfinaleve

    Sonte zhvillohen ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës në Basketboll.

    Nga ora 17:00, skuadra e Borës do të përballet me Trepçën.

    Kampioni në fuqi është shumë pranë finales, pasi në ndeshjen e parë kishte fituar me një diferencë prej 23 pikë dallim, 64:87, derisa skuadrës prishtinase do t’i duhej një fitore me 24 pikë dallim për t’u kualifikuar në finalen e kupës për herë të parë.

    Sigal Prishtina – Bashkimi është përballja e skuadrave me traditë në basketbollin e Kosovës. Prizrenasit fituan në duelin e parë 83:67, ndërkohë që kryeqytetasit për t’u kualifikuar në finale duhet të fitojnë me të paktën 17 pikë dallim.

    Finalja do të zhvillohet, më 18 shkurt.

  • Aksident i rëndë në hyrje të Shkupit, një maunë dhe një veturë shkrumbohen pas përplasjes

    Aksident i rëndë në hyrje të Shkupit, një maunë dhe një veturë shkrumbohen pas përplasjes

    Një aksident ka ndodhi dje në hyrje të Shkupit ku një veturë pasagjerësh u përplas me një kamion.

    Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut dha detaje për këtë aksident të rëndë trafiku.

    Sipas informacioneve nga policia, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:00 në autostradën Shkup–Kumanovë. Përplasja ka ndodhur ndërmjet një automjeti pasagjerësh BMË me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.V. 25-vjeçar nga fshati Bujkovcë, rajoni i Shkupit, dhe një automjeti transportues Mercedes me gjysmërimorkio me targa të Negotinës, i drejtuar nga L.D 56-vjeçar.

    Në aksident, të dyja automjetet janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht, ndërsa drejtuesi i BMW-së ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar nëKlinikën “Nënë Tereza” në Shkup.

    Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrje nga ekipi hetimor i SPB Shkup.

  • Britania e Madhe dyfishon trupat në Norvegji për t’iu kundërvënë ‘kërcënimit rus për Arktikun’

    Britania e Madhe dyfishon trupat në Norvegji për t’iu kundërvënë ‘kërcënimit rus për Arktikun’

    Numri i trupave britanike në Norvegji do të dyfishohet gjatë tre viteve të ardhshme, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar kërcënimet ruse në Veriun e Epërm.

    Sekretari i Mbrojtjes, John Healey tha se numri i personelit të forcave të armatosura të stacionuara në kombin Arktik do të rritet nga rreth 1,000 në 2,000, transmeton Telegrafi.

    Angazhimi vjen pas shqetësimit në rritje midis aleatëve të NATO-s në lidhje me aktivitetet e Rusisë në Arktik, duke përfshirë rihapjen e bazave të vjetra të Luftës së Ftohtë dhe një prani ushtarake në rritje në rajon.

    “Kërkesat për mbrojtje po rriten dhe Rusia përbën kërcënimin më të madh për sigurinë e Arktikut dhe Veriut të Epërm që kemi parë që nga Lufta e Ftohtë,” tha Healey.

    Sekretari i Mbrojtjes do t’u bashkohet homologëve të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel të enjten për të diskutuar propozimet.

    Roja Arktike, e propozuar nga Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, synon të forcojë mbikëqyrjen dhe sigurinë në rajon – të modeluar sipas aleancave ekzistuese të NATO-s, siç janë Roja Baltike dhe Roja Lindore.

    Si pjesë e pranisë së zgjeruar, 1,500 komando të Marinës Mbretërore do të marrin pjesë në stërvitjen e përgjigjes së ftohtë të NATO-s në mars.

    Stërvitja në shkallë të gjerë në Norvegji, Finlandë dhe Suedi është projektuar për të trajnuar forcat aleate në kushte ekstreme të Arktikut.

    Në shtator, forca e përbashkët ekspedituese e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojë një stërvitje të njohur si Mbrojtësi i Luanit, ku përfshihen forca ajrore, tokësore dhe detare nga disa vende evropiane.

    Ky operacion do të trajnojë forcat e armatosura për të mbrojtur infrastrukturën kritike kundër sulmeve dhe sabotimeve në të gjithë Norvegjinë, Islandën dhe ngushticat daneze.

    Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj të NATO-s janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për rrezikun që Moska paraqet për kabllot dhe tubacionet nënujore, mes tensioneve të larta pas pushtimit të Ukrainës.

    Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia nënshkruan një pakt mbrojtjeje që synon mbrojtjen e kabllove nënujore, i cili do të shohë marinat e të dy vendeve të operojnë një flotë të kombinuar për të ndjekur nëndetëset ruse.

    Ka pasur një rritje prej 30% të nëndetëseve ruse në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar gjatë dy viteve të fundit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

    Ministria e mbrojtjes ka thënë se aktiviteti i nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut tani është kthyer në të njëjtat nivele si në epokën e Luftës së Ftohtë.

  • Ardian Bujupi dhe partnerja në pritje të fëmijës së parë

    Ardian Bujupi dhe partnerja në pritje të fëmijës së parë

    Këngëtari i njohur, Ardian Bujupi, ka ndarë një lajm të veçantë me ndjekësit e tij, duke konfirmuar se së shpejti do të bëhet baba për herë të parë.

    Pas vitesh duke ruajtur me shumë kujdes jetën private, ai ka zgjedhur ta bëjë publike këtë moment të rëndësishëm përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Në fotografinë e publikuar, Ardiani shfaqet pranë bashkëshortes së tij, Fjolla Fetinci, ndërsa në sfond shihet ekoja e foshnjës, një detaj që i jep imazhit një ndjesi shumë emocionale.

    Në përshkrimin e fotografisë, këngëtari ka shkruar: “Nga dashuria jonë po lind një jetë e re. Mirë se vjen, engjëlli ynë”, duke përcjellë emocionet dhe lumturinë e çiftit.

    Ardiani dhe Fjolla e kurorëzuan lidhjen e tyre në verën e vitit 2023 në Gjermani, në një ceremoni private, larg vëmendjes së medieve.

  • Uran Ismaili në Hagë për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes

    Uran Ismaili në Hagë për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes

    Uran Ismaili nga PDK ka shkuar në Hagë për të përcjellur deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur dje fjalën përfundimtare, duke ia lënë radhën mbrojtjes.

  • Momenti kur bie tërmeti në një çajtore, të rinjtë ikin me vrap

    Momenti kur bie tërmeti në një çajtore, të rinjtë ikin me vrap

    Kosova mbrëmë është goditur nga një tërmet rreth 4.8 sipas shkallës Rihter në zonën Prizren–Shtërpcë.

    Përveç Kosova, edhe Maqedonia e Veriut përjetoi dridhje.

    Në mesin e qyteteve të goditura ishte edhe Tetova.

    Përveç panikut te qytetarët, ku tërmet nuk ka shënuar dëme në njerëz.

    Megjithatë, pamje nga dridhjet kanë dalë nga Tetova, atje ku shihen disa të rinj teksa largohen me vrap nga objekti ku ishin.

  • Rasti i dhunës në shkollën “Pavarësia”, mësimdhënësi lirohet nga arresti

    Rasti i dhunës në shkollën “Pavarësia”, mësimdhënësi lirohet nga arresti

    Mësimdhënësi që është përfshirë në një rast të dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë është liruar.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

    Ai tha se kanë propozuar masë alternative ndaj mësimdhënësit. Bëhet fjalë për lajmërim në stacion policor.

    Gashi shtoi se nuk kanë hapur procedura për nxënësin që shihet në video sa u përket veprimeve të tij para ngjarjes.

    Ai tha se janë duke i analizuar të gjitha pamjet.

  • Osmani shpreh ngushëllime për viktimat e atentatit në Kanada

    Osmani shpreh ngushëllime për viktimat e atentatit në Kanada

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën më të dashurit e tyre, pas të shtënave në Kanada.

    Mëngjesin e sotëm u raportua se, si pasojë e të shtënave me armë në një shkollë dhe një shtëpi, nëntë persona humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën, shkruan IndeksOnline.

    Osmani u shpreh se asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk duhet të përjetojë kurrë një tragjedi të tillë.

    “Sot, zemrat tona kthehen nga Tumbler Ridge, Kanada.

    Asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk duhet të përjetojë kurrë një tragjedi të tillë. Ne vajtojmë me popullin e Kanadasë dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve që përballen me këtë humbje të paimagjinueshme. Gjithashtu, mendojmë për ata që u plagosën.

    Kosova qëndron fort me Kanadanë në këtë kohë pikëllimi”, shkroi presidentja, në X.